Eshref Ymeri: Kadareja në truallin e politikës
- 2 hours ago
- 19 min read

Ky libër përmban pesëmbëdhjetë Ese, të botuara në mjetet e informimit masiv në një hark kohor prej njëzet vjetësh - 2004-2024. Për përgatitjen e tij janë shfrytëzuar 97 materiale burimore.
Kadareja është një shkrimtar i madh në letërsinë tonë. Ai zë një vend të nderuar në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare, sepse vepra të tij janë përkthyer që nga Japonia deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Në libër nuk bëhet fjalë për analizën e veprave artistike të Kadaresë. Këtu flitet vetëm për ato raste, kur Kadareja, në krijimtarinë e vet poetike, pati zbritur në truallin e politikës dhe pati shprehur mendime të tilla, që patën shërbyer si hosana ndaj diktatorit Enver Hoxha dhe në mbështetje të luftës së egër të klasave, të cilën, ai diktator, me qëllim përçarjeje në radhët e popullit, e pati shpërthyer për t’i hedhur shqiptarët kundër shqiptarëve. Madje, në disa raste, servilizmi i Kadaresë ndaj diktatorit qe ngritur deri në të tilla nivele, sikur ky të ishte Hyjni. Kjo dëshmohet më së miri në poezinë “Fjalimi i Enver Hoxhës më 3 tetor 1974”:
Fjalët e tij ikin larg, n’eter fluturojnë,Ku dimrat mbi pullaze shtetesh brerojnë kudo,Ku nën retë e mëdha monumente e kupola çohenKolona me fjalë latine e hieroglife gdhendur mbi toBronx e rituale parlamentesh, formula pompoze,Fjalë gjëmimtare për lirinë, të tingullta e të mëdha,Por me gjithë kupolat a jehonën solemne bronzoreBota pavarësinë më të rrallë se uraniumin e kaNdaj kur një fjalë e gjallë për tëÇan mes sarkofagësh të vdekjes,Një fjalë e gjallë për lirinë,Bota vë veshin në përgjim.Ndaj kur midis qiellit memorial të kësaj vjeshteFjalët e Enver Hoxhës ndeshin,Bubullimat mënjanohen me nderim.
Në poezitë “Në mesditë Byroja politike u mblodh” dhe “Terroii i bardhë”, Kadareja mbështet terrorin e diktatorit, të ushtruar aq egërsisht përmes luftës së klasave.
Kadareja e ka pasë ngritur kaq lart kultin e Enver Hoxhës, saqë edhe vetë ky qe revoltuar tej mase dhe, në një takim me Ramiz Alinë, qe shprehur kundër shkrimtarit në një mënyrë krejtësisht të pahijshme, duke përdorur një shprehje të turpshme, jashtë çdolloj edukate qytetare.

Me servilizmin ndaj diktatorit, i cili e pati ngritur kultin e vet nëpërmjet terrorit të paparë në historinë e kombit shqiptar, Kadareja, si mjeshtër i penës, në sytë e opinionit publik, pati cenuar autoritetin e vet. Kjo për arsye se diktatori kishte qenë një hiç njeri, siç e pati karakterizuar trimi Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit, të zhvilluar më 4-8 shtator 1943, sepse, për mefshtësinë, për pazotësinë e komunistëve kryesorë, midis të cilëve kishte edhe nacionalistë të vendosur, në krye të partisë e patën vënë dy emisarët jugosllavë - Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha - për ta pasur si argatin e bindur të Beogradit, siç ndodhi në të vërtetë në periudhën mes viteve 1941-1948. Për më tepër, diktatori ishte një njeri pa kulturë universitare, çka bëri që të vuante tmerrësisht nga komplekset e inferioritetit para figurave të tilla të shquara, si Ibrahim Biçakçiu, të cilin e pati poshtëruar, duke e detyruar të pastronte banjot e Elbasanit, paçka se kishte përfunduar dy fakultete në Vjenë. Apo Foto Bala, me dy fakultete në Francë, në Universitetin e Montpellier-it; edhe këtë intelektual të shquar, diktatori e pati dënuar me 17 vjet burg dhe me punë krahu në internim.
Servilizmi i Kadaresë ndaj diktatorit pati arritur në përmasa të tilla, saqë shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe arkitekti i njohur, Petraq Kolevica (1934-2023), pati botuar librin me titull “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002. Në këtë vepër ai ka analizuar me hollësi korpusin poetik të Kadaresë, si një shprehje e servilizmit të tij të papërmbajtur ndaj diktatorit.
Profesori Anton Nikë Berisha (1946), personalitet i njohur i kulturës arbëreshe, duke analizuar këtë vepër, ja çfarë shkruan për Petraq Kolevicën:
“Një autor që dëshmoi përkrahjen që i dha Ismail Kadareja sistemit komunist dhe diktatorit, Enver Hoxhës, është Petraq Kolevica me librin “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje...” (Anton Nikë Berisha. “Sa Ismail Kadare ka brenda Ismail Kadaresë”. Faqja e internetit “Syri”. 29 korrik 2019).
