top of page

Fatmir Terziu: Kur kujtojmë piktorin Sefedin Agolli

  • 4 days ago
  • 3 min read

 

Më ka treguar vite më parë, në një bisedë të çlirët, një mik i imi, një histori që më ka mbetur gjatë në mendje. Një bukëpjekës i kishte kërkuar një artisti të varfër ta vizatonte teksa piqte bukë. Artisti iu përvesh punës me përkushtim dhe, kur nisi të vizatonte furrën, në vend që ta vendoste sipas rregullave klasike të perspektivës, e hodhi atë vertikalisht, duke e shpalosur në gjithë gjerësinë e saj, sikur të donte ta nxirrte jashtë çdo kufiri të zakonshëm. Mbi të vendosi edhe bukën, po ashtu të paraqitur në mënyrë të pazakontë. Një kalimtar, që ndaloi aty pranë, nuk mundi të mos e vërente këtë “gabim” dhe i tha: “Si e ke vendosur, buka do të bjerë.” Piktori, pa e ngritur kokën nga puna, iu përgjigj qetësisht: “Mos u shqetëso; vetëm bukët e vërteta bien. Ato të pikturuara qëndrojnë lart, gjithçka duhet të jetë e dukshme në vizatim.”


Në ish - Studion e tij, Galeria e Arteve figurative të Elbasanit, ish-Gjykata e Elbasanit, përballë "Skampa" - fiksuar për Gazetën "RD"
Në ish - Studion e tij, Galeria e Arteve figurative të Elbasanit, ish-Gjykata e Elbasanit, përballë "Skampa" - fiksuar për Gazetën "RD"

Kjo thënie, e thjeshtë në dukje, por e thellë në thelb, më rikthehet shpesh në mendje sa herë kujtoj piktorin Sefedin Agolli, një emër që për mua mbetet i lidhur ngushtë me një mënyrë të veçantë të të parit dhe të të shprehurit në art. I njohur si “Babai i Spatulës”, ai nuk ishte thjesht një piktor që përdorte një teknikë të ndryshme; ai ishte një shpirt që kërkonte të nxirrte në dritë atë që të tjerët e linin në hije. E kujtoj si sot rrëfimin për një nga momentet e tij krijuese në Sebisht të Dibrës. I vendosur buzë rrjedhës së ujit, nën vështrimin kureshtar të kalimtarëve, ai pikturonte një pamje të Pllajës së bukur. Por, si çdo artist i vërtetë, nuk u mjaftua me atë që shihte syri. Nga peizazhi nxori një dualitet drurësh dhe i vendosi në ballë të tablosë, duke e ndryshuar rendin natyror të gjërave për hir të një të vërtete më të thellë artistike. Kur dikush ngriti vetullat në shenjë moskuptimi, ai u përgjigj me të njëjtën filozofi të thjeshtë: “Gjithçka duhet të jetë e dukshme në vizatim.”

Ky nuk është një krahasim për të ngritur dikë mbi të tjerët, por një shenjë respekti për një njeri që e jetoi artin si domosdoshmëri, jo si zbukurim. Sefedin Agolli ishte nga ata që nuk pyetën kurrë nëse arti i tyre do të vlerësohej menjëherë; ai thjesht e ushqeu atë, si një llambë që kërkon vaj për të mos u shuar. Dhe çdo goditje spatule në tablotë e tij ishte si një pikë vaj ulliri e hedhur me kujdes në atë flakë të brishtë. Në këtë kuptim, pyetja nuk është kush ishte, apo është i madh e kush i vogël në art. Pyetja e vërtetë është: kush e mbajti dhe e mban atë gjallë? Kush i dha frymë, kush e ushqeu, kush e mbrojti nga harresa dhe indiferenca? Për mua, një nga ata pak njerëz ishte dhe mbetet pikërisht Sefedin Agolli.

“Bukët” e tij, në kuptimin figurativ, nuk kanë rënë kurrë. Ato qëndrojnë ende, të palëvizshme në kohë, duke na ushqyer me ngjyrë, me ndjesi dhe me një mënyrë tjetër të të parit të botës. Dhe për këtë arsye, ndjej një krenari të veçantë që kam disa prej punëve të tij, jo thjesht si objekte artistike, por si dëshmi të një shpirti që nuk iu bind kurrë rregullave të ngurta të realitetit. Ne u detyrohemi një borxh të madh mirënjohjeje njerëzve si ai,  atyre që, që në fillim, patën virtytin ta dallonin thelbin e artit dhe t’i përkushtoheshin atij pa kushte. Ata e mbrojtën atë, e mbajtën gjallë, edhe kur dukej i përçmuar apo i pavlerësuar. Dhe falë tyre, sot ne ende kemi dritë për të parë, dhe ngjyra për të ndjerë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page