Timo Mërkuri: Gëzohu që të harruan
- 44m
- 4 min read

Gëzohu që të harruan
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë “Gëzohu që të harruan…!” të Odise Kote, fjala “gëzohu” është ndoshta fjala më absurde dhe më e dhimbshme njëkohësisht. Ajo tingëllon si ftesë për hare, por në të vërtetë është një buzëqeshje e hidhur, ajo buzëqeshje që lind kur njeriu nuk do ta tregojë plagën. Është ai çast kur "qeshim sepse që të mos qajmë".
Kjo poezi është një meditim kulturor dhe filozofik mbi fatin e njeriut në një kohë që nuk di të ndalet dhe nuk di të kujtojë. Epoka paraqitet si një hapësirë ku harresa është bërë mënyrë jetese dhe ku bosjësia e ka zëvendësuar thellësinë. Në këtë rend të ri, të harrohesh nuk është vetëm një çështje emocionale. Është një zhvendosje nga qendra në periferi, një largim i heshtur nga hapësira aktive, ku fjala peshon dhe ku prania ka kuptim.
Të harrohesh do të thotë të mbetesh në skaj, atje ku zëri yt as nuk kërkohet dhe as nuk lejohet të dëgjohet. Sidomos kur je i aftë dhe i pasur në vlera dhe në kurajë qytetare, kur dija dhe guximi yt prishin rehatinë e rreme të kohës. Sepse të dëgjohesh do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes, të prish, të udhëheqësve e të japësh drejtim, por kjo është një kohë kur në qendër shpesh dalin zëra të fortë në tonalitete, por të cekët në dije, ndërsa mendimet e duhura rrinë në hije. Kështu mund të ndodhë të jesh një dritë në një cep të humbur të qytetit, ndërsa qendra ndriçohet nga reklama të reja e boshe.
Kur poeti thotë se epoka është “fiksuar për të harruar”, ai nuk flet vetëm për kujtime personale. Ai flet për një kulturë që e konsumon njeriun dhe e lë mënjanë sapo kalon çasti i dobisë dhe domosdoshmërisë së pranisë dhe kontributit të tij. Harresa këtu nuk është vetëm mungesë kujtese. Është ndërprerje e dialogut midis individit dhe shoqërisë. Është një heshtje që bie mes njeriut dhe botës.
Në këtë kuptim, vargu:
“Gëzohu që të harruan!”
merr një tingull të dyfishtë. Në sipërfaqe është ngushëllim. Në thelb është një ironi e hidhur, jo aq për ty sa për kohën. Sepse gëzimi për harresën është një absurditet. Dhe pikërisht ky absurditet e bën ironinë më të fortë se protesta. Poeti nuk zgjedh të bërtasë. Ai zgjedh përmbysjen. Ironia është si një thikë e mbështjellë me mëndafsh; nuk e sheh kur të godet, por e ndien thellë goditjen e saj.
Nëse poeti do të kishte thirrur: kundërshto, lufto, kërko vendin tënd, poezia do të ishte e drejtpërdrejtë. Por do të ishte edhe më e zakonshme. Duke thënë “gëzohu”, ai e zhvesh mënjanimin nga serioziteti i tij. Ai e kthen harresën në pasqyrë të kohës. Është një formë proteste e heshtur, një qëndrim stoik që thotë: nëse nuk më jepet vendi im, unë nuk do ta lyp atë.
Megjithatë, nën këtë qetësi qëndron një dhimbje e thellë. Sepse harresa e vazhdueshme e çon njeriun drejt një rreziku më të madh. Jo vetëm të harrohet nga të tjerët, por të harrojë vetveten. Dhe vargjet e fundit janë therëse në thjeshtësinë e tyre:
“Merr frymë thellë,
dhe kështu e harron kollaj vetveten...”
Këtu poezia bëhet ekzistenciale. Të harrosh vetveten do të thotë të heqësh dorë nga dinjiteti yt, nga aftësitë, nga dija dhe kurajoja. Është si të fikësh dritën në shtëpinë tënde sepse askush nuk po troket. Në fillim është errësirë e qetë. Pastaj bëhet zbrazëti.
Metafora e “shallit të amnezës” e thellon këtë ide:
“mbështillu me shallin e ëmbël,
të ngrohtë të amnezës.”
Ky shall të mbron nga i ftohti i mënjanimit, por të mbyll edhe horizontin. Të jep rehati, por të heq mundësinë për të vepruar. Është si një dhomë e ngrohtë ku qëndron i sigurt, por ku dritaret janë të mbyllura dhe ti je i izoluar. Amnezia të qetëson, por të privon nga kujtesa që mban gjallë identitetin.
Kështu poezia merr një dimension më të gjerë kulturor. Ajo flet për një kohë që nuk di të ruajë mendjen dhe kapitalin shpirtëror të njerëzve të saj. Kur gjithçka ndodh shpejt dhe “askush nuk është i sigurt për asgjë”, vlerat nuk rrënjosen. Ato kalojnë si gjethe të rëna mbi ujë. Dhe njeriu, në vend që të jetë një pemë që jep fryte, bëhet një gjethe e shtyrë nga era, pa tokë ku të kapet.
Në fund mbetet një e vërtetë e thjeshtë dhe e dhimbshme. Harresa mund të duket si shpëtim nga zhurma dhe nga gjykimi, por nëse shuhet “flakëza e kujtesës”, shuhet edhe mundësia për të qenë pjesë aktive e jetës. Dhe atëherë kupton qartë se fjala:
“Gëzohu që të harruan!” është kambanë e heshtur që bie për një epokë që ka humbur kujtesën dhe, bashkë me të, rrezikon të humbasë edhe shpirtin.
Sarandë, shkurt 2026
Gëzohu që të harruan ...!
Nga Odise Kote
Epoka jonë i është dorëzuar
demonit të shpejtësisë.
Kur gjërat ndodhin tepër shpejt,
askush nuk është i sigurt për asgjë,
për asgjë fare, as për veten e vet.
Epoka jonë është fiksuar për të harruar,
ndihet e lodhur nga vetvetja,
e neveritur dhe kërkon ta shuajë
atë flakëzën e kujtesës.
Mik i dashur mos e torturo veten!
Dil nga pellgu i mundimit, sakrificës,
mos mendo për të qeshurat që të lënduan,
mbështillu me shallin e ëmbël,
të ngrohtë të amnezës.
Gëzohu që të harruan!
Merr frymë thellë,
dhe kështu e harron kollaj vetveten...









Comments