top of page

ZONJA P.


ZONJA P.

Tregim nga Kozma Gjergji


-Ti kallzon këndshëm. Anipse disa ngjarje janë të njohura, më pëlqejnë për vërtetësinë dhe mënyrën si i rrëfen. Shikimi dhe interpretimi i ri është tregues talenti. Ta kam zili dhuntinë. Gjynah që s'je bërë shkrimtar! Unë anoj më tepër nga historiani…, -i them zotëri Çerepit, duke tokur gotën me të tijën.

Të qeshurit me krisma për komplimentin ia hedh përpjet mustaqet si të misrit. E vonon paksa vijimin e dialogut të shijojë kënaqësinë e zbulimit nga unë. Pastaj më ngulë ata sytë prej gjeli serbes dhe me familjaritetin fals të të mëdhenjve ma kthen.

-Oh, të paça, kurrë s'më ka shkuar në mend për shkrimtarë. Edhe sikur ta dija që kisha talent, absolutisht nuk do e fusja veten në stërmundime pa bereqet. Pasioni im mbetet politika. Ajo po, t'i jep shpejtë e bujarisht të gjitha: pushtetin, paranë, luksin, qejfet…

-Kushdo ka preferencën e vet. Pa të shohim çdo na tregosh sot?

-Mbase asgjë. I biemë kotë teneqesë. Isha pardje tek të tanët t'ju shprehja merakun që t'i linin cic-micet me njëri-tjetrin dhe i kthenin të gjitha tytat vetëm mbi këtë pushtet vampirësh.

Ndërrova mendje e u tërhoqa kur vërejta që s'kishin as dëshirë e as interes të më dëgjonin. Seç ndihej një lloj ambientimi me të keqen. Edhe disa skifterë sfidonjës m'u dukën se qenë shëndërruar në pëllumba. Hane-hane të krahasohen me ne! Ndoshta të tillë përshtypje e kam nga pakënaqësia për mosarritjen e atyre që presim…

-Ke të drejtë. Të sotmit nuk janë aq idealistë sa e si ne, janë më të ftohtë e realist. Kalkulojnë mirë për cilin duhet të rrahin shuplakat e kujt t'i vënë bërrylin. Mbi të gjitha për ata që kanë në dorë benefite, siç është për shëmbull Zonja P., e cila ka zotësinë e Perëndisë që e kthen ujin në verë. Të bën drejtor, prefekt, shef policie, ambasador…

Enigmë e madhe kjo, që dhe tani pa ndonjë pushtet të rëndësishmë i shkon fjala! Dua të të pyes për këtë, por shumë më tepër jam kurioz të di qysh ke mundur të krijosh me të një miqësi të ngushtë?!

-Do të tregojë açik, se ty nuk të mbaj të rezervuara. Fuqia e Zonjës P. vijon për inerci të posteve të larta që ka mbajtur. Ka qenë në parti si një lloj çentrali, dhe plotë nga këta që drejtojnë janë fishat e saj.

Përsa i përket miqësisë time, ma ka sjellë fati. Unë dhe ajo e kemi origjinën nga i njëjti fshat. Çdo verë, në kohën e fëmijërisë, e kalonim atje, tek gjyshërit. Ndodhi të isha i preferuari në lodëra e aventura. Ia përmbushja të tëra dhe e mbroja. Ja një nga rastet e fillimit. Kur ajo pa në lumë tufën me rosa, rika, pata e biba, dhe ngaqë kujtoi se do mbyteshin shpërtheu në të qara e alarmuar, unë menjëherë hyra në ujë e i nxora. U kënaq e më përqafoi.

Me rritjen i ndryshonim dhe lodrat sipas dëshirave. Pëlqenim shumë kaluçin, një lojë e guximshme, argëtuese e që të fuste dhe në ngasje.

Tifozi ynë i apasionuar ishte xha Trifoni, një plak hokatar e qejfli. Na ndiqte vazhdimisht gjithë kërshëri. Lëpinte buzët tek përpinte me sy grabitqari hiret në lulëzim të Zonjushës P.. I afrohej hera-herë si për ta ndihmuar dhe e ndukte me duar, duke i thënë se do bëhej e famshme në kalërim.

Desha të hakmerresha ndaj tij, dhe e gjeta mënyrën. Ai për të shmangur vapën, pushonte zakonisht pasdreke tek shtrati nën hijen e pemëve të oborrit. Shijonte një gjumë të bukur në freski e këngë gjinkallash. I shkova poshtë shtratit e i thirra.

-Xha Trifon, o xha Trifon, zgjohu dhe eja të ikim.

M'u përgjigj nëpër gjumë.

-Ëëëë! Ku të shkojmë?!…

-Atje matanë…

-Ku matanë? Cili je ti?…

-Nuk më njeh?

