Çaush Kullafi: Artisti i Traditës Çermenikase
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 4 min read

Xhela Luka, Artist i Traditës Çermenikase
Shkruan: Caush Kullafi
Çermenika është një krahinë që ka ruajtur në mënyrë shembullore strukturën e saj kulturore, një hapësirë ku tradita nuk ka qenë kurrë thjesht një kujtim i së shkuarës, por një realitet i gjallë, i praktikuar dhe i transmetuar me dashuri nga brezi në brez. Aty, në zemër të kësaj kulture , ku fjala, kënga dhe vallja kanë qenë gjithmonë një mënyrë e natyrshme e të qenit, janë rritur djem dhe vajza që e kanë mbrojtur identitetin e komunitetit me pasion të veçantë. Çermenikasit e kanë ruajtur ritualin, tingullin e instrumenteve tradicionale dhe elegancën e lëvizjeve popullore si pjesë të ADN-së së tyre shpirtërore.
Në këtë panoramë të pasur kulturore spikat figura e Xhela Lukës , një artist i lindur me instiktin e natyrshëm muzikor të Çermenikës dhe me një sens të brendshëm përgjegjësie për ta çuar përpara traditën e fisit të vet. Ai është një nga ata njerëz që, , me talentin e pastër të krahinës dhe durimin e mjeshtrit popullor, e ngriti çiftelinë në nivel arti. Tingulli i instrumentit të tij nuk ishte vetëm zbavitje; ishte kujtesë, ishte histori, ishte shpirt komuniteti.
Çermenika gjithmonë ka qenë burim i vlerave dhe i artit popullor

Në këtë krahinë, tradita ka qenë pjesë e jetës së përditshme. Këngët popullore , vallet plot energji të Librazhdit dhe instrumentet e thjeshta por plot karakter, janë trashëgimi e ruajtur me fanatizëm si në dasmat çermenikase dhe në çdo ngjarje familjare. Çiftelia, fyelli, daullja, cyrlja dhe harmonizimi i tyre në gëzime kolektive kanë qenë gjuhë e përbashkët e komunitetit.
Pikërisht nga kjo atmosferë lindi dhe u formua Xhela Luka: i rritur mes zërit të burrave këngëtarë, hapave të valleve të traditës dhe tingujve të instrumenteve që shoqëronin çdo ceremoni e festë. Që në fëmijëri ai u dallua për talent, ritëm të lindur dhe aftësi për të kapur edhe detajet më të holla të traditës së vendlindjes.
Ai luajti çiftelinë me një teknikë të pastër, duke ruajtur besnikërisht ritmin dhe strukturën melodike tradicionale të Çermenikës dhe Librazhdit. Lëvizjet e duarve të tij, të mësuara më shumë në natyrë dhe në dasma se sa në skena, i dhanë muzikës një shprehje autentike që u duartrokit gjatë.
Xhela Luka nuk ishte vetëm në këtë përfaqësim. Përkrah tij qëndronte valltari nga Letmi, z. Shkëlqim Bardhi, një tjetër djalë i talentuar i krahinës. Dyshja formoi një harmoni të rrallë skenike: çiftelia e Xhelës dhe vallja plot hijeshi e Shkëlqimit krijuan një performancë që i dha zë, ritëm dhe dinamikë karakterit çermenikas.
Xhela Luka ka qenë pjesëmarrës i rregullt në një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish kulturore, si në nivel lokal ashtu edhe kombëtar. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, më tej, në Vlorë e Berat, në vitet 1968, 1973 1988, 1995. Kontributi i tij artistik është vlerësuar me çmime të ndryshme, si në orkestrën e çiftelive nga artisti i merituar Sadi Halili, ashtu edhe në grupin e valleve me Shkëlqim Bardhin .
Ai ka bashkëpunuar me virtuozët e valles Shefqet dhe Xhelo Hysa nga Hotolishti, si dhe me mjeshtrin e folklorit të muzikës çermenikase Shefki Balliu dhe orkestrantin Myrvet Çuçuli, të cilët kanë shërbyer si drejtues orkestre në disa prej formacioneve ku ai ka interpretuar. Një bashkëpunim i spikatur i Xhela Lukës ka qenë ai me këngëtaren Burbuqe Kazazi nga Gizaveshi, në interpretimin e këngës së Xhaferr Kompullës, ku Xhela bënte pjesë në grupin e orkestrës, si dhe me këngëtarin Sali Sufja në këngën e njohur të Hysen Todës.
Pas Festivalit të Gjirokastrës, Xhela Luka nuk u largua asnjëherë nga vallja.
Ai ka marrë pjesë në shumë aktivitete të Shoqatës Kulturore " Çermenika 2017" si valltar profesionist. Çiftelia mbeti pjesë e pandashme e personalitetit të tij artistik. Ai është mjeshtër në interpretim. Xhela Luka e di mirë ritmin e vendlindjes, strukturën e valleve, kodin e këngëve burimore. Ai i jep jetë tingullit duke e lënë të pastër e të pandryshuar, ashtu siç ia ka lënë tradita.
Koncertet lokale, dasmat, festat familjare dhe ngjarjet krahinore janë skena ku ai shkëlqeu për dekada të tëra. Xhela u bë simbol i gëzimit, i unitetit dhe i vlerave komunitare, një artist popullor që nuk e shikon veten si “valltar”, por si shërbëtor të traditës,
një figurë me vlerë studimore dhe kulturore
Në historinë e folklorit çermenikas, emri i Xhela Lukës zë një vend të veçantë. Ai nuk u bë i njohur për lavdi personale, por për një kontribut të sinqertë dhe të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë së krahinës së tij.
Pjesëmarrja në Festivalin e Gjirokastrës e vitit 1973, e më tej, interpretimi mjeshtëror i valleve dhe melodive të Librazhdit, bashkëpunimi harmonik me valltarin Shkëlqim Bardhi, muzikantët, Shpëtim Xhani e Zeqir Kullafi, tre djem Çermenikas, dhe angazhimi i tij i pandërprerë në jetën kulturore e bëjnë Xhela Lukën një figurë që meriton të vlerësohet si model i artistit popullor autentik.
Ai mbetet mjeshtër i këngës, i valles dhe i shpirtit çermenikas, një zë i pastër i trashëgimisë sonë kombëtare.
Nëntor 2025









Comments