top of page

Fatmir Terziu: Si (ri)lind një shkrimtar i lindur, rasti i Shefqet Mekos

  • 23 minutes ago
  • 3 min read

 

Shefqet Meko këto ditë u publikua me tre libra të autorësisë së tij në gjuhën angleze. Para pak kohësh ai bëri një promovim madhështor në Atdhe të librave të tij të fundit. Por tashmë ai është drejt majave të librit, ndërsa… kujtojmë bisedën e tij të dikurshme me poetin, shkrimtarin po aq shumë të suksesshëm Ahmet Prençi, i cili po boton gati një roman në vit. Në pamje të parë, kjo është historia e një suksesi të vonuar, e një autori që pas dekadash arrin të ngjitet në skenën ndërkombëtare. Por në thelb, është diçka më e thellë, është historia e një rilindjeje. Sepse një shkrimtar i lindur nuk bëhet i tillë në momentin e botimit, ai thjesht rikthehet te vetja.

Dhe ky rikthim, për Shefqet Mekon, nis pikërisht aty ku dukej se gjithçka kishte mbetur pezull, te dorëshkrimet e harruara dhe te një pyetje e thjeshtë, por tronditëse, “Po me tregimet e tua, ç’po bën?”. Në këtë dialog me shkrimtarin Ahmet Prençi, nuk kemi vetëm një kujtesë miqësore, por një akt zgjimi. Një thirrje që e detyron autorin të përballet me një pjesë të vetes që e kishte lënë në heshtje, sepse rruga e tij nuk ka qenë lineare. I lindur në Pretushë të Pogradecit, ai e nisi herët me pasionin për letërsinë dhe gazetarinë, duke botuar që në rini dhe duke u përfshirë në jetën kulturore të kohës. Por më pas, si shumë të tjerë, u përball me kufizimet e një sistemi, me detyrimet e jetës profesionale dhe me sfidat e tranzicionit. Letërsia nuk u shua, ajo u shty në periferi, u mbulua nga nevoja për të jetuar, për të mbijetuar, për të ndërtuar një jetë të re, madje edhe në një kontinent tjetër.

Kjo heshtje e gjatë është pjesë e rëndësishme e rilindjes së tij. Sepse në të janë depozituar përvojat, dilemat, zhgënjimet dhe reflektimet që më vonë do të marrin formë letrare. Emigrimi në Shtetet e Bashkuara, angazhimi në gazetari, në biznes dhe në komunitet, nuk e larguan nga fjala, përkundrazi, e pasuruan atë në mënyrë të padukshme. Prandaj, kur ai rikthehet, nuk rikthehet si i riu që shkruante dikur, por si një njeri që ka jetuar dy sisteme, dy botë dhe dy realitete. Dhe kjo e bën zërin e tij më të thellë, më të sinqertë dhe më të përgjegjshëm, më të ngjashëm e më të përafërt me kohë e hapësirë tjetër me Toni Morrison, që romanin e parë e botoi kur ishte 39 vjeç, apo Mark Tuin që e botoi kur mbushi 41, për të mos e lënë pas edhe të madhin Marsel Proust që kapi moshën 42. si tek Meko, ashtu dhe tek shembujt që cituam, një nga elementët më domethënës të kësaj rilindjeje është ndershmëria e tij përballë së shkuarës. Ai nuk përpiqet ta fshehë rolin e vet në një kohë kur fjala ishte e kontrolluar dhe gazetaria shpesh shërbente si zgjatim i ideologjisë. Përkundrazi, ai e pranon, e analizon dhe e vendos në kontekst. Kjo vetëdije kritike nuk e dobëson autorin, e forcon atë, sepse e çliron nga iluzionet dhe i jep autenticitet. Në këtë mënyrë, rilindja e tij nuk është vetëm letrare, por edhe morale.

Botimi i librave në gjuhën angleze është një dëshmi e kësaj faze të re. Ai nuk përfaqëson thjesht një arritje personale, por një hap drejt universalizimit të përvojës së tij. Nga një fshat i vogël në Pogradec deri në hapësirat e mëdha të Amerikës, rrëfimi i tij fiton një dimension më të gjerë, duke u bërë i kuptueshëm dhe i ndjeshëm për lexues të ndryshëm. Në këtë prizëm, Shefqet Meko është një shkrimtar i “mesit të artë”, midis së shkuarës dhe së tashmes, midis kujtesës dhe reflektimit, midis Shqipërisë dhe botës. Dhe pikërisht kjo hapësirë e ndërmjetme është vendi ku rilind letërsia e tij.

Pyetja që ai shtronte, “Kush jam unë? Ai dje, apo ai sot?”, nuk kërkon një përgjigje të prerë, sepse shkrimtari i lindur nuk është një identitet i fiksuar, ai është një proces që zhvillohet, që rikthehet, që rishkruan vetveten. Dhe kështu, suksesi i sotëm i Shefqet Mekos nuk është thjesht arritje e një momenti. Ai është prova se fjala e vërtetë nuk humbet, edhe kur hesht për vite të tëra. Ajo pret, piqet në brendësi të njeriut dhe, kur vjen çasti i duhur, rilind më e plotë. Kjo është, në thelb, përgjigjja e titullit, një shkrimtar i lindur nuk bëhet, ai (ri)lind.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page