top of page

Timo MËRKURIPOETIKA KOZMIKE E EDONA HALITIT

ree

Një perlë eseistike për një perlë poetike ...

Nga Timo MËRKURI

POETIKA KOZMIKE E EDONA HALITIT

(Ose: dashuria si energji universale)

Në poezinë “Ty që ke trokitur në pritjen time”, Edona Haliti shfaqet si një zë që sjell një frymë të re në poetikën shqipe, duke e tejkaluar kufirin midis ndjenjës dhe mendimit, midis shpirtit dhe materies. Ajo është ndër ato poete që e sheh dashurinë jo vetëm si ndjesi, por si energji universale, si ligj i brendshëm që lëviz gjithçka ;njeriun, natyrën, yjet. Në këtë mënyrë, poezia e saj bëhet një përpjekje për të shkrirë botën e brendshme me atë të jashtme, ndjenjën me shkencën, frymën me materien, duke sjellë një bashkë-jetesë të re poetike, që deri më sot nuk është parë me këtë forcë në poezinë shqipe, përfshirë edhe atë të Kosovës.

I-

Risitë që sjell Edona Haliti janë të shumta dhe për nga natyra e tyre, të paprecedenta në poezinë shqipe. Ajo arrin të futë me një lehtësi të rrallë dhe me një ndjeshmëri të brendshme elemente të shkencave ekzakte brenda lirikës, duke i kthyer konceptet e fizikës - “energji”, “puls”, “infinit”, “oksigjen” - në materie poetike. Këto terma, që në botën e shkencës lidhen me rregulla të ftohta e ligje të pandryshueshme, në vargun e saj marrin frymë njerëzore dhe bëhen gjuhë e shpirtit, metafora të dritës dhe të lëvizjes. Përmes tyre, Haliti ndërton një gjuhë të re të dashurisë, ku ndjenja përjetohet si valë drite, si ritëm kozmik, si një fuqi që i përfshin të gjitha – trupin, frymën dhe universin.

Në këtë mënyrë, ajo është ndoshta e vetmja poete e brezit të saj që bashkon dimensionin shpirtëror me atë kozmik, duke e ngritur dashurinë në një shkallë përjetësie, ku “koha e bekon rilindjen tonë.” Kjo nuk është vetëm metaforë, por një mënyrë për ta parë jetën e ndjenjës si qarkullim energjie, si ligj universal që ruan e ringjall ekzistencën.

Në këtë bashkëbisedim mes shpirtit dhe universit, Haliti sjell edhe një modernitet estetik, ku figurat poetike nuk janë vetëm zbukurime, por mjete për të krijuar imazhe të ndritshme, të përbëra nga dritë, tinguj, aromë e lëvizje. Poezia e saj është si një univers në miniaturë, ku çdo element frymon dhe çdo frymë kthehet në poezi.

Në thelb, krijimtaria e saj është një akt rilindjeje poetike të ndjenjës, një përpjekje për ta parë dashurinë si përmasën më të lartë të jetës dhe të artit. Ajo nuk e përshkruan dashurinë, por e shndërron në dritë që ndriçon përtej kohës dhe trupit, në një energji që rreh në dejt e universit. Prandaj poezia e Edona Halitit është një përvojë e veçantë e poezisë bashkëkohore shqipe- një hap i guximshëm drejt një poetike që flet me gjuhën e shpirtit, por mendon me gjuhën e universit, duke i dhënë dashurisë formën e një filozofie të re të ekzistencës.

1.

Në poezinë e Edona Halitit ndodh një përthyerje poetike e rrallë në letërsinë shqipe: dashuria përjetohet përmes gjuhës së shkencës. Është ndoshta rasti i parë në poetikën shqipe ku në një poezi dashurie futen elemente të shkencave ekzakte, duke u kthyer në përbërës të vetë ndjenjës, jo thjesht si zbukurime, por si strukturë përjetimi. Kjo përbën një risi poetike të jashtëzakonshme, sepse Haliti shkrin dy botë që tradicionalisht janë parë si të ndara — botën e ftohtë të ligjeve fizike dhe atë të ngrohtë të ndjenjës njerëzore — për t’i bërë një të vetme, me qendër dashurinë. Në vargun:

“Krejt çka mund të të dhuroj është një puls

që zotohet të rrah në dej infinitesh,”

dashuria merr trajtë energjie, e cila, si çdo puls fizik, ka dridhje, ritëm dhe vazhdimësi. Ajo nuk është më një ndjesi e thjeshtë zemre, por një valë që përshkon hapësirën dhe kohën. Termat “puls” dhe “infinit” janë fjalë të fizikës, por poetja u jep shpirt, i kthen në përfytyrime ndjesore, duke i bërë simbol të përjetësisë së ndjenjës.

