Erjon Muça: DIOGJË - FOSILE TË KUJTIMEVE KOZMIKE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 19
- 3 min read

Duhet të dëshirojmë të pamundurën që e pamundura të ngjasë!
Idetë, përfytyrimet, teoritë dhe ndjesitë të japin përshtypjen e pafundësisë. E megjithatë, në këtë pafundësi reale por të paprekshme, kjo bazuar tek ajo që ne marrim si të mirëqenë për prekje, pluskojnë fijet që lidhin gjithçka. Fijet që lidhin krijues, studjues dhe teoricinë të ndryshëm, të vendeve dhe periudhave të ndryshme të kenë përpiluar teori thuajse të njëjta pa pasur mundësinë për t'u njohur me njëri tjetrin. Madje bëjnë edhe oponencë inkonshe mbi vepra që nuk njohin. Siç ka ndodhur mes Agostino Scilla-s dhe Stentone-s më 1670. Në këtë periudhë filozofia në përgjithësi ishte e ngërthyer në një garë marramendëse për të gjetur fillesat e tokës bazua mbi zbulimin e fosileve anembanë globit. Dhe për pasojë teoritë përplaseshin dhe takoheshin pa u përballur kurrë.
Pra si ka mundësi që, në një periudhë kohore kur komunikimi ishte i kufizuar, idetë dhe perceptimet të përplaseshin dhe takoheshin me një intensitet kaq të mahnitshëm? Mos kemi të bëjmë vallë me një lloj tjetër kujtese eksperiencash e cila tenton me të gjitha forcat të dalë në sipërfaqen e konshove tona e lidhur dhe e zgjidhur nga inkonsho?
Përse ky çast kohor i imi, koinçidon pikërisht me përfundimin e leximit të dorëshkrimit të librit të Pol Milos dhe fillimin e librit të Paolo Rossi-t? Gjithçka u lidh duke lexuar librin “Shenjat e kohës - historia e tokës dhe historia e shteteve nga Hooke tek Vico” të Paolo Rossi -t, ku unë u përballa me këtë paragraf:

“Linja e kufirit që ndan mekanizmin ateist të epikuristëve dhe të kartezianëve nga mekanizmi i Boyle dhe i Newton-it përket me atë që ndan ata që nuk e vërejnë dhe ata që e vërejnë origjinën e parë të gjërave dhe rrjedhën e mëparëshme të natyrës. Në njërin skaj qëndrojnë ata që përpilojnë hipoteza ose teori mbi origjinën e universit, në tjetrin ata që, relativisht nga ky problem, mohojnë t'a konsiderojnë të tillë dhe kufizohen në përdorimin e rrëfenjës mozeike; mozeike mer emër nga profeti Moze. Rregullat e lëvizjes, rendi mes gjërave, ligjet e natyrës - janë për këta të fundit - të
vendosura fillimisht nga Zoti dhe nuk kanë histori. Vetëm pas këtij fillimi ekziston një botë si sistem, si strukturë e hetueshme dhe e kuptueshme me instrumentet e arsyes.”
Ky kufi mes atyre që e njohin fillesën si histori dhe atyre që e mohojnë atë përmes rrëfenjës mozaike, më ndihmoi të qartësoj kuptimin e metaforës “Diogjë”.
Sipas meje pragmatisti Pol Milo ka dashur të emërtojë kështu pikërisht këtë linjë kufiri; atë mes mekanizimit shpirtëror dhe mekanizimit fizik.
Vetëm një lexues i mirë dhe pa paramendim i filozofisë nga Platoni deri tek Nietzsche, një njohës pa komplekse i teorive, nga ato Heraklitane deri tek ato Heideggeriane, mund të dilte me një subjekt aspak të lehtë dhe të parashikueshëm si Diogjëja. Të paktën unë nuk do të mundja kurrë, si Epikureist i bindur që endet pas gjurmëve të Zarathustrës. Pak a shumë është krijuar një lloj Zarathustre që nuk e di se është i tillë, por që ndjen se gjendja e tij lëndore fsheh një pafundësi jo lëndore përcjellëse e shumë eksperiencave lëndore inkonshe.
Pas një sërë meditimesh, analizash, pranimesh dhe kundërshtimesh, një pyetje e vetme nuk më largohej kurrë:
A është gati lexuesi për një subjekt, një metaforë, një teori ekzistenciale ndonëse abstrakte, në këtë çast antropologjik?
Po edhe jo.
Mirëpo nëse krijuesi, studjesi, teoricieni do të prisnin çastin e volitshëm antropologjik, ne ende nuk do të kishim shkruar: duhet të dëshirojmë të pamundurën që e pamundura të ngjasë.
Pra ky subjekt duhet të lindë, panta rei. Vetëm pas lindjes do të kuptojmë çastin. Ndoshta ka ardhur momenti antropologjik që të mundohemi të zbërthejmë fosilet e kujtimeve kozmike që ndodhen brenda nesh dhe hera herës dalin në sipërfaqe në formën e fjalëve, vizioneve dhe metaforave si “Diogjë”.
– Poeti Erjon, lexues i kujtesës kozmikePisa, maj 2025
Comentarios