top of page

Timo Mërkuri: STOLI KU ULET DASHURIA DHE NGJITET VDEKJA




Nga Timo Mërkuri

Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës është një miniaturë poetike e fuqishme dhe tronditëse, pse në vetëm katër vargje ajo përmbledh një gamë të gjerë emocionesh, kontrastesh dhe simbolikash që e bëjnë poezinë të bukur, të thellë dhe të fortë. Ajo është një poezi që zbulon se bukuria e vërtetë poetike nuk vjen nga shumësia e fjalëve, por nga intensiteti i përjetimit dhe forca e figurës. Kjo poezi është një lloj haiku modern shqiptar, ku thellësia fshihet në heshtjet mes vargjeve dhe çelësi i bukurisë së saj është kontrasti i ngjeshur, simboli i shumëkuptimtë dhe emocioni që shpërthen në fund, aty ku dashuria nuk është as vetëm ndjenjë, as vetëm dramë, por një lëkundje mes jetës dhe vdekjes.

I.Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës është një poezi që peshon më shumë se katër vargje Ajo është një prej atyre poezive të rralla që, megjithëse e shkruar me pak fjalë, hap dyert e një ndjeshmërie të gjerë, është një miniaturë poetike që nuk kërkon zhurmë për të bërë jehonë. Në katër vargjet e saj:        Në stola ulen ata që dashurohen,

Mbi stola hipin ata që varen.

Një jetë të tërë, dashuria ime,

Ulet dhe hipën mbi stola.

                                                                                                                    f.33

 ajo mbart një univers të tërë përjetimesh: dashurinë dhe fundin e saj, dritën dhe hijen, uljen dhe ngritjen e shpirtit.

Kjo poezi është një copëz e ngjeshur jete, e thënë në gjysmë zëri, por që bie si krismë në shpirtin e lexuesit. Vetëm katër vargje; dhe në to vendosen dy pole të mëdha të qenies njerëzore: dashuria dhe vdekja:”Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola hipin ata që varen”. Kaq pak fjalë, dhe megjithatë, një botë e tërë ndjenjash që hapet para nesh. Stoli, ky objekt i zakonshëm i parkut, kthehet në vendtakim të ekstremeve: Ai bëhet dëshmitar i puthjeve dhe i litarëve, i pëshpërimave të dashurisë dhe i heshtjes së fundit.

Dhe në kulmin e kësaj antiteze, vjen vargu i tretë, i butë dhe i dhimbshëm si një melodi e lodhur: “Një jetë të tërë, dashuria ime” ku poeti i flet dashurisë si një qenie të gjallë, si një mike e përhershme që e ka ndjekur gjithë jetën, e cila, ndonëse e bukur, nuk ka qenë asnjëherë e qetë. Prandaj dhe vargu i fundit vjen si një përfundim poetik, por edhe filozofik: “Ulet dhe hipën mbi stola”. Shih pak këtu, dashuria shndrohet në një lëkundje, ulje e ngjitje, frymë që nuk gjen prehje, pra ajo nuk është vetëm ndjenjë, ajo është dridhje ekzistence, që të zbret në tokë dhe të ngre në qiell, ose të hedh në humnerë. Ndaj themi se “Stolat” nuk është vetëm një poezi për dashurinë apo vetëvrasjen. Ajo është poezi për lëkundjen e shpirtit në këtë botë, për vendin ku ndjenjat tona ulen pak për të marrë frymë, dhe pastaj ngjiten, ndonjëherë për të fluturuar, ndonjëherë për të humbur.

Pikërisht ky është çelësi i bukurisë së kësaj poezie: një gjuhë e përmbajtur, por e ngarkuar me domethënie. Një imazh i vetëm, por që hap një hapësirë të madhe për të menduar. Poezia flet pak, por lë shumë për të ndier. E bukura e saj qëndron në heshtjet mes vargjeve, në ato që nuk thuhen, por ndjehen thellë, si të ishin përvojat tona.

II-Sigurisht që stoli në poezinë e Zhupës mund të lexohet jo vetëm si objekt fizik, por edhe si metaforë, madje këtu qëndron thellësia dhe bukuria e kësaj poezie.