Normalisht, Kadareja, pas shembjes së diktaturës komuniste, duhej të kishte reflektuar me një pendesë publike për servilizmin aq të tepruar ndaj diktatorit. Përkundrazi, jo vetëm që nuk u pendua, por e vazhdoi qëndrimin e vet prej servili të regjur edhe ndaj neokomunistit Rama.
Lexuesit, brez pas brezi, do të kujtojnë me shumë respekt pena të tilla të talentuara, si Fatos Arapi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Vehbi Skënderi etj., të cilët krijuan vepra të çmuara artistike, pa qenë nevoja të hidhnin në letër as edhe një rresht të vetëm për të lëvduar diktatorin Enver Hoxha.
Falënderoj përzemërsisht Prof.dr. Fatmir Terziun, kryemjeshtrin e kritikës letrare, të cilit i jam shumë mirënjohës për vlerësimet që ka bërë në Parathënien e këtij libri.
Autori
Kaliforni, 15 shkurt 2026
Prof. dr. Fatmir Terziu
Mjeshtër i Madh
Parathënie
(Një lexim kritik, për librin)
Ismail Kadareja është njëra nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe njëri nga zërat tanë më të njohur në arenën ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, çdo qëndrim i tij publik, sidomos mbi çështje të ndjeshme kombëtare, peshon shumë më tepër, sesa fjalët e një intelektuali të zakonshëm. Në këtë kuptim, kritika ndaj tij nuk është as luks dhe as mungesë respekti, por një domosdoshmëri e shëndetshme e debatit intelektual. Thënia e Lihtenbergut se “para se ta qortosh rëndë dikë, duhet të mendosh nëse je gati t’i kërkosh falje”, është një udhërrëfyes i mirë edhe për këtë analizë: kritika ndaj Kadaresë nuk synon ta rrëzojë figurën e tij, por të shqyrtojë me kujdes disa lajthitje publike, të cilat kanë lënë gjurmë jo të vogla në ndërgjegjen shqiptare, veçanërisht në Kosovë.
Midis autoritetit moral
dhe gabimit njerëzor
Kadareja, si shkrimtar i madh, ka ndërtuar një autoritet moral që shpesh është perceptuar si i pakontestueshëm. Por autoriteti moral nuk është imunitet nga gabimi. Në disa momente kyçe, veçanërisht gjatë krizave në Kosovë dhe Maqedoni, ai ka dhënë vlerësime që janë përjetuar si të padrejta, reduktuese ose të njëanshme nga një pjesë e madhe e shqiptarëve. Etiketimi i luftëtarëve shqiptarë në Maqedoni, si “këlyshë të Enverit”, është një shembull i tillë. Kjo nuk ishte thjesht një metaforë e ashpër, por një reduktim historik dhe moral i një lëvizjeje që buronte nga represioni real dhe i dokumentuar. Në këtë rast, fjala e shkrimtarit nuk u bë urë kuptimi, por plagë simbolike.
Kosova: kur kritika humb
ndjeshmërinë historike
Ngjarjet e marsit 2004 në Kosovë ishin dramatike, komplekse dhe të mbarsura me një histori të gjatë padrejtësish. Qortimi i Kadaresë ndaj kosovarëve, i shoqëruar me paralajmërime për “lojën e serbëve” dhe rrezikun e izolimit, u perceptua si një gjykim nga distanca, më shumë sesa si një përpjekje për të kuptuar shkaqet e thella të shpërthimit. Këtu qëndron një nga pikat më problematike: Kadareja, në vend që të përdorte autoritetin e tij ndërkombëtar për të denoncuar mungesën e pendesës serbe, standardet e dyfishta të administrimit ndërkombëtar dhe tolerimin e strukturave paralele, zgjodhi ta vendosë theksin mbi përgjegjësinë morale të shumicës shqiptare. Kjo krijoi përshtypjen e një asimetrie morale, ku viktima kritikohet më fort se agresori.
“Trajtim i barabartë”
dhe paradoksi i shumicës
Deklarata se shqiptarët e Kosovës duhet të luftojnë “për trajtim të barabartë”, u lexua nga shumëkush si paradoksale: si mund të kërkojë trajtim të barabartë një shumicë dërrmuese, e cila për dekada ka qenë objekt represioni dhe që, edhe pas luftës, shpesh u ndje e nënvlerësuar nga administrimi ndërkombëtar? Kjo nuk e zhvlerëson parimin e të drejtave të pakicave, por ngre pyetjen thelbësore: a mund të ndërtohet barazia duke sakrifikuar dinjitetin e shumicës? Në këtë pikë, Kadareja duket se ka zgjedhur një gjuhë normative perëndimore, pa e filtruar mjaftueshëm përmes realitetit konkret kosovar.
