Vilhelme Vranari Haxhiraj, shkrimtarja shumëdimensionale e persekutuar nga regjimi komunist
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 14 hours ago
- 4 min read
Vilhelme Vranari Haxhiraj ka pasur një jetë jashtëzakonisht të vështirë. E persekutuar nga regjimi komunist ajo u arsimua me shumë vështirësi. Diplomohet pas shumë peripecish për Histori- Gjeografi, në vitin 1975, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë.
Me ardhjen e Demokracisë në vitin 1991, Vilhelme Vranari Haxhiraj ushtroi mësuesinë, ndërkohë që të gjitha poezitë, prozat, krijimet e saj të ndrydhura për vite me radhë do të shfaqen publikisht dhe në moshën 52 vjeçare, do të botojë librin e saj të parë.
Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë themeluese dhe kryetare e parë e LDG- dega Vlorë, 1991- 1998, anëtare e kryesisë së PD Vlorë, si dhe anëtare e Kryesisë së LDG të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Shkrimtarja e kombit, Vilhelme Vranari Haxhiraj ndonëse në moshë të thyer, ka qënë aktive në fushatën e PD për zgjedhjet 11 majit. Ajo dhuroi mbi 300 libra për fushatën, të cilat u pritën me interes nga demokratët e Vlorës e më gjerë.
Shkrimtarja shumëdimensionale e nivelit evropian dhe botëror, Vilhelme Vranari Haxhiraj ka botuar mbi 53 vepra letrare nga të cilat 19 janë romane, 6 janë studime, 9 libra janë për fëmijë dhe tre janë me publicistikë. Shkrimtarja Vranari Haxhiraj është vlerësuar me 28 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Autorja është përfshirë në mëse 26 antologji shqiptare dhe të vendeve, ku është vlerësuar me çmime prestigjioze, në gjuhët përkatëse.
Vilhelme Vranari Haxhiraj është nderuar me Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”, 2012. Akademike, anëtare e Akademisë Shqiptaro Amerikane të Shkencave dhe Arteve në New York-2018. Ikonë e letërsisë Botërore e përzgjedhur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Indisë – për vitin 2020.
Vilhelme Vranari Haxhiraj me punë, vullnet dhe me shumë dinjitet ka zenë vend të merituar në kolanën e letërsisë shqipe si romanciere e prozatore moderne. Për arritje të tilla është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e lartë, “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe me “Medalje Ari”, kurse Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në New York, i dha titullin “Akademike” me 30 tetor, 2018, me të drejta të plota. Akademia e Shkencave , Letërsisë dhe Arteve Indiane, më, 25 maj, 2020, e vlerësoi me çmim Ndërkombëtar, “Ikonë e Letërsisë Botërore”.
Vilhelmja i ka dhuruar lexuesit 54 libra të botuara dhe disa në botim. Është personalitet i shquar si, shkrimtare, publiciste, studiuese dhe veprimtare në emancipimin e gruas e të shoqërisë që meriton vend të veçantë në kolanën e kulturës kombëtare . (Nga kritika letrare). U lind në Kaninë të Vlorës (8.12.1944), me prejardhje nga familja e princërore e Gjergj Arianitit.
Edhe pse e përndjekur nga lufta e egër klasave, me baba e xhaxha të burgosur, të internuar si fis, edhe pse i mohuan profesionin, si dhe i ndaluan diplomimin vetëm për tri lëndë, përsëri ajo mundi të kompletohej me arsim të lartë në UT, dega e shkencave sociale (Histori-gjeografi) me rezultate maksimale. Veçse ia mohuan të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 1990 rifilloi profesionin dhe nisi të shkruajë. Në këtë mënyrë realizoi ëndrrat e shuara, shpresat e vrara, gjithashtu gjeti vetveten e humbur në rrjedhat e kohës së vrazhdët.
Vilhelmja është njëra 4-5 femrat e para në vend, që punoi për rrëzimin e diktaturës dhe u dallua si një veprimtare e shquar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Është themeluese e Lidhjes Demokratike të Gruias Vlorë. Është formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas në demokraci me peticion drejtuar Parlamentit Shqiptar, më, 22.4.1992.
Vranari Haxhiraj është e para femër që ka mbrojtur me forcë liritë, të drejtat e grave e të fëmijëve, njohjen e emigrantëve nga shtetet ku kishin emigruar dhe bashkimin familjar të tyre. Qysh më 1993 ka ngritur zërin për përkrahjen nga politika dhe shteti të Himarës autoktone shqiptare. Përmes një publicistike dinjitoze, ka kërkuar vendosjen e barazisë gjinore, integrimin e gruas dhe të Shqipërisë në organizmat evropiane dhe ato botërore. Këto kërkesa ajo i realizoi përmes publicistikës dhe prurjes letrare në numër dhe cilësi.
Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtërat e humbur njerëzorë dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë dje dhe sot.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka lëvruar disa gjini letrare : poezi, skicë, novelë, tregim, roman dhe pjesë teatrale për fëmijë. Si publiciste në mediat brenda dhe jashtë vendit, është paraqitur me analiza, opinione, histori, përshkrime dhe intervista. Publicistika e saj botohet në Shqipëri, Kosovë, Angli, Itali, Arbreshët e Italisë, Rumani, Francë, ShBA, Kanada, Suedi, Gjermani, Zvicër, Greqi, Mal i Zi , Maqedoni etj. Ka përkthyer 3(tri) libra nga gjuha italiane.
Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune, kurse tani u përkthye edhe në Greqi. Duke i dhuruar lexuesit mbi 50 vepra letrare, ese- publicistikë, studime të reklamuara në mediat e vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, renditet mes emrave të shquar të letërsisë shqipe. Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj. Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.
Comments