top of page

Skënder Milaqi: Fatmir Terziu një figurë poliedrike në kulturën bashkëkohore shqiptare.

  • 2 hours ago
  • 5 min read

Skënder Milaqi: Fatmir Terziu një figurë poliedrike në kulturën bashkëkohore shqiptare.

 

(Refleksione mbi veprimtarinë letrare të z. Fatmir Terziu).

 

Sa e vështirë është të ndërmarrësh një shkrim për intelektualë të këtyre përmasave, po kaq kënaqësi ndjen kur i futesh me ndjenjë dhe pasion kësaj nisme. E cilësuam profesor Fatmirin një figurë poliedrike në kulturën bashkëkohore shqiptare, pasi në të ndërthuren në mënyrë organike dimensioni akademik me krijimtarinë e pasur letrare dhe angazhimin mediatik në diasporë. Veprimtaria e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimet e kulturës shqiptare jashtë vendit përmes platformës kulturore “Fjala e lirë”, e cila është kthyer në një hapësirë referimi për krijuesit shqipfolës kudo që ndodhen dhe jo vetëm, por dhe me revistën e tij në print „Albanian Post“.

Itinerari akademik i z. Fatmir Terziu nuk është thjesht një progres institucional, por një zgjerim epistemologjik nga letërsia kombëtare drejt studimeve ndërdisiplinore të kulturës dhe komunikimit global. Ndaj më së miri ai përfaqëson tipologjinë e intelektualit modern shqiptar që e sheh kulturën si sistem të hapur dhe ndërveprues. Në funksionin akademik, kontributi i tij shtrihet në studime etnokulturore, media dhe identitetin kombëtar. Një nga studimet më të njohura në këtë fushë është ai mbi toponominë e Gollobordës, ku trajtohen fenomenet e dygjuhësisë dhe origjina kulturore, duke dëshmuar një qasje analitike e ndërdisiplinore. Z. Terziu nuk është vetëm deskriptiv, por interpretues i mirë i fenomeneve kulturore si procese dinamike historike, ku e sheh atë si pjesë të globalizmit dhe emigrimit.

 

Krijimtaria letrare: Midis imagjinatës dhe realitetit


Prof. Dr. Fatmir Terziu është autor i mbi 50 veprave të zhanreve të ndryshme si romane, poezi, tregime, drama dhe ese. Krijimtaria e tij karakterizohet nga: Imagjinatë e pasur narrative, shpesh i cilësuar si “vullkan” krijues; Ndërthur kontekstin shqiptar me atë perëndimor (sidomos londinez); Përdorimi i gjuhës së zgjedhur si mjet identitar dhe estetik. Një nga romanet e tij të njohur është “The Mystery of the Albanian Beauty in London” (i njohur në shqip si Kojrillat), ku hapësira londineze nuk është kurrë sfond, por një simbol i identitetit të dyfishtë të emigrantit.

Në këtë vepër, si shumë të tjera, ndihen qartë temat e mallit për vendlindjen; kërkimit të identitetit; kujtesës, si një forcë e rezistencës shpirtërore.

Stili i tij letrar është i pasur, me ngarkesë emocionale, gjuhë të ekuilibruar, figuracione poetike dhe qartësi narrative. Shpesh z. Terziu ndërton ura mes reales dhe simbolikës, duke i dhënë tekstit një dimension reflektiv. Disa nga veprat e tij:

Përveç romanit “Kojrillat” të cituar më sipër kemi romanin „Fijet e barit të thatë“. Romani ka në qendër të vëmendjes lirinë dhe kërkimin e lumturisë njerëzore dhe trajton raportin mes individit dhe shoqërisë, të vërtetës dhe përditshmërisë. Është një vepër me ton filozofik dhe reflektues, ku njeriu paraqitet në kërkim të vetvetes dhe të drejtave themelore. Romani „Shtëpia në kornizë“. Tema është përballja me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Korniza është metaforë për kufijtë shoqërorë, psikologjikë dhe artistikë.

Romani „Blirët e Pejës“ lidhet me hapësirën shoqërore dhe kujtesën historike dhe identitare.

