top of page

ZOTI MBAN SHËNIM


Mihal Gjergji


ZOTI MBAN SHËNIM


Mendoni një çast sikur dita e sotme të jetë e fundit në jetën tuaj. Përfytyroni pastaj edhe pjesëmarrësit në varrim. Ata që i keni plagosur me fjalë, i keni shpërfillur, i keni helmuar me urrejtjen tuaj, ata do të mungojnë. Dhe ata përbëjnë shumicën. Mund të jenë miq, shokë, të afërm, mbesa dhe nipër. Kurorat e tyre do mungojnë. Edhe dënesat që burojnë nga zemra. Po a meritoni ju, të ikni vetmitarë dhe të parespektuar nga kjo jetë? Sigurisht që jo. Pranojeni, vetëm dashuria mund ta çlirojë shpirtin e njeriut nga kthetrat e pamëshirshme të egoizmit, të unit të tij kryengritës. Tempulli ku unë falem është zemra ime, ndërsa perëndia të cilës i besoj pa mëdyshje, është Dashuria. Bukuria e botës fillon brenda shpirtit tuaj. Aty kërkojeni. Bëni të tjerët të lumtur dhe do ndjeheni edhe për vete të tillë. Unë kam filluar ta shkruaj fatin tim nga e para. S’mund të më pengojnë hijet që zvarriten në ngjitjen time drejt lartësisë. Shoqërinë mes të cilës jetojmë e vrasin emocionet, e zemra e lodhur e poetit dridhet nën peshën e tyre. Fjalët e Niçes: “njerëzor, tepër njerëzor” ngjasojnë si një veshje e bukur, qepur enkas për poetin. Dhimbjen tuaj ai e ngarkon në shpinë. Qirinjtë e shpirtit të tij bëjnë dritë. Shikojeni rrugën! Provoni të ndjeheni të rrethuar nga dashuria njerëzore, sikurse unë. Në rininë time mësova një histori tronditëse. Ishte fundi i luftës së dytë botërore. Gjermanët bënin bastisje shtëpi më shtëpi. Një nëne i rrëmbyen djalin motak nga gjiri dhe i vendosën automatikun te kraharori. Ajo u sul si shqiponjë mbi gjermanin e frikshëm, i rrëmbeu automatikun, ja flaku mbi dëborën e ngrirë dhe mori djalin e saj, e vendosi përsëri te gjiri. Gjermanët e befasuar shikuan njëri-tjetrin, bënë kryqin dhe u larguan. Vetëm dashuria mund ta bëjë një heroizëm të tillë. Varri i asaj nëne në vendlindjen time, mund të jetë mbuluar nga harresa, por historia e saj vazhdon të tregohet ende. Sa bukur është të duash jetën dhe njerëzit! Pavarësisht nga emrat, bindjet apo besimi, unë ju dua.


Tiranë, Gusht 2019.

47 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page