Ajne Ibërhysaj: DUAJE
- 5 hours ago
- 1 min read

Natë e gjatë, e pafund!
Gjumi nuk ma përkund shpirtin tim.
Të gjitha ëndrrat thyhen në prehrin e sfilitur,
shpirti lutet me heshtje varri...
Vetëm mua s’më zë gjumi këtë natë.
Të gjitha udhët i kthejnë fjalët në zemër,
loti përvëlon thellë lëngatën e natës,
këmbët e këputura mbi dyshemenë e errët...
Vetëm unë dhe hëna nuk heshtëm.
Tisi i fjalëve, shkruar mbi muret gotike,
një zjarr fjalësh ta djeg shpirtin flakë.
Një natë dashurie përflak edhe ferrin,
engjëjt zemërshkrumbuar lahen në lumë.
Lutja shkërmoqet pa fjalë
dhe bie si loti ndër buzët engjëllore.
Duaje!
Jeta është vetëm frymë,
që përbiron nëpër trupin tënd.








Comments