Shqipëria Etnike
dhe keqkuptimi terminologjik
Një tjetër nyje e debatit është qëndrimi i Kadaresë ndaj idesë së bashkimit kombëtar, të cilën ai e ka lidhur me termin “Shqipëri e Madhe”. Këtu duket qartë një keqkuptim konceptual: në diskursin shqiptar, “Shqipëria Etnike” nuk ka domethënie ekspansioniste, por korrigjuese ndaj padrejtësive historike. Kur një shkrimtar i kalibrit të Kadaresë e barazon këtë ide me projekte shoviniste ballkanike, ai, pa dashje, u shërben narrativave që historikisht kanë mohuar legjitimitetin e çështjes shqiptare.
Fjalët, përgjegjësia
dhe pasojat
Reagimet ekstreme, përfshirë edhe kërcënimet ndaj Kadaresë, janë absolutisht të dënueshme dhe përbëjnë një devijim të rrezikshëm. Por ato janë edhe tregues se fjala e intelektualit ka peshë reale politike dhe emocionale. Kur kjo fjalë perceptohet si e padrejtë, reagimi, sado i gabuar, bëhet i pashmangshëm. Kadareja nuk mban përgjegjësi për këto reagime, por mban përgjegjësi për tonin, balancën dhe ndjeshmërinë e fjalës së tij publike.
Kritika ndaj Kadaresë nuk është mohim i madhështisë së tij letrare. Përkundrazi, ajo buron nga pritshmëria e lartë që kemi ndaj tij, si figurë kombëtare. Një shkrimtar i madh mund të gabojë; madhështia e tij matet edhe nga gatishmëria për ta rishikuar fjalën e vet. Në një kohë kur historia shqiptare vazhdon të jetë e pambyllur, fjala e intelektualit duhet të jetë jo vetëm e mençur, por edhe e drejtë në raport me peshën e vuajtjes historike. Vetëm kështu autoriteti moral mbetet urë dhe nuk shndërrohet në mur.
“Lëreni Kadarenë të mbrohet vetë” -
mes polemikës, së vërtetës
dhe përgjegjësisë intelektuale
Debati rreth figurës së Ismail Kadaresë, sidomos në raport me regjimin komunist dhe me qëndrimet e tij politike pas viteve ’90, është një nga polemikat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të kulturës shqiptare. Tekstet që kemi përballë - si ai që mbron publicistikën e zotit Baleta, ashtu edhe analiza kritike ndaj shkrimit të zotit Poli Hoxha - përfaqësojnë një linjë mendimi të artikuluar fort, shpesh të ashpër, por të ndërtuar mbi bindjen se e vërteta historike dhe morale nuk duhet zbutur nga respekti ndaj emrave të mëdhenj. Në thelb, këto shkrime nuk janë sulme personale ndaj Kadaresë si shkrimtar; ato janë një sfidë ndaj mitizimit të pakushtëzuar të tij dhe ndaj përpjekjeve për ta paraqitur figurën e tij si të njëtrajtshme, pa kontradikta, pa hije dhe pa përgjegjësi.
Baleta dhe akuza
për “antijugorizëm”
Një nga boshtet kryesore të debatit është etiketa e vendosur ndaj zotit Baleta, si “antijugor”. Tekstet që sjell autori i këtij libri e rrëzojnë këtë akuzë, duke argumentuar se kritika e Baletës nuk është gjeografike apo krahinore, por politike dhe historike. Ai kritikon rolin që një pjesë e elitës politike jugore ka luajtur në konsolidimin e diktaturës komuniste dhe në vijimësinë e saj postkomuniste, jo vetë Jugun si hapësirë kulturore apo njerëzore. Kjo dallimësi është thelbësore. Kritika ndaj një tradite pushteti nuk është domosdoshmërisht urrejtje ndaj një krahine. Nëse kjo dallimësi fshihet, atëherë çdo analizë historike rrezikon të shndërrohet në tabu.
Kadareja: shkrimtar i madh,
figurë komplekse
Pika më delikate e këtyre shkrimeve është, padyshim, trajtimi i Kadaresë. Ato e pranojnë qartë madhështinë e tij letrare, por refuzojnë ta shohin si figurë të paprekshme. Këtu qëndron edhe thelbi i titullit “Lëreni Kadarenë të mbrohet vetë”: një shkrimtar i madh nuk ka nevojë për mbrojtje me gjysmë-të-vërteta apo për apologji sentimentale. Analiza e poezisë së tij të hershme, sidomos asaj me ngarkesë ideologjike, dhe referencat ndaj studimit të Petraq Kolevicës, nuk synojnë ta zhvlerësojnë Kadarenë, por të kujtojnë se bashkëjetesa me diktaturën nuk ishte vetëm mbijetesë, por shpesh edhe pjesëmarrje aktive diskursive. Kjo nuk e rrëzon veprën e tij letrare, por e vendos atë në një kontekst historik më të ndershëm.
