top of page

ÇRREGULLIMI I TËRËSISHËM I FUSHËS SË LETËRSISË


Sabit Rrustemi

Sabit Rrustemi, poet e prozator, autor i mbi 20 veprave, i përkthyer në shumë gjuhë, fitues i shumë shpërblimeve, por edhe i burgosur (në vitin 1981) për shkak të një tregimi, fatkeqësi kjo që ndikoi një kohë të gjatë t’i ndalohet e drejta e botimit. Aktualisht drejton Ars Clubin “Beqir Musliu”, një asociacion alternativ i shkrimtarëve në Kosovë, me seli në Gjilan, brenda të cilit asociacion është dhe Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” si dhe revista letrare – kulturore AGMIA. HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

RRUSTEMI: Po t’i bija shkurt, do të thosha troç: JO. Por, kjo Jo-ja e kërkon dhe një shpjegim pakëz më të gjerë. Dihet mirëfilli, së paku nga Antika e këndej, që sasia nuk e garanton edhe cilësinë. Në Kosovë, fjala vjen, mund të merren me shkrime edhe një milion veta, por s’do të thotë që do të jenë edhe një milionë shkrimtarë. Epiteti i të qenit shkrimtar përcaktohet nga vlera letrare – artistike e veprës së tij, e jo kurrë nga sasia e librave që ka shkruar. Në Kosovën e pasluftës, njëjtë si pompat e benzinës, restorantet, motelet, pishinat, autolarjet, parkingjet, marketet e supermarketet, qendrat tregtare, objektet banesore… tash edhe “fabrikat” e “lagjet banesore” e, madje së fundi edhe “ fshatrat turistike”, e “mbushëm” vendin edhe me “shkrimtarë”, të cilët, siç thuhet, po “mbijnë” si kërpudhat pas shiut. Ku do të ishte ai fat që të kishim njëmend kaq shumë shkrimtarë, pra kaq sa edhe po shkruajnë e po dalin me libra në çdo dy e tre muaj, por në fakt, Kosova, sot ( nuk po shkoj më larg, anise e njëjta gjendje afërsisht është edhe në Shqipëri e pjesët tjera ku jetojnë den baba den shqiptarët) vuan për mungesën e shkrimtarëve të mirëfilltë. Jo që nuk ka, po ata / ato, s’po duken, s’po shihen nga llumi i madh i atyre që thjeshtë kanë hyrë në fushë të gabuar, ku më shumë rrënojnë se sa krijojnë. E, në një këso anarkie, vështirë të thuhet se po bëjmë letërsi, apo edhe më vështirë ta shoshitim e ta nxjerrim në pah atë vepër që vërtetë përmbush kriteret artistike, si dhe ta ndajmë anash atë “vepër” a “ libër” që thjeshtë e ka nxirë kot faqen e bardhë. Këtu ka shumë faktorë që e kanë sjellë një gjendje të tillë, që nga “pluralizmi” i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, ndërrimi i sistemeve e pushteteve, pastaj lufta, periudha kalimtare deri te një gjendje normale që po zgjatë shumë, çrregullimi i tërësishëm i fushës së letërsisë, para se gjithash, anarkia e krijuar në sistemin e botimit, afirmimit të vlerave si dhe mungesa tejet e madhe e kritikës letrare. Derisa mund të na falet dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit të kaluar (vitet 1990 – 2000), kur si popull ishim përkushtuar thuaja tërësisht në çlirimin dhe krijimin e Republikës së Kosovës, periudha më pas që i ka sjellë dhe dëmet më të mëdha letërsisë, në rend të parë me mospërfilljen e kritereve letrare me rastin e botimit si dhe shitjen apo blerjen e vlerësimeve fallso letrare, nuk do të na falet asnjëherë. Kemi ardhur para një moment kyç, kur thjeshtë të vjen turp t’i thuash dikujt se, edhe “unë shkruaj”, meqë, edhe çobani, bujku, ish udbashi apo “sigurimsi”, zyrtari i thjeshtë lokal apo dhe një ish funksionar i sistemit të deridjeshëm… po edhe një ish i burgosur politik a për kundërvajtje, jo veç kanë marrë turr, po sot lavdërohen me dhjetëra tituj librash e “dekoratash” dhe “mirënjohjesh” që i kanë marrë nga “qendra” të ndryshme “kombëtare” e “ndërkombëtare”… Kur të ndalesh e të shikosh jashtë se cili prej nesh ka kaluar me paraqitje a botime kufijve lokalë e kombëtarë, apo dhe ka bërë emër apo është vlerësuar me çmime, ngelim thjeshtë në NJË emër apo më së shumti edhe në dy apo tre emra të tjerë. E, qitja tash kalemin kësaj pune …. dhe shihe se sa i “ndihmuam” letërsisë dhe e zhvilluam atë, përmes së cilës do të na njihnin e do të na çmonin dhe më shumë të tjerët, tej nesh. HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epokën letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70 – 80 – 90 ! Ku qëndron problem, te shkëputja e kontaktit krijues – lexues, te “heshtje krijuese” si pasojë r shkëputjes kohore