Stoli është vendi ku bota nuk ka nevojë të flasë me zë të lartë, pse që në pamje të parë është një element i zakonshëm urban,por që në poezi kthehet në një pikë ndalese për emocione të jashtëzakonshme. I heshtur dhe i patundur, ai bëhet dëshmitar i skajeve të jetës: dashurisë që lulëzon e vdekjes që pret në hije. Vetëm në një poezi të përmbajtur, një send kaq i thjeshtë mund të marrë peshën e një bote të tërë.

Në një lexim të parë, stoli duket si një vend i përbashkët; një skenë e hapur ku njerëzit vijnë dhe ikin, si aktorë në një dramë që nuk ka mbarim. Të rinjtë dashurohen mbi të, ndërsa ata që dorëzohen përballë jetës hipin mbi të për t’u larguar përgjithmonë. Në këtë mënyrë ai bëhet vendkalimi mes ndjenjës së dashurisë dhe shuarjes, vdekjes. Në këtë kuptim, stoli është gjithçka që bashkon e ndan njëkohësisht: një fragment kohe ku çasti i gjallë dhe çasti i fundit takohen, pa qenë në konflikt me njëri-tjetrin.

Por stoli mund të shihet dhe si simbol i pritjes i asaj që zgjat, asaj që nuk merr gjithmonë përgjigje. Njeriu pret mbi stola (në park): një shikim, një zë, një kthim. Dashuria ndalet atje, shpresa merr frymë, e trishtimi shpeshherë e ul kokën. Në këtë dritë, poezia e Zhupës merr nuanca të një përjetimi të heshtur; ajo bëhet këngë e atyre që qëndrojnë pa lëvizur, duke e ndjerë lëvizjen vetëm brenda vetes.

Nuk përjashtohet as leximi filozofik: stoli si shenjë e përkohshmërisë së jetës, si një vend ku gjithçka ndalon vetëm për pak. Një frymë, një çast, një ulje. Dhe më pas; largimi mga kjo botë. Në këtë lexim, stoli bëhet metaforë e ekzistencës sonë të përkohshme. Ai është një copëz kohe, një ndërprerje në ecurinë  e pafund të jetës. Dashuria kalon aty, vdekja gjithashtu, por asnjëra nuk qëndron gjatë. E megjithatë, çdo qëndrim mbi të lë një gjurmë.

Kjo poezi, me pak fjalë dhe me një thjeshtësi të heshtur, arrin të ngrejë stolin në nivelin e simboleve që tejkalojnë kohën dhe vendin. Ai është san ë një vend publik aq dhe në një hapësirë intime njëherësh. Poezia e Zhupës , ndonëse shprehet në n jëjës, nuk flet për një stol të vetëm, por për të gjithë stolat mbi të cilët jeta ulet për një çast dhe më pas lëviz. Në këtë mënyrë, ajo bëhet universal, sepse secili prej nesh, në një moment të jetës, e ka njohur atë stol: si vend takimi, si vend ndarjeje, si vend heshtjeje.

Kështu pra, një poezi e vogël, me fjalë të kursyera, arrin të përmbajë brenda saj gjithë peshën e jetës njerëzore. Dhe stoli, në këtë poezi, nuk është vetëm dru apo hekur, por është më së pari një pikë drite ku përkulem kujtimet, dhimbja dhe dashuria.

III-Ka poezi që nuk i thonë çdp gjë me fjalë, dhe s’kanë pse, sepse ato flasin dhe nëpërmjet heshtjes  dhe  ato që thuhen me heshtje mbeten më gjatë se fjala, mbeten në kujtesë. Zhupa në këtë poezi nuk shkroi vetëm katër vargje, ai ndërtoi një hapësirë ku fjala dhe heshtja bëhen bashkohen në një dhe unë ju them se të flasësh me heshtje mes fjalëve, është shumë herë më e vështirë se të mbash referate shkencore. Unë ju them se heshtja mes vargjeve të Zhupës nuk është boshllëk, është drithërimë, është fryma që ndal për një cast, aty ku mendimi ndalon dhe ndjenja merr fjalën. Është pikërisht aty ku poezia shpërthen pa zë.