Bliri simbolizon qëndrueshmërinë, traditën dhe rrënjët kombëtare. Libri i tij „Trebishti“ mbetet fokusi tek jeta lokale, kujtesa dhe identiteti, një vepër realiste me dimensione etnografike. Porta tjetër, kjo në letërsi nënkupton kalimin nga një gjendje në një tjetër dhe ndryshimin ekzistencial, ku trajton kufirin mes reales dhe metafizikës. Guri i fundit, një vepër me ngarkesë filozofike dhe sociale, ku njeriu përballet me fatin, kohën dhe vendimet që përcaktojnë jetën. Një jetë mes dy brigjeve, në të gjenden shkrime eseistike mbi emigracionin dhe fatet njerëzore, ku ndarja shpirtërore mes atdheut dhe vendit të ri i jep një identitet të dyfishtë.

Fjala në Emigracion, një vepër me karakter studimor ku thelbi është roli i gjuhës dhe medias në ruajtjen e identitetit kulturor të diasporës. Kohë tjetër, një vepër që luan me dimensionin e kohës, ku temë është kujtesa, e shkuara dhe ndikimi i saj në të tashmen dhe rrjedhimisht në të ardhmen. Tregime nga Londra, histori të shkurtra nga jeta e emigrantëve, ku temë është përditshmëria, vështirësitë dhe ëndrrat në diasporë. Media dhe Identiteti, vepër studimore mbi ndikimin e medias moderne, ku temë është globalizmi dhe kultura shqiptare.

Vepra të tilla si “Fijet e barit të thatë”, “Shtëpia në kornizë”, “Blirët e Pejës”, “Grykës” apo librat poetikë “Dashuria bekohet në Elbasan”, “Lumenjtë e ëndrrave” etj,. dëshmojnë për një autor të konsoliduar, që lëviz lirshëm mes zhanreve dhe qasjeve artistike. Në thelb, krijimtaria dhe veprimtaria e Prof. Dr. Fatmir Terziut përbëjnë një rrëfim të vazhdueshëm për njeriun shqiptar në lëvizje, mes kujtesës dhe modernitetit, mes vendlindjes dhe botës globale. Në një vështrim të përmbledhur, krijimtaria e Prof. Dr. Fatmir Terziut shtrihet në një hark të gjerë kohor dhe tematik, duke nisur nga fillimet me vepra si “Mos hesht” (1990) e deri te botimet më të fundit si “Paritet” dhe “Në errësirë nuk duhen shenjtorë” (2024). Në këtë itinerar të pasur përfshihen romane, tregime, poezi, ese dhe studime, të cilat dëshmojnë për një autor të palodhur dhe në kërkim të vazhdueshëm artistik e shkencor.

Tituj si “Kojrillat”, “Fijet e barit të thatë”, “Blirët e Pejës”, “Era nuk jepet me qera”, “Misteriozja”, apo “Lumenjtë e ëndërrave” përfaqësojnë boshtin e krijimtarisë së tij letrare, ku ndërthuren përvoja shqiptare me realitetin e diasporës. Ndërkohë, në fushën studimore spikasin vepra si “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”, si dhe një sërë librash kritikë e akademikë mbi letërsinë, median dhe kulturën bashkëkohore, duke e vendosur autorin në një pozicion të rëndësishëm në mendimin kritik shqiptar.

Krijimtaria e tij shtrihet edhe në fushën e filmit dhe dokumentarit, me realizime të vlerësuara ndërkombëtarisht si “Clouds of Smoke”, si dhe një sërë filmash të shkurtër e dokumentarësh që trajtojnë tema sociale, historike dhe kulturore. Pjesëmarrja në konferenca dhe botimet në revista prestigjioze ndërkombëtare dëshmojnë për një profil të konsoliduar akademik dhe një

prani aktive në debatin kulturor global. Vlerësimet dhe çmimet e shumta, nga tituj si “Gazetari më i mirë i vitit” (1996), çmime ndërkombëtare nga BBC, festivale filmi dhe institucione kulturore, deri te dekoratat e larta shtetërore si “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, janë një dëshmi e qartë e ndikimit dhe kontributit të tij të gjithanshëm.

Së fundmi, duhet theksuar se në vitet e fundit tre libra voluminozë të autorit janë botuar nga Shtëpia Botuese “Ura” në Prishtinë, duke shënuar një etapë të rëndësishme në bashkëpunimin e tij me hapësirën kulturore kosovare dhe duke forcuar më tej urat letrare ndërshqiptare.  

Në përfundim, vepra dhe veprimtaria e Prof. Dr. Fatmir Terziut përbëjnë një univers të pasur krijues dhe studimor, ku fjala, mendimi dhe arti bashkohen për të sjellë një dëshmi të gjallë të shpirtit krijues shqiptar në kohët moderne.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page