Prof. Dr. Eshref Ymeri: Maskarada e përvitshme në Sheshin e Kuq të Moskës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 9 min read

(Një frymëzim prej Prof.dr. Fatmir Terziut)
Në numrin e sotëm (09 maj 2025) të Portalit “Fjala e Lirë”, Prof.dr. Fatmir Terziu kishte botuar Esenë me titull “Sa i dobishëm libri “Rezonanca magnetike për Rusinë dhe për rusët” për këtë ditë”.
Në këtë Ese, si një intelektual i shquar, si një penë me Emër të Madh në kulturën tonë mbarëkombëtare, Profesori shkruan:
“E fundit që vjen nga diskursi i manipulimit i përket Rusisë. Vetë vendit dhe propagandës së këtij vendi edhe në Ditën e Fitores. Por Dojçe Welle shkon tek “Manipulimi i Ditës së Fitores nga Putini”, me analizën: Propaganda nuk mund ta ndryshojë historinë”.
Pikërisht kjo Ese më frymëzoi t’i rikthehem trajtimit të ritualit të zhvillimit të paradave “madhështore” çdo 09 maj në Sheshin e Kuq.
Siç dihet, çdo vit, më 09 maj, në Sheshin e Kuq të Moskës, organizohet parada ushtarake në përkujtim të kësaj date, kur ushtria sovjetike hyri në Berlin, çka shërbeu si përfundim i luftës kundër nazifashizmit në Evropë. Kjo paradë organizohet me solemnitet shumë të madh, përcillet me parakalimin e trupave me hap rreshtor dhe me fluturimin e aeroplanëve luftarakë mbi sheshin në fjalë. Por me organizimin e kësaj parade, klika udhëheqëse e Kremlinit, duke filluar prej paradës së parë të vitit 1945 dhe deri tani, opinionit publik sovjetikorus nuk ia ka thënë asnjëherë të vërtetën historike për arsyet e sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941.
Viktor Suvorovi (1947) është shkrimtar rus, i cili u bë i njohur gjerësisht në lëmin e rishikimit të historisë, ish-bashkëpunëtor i rezidenturës legale të Drejtorisë shtetërore të zbulimit të Bashkimit Sovjetik në Gjenevë. Në vitin 1978 ai u arratis në Britaninë e Madhe. Në Bashkimin Sovjetik, sipas fjalëve të veta dhe intervistës së ish-shefit të Drejtorisë shtetërore të zbulimit, qe dënuar me vdekje në mungesë. Në librat e tij, ku përshkruhen ngjarje historiko-ushtarake, ai pati propozuar një koncept alternativ të rolit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Koncepti i propozuar dhe metodat e argumentimit të tij, patën ngjallur shumë diskutime dhe kritika në qarqet e historianëve dhe në rrethet shoqërore. Libri i parë dhe më i njohur, kushtuar kësaj teme, mban titullin “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e dytë botërore”, botuar në Moskë në vitin 1993, në të cilin, mbi bazën e burimeve historike, argumentohet se fajtori kryesor i fillimit të luftës ishte Bashkimi Sovjetik, i cili kishte marrë vendimin për të sulmuar Gjermaninë të djelën e 06 korrikut 1941. Në libër theksohet se, me urdhër të Stalinit, të gjitha fortifikimet ushtarake në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik, qenë hedhur në erë me dinamit, me motivimin se “Bashkimi Sovjetik nuk bën kurrë luftë mbrojtëse, ai bën vetëm luftë mësymëse”. Paskëtaj, të gjitha divizionet sovjetike, të dislokuara në Lindjen e Largët, u zhvendosën në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik.
Përgatitja e sulmit të Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste e kishte burimin te Pakti Molotov-Ribentrop i 23 gushtit të vitit 1939, sipas të cilit, Polonia do të pushtohej nga të dyja palët nënshkruese, në mënyrë që të kishin një kufi të përbashkët. Në bazë të atij Pakti, Stalini i “siguronte” Hitlerit krahët lindorë dhe i linte dorë të lirë të vinte nën sundimin e vet vendet e Evropës Perëndimore. Hitleri, për naivitetin e tij, i verbuar nga etja për pushtet, nuk e kuptoi grackën që i pati ngritur Stalini, ndaj edhe forcat e tij të armatosura i hallakati që nga Norvegjia deri në Afrikën e Veriut, duke mos pasur parasysh fjalët e pararendësit të tij, Bismarkut (Otto von Bismarck - 1815-1898), i cili u ka lënë brezave pasardhës një porosi tepër domethënëse:
“Çdo marrëveshje, e nënshkruar me Rusinë, nuk vlen as sa letra, në të cilën është shkruar”.