Pasternaku, disidenca
dhe krahasimet e rrezikshme
Një meritë e padiskutueshme e këtyre shkrimeve është saktësia historike, me të cilën trajtohet rasti i Boris Pasternakut dhe, më gjerë, marrëdhënia e diktaturës sovjetike me shkrimtarët. Këtu polemika kalon nga emocioni në fakt, dhe kjo i jep peshë argumentit. Krahasimi i Kadaresë me figura, si Pasternaku, Mandelshtami apo Solzhenjicini, del si i nxituar dhe i pasaktë. Jo sepse Kadareja është më pak shkrimtar, por sepse format e përballjes me diktaturën kanë qenë thelbësisht të ndryshme. Kjo dallimësi nuk e ul Kadarenë, por e mbron historinë nga keqinterpretimet romantike.
Eseistika politike
dhe çështja kombëtare
Një kritikë e fortë, por e argumentuar, lidhet me qëndrimet e Kadaresë për Kosovën dhe bashkimin kombëtar. Këtu shkrimet shprehin zhgënjimin e një pjese të opinionit shqiptar, që do të dëshironte ta shihte Kadarenë si zë të pakompromis të aspiratës kombëtare. Mospërputhja mes kësaj pritjeje dhe qëndrimeve të tij reale, ka prodhuar tension, jo urrejtje. Në këtë pikë, kritika nuk është personale, por politike dhe morale: një figurë me peshë simbolike të jashtëzakonshme, ndikon në perceptimin ndërkombëtar të çështjeve shqiptare, ndaj edhe përgjegjësia e fjalës së saj është më e madhe.
Tekstet që sjell autori i këtij libri, janë të ashpra, po, por jo të pamotivuara. Ato kërkojnë që debati për Kadarenë të zhvillohet pa frikë, pa idolatri dhe pa shtrembërime. Ta “lësh Kadarenë të mbrohet vetë”, do të thotë ta trajtosh si intelektual të barabartë në debat, jo si monument të ngrirë. Në fund të fundit, vlerësimi i ndershëm nuk e dëmton madhështinë, përkundrazi, e pasuron atë. Kadareja mbetet një shtyllë e letërsisë shqipe; por pikërisht sepse është i tillë, ai mund dhe duhet të lexohet, të diskutohet dhe edhe të kundërshtohet me fakte, me argumente dhe me dinjitet intelektual. Në këtë kuptim, këto shkrime, pavarësisht tonit polemik, janë një thirrje për pjekuri kulturore, jo për përçarje.
Kadareja: gjeneral i letrave,
por aktor i debatueshëm në politikë
Figura e Ismail Kadaresë mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të identitetit kulturor shqiptar. Në letërsi ai është pa diskutim gjeneral: strateg i gjuhës, komandant i metaforës, arkitekt i një universi artistik, që e ka nxjerrë kulturën shqiptare nga periferia dhe e ka vendosur në hartën botërore. Vepra e tij i ka rezistuar kohës, regjimeve dhe leximeve të shumta, duke mbetur referencë e pashmangshme për çdo debat serioz mbi letërsinë shqipe. Por, pikërisht për shkak të kësaj peshe të jashtëzakonshme morale dhe simbolike, çdo dalje e Kadaresë nga fusha e artit drejt politikës, është pritur - dhe gjykuar - me një vëmendje të veçantë. Jo sepse shkrimtari nuk ka të drejtë të shprehet, por sepse fjala e tij nuk është kurrë neutrale: ajo bart autoritet, krijon orientim dhe ndikon ndërgjegje.
Kadareja dhe çështja e Kosovës: midis pragmatizmit dhe përfaqësimit të munguar
Në intervistën e vitit 2005 për Zërin e Amerikës, Kadareja artikuloi idenë se shqiptarët kishin bërë një “kompromis të madh”, duke hequr dorë nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, në emër të stabilitetit ballkanik dhe integrimit europian. Në thelb, kjo është një logjikë pragmatike, e njohur në diplomaci: sakrifikimi i një aspirate historike për të realizuar një objektiv të arritshëm politik.
Problemi nuk qëndron te vetë pragmatizmi, por te pretendimi i përfaqësimit kolektiv. Kadareja flet në emër të “shqiptarëve”, pa pasur një mandat të qartë publik, pa referendum, pa një shprehje të strukturuar të vullnetit popullor. Këtu lind ndarja thelbësore: shkrimtari, i cili në art flet me të drejtën e gjenisë, në politikë hyn në një terren, ku legjitimiteti nuk buron nga talenti, por nga përfaqësimi.
Kritika që i është bërë Kadaresë në këtë pikë, nuk është domosdoshmërisht nacionaliste apo emocionale; ajo është, para së gjithash, proceduriale dhe morale: kush flet në emër të një populli dhe mbi ç’bazë?
