Çaush Kullafi: Hysni Hoxha , bilbili që i dha zë Çermenikës
- 2 days ago
- 5 min read

Nga Çaush Kullafi
Po qe se malet flasin me jehonën e erës, artisti flet me jehonën e zemrës. Në krahinën e Çermenikës, ku lisat i ngjajnë rojtarëve të historisë dhe burimet zbresin si këngë nga shpatet e maleve, lindi një zë që u bë vetë fryma e vendlindjes. Ai zë është Hysni Hoxha, artisti që populli e pagëzoi me emrin më të bukur: "Bilbili i Çermenikës".
Ashtu si bilbili që zgjon pyllin me këngën e tij, edhe Hysni Hoxha zgjoi kujtesën e një treve të tërë. Zëri i tij është thjesht dhunti artistike, është burim i kristaltë që rrjedh pandërprerë nga zemra e Çermenikës, duke freskuar shpirtin e çdo shqiptari. Në çdo interpretim të tij dëgjohet rrahja e zemrës së vendlindjes, aroma e luleve të malit, fëshfërima e pyjeve dhe krenaria e një populli që e ka ruajtur identitetin ndër shekuj.
Hysni Hoxha rrjedh nga familja Hoxha e Zdrajshit, një trung i fuqishëm që i ngjan lisit shekullor, me rrënjë të ngulitura thellë në tokën e atdhedashurisë. Gjyshi i tij, Tahir Hoxha, ishte një nga gurët e themelit të arsimit shqip në Çermenikë. Nëse Tahiri ndezi dritën e dijes, Hysniu ndezi dritën e këngës, duke e bërë artin një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen.
Jeta artistike e Hysni Hoxhës është si një lumë që nuk shteron. Prej dekadash ai ka ruajtur dhe promovuar folklorin shqiptar, duke e përcjellë atë brez pas brezi me përkushtimin e një misionari. Hysniu këndon për të ruajtur kujtesën, për të mbrojtur identitetin dhe për t'i dhënë jetë historisë së kombit.

