top of page

Shefqet Meko: “Xhepi i vogël” i protestave

  • 4 hours ago
  • 2 min read

-Kush do të dalë i fituar? Kjo është çështja.-

Pas Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u rreshtua me fitimtarët, pushteti i radhës filloi të konsolidohej dhe, kujtoj, për partizanët u ofrua “njëmijëlekshi i luftës”. Kriteret i kishin vendosur ata që ishin në krye. Ata partizanë të ndershëm, ata që ishin të devotshëm e që “hëngrën plumba me grushta”, hoqën të zitë e ullirit për ta marrë “pensionin e partizanllëkut”. Pushteti kishte “listat e veta”. Ai që ka pasur babain partizan e di këtë histori.

“Revolucioni i Dhjetorit ’90” nuk mbeti pa krijuar edhe ai “listat e veta”, duke nderuar me qindra e mijëra vetë me dekoratën “Pishtar i Demokracisë”. A e dini se kjo është dekoratë me “pension të veçantë”? Besoj se është diçka e verifikueshme.

Sidoqoftë, duhet thënë se nga “protestat e Dhjetorit ’90” përfituam të gjithë, sepse u “shemb kloni” dhe shumë shqiptarë morën rrugët e veta të jetës dhe të prosperitetit. Personalisht, çmoj ata që qëndruan në Atdhe, sepse vërtet puna dhe qëndresa e tyre e kanë bërë më të mirë Shqipërinë. Ne, ikanakëve, të gjithëve na shijon ardhja aty, duke gjetur një Atdhe me “rroba të reja”. Pra, populli punon, edhe pse qeveritarët duan “tapi” mbi këto zhvillime. Mjafton të shohësh veshjen, fytyrën dhe artikulimin e protestuesve për të dalluar ndryshimin nga “protesta e Dhjetorit ’90”.


(Ilustrimi fotografik nga AI)
(Ilustrimi fotografik nga AI)

Pa dashur të futem në debat për protestën që po e sheh i gjithë globi, edhe për arsye përtej Shqipërisë, duke admiruar atë shpirt kundërshtimi ndaj qeverisë, që dëshmon se demokracia prodhon protestë, më shkon mendja te “xhepi i vogël”.

A thua kjo protestë, nëse “formaton” sistemin e “kooperativës së kryetarëve”, do të shpikë “listat e veta”, duke ofruar “pensionin pelikani”? Në fakt, jam thjesht kurioz, sepse jam i sigurt se, kur “flaka të shuhet”, secili do të shtrojë pyetjen: Po unë çfarë fitova?

Sepse kjo pyetje pragmatiste, dhe përgjigjja ndaj saj, në thelb do të dëshmojnë “vlerën e protestës”. Nëse pas saj do të arrijmë vërtet një shoqëri të emancipuar, një “shesh gare” për secilin, kudo: në politikë, ekonomi, zhvillime akademike e universitare; ku në çdo aspekt “haka shkon te i zoti”; ku nuk do të kemi më militantë politikë, por vlera dhe aftësi, atëherë kjo revoltë kaq e zhurmshme do të mbahet mend.

Por jam pakëz skeptik. Jo për të demotivuar protestën, por sepse ne shqiptarët shpesh kemi ditur të jemi të ashpër me njëri-tjetrin. Do të vijë një ditë kur koka do të kthehet pas te kjo “verë shqiptare” dhe do të habiten të gjithë: Si mundet që, mbi tri dekada nga “vetëvrasja komuniste”, shoqëria shqiptare nuk “farkëtoi dot” elitën e vet vizionare? Kjo është “kuja e sotme”, një kujë që ka për t’u dëgjuar gjatë atyre anëve…

Kush do të fitojë? “Xhepi i vogël” pret për t’u konfirmuar, sepse çdo lloj proteste turme krijon hileqarët e vet dhe, nëse “karriget” mbeten bosh, ne do të shohim “teatrin e ri politik”. Për këtë nuk kam dyshim!

U bëftë më mirë! Por e mira nuk “bie nga qielli”. Ajo vjen nga puna, puna, puna! Protesta duket se po tregon se shumë nuk e kanë qejf punën. Mbase është iluzioni im nga larg.

Mos harroni “xhepin e vogël”… Ai është “motor” i punës dhe zhvillimit!

SHEFQET MEKO

Minneapolis, 10 qershor 2026


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page