Në një tjetër varg“Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,” ajo ndërthur procesin biologjik të frymëmarrjes me përvojën shpirtërore të dashurisë. Oksigjeni, burim jetese, bëhet metaforë e frymës së tjetrit që gjallon brenda saj. Kështu, dashuria nuk është vetëm emocionale, por fizikisht e pranueshme, e përfshirë në strukturën e trupit dhe jetës. Nëpërmjet kësaj gjuhe të re poetike, Edona Haliti krijon një bashkësi mes materies dhe shpirtit, mes energjisë dhe ndjenjës, duke e parë dashurinë si një ligj universal që qeveris gjithësinë, ashtu si graviteti apo drita. Ajo na e shfaq ndjenjën jo si iluzion, por si forcë reale që lëviz botën.

Kjo mënyrë e të shkruarit është një prurje e veçantë në poezinë shqipe, sepse Haliti e ngre ndjenjën në një nivel filozofik e kozmik, duke e ndriçuar përmes fjalëve “energji”, “puls”, “infinit”, “oksigjen” — terma që, në vargun e saj, shkëputen nga përkufizimi shkencor dhe marrin dritën e metaforës. Në vargun e saj, konceptet e ftohta të fizikës bëhen gjuhë e shpirtit, ritëm i jetës, frymë që mban gjallë universin e dashurisë. Madje, në fund të poezisë, kjo energji poetike merr trajtë njerëzore, shpirtërore, dhe kthehet në një amanet të fjalës, siç e shpreh poetja:“Jam amanet vargu që është nisur kah ti.”

Në këtë varg, vetë poezia shndërrohet në energji që udhëton përtej trupit e kohës, për t’u bërë dëshmi e përjetësisë së dashurisë- një frymë që as nuk shuhet, as nuk ndalet, por vazhdon të rrahë në dejt e universit.

Në këtë mënyrë, Edona Haliti jo vetëm që sjell një temë dashurie, por rikrijon mënyrën si mund të flitet për dashurinë. Ajo na kujton se edhe ndjenja më njerëzore mund të shpjegohet me gjuhën e yjeve, dritës dhe pulsit, duke dëshmuar se poezia, si vetë energjia, nuk humbet kurrë - vetëm shndërrohet.

2.

Haliti ndërton një lidhje të re mes dashurisë dhe artit. Nuk e sheh ndjenjën si frymëzim për artin, por artin si pasojë të dashurisë, çka e shpreh te vargjet:

“Simfonisë së 9-të të Bethovenit i ra zbehje

që kur trokite në pritjen time.”

Kjo është një përmbysje poetike: arti më i madh botëror “Simfonia e 9 e Bethovenit” “zbehet” përballë ndjenjës së lindur. Dashuria bëhet burim i krijimit estetik, pra, art më i lartë se vetë arti. Në një tjetër varg,

“Çdo shkronjë mi pikturon buzët e tua

 më magjishëm e më fuqishëm se vetë Pikaso,”

ajo krijon një ndërthurje poetike mes penelit dhe fjalës, ku piktura dhe poezia bashkohen në aktin e dashurisë. Kjo shkrirje midis arteve- muzike, pikture, poezie është një tjetër risi që e ngre Halitin në planin e poeteve moderne evropiane.

3.

Përkundër përjetimit të menjëhershëm dhe të natyrshëm, që hasim në poezinë tradi-cionale dhe klasike të dashurisë, Haliti e sheh ndjenjën si proces ndërtimi të brendshëm.

“Arkeologjisë së kësaj rruge në kraharor

kam filluar të ndërtoj ditë pas dite imazhin tënd.”

