top of page

Zhaneta Barxhaj: Akademia e Shkencave e Shqipërisë të dali dhe të na shpjegoj me argumenta përse kanë përfshirë fjalë të turqishtes moderne

  • Jan 18
  • 3 min read

Para pak ditësh u hodh në qarkullim fjalori online i gjuhës shqipe, si një arritje e jashtëzakonshme nga Akademia e shkencave.

Si qytetare e thjesht e shfletova (aq sa munda) dhe më habiti zgjerimi leksikor i disa fjalëve, duke na sjellë fjalëformime të çuditshme. Dhe do ishte më e udhës që fjalët e reja për pasurimin e shqipes të merreshin nga dialektet, të cilat vazhdojnë të mos pasqyrohen askund edhe pse ka qindra vjet që përdoren. Fjalëformime bëjnë edhe shkrimtarët, por as këto nuk janë parë të denja, por janë shpikur nga kushedi ç’mendje injorante që paguhet me paratë tona.

Por kjo është më e paktë, ajo çfarë ka ndodhur në të vërtetë është më e rëndë se kaq ( se një injorancë naive), është tradhëti kombëtare.

Përfshirja në fjalorin e gjuhës shqipe fjalë 100% të turqishtes moderne si fjala “Mutfak”, është e qëllimshme dhe dashakeqe.

Për të qenë korrekte, e kërkova në fjalorin e vjetër të shqipes edhe në atë online, pyeta miq nga krahina të ndryshme nëse e kanë dëgjuar, por jo, kjo fjalë ekziston vetëm në fjalorin turk.

Ky është një atentat i hapur ndaj gjuhës shqipe, është tradhëti kombëtare. Nëse do ta zhdukësh një komb, shkatrroi arsimin dhe gjuhën. Arsimin ka 36 vjetë që e kanë degraduar, folklorin po ashtu, tani po i vënë kazmën gjuhës.

Është e turpshme, e patolerueshme, fyese dhe antikombëtare.

Në një kohë kur janë vrarë me 100- ra shqiptar për ruajtjen e gjuhës, vjen një grup dallkaukësh dhe shkel mbi gjakun e tyre.

Ftoj të gjithë gjuhëtarët e pavaruar të këtij vendi, të gjithë arsimtarët, ta qëmtojnë këtë fjalor të ri dhe të denoncojnë me fakte çdo antentat që i është bërë.

Të deklarohet grupi i punës që është marr me hartimin e kësaj paçavureje dhe të vihen para përgjegjësisë; së pari për tradhëti kombëtare, së dyti për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik duke keqpërdorur fondin e përcaktuar për realizimin e këtij fjalori, dhe të ngarkohen ta paguajnë një më një.

Të gjithë ata punonjës të heshtur, që janë ndier të kërcënuar dhe s’i ka pyetur kush, të gjejnë kurajon për tu distancuar nga kjo punë e shëmtuar dhe të denoncojnë se çfarë politikash të fëlliqura ndjek Akademia, që tashmë e vërtetoi shitjen e saj.

Dhe të mos kenë frikë, gjyshërit, stërgjyshërit tanë kanë dhënë jetën për këtë vend, ne nuk po na kërkohet kjo sakrificë sublime, por veç të denoncojmë pa qenë vonë. Heqja nga puna është sakrifica më e vogël, mos e shisni vendin për një copë bukë.

U bëj thirrje dhe të gjithë juristëve, për të dhënë kontributin e tyre, për ta paditur në gjykatë këtë tradhëti, dhe ta heqin fare nga qarkullimi këtë punë diletantësh dhe tradhëtarësh.

Akademinë e mbuloftë turpi, dhe gjaku i atyre martirëve që dhanë jetën për gjuhën shqipe. Por kjo do ndodh kur ende nderojmë akademikë që vodhën punën e klerit katolik dhe e paraqitën si të tyren, duke e mbushur me dallkauk institucionin më të lartë shkencor.

U bëj thirrje të gjithë intelektualëve të pavarur të mbajnë qëndrim. Nëse vazhdojmë të heshtim do jetë për turpin tonë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë të dali dhe të na shpjegoj me argumenta përse kanë përfshirë fjalë të turqishtes moderne, që nuk i përdor kush, në fjalorin e gjuhës shqipe. Nga kush i ka marr urdhërat për degradimin e kulturës dhe gjuhës sonë, dhe a kanë ndonjë fije ndërgjegje atdhetare, sa për të dhënë dorëheqjen më së paku?!

1 Comment


F. Terziu
Jan 18

Bashkohem me këtë reagim sepse mbrojtja e gjuhës nuk është çështje emocioni, por përgjegjësi kombëtare dhe shkencore. Çdo fjalor normativ duhet të pasqyrojë përdorimin real historik e bashkëkohor të shqipes, jo të imponojë huazime të pajustifikuara që nuk jetojnë në gojën e folësit. Anashkalimi i dialekteve dhe i traditës leksikore, ndërkohë që përfshihen fjalë të huaja pa rrënjë në shqip, krijon jo pasurim, por deformim. Transparenca, debatimi profesional dhe llogaridhënia janë të domosdoshme: gjuha është themel i identitetit dhe nuk mund të trajtohet si eksperiment administrativ.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page