Fatmir Terziu: Mimoza Selimi, pasyqyra e sinqeritetit, respektit dhe realitetit shqiptar
- 2 hours ago
- 4 min read

Fatmir Terziu: Mimoza Selimi, pasyqyra e sinqeritetit, respektit dhe realitetit shqiptar
Me këpucët dy numra më të mëdha të të madhes, Vaçe Zela në këmbë, një vajzë e ndrojtur u ngjit në skenë për herë të parë, duke mbajtur mbi supe jo vetëm emocionin, por edhe peshën e një ëndrre, si dhe shtrëngimin e gishtave nga copat e gazetave që mbushën këpucët. Ai moment nuk ishte thjesht një dalje artistike, ishte lindja e një rruge që do të shndërrohej në një zë të dashur për shqiptarët. Kjo vajzë ishte Mimoza Selimi. E lindur nga një baba me origjinë nga Vlora dhe një nënë nga Erseka, Mimoza mbartte brenda vetes një ndërthurje të bukur kulturash dhe ndjesish shqiptare. Jeta e saj nuk ishte statike, përkundrazi, ajo ishte një udhëtim i vazhdueshëm nga veriu në jug, duke ndjekur babain e saj ushtarak, i cili shërbente në zona të ndryshme të vendit. Ky lëvizim i pandërprerë nuk ishte vetëm një rrethanë familjare, por një shkollë jete që i dha artistes njohjen e thellë të Shqipërisë reale, me të gjitha kontrastet, dhimbjet dhe bukuritë e saj.
Në një Shqipëri të varfër, ku arti shpesh lindte nga sakrifica, ajo u paraqit në skenë me një fustan të qepur me përkushtim dhe me një ndjenjë përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kënga “E dua vendin tim” nuk ishte zgjedhje rastësore, ishte një deklaratë dashurie dhe një homazh për idhullin e saj, Vaçe Zela. Që e vogël, ajo kishte dëgjuar me vëmendje radion, duke përthithur çdo notë dhe çdo emocion të këngëtares së madhe, e cila do të bëhej më vonë jo vetëm frymëzim artistik, por edhe një figurë e afërt njerëzore në jetën e saj, sidomos në vitet kur studioi muzikë në Shkodër. Kur publiku e riktheu në skenë pas interpretimit, ajo e ndjeu se diçka kishte ndryshuar përgjithmonë. Aty kishte nisur udhëtimi i saj drejt ëndrrës.
Në fillim të viteve ’90, Mimoza Selimi u bë një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare. Me serenatat korçare dhe këngë si “Eja o engjëll”, “Të pres” dhe “Flas me shiun”, ajo arriti të prekë zemrat e publikut jo vetëm me zërin e ëmbël, por edhe me ndjeshmërinë e interpretimit. Eleganca dhe sharmi i saj e bënë një figurë të dashur dhe të respektuar. Por forca e saj e vërtetë qëndron në mesazhin. Kënga “Na kujtoni” mbetet një nga kulmet emocionale të repertorit të saj, duke sjellë në vëmendje dramën e eksodit shqiptar. Ishte një kohë kur largimi nuk ishte zgjedhje, por domosdoshmëri, kur familjet shpërbëheshin dhe njerëzit niseshin drejt të panjohurës. Kjo këngë, edhe sot, tingëllon e dhimbshme dhe aktuale, sepse historia që ajo rrëfen vazhdon të përsëritet.
Edhe “Europa ëndrra jonë” mbart të njëjtin ideal, dëshirën për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme europiane. Për Mimoza Selimin, si për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë, kjo mbetet një ëndërr e gjallë, por e shoqëruar gjithmonë me mallin për vendin. Sepse, siç ndjehet në çdo fjalë të saj, dheu i atdheut është një lidhje që nuk këputet kurrë. Pas disa vitesh në Zvicër, rikthimi i saj në Shqipëri është gjithmonë një përjetim i fortë emocional. Ajo shkoi për t’u çmallur, por u largua edhe më e mbushur me mall. Dashuria e publikut, që vazhdon ta kujtojë dhe ta kërkojë, e bën të reflektojë me përulësi mbi vlerën e asaj që ka dhënë dhe marrë.
Kënga “More e bukura more” mbetet një tjetër dëshmi e shpirtit të saj artistik, një përzierje dhimbjeje dhe dashurie për vendin, për njerëzit dhe për kujtimet. Në të, muzika bëhet gjuhë universale, një gjuhë që nuk ka nevojë për përkthim, sepse kuptohet përmes ndjenjës. Edhe pse jeta artistike ka ndryshuar dhe ajo vetë e pranon se dikur ndihej më e plotësuar në skenë, lidhja me publikun nuk është shuar. Përkundrazi, ajo mbetet një thirrje e brendshme, një detyrim moral për të mos u shkëputur plotësisht nga arti.
Duket sikur edhe vetë emri i saj mbart një histori të bukur. Si të ishin dashuruar të dy prindërit me lulen mimozë, ata nuk i dhanë vetëm një emër, por një simbol. Një lule e brishtë në dukje, por e fortë në qëndrueshmëri, që çel edhe në kushte të vështira, ashtu si rrugëtimi i saj jetësor dhe artistik. Dhe ndoshta nuk është rastësi që kjo “mimozë” shqiptare çeli edhe larg atdheut, në Zvicër, duke fituar respekt dhe dashuri. Me thjeshtësinë, elegancën dhe shpirtin e saj të pastër, Mimoza Selimi dëshmon se rrënjët e vërteta nuk shkulen kurrë, por vetëm shtrihen më larg, duke lulëzuar kudo që gjejnë dritë dhe dashuri.
Në fund, mesazhi i saj është i thjeshtë dhe i përjetshëm, të duam njëri-tjetrin. Sepse dashuria është ajo që mbetet, ajo që na bën njerëzorë dhe që i jep kuptim çdo rruge, çdo sakrifice dhe çdo kënge. Mimoza Selimi nuk është vetëm një këngëtare, ajo është një histori e gjallë, një zë që mban brenda Shqipërinë e djeshme dhe të sotme, një pasqyrë e sinqeritetit dhe e shpirtit shqiptar.








Comments