top of page

Mentor Serjani: Dialogu i përjetësisë: Dashuria dhe pendimi në poezinë ‘Fola me nënën, në parajsë’ të VULLNET MATO

  • Mar 15
  • 3 min read

Updated: Mar 17



Nga Mentor Serjani

 

“Zemra e një nëne është gjithmonë me fëmijën e saj.” 

          Honoré de Balzac

 

“Fola me nënën, në parajsë” është një poezi lirike me ngarkesë të thellë emocionale, Ajo ndërton një dialog imagjinar mes poetit dhe nënës së ndjerë, duke krijuar një atmosferë shpirtërore, nostalgjike dhe  njerëzore.

Linja qendrore  që  përshkon poezinë është dashuria për nënën dhe borxhi moral ndaj saj. Poeti ka një peng të brendshëm që e ka shoqëruar gjithë jetën:ndjenjën se nuk ka mundur ta shpërblejë dot sakrificat e nënës.

Ndërsa Idetë që ajo përcjell janë se: dashuria e nënës është e pakushtëzuar dhe falëse,- fëmija shpesh e ndien veten gjithmonë borxhli ndaj saj.Kjo poezi transmeton fuqishëm konceptin shpirtëror se dashuria mes nënës dhe fëmijës vazhdon edhe pas vdekjes.

Poezia ka një konstruksion ndërtimor të mirë menduar ,ku projekti është zbatuar më së miri nga poeti duke filluar  me dialogun imagjinar: në fillim flet biri, i mbushur me pendim dhe mall; më pas zëri i nënës nga parajsa ku zbret qetësimi dhe falja ;dhe në përmbyllje poeti rikthehet sërish te pendimi dhe dashuria. I gjithë ky kompozicion letrar krijon: dramaticitet të fortë emocional,komunikim gjithëkohor mes botës tokësore dhe asaj qiellore 

Në poezinë e Vullnet Mato shpalosen motive të rëndësishme si :a)sakrifica,përkushtimi ,të mishëruara këto tek dashuria absolute e nënës për fëmijët dhe familjen

b) pendimi ku shprehet me metafora të fuqishme siç janë

“lëmsh në fyt” dhe “gur në zemër”,ku dashuria bëhet e dhimbshme dhe mallëngjimi i prekshëm

c)sakrifica familjare

 vuajtja e familjes:nëna (Thëllënxa,bija e Çamërisë me mëndje ,shpirt,e pamje të bukur si Zanat)që rrit fëmijët në varfëri,ndjekur nga hija e armikut të klasës që ia shkaktoi sistemi monist;

-babai i dënuar padrejtësisht,(Remzi Mato)mësuesi dhe profesionisti i shkëlqyer,Multitalent. d) Motivi i përjetësisë se dashuria nuk përfundon me vdekjen,ajo vazhdon të jetoj në shpirtrat tanë

Poezia ka një figuracion të pasur letrar që rrisin ndjeshmërinë dhe fuqinë emocionale të saj siç janë :personifikimi:zëri i nënës që vjen nga qielli dhe flet me birin,si simbol i përjetësisë.Hiperbola :”shqyen qiellin e nëpër yje zërin gjëmon”për të vënë në pah fuqinë e dashurisë së nënës.Epitete :“e bukura nënë”; “bir i zemrës” ,këto e bëjnë poezinë të madhërishme dhe të gjallë artistikisht

Shkrimtari Vullnet Mato ka një stil dhe gjuhë të veçantë e të pasur letrare e përdorur me thjeshtësi dhe e drejtpërdrejt duke e bërë atë shumë shprehëse dhe intime

E gjithë poezia është një rrëfim lirik ku ndërthuren emocioni,kujtimi,dhe reflektimi

Çfarë mësojmë dhe kuptojmë nga leximi kësaj poezie: pamatshmërinë e sakrificave të nënës,dashurinë e saj të përjetshme dhe lidhjen nënë fëmijë si një lidhje e shenjtë

Në përmbyllje të këtyre radhëve dua të nënvizoj se:poezia “Fola me nënën, në parajsë” është një krijim,ku Vullnet Mato përmes figuracionit letrar arrin të shprehë ndjenjat e thella të dashurisë, mallëngjimit dhe pendimit të një biri për nënën e tij. Se dashuria e nënës është e pakrahasueshme dhe e përjetshme, ndërsa mirënjohja dhe respekti për prindërit duhet të jenë gjithmonë të pranishme në jetën e çdo njeriu.E ndjeva si një nxitje të brëndshme shpirtërore,duke lënë mënjanë modestinë,të shkruaj për shkrimtarin dhe personalitetin e shquar Vullnet Mato me një prodhimtari të jashtëzakonshme letrare në të gjitha zhanret,por pa e fshehur edhe lidhjen e gjakut që kemi. Ju uroj jetë të gjatë dhe frymëzim të pandërprerë, që pena juaj të vazhdojë të ndriçojë botën e letërsisë.

Bashkëngjitur poezia e autorit:

 

Vullnet Mato

FOLA ME NËNËN, NË PARAJSË

 

Gjithë jetën, kam pasur lëmsh në fyt, 

lotët e nënës, që më lindi e më ka rrit.

Atë peng, kam dhe gur brenda zemrës, 

që nuk i kam shlyer dot, borxhin nënës... 

 

Zëri i saj, më vjen nga qielli e më thotë:

Ç’e ke, or bir, atë pendim, fare të kot? 

Se ti borxhet e tua, të gjitha i ke shlyer,

kur më lehtësove, me ndihmën e vyer;

 

More tre vëllezër, ku gjete punë skajshëm,

kur babanë tuaj e dënuan, të pafajshëm.

Mbajta vetëm peshën e fëmijëve të tjerë,

duke i rritur me lakra të egra, te mali i gjerë. 

 

Për ty bir, iu luta shumë herë perëndisë,

që të zgjati jetën, si djali i madh i shtëpisë,

vitet që lanë pesë vëllezërit, pa u moshuar,

t’i shtojë ty, që jetove larg, i përmalluar...

 

Ndaj mos m’i përmend më, ato pendime,

se të kam pafundësish, bir të zemrës sime,

e ti më ke mua në shpirt, përjetësisht, nënë,

qëkur, gjirin para të tjerëve, të kam dhënë. 

 

E di nënë, se ti për djalin, që ende gjallon,

shqyen qiellin, e nëpër yje zërin gjëmon! 

Por unë derisa të jem në këtë botë, i gjallë,

do them: Më fal, moj e bukura nënë, më fal!...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page