-Jo…

-Jam Vdekja, Vdekja jote…

-Ouuu!…, -klithi i trëmbur e u ngrit hovas, rrëmbeu shkopin e m'u vërsul këmba-këmbës, duke më sharë: "Maskara! ", "Qen bir qeni! ", "Edepsës! ", "Dale të ta tregojë!... "

Kur e mësoi Zonjusha P. u shqye gazit dhe më afroi më akoma. Koha ecte shpejtë dhe si pa kuptuar hym në moshën e adoleshencës plotë me vlime e trazime. U dhamë pas natyrës. Notonim e gjuanim peshkë në liqen e lumë, ngrinim gracka e leqe për të kapur zogj.

Zbavitja më tërheqëse ishte ndjekja e vrapimeve dhe ndeshjeve të kafshëve, në veçanti skenat e ndërzimit. Ky teatër, vetëm me gjeste e veprime instiktive ashtu krejt në liri, habitërisht na godiste më fortë se ai i fjalës artistike. Na yshti e tundoi aq padurueshëm sa unë dhe Zonjusha P., si të qem marrë vesh, u nisëm në heshtje drejt pyllit dhe mëkatuam. Ah, ç'them! S'duhet ta quaj kurrsesi mëkat gëzimin më vezullues të jetës time! Edhe tani që e rikujtoj ndiej në buzë shije lulesh e mjalti. Sa e bukur dukej jeta, dhe as e mendoje fare që mbi tokë ekzistojnë epidemi sëmundjesh, katastrofa, tërmete, luftëra shfarosëse e çmenduri tiranësh, të cilat mund të sjellin fundin e botës.

Pushimet dhe aventurat në fshat i mbylla përgjithmonë me një akt heroik. Zonjushës P. iu vardis keqas një nga djemtë e rritur. Reagova guximshëm duke i treguar muskujt, ndonëse përballja me të ishte si e karçinit me cjapin.

Në epërsi fizike dhe i zemëruar nga refuzimi përbuzës i saj, ai më goditi me një grusht të tmerrshëm sa më copëtoi samarin e hundës. Më mbuloj gjaku e humba ndjenjat. Përfundova në spital, ku iu nënshtrova një operacioni shpëtimtar. Që atëhere i artikuloj fjalët me tinguj hundor. Kështu pra, e vulosa me gjak miqësinë me Zonjën P.

U shkëputëm krejtësisht nga njëri-tjetri përtej një dekade, dhe u rilidhëm në lëvizjen për demokraci, ku ajo shkëlqeu me angazhimin, inteligjencën dhe sidomos me bukurinë aq magjepsëse.

-Po, po, të zgjon epsh edhe tani.

-Do e quaja humnerë plotë lule të rralla, ku goxha burrave me pushtet u janë marrë mënd dhe kanë rënë brenda. Ajo nuk ka dhënë asgjë pa përfitime të mëdha. Duke ia njohur vetes aftësinë verbuese shprehej shpesh: "Kur e sheh së afërmi një burrë i bie vlera."

Nuk i shpëtoi dot kurthit të bukurisë e dinakërisë së saj dhe i hekurti zotëri Hulo, i cili mbante distancë nga femrat e s'i qeshte kurrë buza me to. I qe ngulitur bindja se ishin mishërimi i të këqijave: patën marrë më qafë kuadro me peshë e shkatërruar familje, ishin shkaktare grindjesh deri dhe lufte midis shteteve…

Vunë bast të fortë me Zonjën P. për një provë me të. Ia vlen të them se Huloja i printe kauzës të kthimit të pronave ish pronarëve dhe mbështetjes për kapitalistët e rinj.

Për bastin u shfrytëzua një bashkëbisedim kushtuar kësaj problematike. Për të mos e bërë të lodhshëm takimin, në tavolina patën vendosur fruta e shishe me ujë e verë. Zotëri Huloja ndryshe nga të tjerët kishte siguruar e pinte si gjithmonë po atë markë vere që e preferonte. Pranë tij qëndronte enkas Zonja P., e cila e kapi këtë hollësi dhe iu drejtua.

-Aman ore, zotëri Hulo si nuk t'u mërzit e njëjta verë vazhdimisht! Të është fiksuar që si kjo s'gjendet tjetër. E ke gabim. Ka plotë të tjera shumë herë më të shijshme. Ndërroje një herë dhe ke për të më dhënë plotësisht të drejtë e falenderuar. Dëgjo: Mos u mërzit me Perëndinë pse na ka pajisur me kuriozitetin dhe nepsin të provojmë e shijojmë dhe lloje të tjera…

Ai u ngrys nga fjalët e saj që iu dukën si grerëza të bezdisshme. Ajo avancojë. Iu afrua më ngjitur joshëse e provokuese. Kur pa që s'kundërshtoi, befas, ashtu si pa të keq i hodhi dorën te organi gjenital duke e shoqëruar veprimin me ca të qeshura melodioze. Ndërkohë u shpreh.

-Uaaa, ky qënka grua! Frosh fare! I paska fluturuar bilbili!… Dhe kërkon të na bëjë me prona, kur për vete është pa gjë hiç…

Shpërthyem në të qeshura. Zotëri Huloja, ndërsa mbeti si i goditur nuk ia largoi dorën asaj. Kaq u desh dhe Zonja P. e fitoi bastin.