1.Në poezinë “Stolat”, nuk janë vetëm fjalët që mbajnë peshë, është ajo që qëndron midis tyre; Heshtja që flet, një heshtje e tejdukshme, që nuk shihet, por ndjehet. Një ndalesë e vogël që mbart një jehonë të madhe. Kjo heshtje nuk është bosh, nuk është mungesë, ajo është një hapësirë për frymëmarrje, ku vargu i mëparshëm zgjatet në ndërgjegjen e lexuesit dhe ai pasues ngjitet nga thellësia e mendimit.

2.  Vargjet:“Në stola ulen ata që dashurohen,”

(Heshtje)

“Mbi stola hipin ata që varen.”

Janë dy vargje ku shfaqet një ndryshim i papritur, thua se egziston  një lumë mes tyre.. Ajo që i ndan nuk është vetëm hapësira e terenit, por është rrëshqitja emocionale.

Në çastin e parë, poezia hapet me një imazh të qetë: dashuria, qetësia, ulja, afërsia. Por befas, pa paralajmërim, peizazhi ndryshon, vjen vargu i dytë si një rënie në zbrazëti dhe heshtja që i ndan është si qetësia para stuhisë, kur ajri mbushet me elektricitet. Është aty ku lexuesi e ndjen dridhjen përpara goditjes.

3. Dashuria nuk është një ndjenjë e qëndrueshme, por një figurë “ulet” dhe “hipën” në kufijtë e egzistencës dhe në mes, poetit i duhet të heshtë , jo për të fshehur, por për të lejuar të “flaës”atë që nuk artikulohet dot, heshtjen. A nuk e kini vënë re, në prani të dashurisë flet më shumë heshtja, si dhe në momentin e ekzekutimit të dënimit kapital, të pranishmit heshtin. Janë sublime të dy këto çaste, të papërsëritëshme në jetë.

“Një jetë të tërë, dashuria ime,”

(Heshtje)

“Ulet dhe hipën mbi stola.”

Në çastin e pushimit midis vargjeve, poeti nuk thotë asgjë, por lexuesi ndjen gjithçka: dridhjen, pasigurinë, valët e një dashurie që nuk është e pastër si në fillim, por e trazuar nga lodhja dhe nga përvoja.

4. Kjo heshtje në poezi nuk është rastësore, ajo në fakt është një taktikë poetike, një mënyrë moderne e të thënit gjithçka pa folur asnjë fjalë nga Zhupa. Poezia nuk i jep përgjigje lexuesit, përkundrazi, ajo e fton atë që të hyjë në zbrazëtirën poetike dhe ta mbushë me ndjesitë e veta. E parë në këtë aspekt themi se kjo poezi nuk kërkon të dominojë, por të ndikohet dhe heshtja është dritarja që i jep lexuesit të drejtën të  shtojë veten në tekst. Ilirian Zhupa si askush tjetër është poeti i heshtjes së bukur.

5. Dhe në fund themi se ajo që mbetet nga poezia “Stolat” nuk është një histori mes dashurisë e vdekjes. Përkundrazi është mënyra se si poezia flet me zë të ulët, me tone jo retorike, por në tensionin mes vargjeve. Kjo poezi, si një haiku i hidhur shqiptar, thotë shumë me pak fjalë dhe gjithçka tjetër e thotë heshtja. Aty ku nuk arrin fjala, mbërrin përjetimi,  sepse heshtja në poezi është zemra që rreh mes vargjeve. Dhe unë ju them se s’ka tingull më njerëzor se ai që nuk dëgjohet, por ndjehet.

IV-Stoli (në park) së pari u krijua për t’u ulur; për pushim, për bisedë, për biseda intime, për të soditur jetën etj.. Por në poezinë e Zhupës, ai shndrohet në një mjet për vetvarje dhe varje, ska rëndësi vendi ku kryhet ky akt. Kjo rrugë e tij, nga funksioni i natyrshëm në një përdorim tragjik, ngre një shqetësim të thellë filozofik dhe ekzistencial.

