
Zinxhiri i qenit
Tregim nga Fatmir Terziu
Gjykatësi i emigracionit, pshërëtiu, pastaj foli me një zë të lodhur. Ishin çështje, pas çështjes. Të lodhshme. Të ngjashme. Të mërzitshme. Të gjitha kishin një dert. Një hall. Dikush e kishte ngatërruar me atë meselenë e një qeni të mbajtur nën zinxhirë e që zgjidhet pas shumë vitesh… - Eh, po Ligji është Ligj, - pëshpëriti me vete.
U kthye nga grupi i të dymbëdhjetëve që gjykonin çështjen. Sipas Ligjit, ata ishin Juria e Gjykimit, dhe ata ishin njërëz të zakonshëm nga fati që u kishte rënë të ishin si të tillë. Dhe pasi u mbush thellë me frymë, u bëri ndihmësve të tij pyetjen e mëposhtme:
– A është gjithçka që ekziston e krijuar nga Kaosi?
Një nga ndihmësit e tij, që kishte lexuar gjithë ata faqe të asaj çështje të jashtëzakonshme, u përgjigj me guxim:
- Po, është krijuar nga Kaosi.
– Pra, Kaosi krijoi gjithçka që e solli këtë masë të madhe të ketë fatin e tillë? – pyeti sërish Gjykatësi i emigracionit.
- Po, i nderuar Shkëlqesia Juaj, Gjykatës - konfirmoi ndihmësi i tij më i zellshëm, ndërsa të gjithë të tjerët qëndronin në një masë të konsiderueshme të ngrirë, që s'mund ta quajmë vetëm heshtje dhe habi.
- Nëse Kaosi krijoi gjithçka në atë vend, atëherë Kaosi krijoi edhe të keqen, pasi ajo ekziston gjithsesi në të gjithë këtë territor të mbingarkuar nga një mori problemesh. Dhe sipas parimit që veprat tona e përcaktojnë veten, atëherë Kaosi është faktori dhe burimi që sjell një fenomen të tillë, që të quhet mjaft i keq.
Ndihmësi heshti me këtë përgjigje. Gjykatësi i emigracionit ishte shumë i kënaqur me veten, që tashmë ia kishte qëlluar me një fjalë, dhe që nuk do të lodhej më të rrëmonte në shkaqet që e sillnin këtë ushtri të madhe në vendin e tij, që prej kohësh e shikonte fajin gjetkë, dhe gjetkë kishte humbur vetë edhe vetë kjo fjalë. Ai iu mburr ndihmësve të tij të Ligjit, po ashtu dhe të dymbëdhjetëve, që në atë rast vetëm dëgjonin, se si e kishte vërtetuar edhe një herë se Kaosi është një mit, ndaj kishte ardhur vetë koha që të fshihet edhe nga Fjalorët më të Mëdhenj, tashmë në një ditë.
Një nga të dymbëdhjetët, dhe pastaj një tjetër, dhe pastaj edhe një tjetër ngritën duart. Por më i shpejti, që me sa duket ishte një specialist i fushës së Fizikës, foli dhe tha:
„A mund t'ju bëj një pyetje, Shkëlqesia Juaj, Gjykatës?"
- Sigurisht.
I dymbëdhjeti, ose më saktë një nga të Dymbëdhjetët, u ngrit dhe pyeti:
– Shkëlqesia Juaj, Gjykatës i Nderuar, a ekziston i ftohti?
- Çfarë lloj pyetjeje? Sigurisht që ekziston. Nuk ke qenë kurrë i ftohtë?
Të dymbëdhjetët dhe ndihmësit, sekretarët dhe shënuesi, punonjësi i teknikës dhe madje edhe pastruesja me shami të bardhë e maskë, qeshën me pyetjen, por ai vazhdoi:
– Në realitet, i ftohti nuk ekziston. Sipas ligjeve të fizikës, ajo që ne e konsiderojmë të ftohtë është në fakt mungesa e nxehtësisë. Në praktikë, një person, ose objekt mund të studiohet në varësi të faktit nëse ata posedojnë dhe transmetojnë energji. Zero absolute është mungesa e plotë e nxehtësisë. E gjithë lënda bëhet inerte dhe nuk mund të reagojë në këtë temperaturë. I ftohti nuk ekziston. Ne e krijuam këtë fjalë për të përshkruar atë që ndjejmë në mungesë të nxehtësisë.