Kozmopolitizmi i Kadaresë
dhe frika nga “ndërlikimi i historisë”
Kadareja shpesh e sheh ribashkimin shqiptar si një faktor që “ndërlikon historinë e Ballkanit dhe të Europës”. Kjo qasje reflekton një kozmopolitizëm intelektual, që kërkon të shmangë konfliktin dhe të ruajë ekuilibrat ndërkombëtarë. Në vetvete, kjo nuk është e gabuar. Por ajo bëhet problematike, kur historia e kombeve të tjera lexohet si dinamike dhe e ndryshueshme, ndërsa historia shqiptare trajtohet si një çështje që duhet “ngrirë” për hir të stabilitetit.
Në këtë kuptim, kritika ndaj Kadaresë nuk synon ta ulë figurën e tij, por të vërë në dukje një asimetrí morale: pse e drejta për vetëvendosje shihet si legjitime për disa popuj dhe si rrezik për shqiptarët?
Kadareja dhe politika e brendshme:
nga ndërgjegjja kritike te pozicionimi selektiv
Letra e Kadaresë, drejtuar Lulzim Bashës në vitin 2011 dhe mbështetja e heshtur ose e hapur ndaj Edi Ramës, kanë ushqyer perceptimin se shkrimtari ka hyrë në politikë jo si arbitër moral, por si aktor i njëanshëm. Këtu qëndron thelbi i zhgënjimit të shumë kritikëve: jo te fakti që Kadareja ka bindje politike, por te mungesa e simetrisë kritike.
Kur një figurë e kalibrit të tij kritikon njërën palë dhe hesht për tjetrën, fjala e tij humbet universalitetin moral dhe perceptohet si selektive, madje utilitare.
Kadareja dhe Bashkimi Europian:
respekt apo nënshtrim simbolik?
Letra, drejtuar ambasadores Romana Vlahutin në vitin 2017, u lexua nga shumëkush si shenjë e një servilizmi simbolik ndaj Bashkimit Europian. Edhe këtu, problemi nuk është mirësjellja diplomatike apo refuzimi i gjuhës fyese, por disproporcioni moral: një ndjeshmëri e skajshme ndaj figurës së përfaqësueses europiane, përballë një heshtjeje të zgjatur ndaj problematikave të rënda të brendshme shqiptare.
Për një shkrimtar që ka ndërtuar mitologjinë e rezistencës ndaj pushtetit arbitrar, kjo heshtje perceptohet si një kontradiktë e dhimbshme.
Madhështia që nuk zbehet,
por as nuk absolutizohet
Ismail Kadareja mbetet një gjigant i letërsisë shqipe. Kjo nuk vihet në diskutim dhe nuk duhet relativizuar. Por madhështia letrare nuk e imunizon askënd nga gabimet politike. Përkundrazi, sa më i madh autoriteti, aq më e madhe përgjegjësia.
Në këtë kuptim, metafora “gjeneral i letrave, por kapter në politikë” nuk është fyerje, por konstatim funksional: Kadareja është sovran në territorin e artit, por i pasigurt në terrenin e politikës, ku rregullat janë të tjera dhe gabimet kanë pasoja reale.
Dashamirësia ndaj Kadaresë nuk qëndron në heshtje përballë këtyre gabimeve, por në ndarjen e qartë të dy roleve: ta mbrojmë dhe nderojmë shkrimtarin e madh, pa u ndjerë të detyruar të justifikojmë çdo qëndrim të tij politik. Vetëm kështu figura e tij mbetet e plotë, njerëzore dhe, paradoksalisht, edhe më e besueshme.
Kadareja dhe Sollzhenjicini:
mes disidencës, kombit dhe kontradiktës
Ballafaqimi i figurave, si Ismail Kadareja dhe Aleksandër Sollzhenjicini, kërkon një qasje të matur, profesionale dhe të çliruar nga pasioni polemik. Të dy janë shkrimtarë, që kanë jetuar nën sisteme totalitare, kanë prodhuar vepra me ndikim të jashtëzakonshëm dhe janë shndërruar në simbole kombëtare për popujt e tyre. Por të dy, gjithashtu, kanë mbartur kontradikta të thella në raport me politikën, kombin dhe lirinë.
Një analizë e drejtë duhet të mbajë parasysh dy plane:
1. Planin e veprës letrare.
2. Planin e qëndrimeve publike dhe politike.
1. Sollzhenjicini: disidenti që nuk ishte liberal.
Aleksandër Sollzhenjicini është, pa dyshim, një nga zërat më të fuqishëm kundër totalitarizmit sovjetik. “Arkipelagu Gulag” mbetet një nga aktet më të mëdha morale të shekullit XX. Ai e demaskoi sistemin e kampeve, zhveshi mitin sovjetik dhe pagoi me internim, burg dhe mërgim.
Por problemi lind kur figura e tij identifikohet automatikisht me liberalizmin apo me humanizmin universal. Kjo nuk është plotësisht e saktë.