-Shaka e rëndë! Ç'burrë ka?

-Si të të them! Një koqe budallai! Hiqet mendimtarë që tjerr veç moralizime bajate. Ajo e mbanë sa për dekor. Gjithë vëmendjen e kujdesin ia kushton qenit. Sa herë jam takuar me të dy bashkë, kam vërejtur te ai një gëzim si të ndryshkur e nga zori…

-Ç'e do atë jetë!

-Duhet t'i mbajë lidhur ndonjë interes që i leverdis si njërit dhe tjetrit. E di sa hakmarrëse është! Bah, ç'frikë përhapi kur shpartalloi një tip nga ata, siç themi ne andej, gurë që thyen çekan dhe horr horri. S'di pse ai e lëshoi gojën aq ndyrë kundër saj! Hiqmu sysh ti moj çimkë e keqe, iu hakërrye kërcënueshëm. Shiko një herë se ç'bëhet nën fustanin tënd, e pastaj merru me mua…

Pas kësaj mbi të ra hakmarrja e tmerrshme e Zonjës P..Iu shkatërrua krejt karriera dhe konfiksuan pronat. Jeta iu bë e padurueshme sa u shtrëngua të largohej jashtë vendit.

-Ti ke përfituar prej saj? A të është dashur të të ndihmojë?

-Gardhi me mbështetje nuk rrëzohet nga era.

-Mbështetjen dhe shërbimet t'i ka ofruar miqësisht apo me pagesë?

-Oh, jo, jo! Unë s'kam patur nevojë. Vetëm një herë i kërkova drejtëpërdrejtë një nder, të cilin ma plotësoi si për vete. E kisha peng të bëja dhe unë diçka ndaj dikujt, që m'u gjend si baba në fillimet e karrierës. I shkova në zyrë e ia shtrova konkretisht nëse mund të më ndihmonte për të sistemuar një njeriun tim si atashe ambasade.

-Megjithë qejf, -m'u përgjigj tejet e gatshme dhe pyeti.

-Ç'di të bëj ky njeriu yt?

-Oh, -ia ktheva me humor, -është mjaft i zoti të mbars të shoqen. Ka katër fëmijë.

-Mjafton kjo për atashe? -shtoi.

-Plotësisht, se zotëron dhe tre diploma universitetesh e është llafazan triblues…

-A di ndonjë gjuhë të huaj?

-Çobanishten e qanë. Prandaj do qe më e përshtatëshme të emërohej në ambasadën tonë në Rumani ose Moldavi. Kaq dhe i shlyeja nderet që më ka bërë xhaxhai i tij, i cili s'pati fëmijë, e këtë djalë e konsideronte birin e vetë. Ka qenë kuadër i rëndësishmë. Me siguri duhet t'iu kujtohet emri S.T.

-Si jo, madje kemi punuar bashkë në një nga ambasadat. Burrë fisnik! Sa na ka tronditur kur dha shpirt, për fatin e keq, në një nga bordelot. E lakmonte shumë atë të shkretë! Paguam rëndë që ngjarja të mos përhapej e bënte bujë. E tërhoqëm trupin pa jetë natën në fshehtësi, dhe pastaj shpërndam njoftimin në variantin tonë.

Shtypi i shkruar dhe elektronik i krahut tonë e pasqyroi drejt, si një kuadër mjaft të devotshëm e përkushtuar, i cili vdiq papritur nga infarkti në krye të detyrës. Pasoi një lumë lëvdatash për të ndjerin, që kulmoi me akordimin e titujve Qytetar Nderi i Qarkut dhe Nderi i Kombit, njësoi sikur të kishte kryer heroizma shpëtimtar.

Mirëpo çdo gjë me tepricë është e dëmshme. Na krijojë kosto. Nxiti xhelozi e dyshime te opozita e atëherëshme, e cila gjurmoi e gërmoi dhe arriti të zbulonte të vërtetën e vdekjes. O Zot, si na ka sulmuar me tërë ato palavira!...

Kështu miku im, këto janë shkurtimisht disa nga nyjet e lidhjes të miqësis me Zonjën P., e cila ende hipnotizon me bukurinë dhe sundon me zgjuarsinë.


2 comentarios


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
23 oct 2023

Kënaqësi e veçant për mua që tregimin e ka pëlqyer një poet,

prozator, eseist dhe shqipërues i niveleve cilësore si z.Klironomi.

Ju faleminderit shumë për angazhimin i nderuari Vasil!

Me konsideratë, K.Gjergji.

Me gusta

Një temë e vështirë, por e trajtuar me zgjuarsi

nga shkrimtari i talentuar Kozma Gjergji.

Mëkati bëhet i pranueshëm ngado që vjen

dhe në të gjitha ngjyrat. Në këtë tregim,

është çelësi që hap dyert për gjithçka

që do të nxjerrë në pah autori.

Urime Kozma dhe me prurje të tjera të këtij niveli.

Vasil Klironomi

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page