e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare ? RRUSTEMI: Secili interesim Juaji këtu, është temë në vete dhe do të na shërbente për të thelluar debatin e kësaj fushe deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, përmes së cilës do të dihej pastaj se çka është letërsi dhe çka duhet të mbetet jashtë saj, si “material” që duhet larguar nga tavolinat tona, vitrinat, po edhe nga bibliotekat tona, që prej atyre lokale e shkollore deri te Bibliotekat Kombëtare, qofshin ato dhe veprat e mia. Por, t’i kthehem konkretisht pyetjes dhe ta zbërthej atë në mundësitë e mia. Nga fundi i viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, deri në çlirimin e Kosovës, pjesa më e mirë e shkrimtarëve të kësaj ane, ishin të angazhua, nëse mund ta quaj, në një rezistencë letrare, ku me një poezi, tregim apo dhe me një shtjellim letrar, sforcohej ideja për mëvetësim dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Ky front i rezistencës letrare, i nisur që në vitet gjashtëdhjeta, u konsolidua sidomos pas vitit 1974 dhe, përkundër ndjekjeve e represalieve të pareshtura, nuk pushoi së mbrumuri idenë dhe, rritur ndërgjegjen kombëtare për pavarësim. Kjo letërsi që tash identifikohet me emrat si të Adem Demaçit, Ramadan Rexhepit, Rexhep Elmazit, Xajë Nurës, Jusuf Gërvallës etj etj në prapavijë kishte gjeneratën e viteve 70-ta, në krye me Teki Dervishin, Beqir Musliun, Ymer Shkrelin, Musa Ramadanin, Zejnullah Rrahmanin etj… bashkë me një “elite letrare”, të ndarë në “dysh”. Njëri krah “shtrihej” përmes emrit të Rexhep Qosjes dhe krahu tjetër përmes emrit të Ibrahim Rugovës. Të dy “krahët” letrarë i bashkonte një letërsi. Gjeneratat e mëpastajme, sado që u përpoqën t’i shkrijnë këta “krahë”, realisht u zhvilluan dhe krijuan nën “hijet” e këtyre “krahëve”, madje edhe sot. Të paktë janë ata shkrimtarë që kanë ruajtur njëfarë asnjanësie. Tash, dy dekada pas lufte, shoh përpjekje për krijimin e një “fryme” tjetër letrare. Por, prapë, “hija” e këtyre “krahëve” ende nuk është tërhequr apo zhbërë. Nën ndikimin e këtyre “krahëve” ka ra thuaja dhe lexuesi, i cili si dje, edhe sot është në kërkim. Në fakt, lexuesi përherë ka qenë në kërkim dhe asnjëherë i larguar tërësisht nga libri, përkatësisht shkrimtari. Por, rrjedhat e zhvillimeve të reja gjatë këtyre dyzet viteve (1981 – 2021) e kanë bërë të veten. Shkrimtari mbetet në kërkim të lexuesit vazhdimisht, sepse atë e ka adresë të parë dhe, kudo që është ai, ky troket, qoftë dhe në rrjete sociale, në portale dhe, në ato pak a hiç gazeta që kanë mbetur. Megjithatë, një nga hendikepet në këtë afri më të madhe, që nuk është sa duhet e si duhet funksionale ( pra lidhja shkrimtari – lexuesi), është mungesa e një vlerësuesi të mirëfilltë letrar, ai i cili qartëson shtigjet dhe heq mjegullat që bien mbi veprat letrare apo mbi emrat e shkrimtarëve. Kritikë letrare të organizuar, siç ishte gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta, tashmë nuk kemi, andaj nuk kemi edhe letërsi të konsoliduar… e nuk kemi as vepra e as emra që bëjnë bujë jashtë kufijve tanë, sado që “yshtjet personale” për të depërtuar në qarqet ndërkombëtare letrare, nuk kanë kryer punë. Përkundrazi, kanë zbehur edhe ato vlera të mirëfillta letrare që fatmirësisht i kemi edhe në këto rrethana krijuese. HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”? RRUSTEMI: Kritikë letrare të mirëfilltë, madje dhe më të mirë se ajo e viteve 70-ta e 80-ta të shekullit të shkuar, do duhej të kishim, sepse e kishim një themel të fortë të kësaj kritike që ishte krijuar me emrat e dy prijatarëve të saj, Rexhep Qosjes e sidomos të Ibrahim Rugovës, duke mos i harruar dhe të tjerët si Mensur Raifi, Anton Nikë Berisha, Sabri Hamiti, Bajram Krasniqi, Agim Vinca, Ramadan Musliu, Kujtim Shala …por, mjerisht, kalimi nga një sistem monist, në një sistem demokratik, jo që nuk krijoi kushte për letërsinë dhe kritikën letrare, por as që e pa të udhës një gjë të tillë… dhe ja ku jemi tash! Sot, nuk është që s’shkruhet për vepra e libra të ndryshëm që botohen në Kosovë e gjetiu. Por, si shkruhet e vlerësohet libri sot, kjo është çështja… Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me një vlerësim a kritikë letrare të sponsorizuar e që fund e krye është afirmative