Çaush Kullafi: Anne Kullaf, artistja që i jep ngjyrë shpirtit

Anne Kullaf, artistja që i jep ngjyrë shpirtit dhe dritë horizontit me penelin e saj
Nga Caush Kullafi
Shumë artistë pikturojnë peizazhe, të tjerë që pikturojnë emocione. Anne Kullaf i përket kësaj të dytës. Peneli i saj është si një degë pranvere që prek telajon dhe zgjon ngjyrat në jetë, ndërsa çdo tablo është si një dritare e hapur drejt natyrës, qetësisë dhe botës së brendshme të njeriut.
Prej kohësh ndjek me kënaqësi galeritë dhe krijimtarinë e saj artistike. Në shumë prej punimeve të Anne Kullaf mahnitem nga loja e dritës, harmonisë së ngjyrave dhe ndjeshmërisë që përcjell çdo pikturë. Secila vepër duket sikur flet pa fjalë, ndërsa ngjyrat rrëfejnë atë që zemra ndien e buzët nuk arrijnë ta thonë.
I shtyrë nga ky admirim për artin e saj, vendosa të realizoj një intervistë të shkurtër me piktoren amerikane Anne Kullaf, për të njohur më mirë rrugëtimin, frymëzimin dhe ëndrrat e saj.
Anne Kullaf, prej një kohe të gjatë ndjek me shumë interes galeritë tuaja artistike. Në shumë punime mahnitem nga mënyra se si ngjyrat marrin frymë, ndërsa natyra duket sikur zbret nga telajo për të biseduar me shikuesin. Para se të flasim për artin, dua t'ju pyes: kush është Anne Kullaf?
Anne:
Kam lindur në pjesën veriore të shtetit të Nju Xhersit, në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U rrita në një qytet të vogël industrial, rreth 16 kilometra në perëndim të Nju Jorkut. Shumicën e bukurive natyrore i përjetova në oborrin e prindërve të mi. Edhe pse jetonim në një zonë urbane, nëna ime kishte një kopsht të mrekullueshëm me trëndafila, ndërsa babai një kopsht me perime. Fëmijërinë e kaloja duke soditur lulet, bimët dhe duke luajtur mes tyre me qenin tim.
Çfarë ju frymëzoi të ndiqnit rrugën e pikturës dhe ta bënit artin misionin e jetës suaj?
Anne:
Vizatimi dhe piktura kanë qenë gjithmonë aktivitetet e mia të preferuara. Më kujtohet kur isha rreth pesë vjeçe dhe rrija në tavolinën e kuzhinës duke vizatuar me lapsa me ngjyra që m'i kishte dhuruar xhaxhai im. Ai punonte në një gazetë dhe sa herë vinte për vizitë më sillte lapsa me ngjyra, sepse në zyrën e tij kishte gjithmonë tepricë.
Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem diçka tjetër përveçse artiste. Studiova në shkollë arti, ku u specializova në dizajn grafik dhe arte figurative. Fillimisht punova në fushën e dizajnit, më pas në marketing në një kompani, ku fitova shumë njohuri mbi biznesin. Më vonë iu përkushtova plotësisht artit figurativ, duke përdorur çdo ditë njohuritë e fituara në dizajn dhe biznes në profesionin tim si artiste.
Sot jeni një emër i njohur në botën e artit. Si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional?
Anne:
Jam artiste profesioniste e arteve figurative dhe ushtroj këtë profesion prej më shumë se 25 vitesh. Gjatë kësaj periudhe kam pasur nderin të ekspozoj veprat e mia në galeri në Nju Jork, Filadelfia dhe tregje të tjera të rëndësishme artistike në SHBA.
Së fundmi kam hapur studion dhe sallën time të ekspozimit në Filadelfia, ku prezantoj punimet e mia dhe organizoj aktivitete artistike. Kam krijuar një rrjet koleksionistësh nga e gjithë bota përmes rrjeteve sociale dhe punëtorive të pikturës që kam zhvilluar në SHBA, Kanada, Francë dhe Itali. Kam jetuar gjithashtu në pjesën perëndimore të SHBA-së, ku kam pikturuar bukuritë natyrore të Kolorados dhe Kalifornisë. Në ato zona kam ende shumë koleksionistë për të cilët realizoj piktura me porosi.
Thuhet se talenti lind në familje dhe rritet me dashuri. Sa ndikuan prindërit tuaj në zgjedhjen e këtij profesioni?
Anne:
Të gjithë në familjen time ishin krijues në mënyrën e tyre. Babai ishte shumë i aftë në zdrukthëtari dhe përpunimin e drurit. Punonte në një fabrikë, por në shtëpi ndërtonte vazhdimisht mobilie, dollapë, verandë dhe madje një Krishtlindje më punoi një komplet mobiliesh për një shtëpi kukullash.
Nëna ime ishte mjeshtre në qepje. Kur isha e vogël, ajo më qepte të gjitha rrobat. Gjithashtu thurte triko dhe punonte batanije me grep. Ishte një grua shumë e talentuar.
Prindërit e mi më kanë mbështetur gjithmonë të ndiqja ëndrrën për t'u bërë artiste profesioniste. Më paralajmëruan se do të ishte e vështirë të siguroja jetesën vetëm me art dhe më këshilluan të studioja edhe dizajnin krahas arteve figurative. Ata kishin të drejtë.

Çfarë synimesh dhe ëndrrash artistike mbani ende në zemër?
Anne:
Jam shumë e lumtur me studion time të re në Filadelfia dhe shpresoj që brenda dy viteve të ardhshme të zgjerohem edhe në Nju Jork. Gjithashtu do të dëshiroja të kisha përsëri një studio në Kaliforni dhe ta ndaja kohën mes bregut lindor dhe atij perëndimor të SHBA-së.
Shqipëria është vend me bukuri natyrore. A mendoni se një ditë do ta vizitoni dhe ndoshta ta përjetësoni në telajo bukurinë e saj?
Anne Kullaf:
Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe një vizitë në Shqipëri është padyshim një mundësi reale. Do të dëshiroja të pikturoja bukuritë natyrore të Alpeve Shqiptare dhe të vizitoja gjithashtu bregdetin shqiptar. Nga sa kam parë në publikime, Shqipëria duket një vend jashtëzakonisht i bukur.
Faleminderit për këtë bisedë të ngrohtë. Ju uroj që peneli juaj të vazhdojë të jetë si një urë që bashkon natyrën me shpirtin njerëzor dhe që veprat tuaja të prekin zemrat e artdashësve në mbarë botën.








Ju lumtë miku im i dijes dhe penës.
Një intervistë e duhur dhe interesante!