Këtu dashuria është arkeologji e shpirtit, kërkim i ngadalshëm, zbulesë e përditshme. Ajo nuk vjen si shpërthim, por si kërkim dhe ndërtim. Kjo mënyrë e të përfytyruarit është risi konceptuale, sepse poezia shqiptare rrallë e ka trajtuar ndjenjën me këtë thellësi procesuale; si një gdhendje që formon shpirtin ditë pas dite.

4.

Haliti përdor një teknikë të rafinuar estetike- sinestezinë - duke bashkuar erën, dritën, tingullin dhe frymën në një përvojë të vetme poetike. Vargu: “Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,” është një shembull i qartë ku frymëmarrja (akt fizik) përzihet me aromën (shqisë së nuhatjes), dhe të dyja bëhen shprehje e dashurisë. Kjo përzierje e shqisave është një prurje estetike moderne, që i jep vargut një teksturë të pasur shqisore dhe ndjeshmëri të lartë poetike, duke e bërë ndjenjën të prekshme në mënyrë të shumë-fishtë.

5.

Në poezinë e Edoina Halitit, gruaja nuk është më e ndjeshme dhe e përvuajtur, por qenie që krijon, që bekon, që shpëton.“Ruaje si një shkëndijë që ka mposhtur errësirën.” shkruan poetja, ku kjo “shkëndijë” është forca e gruas që ndriçon universin e vet. Kështu, Haliti sjell në poezinë shqipe një zë femëror të fuqishëm e të pjekur, që nuk kërkon dashuri për të ekzistuar, por ekziston për të krijuar dashuri. Ky qëndrim përbën risi kulturore dhe poetike, sepse për herë të parë dashuria vjen nga vetëdija e gruas si burim dritëdhënës, jo si kërkim për plotësim të qënies apo portretit të saj.

6.

Për Halitin, dashuria është e pavdekshme jo pse jeton në kujtesë, por sepse bëhet fjalë, pra bëhet poezi.

“Ata që hynë në poezi s’vdesin kurrë, thonë,

jam amanet vargu që është nisur kah ti.”

Këtu, dashuria shndërrohet në amanet poetik që sfidon kohën. Fjala është forma më e lartë e mbijetesës. Madje në fund, poetja e bekon përjetësisht këtë ndjenjë: “Koha po e bekon rilindjen tonë.” Kështu, dashuria bëhet risi poetike dhe rit i rilindjes universale, që koha nuk e shuan, por e shenjtëron.

7.

Përtej çdo hamendësimi në poezinë “Ty që ke trokitur në pritjen time” të Edona Halitit ndihen shkëndija të realizmit magjik, megjithëse ato nuk janë të pranishme në mënyrë të drejtpërdrejtë, si në prozën e kësaj rryme, psh si te romani “Gjin Bardhela I Arbëresh”. Te Haliti, magjikja shfaqet përmes metafizikës së ndjenjës, përmes mënyrës si ajo e tejkalon realen, duke e shndërruar përditshmërinë e dashurisë në një hapësirë ku njeriu, drita, koha dhe fryma bashkëjetojnë në një realitet poetik të shndërruar. Në thelb, magjikja tek ajo nuk vjen si trill apo fantazi, por si rilindje e realitetit përmes energjisë së dashurisë. Në vargun: “Oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde,” nuk kemi një ndjenjë tokësore, por një përjetim që tejkalon trupin. Oksigjeni. elementi jetësor më i zakonshëm - shndërrohet në aromë dashurie. Kjo është pikërisht fryma e realizmit magjik: kur realiteti më i thjeshtë merr dritë nga e jashtëzakonshmja, kur ajri vetë bëhet i dashuruar.

Një tjetër shembull i kësaj përthyerjeje të reales në përmasë magjike vjen në vargjet:

“Violinat e mallit që dikur i kisha të preferuara

mi ke heshtur, se u ke dhënë tingull gjitha melodive.”

ku dashuria bëhet forca që ndryshon ligjësinë e tingullit, një fuqi që hesht instrumentet njerëzore dhe i jep muzikë gjithësisë. Është një moment tipik i magjikes poetike, ku ndjenja njerëzore fiton fuqi krijuese, e aftë të ndryshojë botën material; tingujt, dritën, frymën.