Broshura e vitit 1990 “Si ta rregullojmë Rusinë”, tregon qartë se Sollzhenjicini nuk ishte një mendimtar i shtetit kombëtar në kuptimin perëndimor, por një nacionalist rus me bindje të forta historike dhe shpirtërore mbi “botën ruse”. Qëndrimet e tij ndaj Ukrainës dhe Kazakistanit, si dhe kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës, janë në vazhdimësi me këtë vizion.
Kjo nuk do të thotë se ai ishte një apologjet i diktaturës komuniste - përkundrazi, ai e luftoi atë me forcë. Por ai e konceptonte Rusinë si një entitet historik, shpirtëror dhe gjeopolitik, që duhej ruajtur në tërësinë e vet. Në këtë pikë, ai nuk ishte liberal, por tradicionalist dhe shpesh etno-historicist.
Edhe simpatia e tij për regjime, si ai i Pinoçetit apo vlerësimi për Frankon, tregojnë se për të, kriteri kryesor nuk ishte demokracia, por lufta kundër komunizmit. Këtu lind paradoksi: një kundërshtar i totalitarizmit, që nuk ishte domosdoshmërisht demokrat në kuptimin perëndimor. Kjo e bën figurën e tij më komplekse, jo domosdoshmërisht më të pavlefshme.
2. Kosova dhe “incidenti”, sipas Kadaresë.
Ismail Kadareja, në reagimin e tij për qëndrimin e Sollzhenjicinit ndaj Kosovës, e quajti këtë një “incident” në raport me madhështinë e figurës së shkrimtarit rus.\
Ky interpretim mund të lexohet në dy mënyra:
• Si përpjekje për të ruajtur ndarjen midis veprës dhe opinionit politik.
• Ose si një zbutje e tepruar e një qëndrimi që, në fakt, ishte në vijimësi me botëkuptimin e Sollzhenjicinit.
Nëse analizojmë në vijë të drejtë mendimin e shkrimtarit rus mbi Ukrainën, Kazakistanin dhe “botën ruse”, atëherë qëndrimi për Kosovën nuk duket si një devijim i rastësishëm, por si pjesë e një logjike gjeokulturore më të gjerë.
Megjithatë, këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Kadareja nuk po mbronte pozicionin rus mbi Kosovën. Ai po përpiqej të ruante figurën letrare të Sollzhenjicinit nga reduktimi në një deklaratë politike.
Kjo është një zgjedhje metodologjike, jo domosdoshmërisht një justifikim politik.
3. Kadareja: mes sistemit dhe distancës.
Në këtë libër, kritika ndaj Kadaresë është më e drejtpërdrejtë dhe më e ashpër. Aty ai paraqitet si:
• në sinkron me politikën e Enver Hoxhës,
• më pas në afërsi me politikën zyrtare të pas ’90-ës,
• dhe i heshtur në çështje, si Teatri Kombëtar.
Këtu analiza duhet të ndahet sërish në dy plane:
a. Kadareja në diktaturë.
Kadareja ishte një shkrimtar që veproi brenda një sistemi totalitar. Është fakt se ai botoi ese dhe poezi që përputheshin me diskursin zyrtar. Është po ashtu fakt se ai nuk ishte disident në kuptimin e hapur të fjalës, si Sollzhenjicini.
Por është, gjithashtu, fakt se në veprën e tij narrative - “Pallati i Ëndrrave”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit”, “Dosja H” - ai ndërtoi një sistem metaforik që lexuesit e kohës e kuptonin si kritikë ndaj mekanizmit totalitar.
Kjo e bën figurën e tij ambivalente: as disident frontal, as shkrimtar i thjeshtë propagande.
b. Kadare pas ’90-ës.
Pas rënies së komunizmit, Kadareja nuk u shndërrua në një aktivist politik. Ai ruajti një pozicion më shumë kulturor, sesa opozitar. Për disa, kjo është maturi; për të tjerë, është konformizëm. Por duhet shmangur një rrezik analitik: identifikimi i çdo heshtjeje me servilizëm. Heshtja e një shkrimtari mund të jetë:
• strategji,
• distancë nga përditshmëria politike,
• ose zgjedhje për të mos e shpërndarë kapitalin simbolik në çdo betejë.
Kjo nuk e përjashton kritikën, por e bën analizën më të balancuar.
4. Dy modele të ndryshme shkrimtari.
Në thelb, Kadareja dhe Sollzhenjicini përfaqësojnë dy modele të ndryshme:
Sollzhenjicini - disidencë frontale, nacionalizëm rus tradicional, refuzim i kompromisit me sistemin, mision moral eksplicit.
Kadareja - disidencë metaforike, europianizëm kulturor shqiptar. lëvizje brenda sistemit, subversion estetik.
Të dy janë produkte të historive të tyre kombëtare.
