top of page

Zyrafete Manaj: Atë ditë kur u pamë

  • 5 hours ago
  • 1 min read

 

Atë ditë u pamë si dy stinë të humbura,

që pas shumë vitesh gjetën sërish njëra-tjetrën.

Folëm me heshtje të gjata,

me barrën e kohës mbi shpatulla,

me mallin e mbetur pezull

mes asaj që ishte dhe asaj që nuk u bë kurrë.

 

Nuk e di nëse faji ishte i imi

apo kishte mbetur në duart e tua,

por e di se vitet kishin lënë gjurmë

në secilin hap që na çonte pranë.

 

Të prita me drojë,

siç pritet një kujtim që dhemb e ngroh njëkohësisht.

Mendoja se i kishim varrosur përgjithmonë

dashuritë e së shkuarës,

por mjaftoi një vështrim i yti

dhe koha u kthye mbrapa.

 

Sa herë e kujtoj atë çast,

portreti yt zgjohet brenda meje,

si një pikturë e vjetër

që nuk e zbeh as pluhuri i viteve.

 

Atë ditë na ruante kalaja e lashtë,

dëshmitare e heshtur e takimit tonë,

ndërsa rrugët mbusheshin me njerëz

që kalonin e humbnin në nxitimin e tyre.

 

Dhe prapë, as ti nuk ma the,

as unë nuk ta thashë,

se pas gjithë atyre viteve

ende ishim të njëjtët njerëz,

me të njëjtën mallëngjim në sy

dhe me një copëz zemre

që kishte mbetur ndër ne.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page