Por kulmi i kësaj fryme magjike është te vargjet:

“Krejt çka mund të të dhuroj është një puls

që zotohet të rrah në dej infinitesh,

ruaje si një shkëndijë që ka mposhtur errësirën

veç për të fjetur një herë qepallës sate.”

Në këtë pasazh, dashuria shndërrohet në një fuqi kozmike, një puls që rreh në “dej infinitesh” dhe një shkëndijë që mposht errësirën. Kjo nuk është metaforë dashurie, por është mitologji moderne, një mënyrë poetike për të dhënë magjinë si energji reale, të prekshme. Pikërisht këtu, poezia kalon nga modernizmi në një realizëm magjik poetik, ku ndjenja dhe universi bëhen një.

Në fund, edhe koha; një përmasë tokësore e matshme bëhet qenie e gjallë, e aftë të bekojë: “Koha po e bekon rilindjen tonë.” Ky është një varg ku koha merr vetitë e njeriut, ajo “bekon”, pra vepron. Dhe kjo është thelbi i realizmit magjik, animizimi i botës, gjallërimi i çdo gjëje që në dukje është e pajetë. Prandaj, edhe pse poezia e Halitit rrënjoset në modernitetin e ndjenjës, ajo mban brenda vetes një magji poetike të përmbajtur, që lind nga mënyra si ajo e sheh dashurinë; jo si ndjenjë, por si fuqi që krijon botë. Kjo është magjia e saj: e qetë, e dritshme dhe thellësisht njerëzore.

II-

Edona Haliti hyn me këtë poezi në një dialog të qetë dhe të thellë me poezinë europiane të ndriçimit të brendshëm – traditën ku dashuria shihet si energji që përfshin gjithësinë. Nuk është një imitacion, por një bashkëbisedim shpirtëror, ku përvoja e ndjenjës bëhet përvojë filozofike. Qysh në strofën e tretë, ajo shprehet:

“kam filluar të ndërtoj ditë pas dite imazhin tënd

me copëza ajri që i mbledh polenëve,”

duke shndruar dashurinë në proces krijimi, në art dhe përkushtim. Këtu poezia bëhet një tempull i shpirtit, ku çdo “copëz ajri” është përkushtim dhe çdo “polen” kujtesë ndjenje. Ndërtimi i imazhit të tjetrit përmes elementeve të natyrës është një prurje e veçantë, që ndërthur spiritualen me fiziken, ndjesinë me materien, një metaforë që flet si shpirtit shqiptar, ashtu edhe lexuesit europian.

Poetja e sheh dashurinë si formë njohjeje dhe mënyrë për ta kuptuar botën, jo përmes logjikës, por përmes ndjesisë. Ajo ndërton komunikimin jo me fjalë, por me frymë, me puls, me dritë. Te vargjet:

“oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde

dhe violinat e mallit që dikur i kisha të preferuara

mi ke heshtur,”

dashuria bëhet një gjuhë e re e qenies, që flet përmes aromës, heshtjes dhe tingullit të brendshëm. Kjo ndjeshmëri e kujton poezinë europiane të shpirtit dhe ndjesisë, ku fjala nuk shpjegon, por ndriçon, ku ndjenja shndërrohet në instrument njohjeje.

Një tjetër pikë takimi me poezinë europiane është simbolika e dritës dhe ajrit. Në poezinë europiane të shekullit XX, drita është metaforë e shpirtit, ajri është hapësira e përbashkët e frymëmarrjes njerëzore. Edhe te Haliti, dashuria ndodh “në ajër”, në një hapësirë të tejdukshme ku trupat bëhen dritë dhe frymë:

“Me copëza ajri që i mbledh polenëve

të ndërtoj imazhin tënd.”

Kjo e afron poeten me traditën e Rilkes, Éluard-it, apo Ungaretit dhe Elitis-it, ku ndjenja bëhet materie e hollë, gati e padukshme, që bashkon natyrën me shpirtin. Por te Haliti, kjo ndjeshmëri merr një dimension më tokësor dhe më njerëzor; ajo rrjedh nga përvoja reale e dashurisë dhe nga afërsia me tjetrin, duke i dhënë poezisë një identitet të veçantë shqiptar.

