Medlir Mema: Basti i rrezikshëm i Qeverisë Rama
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 4 min read

Qeveria shqiptare raportohet se po përgatitet të investojë 10 milionë dollarë në Thinking Machines Lab, një kompani e re e inteligjencës artificiale (AI) e themeluar nga Mira Murati, ish-drejtore teknologjike e OpenAI. Murati, me origjinë shqiptare, është një nga figurat më të spikatura në botën e teknologjisë së lartë. Suksesi i saj është për t’u vlerësuar. Por ky investim i propozuar ngre pyetje serioze për përparësitë tona kombëtare, llogaridhënien publike dhe drejtimin e ardhshëm të zhvillimit tonë teknologjik.
Thinking Machines nuk ka ende një produkt në treg, as fitime, dhe as një model të qartë biznesi. Megjithatë, kompania po përpiqet të sigurojë 2 miliardë dollarë në financim fillestar dhe mund të vlerësohet së shpejti me 10 miliardë dollarë. Për investitorët privatë që ndjekin fitime të mëdha, ky mund të duket si një bast i arsyeshëm. Por për një qeveri që shpenzon para të taksapaguesve mund të konsiderohet një lëvizje me rrezik të madh dhe përfitime të paqarta.
KM Rama ka theksuar se investimi në kompanine Thinking Machines do ti jepte mundësinë Shqipërisë të përfitojë nga produktet e kësaj kompanie. Por, më e shumta, investimi shqiptar do të përbënte një pjesë fare të vogël—ndoshta më pak se 0.5%—të saj. Kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk do të kishte asnjë ndikim mbi mënyrën si funksionon, asnjë garanci për akses në teknologji, dhe asnjë të drejtë për të përcaktuar nëse dhe si Shqipëria përfiton nga kjo marrëdhënie.
E vërteta është që ëndrrat e zyrtarëve shqiptarë për të luajtur me titanët e Silicon Valley shpesh duken më shumë si fantazi politike sesa si strategji të menduara mirë për të mirën publike. Në mungesë të vizionit afatgjatë dhe transparencës, këto ambicie rrezikojnë të shndërrohen në investime të gabuara që lënë pas vetëm zhgënjim dhe humbje për qytetarët. Dhe deri tani, nuk ka asnjë transparencë publike mbi këtë vendim, asnjë debat, dhe asnjë informacion mbi alternativat që mund të jenë marrë në konsideratë.
Dhe duhet të jemi të qartë e të sinqertë: shumica e startup-eve në teknologji dështojnë. Edhe OpenAI—kompania e mëparshme e Muratit—pavarësisht vlerësimit të saj prej mbi 300 miliardë dollarësh, nuk ka shpërndarë ende fitime tek investitorët e saj. Sipas raporteve të ndryshme, OpenAI pritet të shpenzojë mbi 28 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, duke regjistruar humbje që mund të kalojnë 14 miliardë dollarë, ndërsa fondet që ka aktualisht në dispozicion nuk i kalojnë 20 miliardë dollarë. Sipas vlerësimeve të mëparshme, kompania shpenzon rreth 2.25 dollarë për çdo 1 dollar të ardhur.
Përse atëherë duhet të supozojmë se një kompani e re, pa produkt dhe pa të ardhura, do të sjellë përfitime për Shqipërinë?
Ndërkohë, këto 10 milionë dollarë mund të bënin një ndryshim të madh në vend. Mund të financojnë një institut kombëtar për kërkime në AI, të mbështesin startup-e shqiptare, të krijojnë mjete digjitale për administratën publike, ose të ofrojnë bursa për studentët tanë. Ky do të ishte një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e vendit, jo një bast mbi suksesin e dikujt tjetër.
Rreziqet nuk janë vetëm ekonomike. Në vende të tjera, inteligjenca artificiale e përdorur pa rregulla dhe mbikëqyrje ka shkaktuar pasoja të rënda. Në Holandë, një algoritëm për zbulimin e mashtrimeve në ndihmat sociale diskriminoi lagjet e varfra dhe shkaktoi që qeveria holandeze të shkelte të drejtat e njeriut. Në SHBA, algoritmet që vlerësonin rrezikun e krimit u treguan të njëanshëm ndaj afrikano-amerikanëve dhe shtresave të prekura. Në Mbretërinë e Bashkuar, një sistem automatik për vlerësimin e notave gjatë pandemisë penalizoi studentët e shkollave publike.
A jemi të përgatitur të përballemi me pasoja të ngjashme?
Në fakt realiti shqiptar do të ishte edhe më problematik. Ndryshe nga këto vende, Shqipëria nuk ka ende kuadrin ligjor apo etik për të qeverisur përdorimin e AI-së në sektorin publik. Nuk kemi mbrojtje për privatësinë e të dhënave, barazinë algoritmike, apo përgjegjshmërinë publike. Në këtë vakum rregullator, çdo teknologji e re që futet në sistemin shtetëror rrezikon të operojë jashtë kontrollit institucional dhe pa asnjë mekanizëm ankimimi për qytetarët.
Nëse mbështetemi tek teknologji të zhvilluara jashtë vendit—veçanërisht në sisteme të mbyllura dhe të pa-auditueshme—rrezikojmë të humbasim kontrollin mbi vendimmarrjet në fusha jetike si shëndetësia, arsimi, drejtësia apo mirëqenia sociale. Kjo do të përkthehej në një varësi teknologjike që, në rast mosfunksionimi, do të paralizonte shërbimet bazë dhe do të minonte besimin e publikut në institucionet shtetërore.
Ka gjithashtu rrezik për varësi afatgjatë teknologjike. Nëse e lidhim zhvillimin tonë me një furnizues të vetëm të jashtëm, do të humbasim sovranitetin digjital. Për këtë arsye, çdo partneritet, për të qenë i qëndrueshëm, duhet të përfshijë transferim teknologjie, ndërtim kapacitetesh të brendshme dhe arkitekturë të hapur për të shmangur “burgun” teknologjik.
Në fund të ditës, pyetja është e thjeshtë: A është ky përdorimi më i mirë i 10 milionë dollarëve nga buxheti i shtetit?
Mira Murati meriton çdo vlerësim për arritjet e saj. Por vendimet kombëtare duhet të bazohen në strategji, jo në ndjenja. Para se të nënshkruhet një marrëveshje kaq e madhe, qeveria duhet të japë përgjigje: Çfarë përfiton Shqipëria? Cilat janë rreziqet? Dhe kush përfiton realisht? Nëse jemi vërtet seriozë për të ndërtuar të ardhmen digjitale të Shqipërisë, atëherë duhet ta ndërtojmë atë nga brenda—me transparencë, kujdes dhe në interes të qytetarëve tanë.
Medlir Mema është Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel
Comments