Mevlud BUCI: Arif Mata vjen me një libër epope për mençurinë e brezave

Disa mendime për librin e tretë të Arif Matës “Aksiomat gjuhësore dhe alegoria e gjuhës në Dibër”
Shkrimet e këtij libri janë trajtesa të argumentuara e që na bëjnë të njohim dukuritë e reja për gjuhën, urtësinë, traditat, kohën e mjeshtrinë e të urtëve popullorë…
Cilido studiues apo lexues i thjeshtë që lexon e rilexon librit e tretë të autorit shqiptaro-amerikan Arif Mata “Aksiomat gjuhësore dhe alegoria e gjuhës në Dibër” , do të meditonte, do të gëzohej e do të shprehte qartazi mendime konkrete, realiste e frymëzuese.
Sepse vërtetë është një libër epope, libër i shkruar me kompetencë e frymëzim, libër që shpërfaq dije, ide, analiza, komente e mbi të gjitha pasqyron mençurinë dhe psikologjinë popullore.
Studiuesi Arif Mata, ky pinjoll i diturisë luznake, dibrane e më gjerë, me profesion agronom i lartë, vyrtuoz e shpirtndritur krahas zotësisë në detyrën e tij fisnike, ka gjurmuar urtësinë e popullit e mbi të gjitha ka analizuar, saktësuar e argumentuar me mjeshtri domethënien e aksiomave gjuhësore dhe alegorinë e gjuhës në Dibër.
Vetëm një intelektual i talentuar mund ta bëjë këtë studim voluminoz, me kompetencë e mjeshtri.

Duke punuar në Brezhdan, Kala të Dodës, Luzni e gjetkë, me pasionin e gjeologut që gjen mineralet e çmuara, ai ka vjelë nga urtësia e pleqve urtësitë (aksiomat), alegoritë e mbi të gjitha ka dhënë shpjegime të sakta e të plota.
Për gati 50 vite Arifi punoi e drejtoi në sektorin e agronomisë. Ashtu siç u shërbeu tokës e bimëve, po ashtu shkroi në gazeta e revista, gjurmoi heshtazi “mineralin e çmuar” të mendjes e të shpirtit të popullit.
Alegoria, e themi qartazi, ka rrënjët në Nandë Malet e Dibrës, e në veçanti në zonën e Luznisë që është vendlindja e Arifit. Libri i tij është sintezë e punës fisnike për Luzninë e Dibrën, punë që ndihmon e dritëson udhën e studiuesve, të nxënësve e studentëve, mësuesve e çdo intelektuali që don të njohë e mësojë nga mençuria popullore.
Pas dedikimit autori citon ku duhet Konicën: “Të mbetur pa unitet fetar e vetmja lidhje, që ka mbajtur të bashkuar shqiptarët ka qenë gjuha”. (fq.7).
Qysh në hyrje, autori Mata jep mesazhe urtësie, shpërfaq mendime për vlerat e aksiomave, për vlerat e fjalës e të mençurisë. Shkrimet e këtij libri janë trajtesa të argumentuara e që na bëjnë të njohim dukuritë e reja për gjuhën, urtësinë, traditat, kohën e mjeshtrinë e të urtëve popullorë.
Në shkrime si “Mali e Nëntë Malet”, “Ku përdoret alegoria”, “Rreth gjuhës e pak më tej”, “Rilindja e gjuhës në themel të të Rilindjes së kombit”, “Gjuha shqipe sa e gjallë sa e pasur”, “Urtësia njerëzore si praktikë gjuhësore jetësore”, “Disa veçanti të gjuhës së folur të Luznisë”, “Për mendimin si burim përparimi” etj, autori gdhend plot tradita e fakte, e dritëson urtësinë e brezave, jep në plotësi udhën e vështirë e të bukur të shqipes.
Krahas konkretizimit me aksioma studiuesi Mata qartëson, saktëson e analizon vlerat e urtësive: “Kur s’ke kraje (kokë) ke kamë (këmbë)”….; “Ai stan at bulmet ka…”; “Delen që ndahet nga tufa e han uku (ujku)”; “Ep ni pare hi në valle, ep njimijë e sun dalish..”.
E veçanta e studimit është se urtësitë zbërthehen, jepen situata, analizohen e argumentohen duke i lidhur me kohën, me jetën, me vlerat e meritat njerëzore.
Ashtu sikurse bimët që ka bleruar në tokë, Arif Izet Mata bleron edhe mendimet e logjikën që përmbajnë enigmat e aksiomave gjuhësore dhe gjuha e alegorisë në Dibër.
Ky libër me 329 faqe e 13 kapituj përbën një risi në llojin e vet, na mëson shumë, hap plot dritare nga ku vërehet urtësia e njerëzve, tradita e mbi të gjitha mendimi alegorik.
Autori midis të tjerave na ka dhënë e zbërthyer plot aksioma për bujqësinë, për treginë e borxhin, për motin, për trimërinë, për rastësinë, për drejtësinë, për besimin, aksioma këto aktuale për politikën.

Në libër pasqyrohen thjeshtë, saktë e bukur, ata që kanë gjurmuar e botuar për alegorinë si profesorët e fjalës; të urtët popullorë në çdo fshat e trevë të Dibrës.
Janë domethënës fjalorthi “Turqisht-shqip” si dhe proza proza poetike mjeshtërore gjashtë strofëshe e krijuar nga autori Mata:
“E dua gjuhën shqipe,
E dua, fort e dua,
Thellë prej shpirtit
E dua në thua…” (strofa e plotë, faqe 324)
Në këtë libër lexuesi gjen një pasuri të rrallë, të çmuar të urtësive, foto të disa kullave e të të urtëve popullorë. Argumentat e analizat, të shoqëruara në konkretizime për dukuritë jetësore e për kohën, përbëjnë një vlerë të shtuar të këtij libri të çmuar.
Urime Arif Mata i Luznisë së Dibrës, i shqiptarisë, ku ndonëse emigrant në Amerikë për gati 30 vite, rikujtove e nuk harrove baltën e dheut të Dibrës, “mineralet” e çmuara të alegorisë.
“Aksiomat gjuhësore dhe alegoria e gjuhës në Dibër” është libër i shkruar me pasion e zotësi, libër epope për mençurinë e brezave.








Comments