5. Problemi i madh: a duhet gjykuar vepra nga politika?
Çështja thelbësore që del nga kjo polemikë është kjo:
A duhet që qëndrimet politike të një shkrimtari ta zhbëjnë veprën e tij?
Në rastin e Sollzhenjicinit, askush nuk e heq “Arkipelagun Gulag” nga kanoni për shkak të mendimeve të tij mbi Ukrainën.
Në rastin e Kadaresë, nuk mund të fshihet ndikimi i tij në modernizimin e letërsisë shqipe për shkak të qëndrimeve të tij ndaj një qeverie apo një çështjeje konkrete. Historia letrare është më e gjatë se polemikat politike.
Një përfundim
i matur
• Sollzhenjicini ishte një gjigant letrar dhe një nacionalist rus me bindje të forta, jo gjithmonë në përputhje me humanizmin universal.
• Kadareja është një gjigant i letërsisë shqipe, me një raport kompleks me pushtetin, që nuk mund të reduktohet as në heroizëm të pastër, as në servilizëm të thjeshtë. Të dy mbeten figura kontradiktore. Por kontradikta nuk është domosdoshmërisht njollë, shpesh është shenjë e thellësisë historike. Një analizë serioze nuk ka nevojë për idhuj, por as për shembje idhujsh. Ajo kërkon distancë, kontekst dhe dallim mes veprës dhe momentit politik. Në fund, koha gjykon më ftohtë se ne.
Atë Gjergj Fishta
dhe “komedia” e Kadaresë
midis ndërgjegjes kombëtare
dhe kompromisit intelektual
Figura e Atë Gjergj Fishtës dhe qëndrimi i Ismail Kadaresë ndaj saj, përbëjnë një nga nyjet më delikate dhe më domethënëse të debatit mbi raportin e shkrimtarit shqiptar me pushtetin, ideologjinë dhe përgjegjësinë morale. Ky debat nuk ka të bëjë thjesht me një polemikë personale apo me një mosmarrëveshje estetike, por me dy modele diametralisht të kundërta të intelektualit shqiptar në histori.
1. Pse Fishta u shpall armik?
Goditja sistematike ndaj Fishtës nga regjimi komunist nuk ishte as rastësore dhe as thjesht ideologjike. Ajo ishte thellësisht politike dhe gjeostrategjike. Fishta përfaqësonte një nacionalizëm të vetëdijshëm, europian dhe të pakompromis, i cili:
• denonconte shovinizmin serbosllav,
• mbronte të drejtat historike të shqiptarëve,
• e vendoste Shqipërinë në boshtin kulturor perëndimor.
Në këtë kuptim, Fishta ishte i papajtueshëm me një regjim që, në fazat e tij të para, ishte i varur politikisht dhe ideologjikisht nga Beogradi. Demonizimi i tij ishte pjesë e një projekti më të gjerë për çrrënjosjen e elitës kombëtare tradicionale, veçanërisht asaj katolike dhe nacionaliste.
2. Kadareja dhe sulmi i vitit 1974:
kontekst dhe zgjedhje
Sulmi i Kadaresë ndaj Fishtës në janar 1974 nuk mund të lexohet jashtë kontekstit të ashpërsimit ekstrem të luftës së klasave pas Plenumit IV. Ishte një periudhë, ku kërkohej jo thjesht bindje, por demonstrim publik i besnikërisë ideologjike.
Në këtë kuadër, shkrimi i Kadaresë nuk ishte një tekst kritik letrar, por një akt pozicionimi politik, i ndërtuar mbi terminologjinë standarde të propagandës së kohës: “reaksionar”, “konservator”, “agjent”, “shovinist”. Këto etiketime nuk synonin debat, por delegjitimim total.
Këtu lind dilema thelbësore:
A ishte kjo një strategji mbijetese, apo një zgjedhje aktive për t’u rreshtuar me pushtetin?
3. Argumenti i “përmendjes
përmes kritikës”
Më vonë, Kadareja ka tentuar ta justifikojë këtë qëndrim me tezën se përmendja, qoftë edhe kritike, ishte më mirë se heshtja. Ky argument, sado i sofistikuar në dukje, mbetet problematik për disa arsye:
• Kritika e përdorur nuk ishte letrare, por politike dhe denigruese.
• Ajo riprodhonte fjalë për fjalë gjuhën e diktaturës.
• Nuk krijonte hapësirë për rishikim, por përforconte ndalimin.
Në rastin e Fishtës, kjo “përmendje” nuk e shpëtoi figurën nga errësira, por kontribuoi në damkosjen e saj zyrtare.
4. Paradoksi pas vitit 1990
Edhe pas rënies së regjimit, raporti i Kadaresë me Fishtën mbetet i paqartë. Ndërsa në deklarata publike ai ka folur për “ndryshim qëndrimi”, në disa vepra dhe qëndrime të mëvonshme vazhdojnë të shfaqen gjurmë të së njëjtës optikë reduktuese.
