top of page

Zymer Kodra: FOL, OJ TOKË, FOL

Zymer Kodra: FOL, OJ TOKË, FOL

 

Fol, oj tokë,

me zërin që e ruan nën gurë,

me frymën që e fsheh në rrënjë lisash,

me gjakun që s’u tha kurrë në heshtje.

 

Ti je nënë e fjalës së parë,

djep i krismës dhe i këngës,

je plagë që s’u përkul,

je betim i gdhendur në palcë të gurit.

 

Fol për hapat që ranë si shi

mbi supet e maleve,

për sytë që u mbyllën

duke mbjellë dritë në terrin e fundit.

 

Mos rri në heshtje se

heshtja është brymë mbi emra.

Le të ushtojë zëri yt

si rrënjë që çan shkëmbin nga brenda.

 

Në çdo pëllëmbë tënden

ka një zemër që rreh ende.

Në çdo lule që çel në pranverë

ka një emër që s’vdes me stinë.

 

Fol, oj tokë fol e jo me lot,

por me dritë.

Se gjaku që ra për ty

u bë agim në ballë të kohës.

 

Dhe kur fëmijët të ecin zbathur mbi ty,

le ta ndjejnë nën këmbë

jo dheun e ftohtë,

por pulsimin e atyre

që u bënë dritë për ne.

 

Sepse toka nuk flet me zë, ajo flet me kujtim.

Dhe kujtimi, kur është i drejtë,

është vetë liria që merr frymë.

FOL…

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page