Hitleri, në bazë të të dhënave të kundërzbulimit gjerman, për sulmin e ushtrisë sovjetike qe informuar që në dhjetorin e vitit 1940. Pikërisht që asokohe ai pati filluar përgatitjet për një sulm paraprak mbrojtës. Pra, kjo ishte arsyeja që ai arriti t’ia merrte iniciativën nga dora Bashkimit Sovjetik dy javë përpara. Autori ka shkruar, gjithashtu, një sërë librash artistikë, kushtuar ushtrisë sovjetike, zbulimit ushtarak dhe historisë së Bashkimit Sovjetik të periudhës para luftës. Sipas gazetës së përditshme “Novëje Izvjestija”, tirazhi i disa librave të Viktor Suvorovit pati arritur në më shumë se një milion kopje.
Në librin e sipërcituar, ai shkruan:
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov (1907-1993) e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).
Vendimin e prerë për fillimin e sulmit të Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë e dëshmon edhe një fakt tjetër.
Stalini, duke qenë i bindur në “madhështinë” e Bashkimit Sovjetik dhe në “pathyeshmërinë” e forcave të tij të armatosura, as që mund ta përfytyronte, e jo më ta mendonte, se Hitleri do të kuturiste të ndërmerrte ndonjë sulm. Prandaj ai e pati vlerësuar si të rremë një informacion që i pati ardhur nga zbulimi sovjetik në Berlin. Sipas atij informacioni, në fund të muajit maj të vitit 1941, Gjermania i kishte përfunduar të gjitha përgatitjet për një sulm kundër Bashkimit Sovjetik. Për këtë informacion bëhet fjalë në një artikull të drejtorit të Shërbimit të zbulimit të jashtëm të Rusisë, Sergej Narëjshkin, i cili titullohet: “Zbulimi hyri i pari në luftë”. Artikulli është botuar në revistën “Mbrojtja Kombëtare” me rastin e afrimit të 80-vjetorit të Luftës së Madhe Patriotike dhe mban datën 21 qershor 2021. Në atë artikull autori shkruan:
“Më 17 qershor 1941, Stalini pati thirrur në Kremlin komisarin e popullit për sigurinë, Vsjevollod Merkulov (1895-1953), dhe shefin e zbulimit, Pavel Fitin. Udhëheqësi kërkonte të informohej personalisht dhe me hollësi se sa i saktë ishte burimi. Njoftimi, i cili qe dërguar nga rezidentura e Berlinit më 16 qershor, ndodhej në tryezën e tij të punës… Aty thuhej se të gjitha masat ushtarake për përgatitjen e sulmit të armatosur kundër Bashkimit Sovjetik, kishin përfunduar plotësisht dhe goditja mund të jepej në çdo kohë. Shefi i zbulimit të jashtëm, Pavel Fitin, pati marrë përsipër përgjegjësinë për ta bindur Stalinin për saktësinë absolute të informacionit. Pasi i dëgjoi me vëmendje shpjegimet e tij, udhëheqësi reagoi me ton të ashpër: “Është një informacion i rremë. Mund të largoheni””.
Kjo shpërfillje, kjo mendjemadhësi e Stalinit, e edukuar për dhjetëvjeçarë me radhë në psikologjinë e mbarë popullit rus nëpërmjet letërsisë, shtypit, kinematografisë, televizionit, teatrit, shkollës dhe mjeteve më të fundit të informimit masiv, pati sjellë pasoja shumë tragjike pas 22 qershorit të vitit 1941.
