Çaush Kullafi: Ruzhdi Dervishi, Zëri i Dibrës që s’është shuar kurrë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 2 min read

Shkuan: Çaush Kullafi
Nga thellësitë e krahinës dibrane, në fshatin Lugjej të Zall Dardhës, më 5 tetor 1960 lindi një nga zërat më të spikatur të folklorit shqiptar, rapsodi Ruzhdi Dervishi. Qysh në moshë të vogël, ai u dallua për shpirtin e tij artistik dhe pasionin për muzikën dhe traditën popullore, duke u përfshirë që në klasën e pestë në grupin artistik të shkollës si valltar, këngëtar dhe instrumentist.
Shkollën 8-vjeçare e përfundoi në fshatin e tij, ndërsa atë të mesme në shkollën bujqësore të Zall Dardhës, pa u shkëputur asnjëherë nga aktivitetet kulturore. Me përkushtim të rrallë, Ruzhdiu u bë pjesë e pandarë e jetës artistike të zonës, duke kontribuar si këngëtar, valltar, por edhe si drejtues i orkestrës së qiftelive, që përbëhej nga mbi 12 instrumentistë të talentuar.
Përpara vitit 1983, ai ishte i angazhuar intensivisht me shtëpitë e kulturës në Sllovë dhe Zall Dardhë, duke marrë pjesë në festivale lokale dhe kombëtare në Dibër, Bulqizë, Tepelenë, Librazhd e më tej. Në festivalet e vallës dyshe, talenti i tij binte në sy për energjinë dhe natyrshmërinë e interpretimit.

Gjatë shërbimit ushtarak (1983–1985) në Librazhd, ai nuk e ndërpreu veprimtarinë artistike. Në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Dorëz, organizoi koncerte në të gjithë divizionin, ku spikati si valltar, këngëtar dhe instrumentist i qiftelisë. Gjatë kësaj periudhe, ai krijoi edhe një lidhje të veçantë miqësore me muzikantin librazhdas Shpëtim Xhani, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një miqësi e çmuar që vijon e gjallë edhe sot, e lidhur nga dashuria për muzikën popullore.
Pas përfundimit të ushtrisë, Ruzhdiu u emërua përgjegjës i vatrës së kulturës në fshatin e tij Lugjej nga Këshilli i Bashkuar i Kooperativës Bujqësore dhe Shtëpia e Kulturës, ku dha një kontribut të madh në aktivizimin e talenteve lokale dhe organizimin e veprimtarive artistike me vlerë.
Debutimi i tij në skenë ndodhi në vitin 1978 me grupin artistik të Sllovës në Radio Tirana, ndërsa më vonë u bë pjesë edhe e regjistrimeve në Radio Televizionin Shqiptar me grupin e Zall Dardhës.

Pas viteve ’90, aktiviteti i tij mori përmasa më të gjera. Ka marrë pjesë në koncerte dhe festivale brenda dhe jashtë vendit, si në Maqedoni e Kosovë, si dhe ka organizuar mbrëmje folklorike në Pallatin e Kulturës në Kamëz me këngëtarë të njohur nga disa rrethe të vendit. Për veprimtarinë e tij shumëvjeçare janë realizuar dokumentarë nga kolegë e bashkëpunëtorë.
Ruzhdi Dervishi është nderuar me çertifikata dhe medalje si rapsod e kontribuues i veçantë i trashëgimisë kulturore shqiptare. Në YouTube janë të publikuara mbi 15 këngë të tij, nga të cilat më shumë se gjashtë janë me tekste të krijuara prej vetë atij. Ai është veçanërisht i apasionuar pas këngëve patriotike, ku gërsheton dashurinë për atdheun me artin e këndimit tradicionalj.
Ruzhdi Dervishi është më shumë se një rapsod, ai është një zë i fuqishëm i identitetit dibran dhe një pasuri për folklorin shqiptar.
Tiranë: 19 .05. 2025
Comments