Fillesat e këngës për Hysni Hoxhën nisën që në bankat e shkollës fillore, kur zëri i tij çelte si sythi në pranverë dhe mbushte oborrin e shkollës me tinguj të ëmbël. Me kalimin e viteve, ai u rrit si një lis i fuqishëm në pyllin e artit shqiptar, ndërsa talenti i tij u shndërrua në një lumë që nuk resht së rrjedhuri. Hysni Hoxha është një këngëtar brilant, zëri i të cilit fluturon si shqiponjë nga njëra trevë shqiptare në tjetrën, duke interpretuar me të njëjtin mjeshtëri këngët e Çermenikës, Myzeqesë, Matit, Dibrës, Korçës, Kosovës e shumë krahinave të tjera. Në interpretimin e tij, çdo këngë merr jetë si një lule që çel në stinën e vet, ndërsa zëri i tij bëhet urë që bashkon të gjitha trevat shqiptare në një zemër të vetme.
Në familjen Hoxha, kënga është art, është trashëgimi e shenjtë, si një pishtar që kalon nga një brez te tjetri pa e humbur kurrë dritën. Në këtë vatër, talenti ka lulëzuar si një kopsht pranvere, ku çdo anëtar ka dhënë aromën dhe ngjyrën e vet.
Afërdita , motra e Hysniut, është një këngëtare brilante, zëri i së cilës kumbon si bilbili i maleve shqiptare në skenat e Zvicrës, duke përcjellë me krenari kulturën dhe këngën e vendlindjes.
Kënga duet motër e vëlla, "Mall për ty, lot për nënën", është si një trëndafil i çelur në kurorën e artë të repertorit të Hysni Hoxhës, që shpërndan aromën e dashurisë, mallit.
Po aq krenari sjell edhe Arbeni, djali i Hysniut. Pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera Akademinë e Arteve në Shqipëri, ai sot shërben si pedagog në Konservatorin e Zvicrës. Si një pemë me rrënjë të forta në tokën shqiptare dhe degë që shtrihen në Evropë, ai vazhdon të kultivojë artin, duke dëshmuar se tradita e familjes Hoxha është një burim që nuk pushon së dhuruari vlera.
Në repertorin e Hysniut që numëron mbi dyqind këngë, çdo krijim është si një margaritar në gjerdanin e kulturës shqiptare. Këngët patriotike, historike, epike, këngët kushtuar dëshmorëve, figurave të shquara, vendlindjes, familjes, kurbetit e dashurisë janë si degë të së njëjtës pemë, që ushqehen nga rrënjët e folklorit shqiptar.
Ndër krijimet më të spikatura shkëlqen kënga "Udhëto moj kënga ime", një këngë që fluturon si dallëndyshe mbi malet e Çermenikës dhe shpërndan aromën e luleve të saj në çdo vatër shqiptare. Kjo këngë lindi nga bashkëpunimi i autorit Çaush Kullafi, kompozitorit Edmond Zhulali dhe interpretimit plot ndjenjë të bilbilit të Çermenikës Hysni Hoxha. Po aq të dashura mbeten edhe këngët: "Këndoj ty Librazhdi im", "Çermenika bën kuvend", "Çermenika s'ju harron", "Amaneti i Bashkimit", "Çamëria", "Dasma e Dardanit", "Potpuri Matjane", " Toda me shtatë zemra, me autor Agim Qoku, Kthehuni djem se ju pret nëna,Hysni Hoxha & Dava Gjergji, këngë kurbeti, Vendi po ju pret të ktheheheni një ditë, Hysni Hoxha & Liri Rasha, Zemra ime rreh për ty" (me Vitore Rushën), "Aromë Nëne", "Beg Balla Legjendari", "Bija ime", "Martanesh Kështjellë Trimnie", "Si Tirona s'ka", "Këngë për ty, o jeta ime", "Dy Ikonat Myzeqare", "Në Dibër e Çermenikë" (me Vera Laçin), "Këngë për Jorgo Papingjin",Këngët: "Çermenikë, tek ty më sjell ëndrra", dhe "Kënga për dëshmorin e kombit Ndriçim Koxha", në bashkëpunim me autorin Çaush Kullafi, "Moj e mira çuçë matjane", si edhe kënga kushtuar Nderit të Kombit, artistes së madhe Margarita Xhepa, etj. Çdo këngë është një gur i çmuar në kurorën artistike të "Bilbilit të Çermenikës".
Në bashkëpunim me Bashkinë e Librazhdit, ai ka organizuar tre koncerte-recital të suksesshme, të moderuara nga moderatorja e njohur e RTSH-së, Silvana Braçe. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë disa prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, si Margarita Xhepa, Jorgo Papingji, Xhevat Limani, Liri Rasha, Dava Gjergji, Vitore Rusha, Shkodran Tolaj, Afërdita Hoxha, Besiana Mehmedi dhe shumë artistë e personalitete të tjerë, duke i kthyer këto recitale në ngjarje të rëndësishme kulturore.
Për kontributin e tij të çmuar në artin shqiptar, Hysni Hoxha është nderuar me një sërë titujsh dhe vlerësimesh prestigjioze.
Nga Këshilli i Bashkisë së Librazhdit është shpallur "Qytetar Nderi i Librazhdit", me motivacion: "Për kontributin e tij në pasurimin dhe interpretimin me nivel të lartë artistik të këngës popullore të Librazhdit dhe më gjerë."
Nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit është vlerësuar me "Mirënjohjen e Qarkut Elbasan", me motivacion: "Për ruajtjen dhe jetësimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore të trevës së Çermenikës, Librazhdit dhe Elbasanit, përfaqësues i denjë i Qarkut Elbasan."
Emri i tij është përfshirë gjithashtu në librin "100 Personalitetet e Librazhdit", si një nga figurat më të rëndësishme që kanë kontribuar në historinë, kulturën dhe identitetin e kësaj treve.
Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare e ka nderuar me titullin e lartë "Princ i Artit Tradicional Shqiptar", në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e folklorit shqiptar.
Gjatë karrierës së tij artistike, Hysni Hoxha është vlerësuar me shumë çmime, mirënjohje dhe dekorata, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, duke dëshmuar ndikimin dhe respektin që gëzon në botën e artit.
Në udhëtimin e tij artistik ai ka bashkëpunuar me emra të shquar të kulturës shqiptare. Këto bashkëpunime janë si lumenj që bashkohen në një det të përbashkët, duke pasuruar muzikën popullore shqiptare.
Përveç skenës, Hysni Hoxha është edhe një ambasador i kulturës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në festivale, koncerte dhe veprimtari kulturore brenda dhe jashtë vendit, duke e çuar këngën e Çermenikës si një shqiponjë që hap krahët mbi çdo skenë shqiptare. Sot, përmes platformave digjitale dhe rrjeteve sociale, këngët e tij vazhdojnë të jetojnë, duke u dëgjuar e vlerësuar nga mijëra artdashës.
Ai krenohet me familjen e tij. Ndër ta spikat nusja e djalit të tij, Qendresa Sadriu Hoxha, e angazhuar prej vitesh në jetën politike të Zvicrës.
Hysni Hoxha është si një lis që sfidon stuhitë, si një burim që nuk shteron dhe si një kandil që mban ndezur dritën e traditës shqiptare. Kënga e tij nuk shuhet me mbarimin e melodisë; ajo mbetet në kujtesë, ashtu si aroma e tokës pas shiut dhe jehona e maleve pas thirrjes së bilbilit.
Sa herë që zëri i tij ngrihet në këngë, duket sikur zgjohet vetë Çermenika. Dhe, për sa kohë do të këndojë Hysni Hoxha, do të këndojë edhe shpirti i një treve krenare, sepse, siç shprehet edhe vetë ai:
"Kënga popullore është zemra e kombit. Sa herë këndohet me shpirt, historia jonë vazhdon të jetojë."
Së shpejti ky shkrim do të botohet në disa gazeta e revista.
Suksese Bilbili i Çermenikës, na bën krenar!








E ke shkruar me aq shpirt,sa dhe mua si lexues ma bën jo vetëm të njohur këngëtarin-bilibil,HYSNI HOXHA,por ta fiksoj në kujtesë si një vlerë folklorike dhe ATDHETARE!Urime për"dollibashin" dhe këngëtarin,njëherësh!