Julia Llatёjnina (1966) është gazetare, shkrimtare ruse, drejtuese emisionesh radiotelevizive. Më 09 shtator 2017 ajo pati njoftuar në efirin e radiostacionit “Jehona e Moskës” se ishte larguar nga Rusia, pasi disa të panjohur i patën djegur makinën. Ajo qe shfaqur në efir me skaip (skype) dhe pati rrëfyer se ndodhej jashtë vendit, së bashku me prindërit. Që në gushtin e vitit 2016, gazetaren e pati sulmuar një i panjohur jo larg zyrës së radiostacionit të lartpërmendur dhe i hodhi përsipër fekale. Asokohe ajo pati menduar se shkak i atij incidenti të turpshëm ishin artikujt e saj analitikë, të botuar në organin “Novaja Gazeta”: Ajo shkruan:
“Më 22 qershor (të vitit 1941 - E.Y.) populli rus u shndërrua në turma frikacake… Si ta shpjegojmë atë burracakëri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke zotëruar një armatim që ua kalonte gjermanëve edhe për nga sasia, edhe për nga cilësia, e pati braktisur armatimin dhe qe hedhur në anën e gjermanëve?” (Сitohet sipas: Julia Llatënjina. Faqja e internetit “Novaja Gazeta”. 08 maj 2010).
Dhe me të vërtetë: fill pas sulmit të ushtrisë gjermane, Ushtria e Kuqe filloi të tërhiqej me shpejtësinë e lopëve kur u turren ujqit. Madje ajo tërheqje (kur miliona ushtarë patën rënë robër) prej kufijve perëndimorë të Bashkimit sovjetik, vazhdoi gjatë 1100 kilometrave, deri në periferi të Moskës të datës 02 dhjetor, kur në ndihmë të saj erdhi “gjenerali i shquar” me emrin “dimri rus”.
Joáhim Gáuk (Joachim Gauck - 1940), është personalitet politik gjerman, President i Republikës Federale të Gjermanisë në vitet 2012-2017. Më 06 maj 2015 ai mori pjesë në një ceremoni mortore, të organizuar në varrezën e ushtarëve sovjetikë në qytetin Shlos Holte-Shtukenbrok (Schloß Holte-Stukenbrock). Në fjalën e tij ai theksoi:
“Miliona ushtarë të Ushtrisë së Kuqe qenë çuar drejt vdekjes si robër të gjermanëve, ata vdiqën të torturuar nga sëmundjet, nga uria… Në qoftë se nga robërit ushtarakë perëndimorë në kampet gjermane patën vdekur vetëm 3%, nga 5,3 milionë robër ushtarakë sovjetikë, patën vdekur shumë më tepër se gjysma” (Citohet sipas: “Gáuk: vdekja e robërve sovjetikë - krim i nazizmit”. Faqja e internetit “DW”. 06 maj 2015).
Humbjet reale në njerëz të Bashkimit Sovjetik gjatë viteve të luftës, janë mbajtur rreptësisht sekrete nga autoritetet shtetërore sovjetike dhe ruse, madje deri në ditët tona. Për humbje të tilla ka shkruar Leonid Rëjbacki, doktor i shkencave ekonomike, profesor, drejtues i Qendrës së demografisë sociale të Institutit të studimeve politikosociale të Akademisë së Shkencave të Rusisë. Në Esenë e tij me titull “Humbjet në njerëz të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Madhe Patriotike”, të botuar në faqen e internetit “Perspektivëj” të datës 07 maj 2022, ai shkruan se e vërteta për humbje të tilla u zbulua vetëm gjatë kohës kur në krye të Bashkimit Sovjetik ishte Mihail Gorbaçovi (1931-2022). Sipas tij, gjatë asaj lufte qenë vrarë 27 milionë njerëz, nga të cilët 18 milionë civilë dhe 09 milionë ushtarë dhe oficerë.
Duke pasur parasysh këto humbje jete njerëzish të përmasave katastrofike, si është e mundur që të organizohen çdo vit parada aq butaforike në Sheshin e Kuq, ndërkohë që 09 maji duhej të përkujtohej, para së gjithash, edhe si dita e një zije kombëtare, të cilën e pati shkaktuar politika shoviniste rusomadhe për pushtimin e mbarë Europës? Si është e mundur që të organizohet gjithë ajo paradë butaforike, kur numri i ushtarakëve rusë, të vrarë në Ukrainë, po i afrohet shifrës prej një milion syresh?
Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse shovinizmi, urrejtja për vendet e tjera është e rrënjosur thellë në formimin psikologjik jo vetëm të bandave në krye të vendit, por edhe të mbarë popullit rus, i cili sundimtarët e vet i vlerëson si të dërguarit e Hyjnisë. Kjo është arsyeja që njeriu në Rusi trajtohet si material ndërtimi. Prandaj shkrimtari rus Ivan Shmelov (1873-1950), autori i romanit “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë, nuk ka ndjesi për kurrfarë bukurie, është i pistë fizikisht dhe moralisht, gjatë qindravjeçarëve jeton në errësirë, në obskurantizëm dhe nuk ka marrë as mundimin më të vogël për diçka njerëzore, por ama gjithmonë është i gatshëm t’i skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit” (Citohet sipas faqes së internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).
Me paradat butaforike të 09 majit, banda e Kremlinit gjithmonë është munduar të përvetësojë tërësisht kontributin anglo-amerikan për arritjen e fitores mbi nazizmin gjerman, duke harruar ndihmën e jashtëzakonshme me armatime që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i patën dhënë Bashkimit Sovjetik gjatë luftës, duke anashkaluar zbarkimin e një milion trupave anglo-amerikane në Normandi në qershorin e vitit 1944, si edhe faktin historik që ato trupa patën hyrë të parat në Berlin më 08 maj 1945.
Është e vërtetë që Bashkimi Sovjetik përballoi barrën më të rëndë gjatë luftës, por fushatën katërvjeçare kundër ushtrisë gjermane, Ushtria e Kuqe e përfundoi në mënyrën më të turpshme.
Natalia Gesse (1914-1998), mikesha e ngushtë e shkencëtarit Andrea Saharov (1921-1989), në vitin 1942 hyri në Fakultetin e gazetarisë të Universitetit të Svjerdllovskut, në vitin 1943 i ndërpreu studimer dhe shkoi vullnetarisht në frontin e luftës, ku pati punuar si korrespondente ushtarake. Në kujtimet e veta, ajo shkruan: “Ushtarët rusë i përdhunonin të gjitha femrat gjermane, nga mosha 8 deri në moshën 80 vjeçe. Ajo ishte një ushtri përdhunuesish” (Citohet sipas: Nikollaj Ivanov. “Për heroizmat e ushtarit sovjetik, të ushtarit përdhunues… I kushtohet 23 shkurtit të turpshëm”. Faqja e internetit “FakeOff”. 23 shkurt 2015).
Leonid Rabiçev (1923-2017), njihet si poet, grafist, piktor, shkrimtar-memuarist rus, pjesëmarrës në frontet e luftës me gradën toger pas sulmit të ushtrisë hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941. Në librin e vet me kujtime, me titull “Lufta i ka të gjitha”, të botuar në vitin 2009, si dëshmitar i drejtpërdrejtë, ai hedh dritë mbi krimet e ushtrisë sovjetike, e cila, në pranverën e vitit 1945, pasi hyri në territorin gjerman, deri në Berlin, përdhunoi dy milionë femra gjermane, duke filluar nga vajzat miturake të moshës 8-vjeçare, deri te plakat 80-vjeçare. Në librin e vet ai shkruan:
“Tankistët, këmbësorët, artileristët, ndërlidhësit tanë e arritën një kolonë refugjatësh dhe, duke lënë mënjanë ndjenjën e detyrës, nderin dhe nënrepartet gjermane në tërheqje e sipër pa rezistencë, u turrën me mijëra drejt grave dhe vajzave të vogla… Ato që ishin mbytur në gjak dhe kishin humbur ndjenjat, i tërhiqnin mënjanë, kurse fëmijët që suleshin drejt tyre për ndihmë, i pushkatonin në vend. Nga pas tashmë vazhdonte nënreparti tjetër. Dhe përsëri ndalesë dhe unë nuk mund t’i përmbaj dot ndërlidhësit e mi, të cilët, gjithashtu, zënë radhë të reja për përdhunime, kurse telefonistet e mia shkrihen së qeshuri… Deri në horizont, midis pirgjeve me rrecka dhe qerreve të përmbysura, të zë syri kufoma grash, pleqësh dhe fëmijësh”.
Kaliforni, 09 maj 2025
Comments