Bilall Maliqi: NJË LIBËR I VEÇANTË STUDIMOR PËR KOMPOZITAT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 3 min read

Kohë më parë për dy nga penat më të shquar të kombit, Akademikun Rexhep Qosja dhe të shkrimtarin më të madh shqiptar Ismail Kadare, dy studiuesit e njohur, Shkëlqim Millaku dhe Begzad Baliu kanë sjell para lexuesve librin me titull “Kompozitat (Qosja, Kadare-Kur’ani, Bibla”, botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Meshari”.
Shkrimtarët e mëdhenj të të gjitha kohëve, në shkrimet e tyre kanë sjellë neologjizma apo trajta fjalëformuese, të cilat sigurisht se i kanë bërë nderë dhe e kanë pasuruar gjuhën tonë.Një nga pasuritë e rëndësishme janë edhe fjalët e përbëra, parashtesat, prapashtesat, kompozitat, lokucionet etj., të cilat janë jo vetëm pasuri e teksteve të tyre letrare po edhe pasuri e përgjithshme gjuhësore e leksikut të shqipes.
Neologjizmat dhe fjalët e përbëra sikur janë kompozitat, janë të pranishme dhe të bollshme te shumë vepra të shkrimtarëve të mëdhenj të kohës, sidomos nga rilindja e këndej. Mjafton të kujtojmë këtu veprat e tyre që kanë fituar pavdekësinë, jo vetëm për shkak të përmbajtjes tematike, po pikërisht për shkaqe të pasurisë gjuhësore. Fjala është për veprat artistike të Fan Nolit, Naim Frashërit, Sami Frashërit, LasgushPoradecit, Gjergj Fishtës e të të tjerë, si dhe në kohët më të vona si atë të Rexhep Qosjes, Ismail Kadaresë, DritëroAgollit, Azem Shkrelit, Enver Gjerqekut, Beqir Musliut etj.

Ata, para lexuesve kanë sjellë pjesë të konsiderueshme të kompozitave për këta dy krijues me nam në letërsinë tonë, të cilat pasqyrojnë një punë dhe studim të thukët për veprat letrare të tyre, duke i parë ato deri diku edhe në kontekst të veprave të tyre, qoftë të krahasuara së jashtmi me veprat e njëri- tjetrit apo me kryeveprat e religjionit “Biblës” dhe “Kur’anit”, si dhe duke u thirrur edhe në fusnota të literaturës gjegjëse.
Autorët librin e kanë ndarë në dy kapituj. Kapitulli i parë përbëhet prej kompozitave të analizuara dhe të zbërthyer në romanet e Rexhep Qosjes, si dhe disa tregimeve e novelave të Ismail Kadaresë, ndërsa në kapitullin e dytë kanë evidentuar kompozitat edhe në dy librat e shenjtë: “Kur’anin” dhe “Biblën”.
Përveç tjerash, në fillim të librit kemi edhe figura, të cilat kanë lidhshmëri me tekstin e ofruar nga dy studiuesit tanë. Këto kompozita janë nxjerrë nga vëllimet me proza të Ismail Kadaresë, si dhe romanet e Rexhep Qosjes, me theks të veçantë “Bijtë e askujt”, nga i cili janë vjelë shumë kompozita interesante dhe logjike, të cilat japin kuptimshmërinë dhe vlerën.Në të vërtetë në vëllim dominojnë faqet e hulumtimit të kompozitave të romaneve të Rexhep Qosjes:Bijtë e askujt Idhe II; Nata është dita jonë; Një dashuri dhe shtatë faje;Të fshehtat e treguara dhe Vdekja më vjen prej syve të tillë.
Autorët me gjasë sikur deshën të krijojnë një simbolikë hulumtimi, kërkimi e studimi, duke i vënë përballë jo vetëm dy shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, Qosjen e Kadarenë, po edhe dy veprat themeltare të krijimtarisë njerëzore, “Biblë” e “Kur’ani”. Prandaj ata nuk u ndalën veç me kompozitat e dy krijuesve të mëdhenj të kombit, por na sollën edhe nga dy librat e shenjtë: “Kur’ani” dhe “Biblën”, të cilat kanë shumë kompozita dhe një numër i konsiderueshëm i tyre gjenden brenda fjalorit tonë shpjegues, por autorët na sollën edhe kompozita të reja, të cilat sipas të gjitha gjasave mungojnë në fjalorin e gjuhës, prandaj me këta shembuj është e rastit që të pasurohet“Fjalori i shqipes së sotme”.
Kompozitat e vjela janë shpërndarë në kaptina të ndryshme. Në tabelën e parë të paraqitur në libër janë sjell 47 kompozita, ndërsa në tabelën e dytë 229 sosh, pra fjala është për “Kur’anin”, ndërsa 220 kompozita në “Besëlidhjen e Vjetër” dhe 74 në “Besëlidhjen e Re”.
Le të kujtojmë se profesorët, autorët e këtij libri janë ligjërues të lëndës së gjuhës, përkatësisht të morfologjisë dhe me këtë temë merren prej vitesh, prandaj me këtë vëllim të fushës së kompozitave ata ju kanë ofruar lexuesve, studiuesve dhe të gjithë atyre që duan të merren me kompozitat e shkrimtarëve produktivë, një model shkencor ky, i cili ka vlera studimore.









Comments