top of page

Bashkim Saliasi: Një jetë në shërbim të dritës 



 

Zylfije Kullafi, mësuese në shkollën 9 vjeçare  "Vëllazërimi"

 

Nga Bashkim Saliasi

19 Maj 2025

 

Në shkollën “Vëllazërimi” punojnë mësues të përgatitur profesionalisht, me etikë të lartë komunikimi dhe një frymë të fortë bashkëpunimi, ç'ka ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në atmosferën pozitive që mbizotëron në shkollë. Kjo shkollë ka fituar një emër të mirë në komunitet dhe më gjërë, jo vetëm për stafin e saj të përkushtuar, por edhe falë menaxhimit të shkëlqyer që i bën punëve të përditshme drejtoresha e shkollës Merita Prenga, e cila me vizionin dhe përkushtimin e saj ka ngritur standardet e institucionit dhe ka krijuar një model të suksesshëm drejtimi.


Shkrimi im sot dedikohet  mësueses  së  kësaj shkolle zonja Zylfije Kullafi

    

Në një kohë kur shoqëria kërkon gjithnjë e më shumë modele të qëndrueshme, figura e një mësueseje qëndron si një fanar që ndriçon mendjet dhe shpirtërat e brezave të tërë. Një nga këto figura të rralla është mësuesja Zylfije Kullafi, mësuese në shkollën 9 vjeçare " Vëllazërimi, ku unë shërbeva si mësimdhënës dhe drejtues prej disa vitesh, një emër që mishëron përkushtimin, dashurinë për dijen dhe përkujdesjen ndaj nxënësve.

E lindur me shpirtin e mësimdhënies dhe e rritur me vlerat e punës së ndershme, Zylfije Kullafi është shembulli ideal i asaj që do të thotë të jesh edukatore në kuptimin më të plotë të fjalës. Afro katër  dekada, ajo ka qenë një busull që ka udhëhequr me butësi dhe vendosmëri, me dije dhe empati, duke mbjellë te çdo nxënës shpresën, imagjinatën dhe pasionin për të mësuar.

Mësuesia për Zylfijen nuk ka qenë kurrë thjesht një profesion; ka qenë një mision. Ajo ka ditur të frymëzojë shpirtin e fëmijëve, t’u ndezë sytë me shkëlqimin e dijes dhe t’i udhëheqë me një dashuri të pashoqe drejt horizontit të njohurive. Për të, çdo fëmijë është një botë më vete, një botë që pret të zbulohet, të kuptohet dhe të rritet me kujdesin e një dore të sigurtë e të ngrohtë.


Drejtoresha Merita Prenga gjithmonë e vinte në pah punën e mësuese Zylfije Kullafit, duke e përmendur me vlerësim të lartë në çdo bisedë apo analizë që zhvillonim si drejtori shkolle. Ajo e konsideronte mësuesen Zylfien si shembullin më të mirë të përkushtimit dhe profesionalizmit, një figurë që mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat e mësuesit ideal dhe që meritonte të përmendej sa herë flitej për cilësi të lartë në mësimdhënie.

Një prej cilësive më të spikatura të mësuese Zylfijes është mënyra sesi ajo krijon një atmosferë dashurie dhe besimi në klasë. Nxënësit e saj nuk kanë qenë kurrë thjesht numra në një listë, por individë me ëndrra, sfida dhe potencial të jashtëzakonshëm. Me një fjalë të mirë, me një buzëqeshje inkurajuese, ajo ka ditur të hapë rrugën për ta, duke i nxitur të besojnë në vetvete dhe në fuqinë e dijes.

Nuk është rastësi që shumë prej nxënësve të mësuese Zylfije Kullafit e vlerësojnë dhe i bëjnë asaj dedikime të veçanta, siç ka bërë edhe Semi Kokona, një nxënës model i shkollës “Vëllazërimi”, fitues i disa çmimeve në nivel zyre arsimore, ose që shpesh ne e quanim Tenori i Shkollës sonë. Në festën e mësuesit, Semi i kushtoi mësueses së tij një këngë shumë të bukur, me tekst, muzikë dhe interpretim të realizuar vetë prej tij, një shenjë mirënjohjeje dhe dashurie të thellë. Këtë këngë ai e interpretoi me ndjenjë të veçantë përpara mësuese Zylfijes, e cila ishte e ftuar në studion e TV Klan, duke kthyer një moment televiziv në një homazh prekës për mësuesen që ka lënë gjurmë në zemrën e tij.

Ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre, jo vetëm përmes mësimeve që ka dhënë, por edhe përmes shembullit të jetës së saj. Mësuese Zylfija  është një grua që ka ditur të përballojë sfidat me dinjitet, të japë gjithmonë më shumë nga vetja dhe të mos ndalet kurrë së dhëni dashuri dhe dritë.


Mësuese Zylfija ruan një bashkëpunim të shkëlqyer me koleget e saj dhe me prindërit, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë. Ajo është nga ato mësuese që nuk ka nevojë të flasë për veten, sepse për të flet gjithmonë puna, përkushtimi dhe ndershmëria që e shoqërojnë në çdo hap të rrugëtimit të saj profesional.

Mësuese Zylfija është një prej atyre të pakëve që frymëzojnë për jetë të tëra. Ajo është një udhërrëfyese që nuk kërkon lavdi, por lë pas vetes dritë të pashuar. Dhe kjo është arsyeja pse emri i saj do të kujtohet gjithmonë me respekt e nderim.

Mësuese Zylfija do të nderohet gjithmonë në shkollën “Vëllazërimi” si mësuesja e parë që hodhi themelet e kësaj shkolle, një figurë që zë një vend të veçantë në kujtesën institucionale dhe shpirtin e saj. Kontributi i saj i çmuar është pasqyruar me krenari edhe në historikun zyrtar të shkollës, ku emri i saj përmendet me respekt si pjesë themelore e identitetit dhe zhvillimit të këtij institucioni arsimor.

Faleminderit, mësuese Zylfie, që jeni udhërrëfyesja e brezave, që keni ndriçuar mendje dhe zemra me përkushtimin tuaj të rrallë. Rruga juaj në arsim është një testament i gjallë i asaj që do të thotë të jesh mësuese e mirë: të frymëzosh shpresën, të ndezësh imagjinatën dhe të nxisësh dashurinë për dijen!

 

댓글


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page