Së pari, ky devijim tregon transformimin e sendeve neutral (stolit) në dëshmi të fateve njerëzore. Një objekt që është menduar për jetë, bëhet mjet për vdekje. Ky shndrim i papritur shfaq se jeta dhe vdekja nuk janë të ndara nëpër rrugë të ndryshme,  shpesh ato ecin mbi të njëjtin send, në të njëjtin vend, vetëm në kohë të ndryshme.

Së dyti, në një lexim filozofik, kjo rrugë e stolit shpreh thyerjen e kuptimit fillestar të gjërave, atë çfarë Heideggeri do ta quante "rënia nga qenësia në funksion." Kur një objekt humb qëllimin për të cilin është ndërtuar dhe përdoret për një të kundërt të tijën, ndodh një dridhje ontologjike, një lëkundje në vetë qënien vetë jeta si koncept vihet në pikëpyetje.

Së treti, kjo zhvendosje tregon edhe mungesën e mbështetjes së shoqërisë për individin, ku edhe vendet e pushimit shndërrohen në vende të braktisjes së fundit. Stoli nuk është më mikpritës, por bëhet platforma e aktit më të vetmuar. Në këtë kuptim, rruga e stolit nuk është thjesht tragjike, ajo është metafora e përmbysjes së llogjikës njerëzore, ku bukuria dhe përdorimi, pushimi dhe paqja, dorëzohen përballë ankthit ekzistencial. Dhe kjo është pikërisht ajo që i jep poezisë së Zhupës përmasën universale.

V-Poezia “Stolat” është e vogël në përmasë, por është si shprehjet e rralla që mbeten gjatë në kujtesë, sepse thotë pak, por hap shumë kuptimshmëri. Fjalët vërtet janë të pakta, por janë si gjethet e pakta të një pemë dimri, ku  secila është e domosdoshme për peizazhin që krijon. Le ta ndjekim këtë poezi, siç ndiqet me sy guri i hedhur rrëshqitazi  mbi sipërfaqen e ujit, ku çdo vale rrethore që krijohet është një kuptim.

1.Në poezi, nuk ka fjalë të tepërta, madje çdo fjalë është thelb, jo zbukurim. Poezia nis si një frymëmarrje e qetë, por thellohet me çdo fjalë: “Në stola ulen ata që dashurohen/ Mbi stola hipin ata që varen”.Një  gjuhë e zakonshme, fjalë që mund t’i thoshte kushdo, por këtu janë vendosur në një ekuilibër të tillë ku çdo germë peshon. Ato nuk mbajnë vetëm kuptim por histori, nuk ka zbukurime por vetëm thellësi të heshtura që ndriçojnë vetë.

2.Fjalët ngjajnë me gurët e lashtë pellazgjikë të vendosur në një mur që i ka rrezistuar erozionit  mijra shekullor. Në këtë ndërtim poetik, asnjë fjalë nuk është e rastësishme. Ato janë vendosur të gdhendur në format e duhura, që nuk lënë hapësirë mes tyre dhe nuk kanë nevojë për lidhje me llaç, pasi pesha e gurëve është lidhësia më e mirë. Nëse do të hiqje nga poezia një fjalë, ajo do të do rrëzonte gjithë murin (vargun). Pikërisht kjo arkitekturë e fjalës së pakët e bën poezinë të qëndrojë me madhështi, si një tempull I vogël, ndërtuar për përjetësi.

3.Thjeshtësia është akt i zgjedhur qëllimisht nga poeti, jo mungesë. Minimalizmi  në poezi nuk është mosdije për të thënë më tepër, por vendim i poetit për të thënë vetëm atë që është e domosdoshme. Thjeshtësia bëhet ura më e shkurtër për te ndjeshmëria, për te dhembja dhe dashuria që jetojnë pranë e pranë, si dy të panjohur në të njëjtin stol.

