Është koha për të mësuar frymëmarrjen

Është koha për të mësuar frymëmarrjen
Nga Fatmir Terziu
Koha ka dalë në kërkim të paditur. Ajo
është duke gjuajtur për një të papërsosur
që dehet papritur
kush është i harruar është ftohur prej saj,
i ngrirë e s'lëviz
në këtë gjah
qoftë dhe për një mizë.
Një mizë të lindur vetë me spërkatëse,
për të larguar fluturakët e tjerë
me lojën e saj të kapur,
që të do ashtu siç je
gojëhapur.
Duke pirë erën dhe rrokjet e rëna nga kupa,
që mësojnë vargjet e Khajamit të urtë,
të puthin çupa.
…është koha për të mësuar dehjen
zhgjëndur tek ky realitet
rreth botës, bimëve dhe fluturakëve
me dolli për demonin e tyre të vërtetë,
në qytetin e harruar.
Ai nuk urren askënd, nuk e do askënd
është i barabartë, me një poezi të papërfunduar.
Sa keq për tekstet ende të paprekura
Nga Fatmir Terziu
Është grisur perdja që ndan murin e tejdukshëm,
goja nuk flet,
mendja gudulis këmbanën e argjendtë,
ndërsa mendimet kacafyten në një hapësirë blu,
në dremitje,
jeta është një shkrim kuturu,
ne e shkruajmë tekstin me pëshpëritje,
në tru.
Ndjenjat mbulohen mjeshtërisht në kapakë të shtrirë,
mbushin faqet e mbetura,
deri në të gdhirë,
sa keq për tekstet ende të paprekura,
leximet në errësirë,
janë si ëndrrat e heshtura.
Dhe mendja shëtit brenda dhe jashtë
duke u bërë një kimerë
postuar diku në stratosferën e mëndafshtë
si një gotë të mbushur me verë
në këtë ëndërr të bukur, të lashtë...
Për rënien në mëkatin e pikturës
Nga Fatmir Terziu
Po qëndiset mesi i ditës,
e shtrin gjergjefin gëzimi i qershisë, mbi kokrra.
E qelqta e paqme e gjërave shpërndan linjat e saj
në lumin e dritës blu përtej formës si bota,
në sytë e mi ngrihet muzeu i artit
harpa zgjon grigjat e zhgjumura nga kullota,
obelisku i ngritur me mitin e fatit
tejçon lëng përsëri
në penela
imazhet kalojnë nëpër fusha konfuzioni
duke i penguar fluturat që udhëtojnë larg zhurmës,
personazhet kryesore mbajnë fjalime rreth
ditës,
dhe për rënien në mëkatin e pikturës,
zogjtë ikin të trembur nga vdekja e kritikës.
E dashur zogjtë kanë mbetur brenda qershisë,
nuk këndojnë,
nuk bëjnë zë,
pse sytë në këtë rast mëkatojnë,
dhe për këtë do të flitet në TV.








Bukur poet i nderuar, te tria poezite. Respekt penes tuaj