top of page

ZOTI KRYEPLAK DHE LOPA


Miri Dhrami

ZOTI KRYEPLAK DHE LOPA

Miri Dhrami

Me çka pashë atë mëngjes, vendosa të mos dal më herët në pjacë. Nuk më pëlqen të bëhem dëshmitar zënkash, që e mbushin njeriun trishtim. Por duhen pranuar dhe paradokset, siç pranohen rastësitë. Se nuk besoj që kryeplakut apo lopës bezhë, t’u kish kaluar ndërmend, që atë çast do të kishin një “takim”të pakëndshëm. (Këtu më mirë do shkonte fjala përplasje, po për hir të “madhështisë”së tij, zotit kryeplak, le ta quajmë takim.) Megjithëse aspak s'do gaboja po të thosha; Për hir të “zonjës” lopë, madje, midis tyre ajo i plotësonte më mirë kushtet për titullin Zonjë. Lopa me të bijën e mbajtën gjallë, pa shkuar as edhe një ditë në kurbet, familjen e të gjorit Pandi. Gjithë ata vjet të mbrapshtë, ato buruan qumësht, gjalpë, djathë, mish, por edhe lekë nga lëkurët e viçave, që shiteshin për samarët e gomarëve të fshatrave fqinjë.

Dita zgjohej dhe flinte vetëm mbas të pallurave të forta të tyre, si të tregonin se jeta në ato anë, nuk shuhej lehtë. Për më tepër, në ato vite të shterpa, lopa nuk tregoi “siklet” të pillte dhe çdo vit nga një viç, që mbas pak ditësh futej e lozte i vetëm, tek oborri i shkollës së braktisur. Thua diçka ndiente se aty dikur loznin vogëlushët, bashkëmoshatarët me dy këmbë, që i pinin nënat pa orar. Se viçin e gjorë, e lejonin të pinte vetëm në mëngjes.

Në kundërshtim me bujarinë e lopës, kryeplaku e thau, e batërdisi fshatin si të ish kuçedër. Preu, shiti, vodhi, zhvati e shumë të zeza të tjera. Po këto punë mund ishin pasoja të vështirësisë ekonomike që kalonte vendi, ndonëse lopa këtë nuk e besonte. Ajo thahej, kurse kryeplaku fryhej përditë. Ndaj për lopën e mpakur, nuk ishte e lehtë përplasja me të dhe, të mos ishte gjendur aq ngushtë, kish mundësi të kthehej, t’i hapte rrugën. Por s’mundi. Nga të gjitha anët dergjeshin vetura të parkuara keq. Vetëm ai shteg kish mbetur të kalonte, ku shejtani atë çast i hodhi përpara vetë kryeplakun, që ecte serbes, ngaqë nuk njihte kthim mbrapa.“Unë, fitimtar i tri kandidaturave, të s’mbrapsem nga një lopë! E pa pranueshme!” -me siguri që mendoi gjithë pompozitet. Kështu filloi përplasja.

“...Uush!”-iu hakërrua ky duke i shtrembëruar pak me buzët, por ajo i mugëriti butë dhe në të njëjtën kohë, vari kokën poshtë, pa lëvizur vendin. Të gjithë përreth brofën duke mbajtur frymën. Mynxyra do ndodhë, menduan dhe nuk u ulën më në karrige. Ngrinë më këmbë si statuja, vizatuar në fytyrat e rreshkura, keqardhja për lopën.

“Oh, e shkreta, ka për ta paguar. Do ta thyej kryqe, gomari! -u dëgjuan pëshpërima nga turma, që për një çast, ngjau se diç do bënte. Do të ndërhynte t’i ndante, se asnjëherë nuk ish lejuar mes të pjacës, të ziheshin hapur dy kafshë. Por askush nuk përçapi. Ndoshta ngaqë njëri nuk ishte fare kafshë, të paktën nga pamja. Kështu e lanë lopën e shkretë në mëshirë të tij, që nisi të ulërinte si bishë e të shante si turk.