dhe joprofesionale, madje dhe nga njerëz që kanë tituj dhe kanë bërë emër në fushën e kritikës….Duket që çështja ekzistenciale, kafshata e gojës e ka ngulfatur jo vetëm kritikën letrare po edhe letërsinë në tërësi, gjithandej hapësirës etnike po dhe nëpër botë. Me një fjalë, kemi sharruar në diletantizëm. Për një kritikë bashkëkohore dhe mbi të gjitha profesionale, është e domosdoshme edhe përkujdesja institucionale – shtetërore, njëjtë siç është e domosdoshme edhe në përkthimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta letrare edhe në qarqet ndërkombëtare letrare, qoftë përmes ministrive përkatëse të kulturës po edhe të arsimit dhe, duke i ndihmuar dhe shtytur shtëpitë botuese në këtë drejtim, përmes subvencionimit të librit, e më tepër në blerjen e librit të mirë. HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare? RRUSTEMI: Pavarësisht mëdyshjeve tek – tuk të ndonjë shkrimtari, sidomos të këtyre më në moshë, rrjetet sociale dhe portalet e botës së internetit tashmë janë të paevitueshme, sepse aty e kemi lexuesin. E, shkrimtari, gjithmonë është në kërkim të lexuesit dhe lëviz kah është ai. Tjetra, nuk ka ndonjë arsye që t’iu shmanget, sepse, sidomos shkrimtari i mirë, sepse atëherë hapësira aty iu lihet të tjerëve, edhe atyre që mëtojnë të jenë shkrimtarë, e, edhe nuk ka nevojë t’i anashkalojë lexuesit e internetit, të rrjeteve sociale e portaleve, sepse, përmes këtyre rrjeteve, më shpejtë arrin edhe te lexuesi. Po, është edhe një rast i jashtëzakonshëm për ta afirmuar vlerën artistike letrare si dhe për ta ngritur shijen po edhe kërkesën e lexuesit, në raport me artin letrar. Mirëpo, sidomos portalet, duhet të jenë të kujdesshme në publikimin e krijimeve. Jo krejt çka iu përcillet ta hedhin në internet, por ajo që ia vlen. Pastaj, t’i kushtojnë kujdes gjuhës, vlerës po edhe materialet që përzgjidhen për publikim, të redaktohen, lekturohen po edhe ta kenë një përkujdesje artistike gjatë plasimit, në mënyrë që ta tërheqin edhe më shumë lexuesin. E kjo, në shumicën e portaleve tona, mungon. Shteti, përkatësisht Kosova e Shqipëria, këtu mund të ndihmojnë, duke subvencionuar me mjete në përgatitjen profesionale e teknike të teksteve që zgjidhen për publikim. HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergameneve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshësh, në shpat mali, në shpella! RRUSTEMI: Jo, nuk e shoh të tillë, sepse ky është trendi i botës së sotshme. Nuk po thuhet kot: “po jetojmë në epokën e internetit”. Por, forma klasike e shtypjes dhe botimit të librit kurrsesi nuk guxon të ndërpritet, sepse nëse kjo do ndodh (uroj të mos ndodh), atëherë çka nëse na ndalet korrenti, na harxhohet bateria, si të jemi me librin ? HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturore – letrare? Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuara ku mund të japin kontribut të pamohueshëm… RRUSTEMI: Mungesa e gazetave ditore në këto dy – tri vitet e fundit është reflektuar ndjeshëm edhe në fushën e kulturës, qoftë në përcjelljen e ngjarjeve kulturore, qoftë edhe në afirmimin e librit. Gazetat serioze i kanë pasur enkas edhe redaksitë e kulturës, shtojcat kulturore si dhe i kanë shpërblyer me honorare krijimet po edhe vlerësimet letrare. Plus, kanë pasur dhe një rreth bashkëpunëtorësh të cilët i kanë mbajtur afër përmes paushaleve e formave tjera të kompensimit dhe kjo ka ndikuar me të madhe në krijimin e një klime letrare – kulturore po edhe në afirmimin e librit e të shkrimtarit. Tash këto mungojnë dhe, këtu ka zënë në thua kritika letrare, përkatësisht kritikët letrarë, shumica e të cilëve, për shkaqe ekzistenciale apo për profite materiale, shumë lehtë shkelin edhe kriteret profesionale. Dhe, me këtë mënyrë se si po ecin punët, sidomos në këto dy dekada, më së paku po i ndihmohet letërsisë dhe vetë shkrimtarit. Konsolidimi i mendimit kritik letrar dhe ndihmesa institucionale, qoftë duke i subvencionuar shtëpitë botuese apo dhe vetë autorët, jo që është i domosdoshëm por them, është edhe urgjent.


Një intervistë e poetit të mirënjohur Sabit Rrustemi dhënur “Hejza” që e vlen ta lexoni. Publikohet tek Fjala e Lirë me miratimin e poetit.

Timo Mërkuri

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page