Kjo mungesë e një pendese të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të argumentuar, ka ushqyer perceptimin se kemi të bëjmë jo me një reflektim të thellë, por me një retorikë justifikuese.
5. Fishta dhe modeli
i intelektualit me ndërgjegje
Në kontrast të fortë me këtë qëndrim, figura e Fishtës mbetet shembulli i intelektualit që:
• nuk e ndau kurrë kulturën nga politika kombëtare,
• nuk pranoi dekorata komprometuese,
• e përdori autoritetin e vet për të folur hapur në arenën ndërkombëtare.
Fishta nuk ishte shovinist; ai ishte nacionalist në kuptimin klasik europian: mbrojtës i dinjitetit kombëtar, i gjuhës dhe i së drejtës historike.
6. “Komedia” si metaforë
Kur flitet për “komedinë e Kadaresë”, nuk nënkuptohet talenti letrar, por mospërputhja midis rolit publik dhe përgjegjësisë morale. Komedia qëndron në përpjekjen për të rishkruar të shkuarën, pa e përballur atë plotësisht. Historia letrare nuk kërkon shenjtërim, por ndershmëri. Dhe ndershmëria intelektuale fillon aty ku pranohet se kompromisi ka pasur kosto - jo vetëm personale, por edhe kombëtare.
Debati Fishta-Kadare nuk është debat për të rrëzuar një figurë dhe për të ngritur një tjetër. Është debat për modelin e shkrimtarit në raport me pushtetin, për kufirin midis mbijetesës dhe bashkëpunimit, midis heshtjes dhe përgjegjësisë. Fishta mbetet simbol i fjalës që nuk u përkul. Kadareja mbetet simbol i talentit të madh që zgjodhi kompromisin. Dhe historia, ndryshe nga politika, nuk i harron këto dallime.
Konkluzion -
Një sqarim i nevojshëm për lexuesin
Tërë kjo trajtesë e gjerë, e mbështetur në fakte historike, dokumente, citime dhe kontekste politike, nuk synon të ndërtojë një akt-akuzë personale, as të rrëzojë autoritete letrare, por të ndriçojë një nyje të ndërlikuar të ndërgjegjes intelektuale shqiptare, ku historia, frika, talenti dhe kompromisi janë ndërthurur shpesh në mënyrë tragjike. Në rastin e Atë Gjergj Fishtës dhe Ismail Kadaresë, nuk kemi thjesht përballjen e dy emrave të mëdhenj, por dy paradigma:
- njëra e intelektualit që e vë fjalën në shërbim të kombit edhe kur kjo ka kosto personale;
- tjetra e shkrimtarit që, në kushte represive, zgjedh rrugën e mbijetesës përmes përshtatjes, duke sakrifikuar herë pas here qartësinë morale. Autori i këtij studimi nuk mohon as talentin letrar të Ismail Kadaresë, as rolin e tij në njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqipe. Por ai ngre me të drejtë një pyetje thelbësore, e cila nuk është armiqësore, por etikisht e domosdoshme: a mund të ndahet plotësisht madhështia artistike nga përgjegjësia publike e shkrimtarit? Kritika e ushtruar ndaj Kadaresë nuk lind nga mllefi, por nga zhgënjimi i atyre që kanë pritur prej tij të njëjtën burrëri morale që tregoi Fishta, sidomos pas rënies së diktaturës, kur fjala e lirë nuk ishte më rrezik jete, por akt ndërgjegjeje. Mungesa e një reflektimi të thellë dhe të sinqertë mbi sulmet e dikurshme ndaj Fishtës, si dhe mbi shërbimet ideologjike, të bëra në kohë terrori, perceptohet jo si gabim njerëzor, por si mundësi e humbur për pajtim me të vërtetën. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të thuhet qartë se ky shkrim nuk absolutizon Fishtën dhe as demonizon Kadarenë. Historia nuk është bardh e zi. Ajo kërkon kuptim, jo idhujtari. Por po aq kërkon edhe përgjegjësi, sepse fjala e një shkrimtari të madh peshon më shumë se e kujtdo tjetër, si në heshtje, ashtu edhe në gabim. Në këtë kuptim, ajo që quhet “komedi” nuk është tallje, por metaforë për mospërputhjen midis fjalës së dikurshme dhe justifikimit të sotëm, midis veprës artistike dhe rolit publik. Sqarimi që autori kërkon nuk është dënim, por pranim i sinqertë i historisë, ashtu siç ka qenë, pa zbukurime dhe pa relativizime. Në fund, kjo analizë mbetet një thirrje e qetë për reflektim: që shkrimtari të mos gjykohet vetëm për bukurinë e fjalës, por edhe për drejtimin që fjala e tij mori në momentet vendimtare të historisë; dhe që lexuesi shqiptar të mësojë të nderojë talentin, pa hequr dorë nga e vërteta.
Londër, 20 shkurt 2026








Comments