Nuk munda të kuptoja sa u thartuan të tjerët, kur dëgjuan të shante aq shpifur, se unë, megjithëse kryeplakun e kisha nga fisi, u shndërrova krejt. Në atë turbullim, pashë se edhe lopa e humbi. Veçse unë nuk bëra zë, kurse ajo palli aq fort, sa u gudulisën dy-tre alarme makinash, që pjaca të ndizej për së mbari. Të them që ajo bujë më ndolli polifoni, se them dot, megjithëse shquaja mes jehonës, një marrës, një kthenës dhe një hedhës, që të lëndonin shpirtin. Për një çast u mallëngjeva, se edhe lopa pëlliste fort, sikur lutej për mëshirë, por tek asnjë nuk gjeti. Mbas pak, e yshtur nga të rënat e vazhdueshme të alarmeve, ajo ia nisi përsëri. Kryeplaku aty, shkëmb përpara saj, si ndonjë hero mitologjik, që gatitej të ndeshej me dragoin. Ndërkohë, thashë të çlirohesha nga emocioni, të ndërhyja që njëri prej të dyve, t’i hapte rrugën shokut. Po pikërisht atë çast, kuptova se dueli po më rrëmbente. Befas u ndjeva si në epokën e Neronit, dhe mekanikisht bëra gati gishtin e madh. Pa dyshim që do ta drejtoja lart, për fitoren e kryeplakut. Ai ishte njeriu im. Vërtet po hutohesha. Sheshi i fshatit, u kthye në një arenë e vogël, plot magji, që bëri për ato çaste t’i harronim krejt hallet e rënda të jetës.

Në tavolinat e pakta të tri kafeneve, nga oshtima e madhe nuk diskutohej më. Bëhej shkundje me fund e gotave të rakisë, që sigurisht, i gëzoi pamasë kafexhinjtë. Kur ktheu gotën xha Manoli, pushoi makina e parë. Kur e uli dhe xha Kristua, pushoi dhe e dyta. Lopa dhe makina e tretë pushuan në një kohë, pikërisht në momentin që mbaroi dhe rakia e shishes së kulluari nëpër gota.

“Pall dhe një çikë, moj e uruar!”-shpotiti xha Teli nëpër buzë, që nënkuptonte mos shterimin e rakisë. Po më mirë që rakia mbaroi. Të gjithë kishin pirë aq sa duhej për tu fjalosur mbarthi. Pa fshehur asgjë në bark.

Sa çudi! Erdhi ora? Erdhi dita? Asgjë nuk po kuptohej. Veç dëgjohej se të gjithë shprehnin një mospëlqim të vjetër, të grumbulluar thellë, brenda në xhan. I pari u ngrit xha Hysa. “Lëre dreq, lopën shkojë, e mos ia zër frymën...! – i tha i irrituar, ngaqë tërë jetën çoban, kish mësuar t’i adhuronte kafshët. “Pa nuk ke faj ti, mor jo, fajin e kemi ne të vumë përsëri kryeplak! Se mos ke më shumë mënd, të bësh ndryshe!...” -vazhdoi xha Hysa duke marrë me anën e vet, të gjithë sa rrinin përreth, të cilët aprovuan pendimin, me nga një tundje koke.

Më në fund, këtë shenjë sikur e kuptoi dhe lopa, se edhe ajo e tundi kokën tre herë, si të na kujtonte kandidaturat e kryeplakut. Dhe mbas këtij veprimi, u zmbraps ngadalë si e turpëruar. “Po i hap rrugën , se më pret vogëlushi –u duk sikur shprehu dhembshurinë e saj prej nëne. Pastaj nxori kot gjuhën, por mua më ngjau se na përqeshi fshatçe, për “zotin”kryeplak që kishim zgjedhur.


12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page