top of page

Fatmir Terziu: Roli i TV „Dardan“ për çështjen e Kosovës

  • 3 hours ago
  • 3 min read

Sot, kur Kosova feston 18 vjet Pavarësi, kjo datë nuk është vetëm një përvjetor shtetformimi, por edhe një moment reflektimi për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën e saj drejt lirisë. Natyrisht, në një ditë si kjo, TV Dardan, Isa Kreka dhe i gjithë stafi i atij televizioni meritojnë respekt dhe mirënjohje. Ata dëshmuan se media mund të jetë jo vetëm pasqyruese e historisë, por edhe pjesë aktive e saj. Është e rëndësishme të sqarohet se TV Dardan u ngrit dhe funksionoi në Elbasan, larg zonës së konfliktit, por shumë pranë pulsit kombëtar. Pikërisht nga Elbasani, ky televizion u shndërrua në një dritare të fuqishme informimi dhe ndërgjegjësimi për çështjen e Kosovës, duke dëshmuar se distanca gjeografike nuk e zbeh angazhimin moral dhe kombëtar.

Njëherë e një kohë, në emisionin tim të përnatshëm „Objektiv“ tek Televizioni privat „Dardan“. Ky televizion ishte një nga TV e para private, ndoshta i vetmi që u krijua enkas dhe me dëshirën e zjarrtë të Inxhinierit pasionant, biznesmenit të përkushtuar Isa Kreka gjithnjë në pasnajën e tij dhe bashkërisht me logon e emisionit kishte hartën e Shqipërisë natyrale. Një nga emisionet ku në studio kisha Diplomatin Konçi dhe z. Isa Kreka. Tema ishte Kosova dhe në këtë emision flasin Lublin Dilja, Arta Dade, e disa të tjerë.
Njëherë e një kohë, në emisionin tim të përnatshëm „Objektiv“ tek Televizioni privat „Dardan“. Ky televizion ishte një nga TV e para private, ndoshta i vetmi që u krijua enkas dhe me dëshirën e zjarrtë të Inxhinierit pasionant, biznesmenit të përkushtuar Isa Kreka gjithnjë në pasnajën e tij dhe bashkërisht me logon e emisionit kishte hartën e Shqipërisë natyrale. Një nga emisionet ku në studio kisha Diplomatin Konçi dhe z. Isa Kreka. Tema ishte Kosova dhe në këtë emision flasin Lublin Dilja, Arta Dade, e disa të tjerë.

Pronari i tij, inxhinieri Isa Kreka, ia përkushtoi me vetëdije të plotë këtë media çështjes kombëtare. Nën drejtimin e tij, TV Dardan nuk u mjaftua me deklarata simbolike, por ndërtoi një platformë të qëndrueshme dhe të guximshme mediatike. Në ekranin e këtij televizioni u intervistuan qindra persona: intelektualë, veprimtarë, dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, të cilët sollën zërin e së vërtetës dhe përvojën e dhimbshme të kohës. Paralelisht, u transmetuan qindra lajme që pasqyronin zhvillimet e përditshme në Kosovë, si dhe dhjetëra dokumentarë që dokumentuan krimet, rezistencën, vuajtjen dhe shpresën. Ky prodhim i dendur informativ e shndërroi TV Dardan në një arkiv të gjallë të kujtesës kombëtare, ku fjala, pamja dhe dëshmia u bënë pjesë e një narrative të përbashkët historike. Në këtë mënyrë, televizioni i ngritur në Elbasan, me vizionin dhe përkushtimin e Isa Krekës dhe stafit të tij, dëshmoi se media mund të marrë mbi vete një mision që shkon përtej profesionit: të shërbejë si instrument i ndërgjegjes kombëtare dhe si dëshmi e gjallë e një kohe që kërkonte guxim, përgjegjësi dhe besnikëri ndaj së vërtetës.

Në vitet më të vështira për Kosovën, kur fjala e lirë ishte po aq e rrezikuar sa vetë jeta, roli i medias mori përmasa që shkonin përtej informimit. Në këtë kontekst historik, roli i televizionit privat TV Dardan mbetet i padiskutueshëm në pasqyrimin e përditshëm të situatës në Kosovë dhe në mbështetjen e hapur të luftës së drejtë për çlirimin e saj nga okupatori serb. Ky televizion nuk ishte thjesht një ekran transmetimi, por një hapësirë rezistence morale dhe kombëtare. Në çdo kronikë, debat apo lidhje të drejtpërdrejtë, TV Dardan shërbeu si zë i ndërgjegjes shqiptare, duke informuar opinionin publik dhe duke sensibilizuar faktorë të brendshëm e ndërkombëtarë për dramën që po përjetonte populli i Kosovës.

Në krye të këtij vizioni qëndronte pronari i televizionit, inxhinieri Isa Kreka, një patriot me rrënjë nga Juniku i Gjakovës. Prejardhja dhe bindjet e tij kombëtare u reflektuan natyrshëm në përmbajtjen editoriale të televizionit, duke e shndërruar atë në një tribunë ku vlerat kombëtare nuk fshiheshin, por afirmoheshin hapur. Një shembull domethënës ishte emisioni Studio e Hapur, ku në sfond ishte vendosur harta e Shqipërisë Etnike. Ky akt simbolik, por i guximshëm për kohën, ngjalli reagime edhe në rrafshin diplomatik. Për këtë arsye u thirr nga Ambasada e SHBA, ku pati një takim me ish-ambasadoren Mariza Lino. Ky episod dëshmon se mesazhi i transmetuar nga TV Dardan kishte jehonë reale dhe ndikim të prekshëm.

Përtej fjalës dhe simbolikës, televizioni luajti një rol konkret humanitar, duke mbështetur ardhjen dhe strehimin e shqiptarëve të dëbuar nga lufta. Ai u bë një pikë referimi për koordinim ndihmash, solidaritet dhe ndërgjegjësim publik. Paralelisht, TV Dardan arkivoi dhe sistemoi një numër të madh faktesh, dëshmish dhe materialesh dokumentare, të cilat sot përbëjnë një pasuri të çmuar historike për kujtesën kolektive. Në këtë front mediatik dhe moral u rreshtuan shumë kolegë, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim u bënë skalione të një beteje të pazakontë, por vendimtare. Mes tyre spikasin Hyqmet Zane, Besim Dybeli, Klejda Plangarica, Alma Mushi, Emin Koçiu, Fatos Alliu, Sajmir Boçi, Lirim Abazi dhe shumë të tjerë, të cilët e kuptuan se në atë kohë gazetaria ishte edhe akt guximi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page