Në fund duhet theksuar se Haliti, si një zë i veçantë i poezisë bashkëkohore shqiptare nuk ecën pas poezisë europiane, por bashkëecën me të, duke sjellë një frymë më të ngrohtë, më njerëzore dhe më të dritshme. Poezia e saj mban aromën e tokës dhe dritën e shpirtit, ku dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por energji që rilind kohën: “teksa vet koha po e bekon rilindjen tonë.”

Në këtë mënyrë, poezia “Ty që ke trokitur në pritjen time” bëhet pjesë e një kori të gjerë europian, por ruan melodinë e vet shqiptare – atë të shpirtit që kërkon universin brenda dashurisë dhe e gjen në frymë, në dritë, në ndjesi. Ndërthurja e dritës, pulsit dhe kohës krijon një harmoni poetike që i përket si dashurisë njerëzore, ashtu edhe asaj kozmike, ku poezia nuk përshkruan dashurinë, por e krijon atë sit e vargjet: “ruaje si një shkëndijë që ka mposhtur errësirën.” ajo shndërron dashurinë në një akt të përjetësisë. Kështu, poezia e Edona Halitit bëhet pjesë e një kori të gjerë europian, por ruan melodinë e vet shqiptare, atë të shpirtit që e kërkon universin brenda dashurisë dhe e gjen atë në frymë, në dritë, në ndjesi. Në këtë dritë, poezia e saj bëhet akt rilindjeje, një shndërrim i ndjenjës në art dhe i artit në jetë.

Sarandë, më nëntor 2025


ree

EDONA HALITI

TY QË KE TROKITUR NË PRITJEN TIME

Simofonisë së 9-të të Bethovenit i ra zbehje

që kur trokite në pritjen time

u bëre sinonim i gjitha lutjeve që i bëra heshtas,

oksigjenin ma ke mbushur me aromën tënde

dhe violinat e mallit që dikur i kisha të preferuara

mi ke heshtur,

se u ke dhënë tingull gjitha melodive

rrugë u dhe stacioneve ku prisnin çastet

mi shporre mungesat qofshin aty edhe qe një mijë vjet!

Falmi yjet dypolare,

netëve që të të mbështjell me ëndërrat e fildishta

se ajo qka mbështillet me zemër s'ndjen të ftohët

dhe ata që hynë në poezi s'vdesin kurrë thonë

jam amanet vargu që është nisur kah ti

bekoje!...

Arkeoligjisë së kësaj rruge në krahëror

kam filluar të ndërtoj ditë pas dite imazhin tënd

me copëza ajri që i mbledh polenëve

syve të tu u kam hedhur të puthura ndjenjash

se çdo shkronjë mi pikturon buzët e tua

më magjishëm e më fuqishëm se vet Pikaso!

E di ti diellin e zakonshëm që e dashurojnë ditët?

Atë për të cilin vjeshtat kanë mijëra vjet që vuajnë...

epo atë nuk e krahasoj me ty,

dhe meteorët që kam numëruar e vetme gjithmonë

i kam shporrur nga qielli,

më mjafton një eter i paskaj hapsirës sime

galaktikë mbushur ujvara dashurish vet TI!

Ty që ke trokitur në pritjen time

krejt qka mund të të dhuroj është një puls

që zotohet të rrah në dej infinitesh

ruaje si një shkëndijë që ka mposhtur errësirën

veç për të fjetur një herë qepallës sate!

Do të doja që edhe Romeo e Zhulieta të na lakmonin

e Hamleti të jepte urata për shpirtrat tanë

që ngjizur për jetëra në njëri tjetrin do të mbesin

teksa vet koha po e bekon rilindjen tonë!

Krejt çka kërkoj prej teje është që ta duash pa hile

qoftë edhe shiun që herë pas here mund të përqafoj tonin qiell

se do të vi një ditë ku Biblotekave të reja të Aleksandrisë

dhe muret si himn do na kujtojnë

e librave do lexohemi përherë!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page