Robert Martiko: KATËR LIBRA HISTORIKË QË BËJNË FJALË PËR NDRYSHIM RRËNJËSOR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 17, 2025
- 3 min read
Updated: Nov 18, 2025

KATËR LIBRA HISTORIKË QË BËJNË FJALË PËR NDRYSHIM RRËNJËSOR NË MENDIMIN AKADEMIK SHQIPTAR
(Të paktën, për të ditur se për çfarë bëhet fjalë)
“KUR TOKA FLET ME QIELLIN”
Volumi i parë, që u botua para disa muajsh, për herë të parë në historinë e kritikës letrare shqiptare, përmbante interpretimin e poezive të rreth 150 poetëve shqiptarë dhe italianë, sipas kuptimeve të thella të temave me karakter jetësor. Pra, trajtimi i këtyre poezive, doli krejtësisht nga kornizat sipërfaqësore të stileve, epiteteve, metaforave, që e lënë mendimin në baltë dhe udhëkryq e, për pasojë, dhe vetë shoqërinë në qorrsokak. Sepse kulturat më të arrira e më paqësore në botë u krijuan pikërisht nga kuptimet e thella të individëve më gjenialë. Rrugët e tjera të mbajnë veç në mbyllje dhe kalbëzim.
ETËHEM HAXHIADEMI
Të njëjtën rrugë që ndoqa për interpretimet poetike, vendosa të hedh dritë dhe mbi krijimtarinë e Etëhem Haxhiademit. Dhe u gjenda përballë një zbulimi tronditës. Ky dramaturg, ka mbetur prej dekadash viktimë e së njëjtës verbëri klasike të kritikës letrare, por edhe kryesisht të mendimit të mangët akademik, që si gjithnjë, kokëfortë dhe në avazin e Mukës, endet pas stileve, metaforave dhe elementeve pa thelb, dhe kurrë pas kuptimeve të thella të jetës.
Kuptohet, se në mungesë të një tradite filozofike, dimensioni universal i veprës së tij ka mbetur i pastudiuar. Për fat të keq, përtej gjullurdisë së komisioneve, çmimeve, konferencave e panaireve, mbizotëron kudo një atmosferë fjalësh të shumta e mendimi të pakët. Është tmerr për mendimin fakti që Haxhiademi, një figurë kyçe e ndërgjegjes kulturore shqiptare, ka mbetur deri sot në terr, i pakuptuar dhe i pazbuluar.
Akoma më i shumëfishuar është tmerri se Haxhiademi s’është i vetmi. Këtë fat të hidhur ndajnë gjithë krijuesit shqiptarë, për sa kohë që mbeten në mëshirën e kritikës së stileve e epiteteve, larg kuptimeve të thella që u japin veprave vlerën e vërtetë dhe, akoma më shumë, vlejnë për të ndërtuar të ardhmen e shoqërisë. Kjo është kryesorja.
LABIRINTI I BRISHTË I DRITËS
Edhe ky është një libër historik për mendimin shqiptar, sepse për herë të parë në letërsinë shqiptare paraqitet zhvillimi i mendimit perëndimor përmes një udhëtimi poetik që nis në fillesat e njerëzimit, mijëra vjet më parë, dhe shtrihet deri në krizën e sotme të botës së makinave. Në këto poezi, ku emocioni lind nga mendimi rreth tragjedive antropologjike, shfaqen transformimet e shpirtit njerëzor përgjatë epokave, duke vënë në qendër pyetjet që kanë udhëhequr historinë e mendimit dhe të moralit.
Libri i propozon mendimit akademik të kufizuar shqiptar një të vërtetë thelbësore: se pa botën e kuptimeve të thella, me stile e metafora, gjithçka mbetet në sipërfaqe. Është e pamundur të ketë zhvillim pa pjesëmarrjen e mendimeve të shpirtrave më të ndritur të njerëzimit. Përndryshe, gjithçka tjetër nuk është veçse është përkufizimi i përsëritjeve shekullore, me vëllavrasjen në qendër, duke ruajtur të njëjtin fat tragjik për shoqërinë.
NË EMËR TË PËRJETËSISË
Ky libër është reagim ndaj krizës së sotme të mendimit në nivel botëror, për hir të pushtetit të pakufizuar të makinave dhe teknologjisë. Por forca e librit qëndron dhe se, midis filozofëve më të mëdhenj të botës, s’ka thjesht përshkrime por përplasje. Platoni sfidohet. Sartri provokohet. Hannah Arendt ndërhyn. Butler kundërshton. Këta dhe mjaft gjenialë të tjerë, me dialogët thelbësorë, nuk mbeten më të vdekur në kornizat e Luvrit, por flasin, kundërshtojnë. Mendimi i tyre i kthyer në një manifestim të madh në rrugët e Parisit, i bën të jetojnë.
Për hir të njohurive akademike shqiptare të kufizuara, cilësi e kulturave pa idenë e Rilindjes shpirtërore, që shohin muzeun si “faltore të heshtjes”, dhe vetë Skënderbeu dhe Nënë Tereza, dy individët shqiptarë më me vlerë në nivel botëror, njësoj si Etëhem Haxhiademi, mbeten të pazbuluar në aspektin e kuptimeve të thella të mendimit.
Është një tragjedi e madhe e mendimit akademik shqiptar. Sepse të mësipërmit, nuk janë të vetmit! Pra, ky libër nuk ofron qetësi, as udhëzime të gatshme. Ai kërkon përballje. Ngadalësim. Të dëgjuarit e vërtetë. Sigurisht nuk jep përgjigje, por krijon një hapësirë ku pyetjet dhe mendimet të mund të përplasen pa frikë.

Lexim të këndshëm për lexuesit me mendje të hapur.









Comments