ZJARRTH GURI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 27, 2020
- 1 min read

ZJARRTH GURI
Ky zjarrth i strukur gurit dëshmitar,
kimerë e prushtë kohe, cep më cep.
Verës së thatë, të nxehtë, të bardhë,
mokër dhe harrim, buh, buh, buh, si eshkë.
Rrezik a lojë, përshkëndijë e dritë,
e njëjta gjuhë flake, xurxulli e çjerrur.
Përmbysje kujtese, fantazma mahish,
thagma të reja nga profetë të dehur.
Shpresa krahëthyera, shkulur vragë,
mëngjesit lafsha gjeli, pak erotizëm.
Sorra pafund qiejve krra-krra,
kambana durimi plasaritur.
Ky zjarrth guri me surba verbi a jerm?
na djeg, na pjek, rrotullamë e shkrumb.
Verës së thatë, të bardhë, të nxehtë.
ditët i ngjyen me pah të bruztë.
Këtë zjarrth guri, dru e gjeth vdekur,
qytetit tejpërtej, mbretëri e egër,
të verdhëdhemë si e një bote tjetër,
veç uji e deh me aromë të belbël …
PREKJA ...
Pikoi si muzikë e mbrëmjes përqafim i beftë krah mê krah,
u përçikën buzë dashurie ndën pemē
dhe thurima horizontin e përflak.
Ndjesia e prekjes a trill i triumfit, shkrepi si ekstazë dritësore,
instikti qenka art pa qëllim, fshehur udhëve misterioze.
Dhe fluturon trubulluar rrathëve qiellorë që të çojnë atje tek kthimet,
fryma – bëhet shpejt metaforë, që ëndërron shtegtimet.
Çfarë gjuhe flitka prekja e buzëve që përrallat e gjyshes i çmend?
Thelloma të vetvetes papritur zgjohen, ato që s'merren dot me mend.
Fryjnë afshe e grisin cipara qetësie, mbi syprinat e gjëra të përfunduara,
botë të reja hyjnë ndër ne, mbretëri të amëshuara.
Hyjnë ngjyrat, rrëketë dhe tingujt, a s'është brenda saj e tëra gjithësi?
Poeti i përulet rastit, shpirti i vdes bukurie ndërsa bëhet njeri…
Comments