4.Poezia “Stolat” është një monument i vogël që sfidon kohën. Nuk ka asgjë të tepërt, dhe pikërisht kjo mungesë e bën atë të plotë. Në këtë poezi, Zhupa ka gdhendur jo vetëm ndjenjën, por mënyrën e tij të të parit të botës: ku çdo gjë e vogël mbart peshën e së gjithës, pse është pjesë e të gjithës. Në pak vargje, kemi një cikël të plotë: dashuri, dëshpërim, jetë, vdekje; të gjitha në lëvizje të qetë mbi një stol që ndodhet kudo dhe askund. Dhe kështu poeti na kujton: fjalët më të thjeshta janë shpesh më të thellat; në to rrinë të fshehura plagë, kujtime, dhe ndoshta, edhe shpresa.

V-Në poezinë “Stolat” të Zhupës vjen një zë i qetë, por thellësisht i pranishëm, që i flet kohës sonë me një mençuri të brendshme e një heshtje që tingëllon më fort se fjalët. Zhupa sjell një risi poetike që nuk bërtet, por pëshpërit, duke shndërruar një send të zakonshëm në simbol të dramës sonë të përditshme, dhe kjo thjeshtësi e thellë, ky qëndrim përballë jetës me sy të ngulur dhe shpirt të përhumbur, është ndoshta një nga gjërat më të rralla që mund të ndodhin sot në poezi.

1.Në një botë të tejmbushur me komunikim, poezia na kujton heshtjen emocionale që s’ka zë.Në kohën kur fjala është bërë e lehtë dhe zhurma mbulon gjithçka, kjo poezi ndalet dhe flet për atë që nuk thuhet. Vargjet aq të heshtura sat ë drithërojnë: “Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola hipin ata që varen.” vendosin përballë nesh dy skaje të ekzistencës; dashurinë dhe dëshpërimin dhe çuditërisht në të njëjtën hapësirë, në të njëjtin send. Dhe ndoshta aty ku kemi kaluar pa e vënë re një stol, ka ndodhur një jetë që nuk kemi ditur ta shohim. Shumë prej nesh e kanë përjetuar këtë moment.

2.Në kohën e shpejtësisë, një varg i vetëm na ndal si frymëmarrje e thellë, kjo pse  shqetësimi i poetit nuk është të ndërtojë rrëfim, por të na ndalë.Imazhi i vargjeve:“Një jetë të tërë, dashuria ime,/Ulet dhe hipën mbi stola.” s’është gjë tjetër veçse lodhja e njeriut të sotëm, që endet pa ndalesë midis mallëngjimit dhe vetmisë? Ky varg është një pasqyrë që nuk flet vetëm për dashurinë, por për shpirtin e njeriut modern që, i përhumbur, lëviz brenda vetes pa arritur askund.

3.Atë që  bota e sotme do të ndajë me rregulla të ftohta (jetën nga vdekja), poezia i bashkon me ndjeshmëri të butë, aty ku dikush sheh një vend për të ndenjur, poeti sheh një vend për të ndjerë. Dhe nuk bën dallim mes një përqafimi dhe një fundi, sepse dhe vetë jeta është një vijë e hollë, që në një çast të papritur mund të këputet. Kjo poezi na rikujton se pranë bukurisë mund të fshihet trishtimi, dhe pranë trishtimit një kujtim dashurie.

4.Në një shoqëri ku shohim gjithçka përtej ekranit, poezia na fton të shohim më thellë njëri-tjetrin. Një stol nuk është më një objekt i rastësishëm në park. Është një ftesë për vëmendje. Sepse ndoshta, aty ku dikush po pushon, një zemër po thyhet në heshtje. Ilirian Zhupa na bën të ndalemi përballë të panjohurit – të afërmit tonë të heshtur – dhe të mendojmë: kush po ulet tani? Dhe përse?

I ndërtuara në pak vargje, “Stolat” nuk është thjesht poezi, është një vështrim i thellë mbi jetën e padukshme që zhvillohet pranë nesh. Është një thirrje e heshtur për t’u bërë më të butë, më të vëmendshëm, më njerëzorë. Dhe ndoshta, më të aftë për të parë poezinë edhe aty ku ajo nuk do të na tregojë që është e tillë.


Sarandë, më Maj 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page