Po i njëjti, vazhdoi:
„Shkëlqesia Juaj, Gjykatës i Nderuar, a ekziston errësira?“
- Sigurisht që ekziston.
– E keni përsëri gabim. Errësira nuk ekziston. Në realitet, errësira është mungesa e dritës. Ne mund të studiojmë dritën, por jo errësirën. Ne mund të përdorim prizmin e Njutonit për të zbërthyer dritën e bardhë në shumë ngjyra dhe për të studiuar gjatësinë e ndryshme valore të secilës ngjyrë. Ju nuk mund ta matni errësirën. Një rreze e thjeshtë drite mund të depërtojë në botën e errësirës dhe ta ndriçojë atë. Si mund të dalloni sa e errët është një hapësirë? Sasia e dritës matet. A nuk është kështu? Errësira është një term që përdoret për të përshkruar mungesën e dritës.
Më në fund i njëjti person pyeti:
- A ekziston e keqja, Shkëlqesia Juaj, Gjykatës i Nderuar?
Kësaj radhe Gjykatësi i emigracionit u përgjigj me hezitim:
- Sigurisht, siç thashë tashmë, ne e shohim atë çdo ditë. Mizoria mes njerëzve, krimi dhe dhuna në të gjithë botën... këto janë shembuj të shfaqjes së së keqes.
Për këtë anëtari i Jurisë, një nga të rëndomtët e zgjedhur që ti ndihmonte Ligjit, u përgjigj:
„E keqja nuk ekziston, Shkëlqesia Juaj, Gjykatës i Nderuar, ose të paktën nuk ekziston në vetvete. E keqja është thjesht mungesa e Rregullit, Ligjit. Është si errësira dhe i ftohti. E keqja është një fjalë e krijuar nga njeriu për të mbushur Fjalorët. Fjalorët e mbajnë në gjirin e tyre edhe atë, edhe Kaosin. Dhe sa herë që u duhet e hapin Fjalorin. Sa herë që s'u duhet e mbyllin atë. Atë, pra Fjalorin. Fjalorin e bënë për të përshkruar mungesën e …
Shkëlqesia e Tij, Gjykatësi i Nderuar, u ngrit në këmbë. Tashmë nuk mund të qëndronte i heshtur. Foli me njëherë: Mungesa e Ligjit.
E pra … kush e krijoi të keqen?
Shkëlqesia e Tij, Gjykatësi i Nderuar ia nguli sytë me dashamirësi, sikur donte të thoshte, se ai tashmë po rihapte një Fjalor të mbyllur dhe i tha: Pra mungon Qeverisja! Më tej shtoi me fjalë të tjera, e keqja nuk është besimi, apo dashuria, të cilat ekzistojnë si drita dhe nxehtësia. E keqja është rezultat i mungesës në zemrën njerëzore të dashurisë hyjnore, mungesa e Zotit. Është prania e të ftohtit kur nuk ka nxehtësi, ose errësira që ndodh në mungesë të dritës.
Pra, Shkëlqesia Juaj, Gjykatës i Nderuar, këta njerëz e kanë fajin, pse iu mohua Zoti për një gjysëmshekull?
Heshtja mbretëroi në sallë dhe Shkëlqesia e Tij, Gjykatësi i Nderuar u ul në heshtje për të shënuar vendimin e tij ndryshe për ata njerëz që kishin kaluar rreziqe e kishin udhëtuar me gomone drejt rrezikut të vdekjes. Pëshpëriti me vete. Dhe pak a shumë heshtja e bëri të lehtëkuptueshme edhe për sallën atë pëshpëritje të lehtë por të prerë „Zinxhiri i qenit!“.
Sakaq edhe gazetarët e shumtë që kishin bërë gati artikujt për ditët e tjera, nisën të fshijnë nga kompjuterat e tyre, ato fjalë që i kishin të gatshme nga politika dhe jo nga realiteti.
Comments