Hasan M. Shahinaj: Optika vizionare e autorit Meçan Hoxha për shqiptarinë

Mua, që m'u dha rasti fatlum, kohë më parë, për të reflektuar në median botuese për figurën komplekse të nacionalistit të spikatur Riza Kishta, të trevës atdhetare të Gramshit (për monografinë dinjitoze të historianit të mirënjohur Meçan Hoxha); tani më përdytësohet shansi për të analizuar librin e ri "Shqiptaria, shprehur në krijimtarinë e autorëve bashkëkohorë durrsakë", të po këtij autori në fjalë M.H.; tejet prodhimtar e durimgjatë si rrallëkush. Qysh në krye të herës pohoj dëshirëplot se, ky botim i ri ka përmasat e një minienciklopedie konçize të mirëfilltë; përmes së cilës rinjohim origjinalisht një pjesë thelbësore, por dimensionale historiografike të Dyrrakiumit të djeshëm e të Durrësit të sotëm metropolitan rreth trashëgimisë së pasur, të vyer antiko-kulturore, arkeologjike, qëndrestare, navigatore, arkitekturore dhe vizionare; po edhe pikturore, shkencore e muzeore, arsimore, publicistiko-letrare, muzikore, sportive e relegjioze gjithëpërfshirëse, qysh prej zanafillës prehistorike etj. Shumëçka është pasqyruar me objektivitet e paanëshmëri të skajshme nga shkrimtari historian M. Hoxha. Në formën sa më lakonike, po rreshtoj disa nga risitë e prurjeve cilësore të këtij libri aktual, të domosdoshëm, por të munguar deri më tani për tematikën përveçëse që trajton:
Së pari, kryemotivin e Shqiptarisë në kuptimin e thelluar të fjalës, autori ynë na e ka dhënë shkoqur, mesazhuese e detajshëm qysh nga prehistoria etnogjenetike e Dyrrakiumit antik me atë Universitetin e parë famoz e të lakmuar për kohën ilirike nga të tjerët dhe deri tek lirikat e sotme të bukura peisazhisto-erotike të Agim Bajramit dhe poezia e mprehtë disavëllimshe sociale, metaforiko-elitare e kuptimplote e të talentuarit Vaso Papaj. Mirëpo, autori M. Hoxha, duke e ditur se historia është mësuesja e jetës; faqet e para të analizë-sintezës së tij skrupuloze, ia kushton me shumë të drejtë shkrimtarit të talentuar disaplanësh Shpendi Topollajt për librin letraro-studimor të parapëlqyer e të vlerësuar "Çezari e Pompeu në Durrës" ku, përpos tjerash, mësojmë shumëçka nga lavdia e qëndrestarisë dhe qytetërimi ilirik në mijëvjeçarët e asaj kohe zhurmëmadhe. Në këtë hulli të lëvruar bukurmirë krijimtarie e persiatjesh, autori M.H., posaçërisht shkruan e nxjerr deduksione reale, prekëse, tragjike, përveçse nga optika e hollë këndvështruese, kur përshkruan epopenë qëndrestare të 7 prillit të zi të 1939-ës. Kjo epope është simbolizuar qartazi përmes heroizmit kulmor (shembull referues ky në shkallë rajonale e evropiane) të Mujo Ulqinakut "Hero i Popullit", të Hanit Dollanit, gramshakut të paepur; rënë i pari në llogore pranë Mujos; të Haxhi Tabakut, Isak Metalisë etj. Ai heroizëm i pashoq ka qenë antonimiku më kundërvënës ndaj tradhtisë së pështirë zogolliane e të klasës puthadore profashiste, që përfaqësonte klika e tij antikombëtare. Pas një prologu hyrës të librit të vetë autorit Meçan, skalitur si me daltën e një skulptori famoz të epërm, rreth optikës së zgjeruar ku synohet të arrihet; libri prej 330 fq, na motivon bindshëm domethënien e dukurisë së fenomenit të Shqiptarisë, si bazamenti themeltar mbi të cilin ngrihet godina e identitetit të çdo banori Shqiptar të djesshëm e të sotëm. Dhe pikë. Pikërisht, ky Shqiptarizëm i thekur ka qenë, është e do jetë skaneri i vetëm, i pagabueshëm, referencial e rrëfimtar se sa realë e të vërtetë jemi ne, në spiralen dialektike jetësore gjatë përveçmërisë sonë shqiptare; madje edhe paralelisht krahasuar me të besueshmen qelizore prognozë të ADN-së! Dhe kryesorja: autori tejet i aftë M. Hoxha, si një largpamës e me përvojë të pasur shkrimtarie, e ka ideuar e zbërthyer Shqiptarinë kurrsesi si slogan; por gjithnjë si institucion bazik identitar bio-shqiptar. Lëndën e pasur të këtij libri tjetërlloj e merr të përzgjedhur nga Durrësi antik (më pas nga bashkëkohësia, siç do ta shohim në pikat e tjera); për të cilin kanë reflektuar qysh në zanafillën mijëvjeçare figurat e mëdha greko-romake si Straboni, Aristoteli, Ciceroni, Jul Çezari e plejada e tyre. Për të 26 kapitujt e librit, autori me kompetencë profesionale, bën zbërthime në mënyrën sa më skanore e thënë metaforikisht të vetë rezonancës indore e botëkuptimore të krijuesve bashkëkohorë durrsakë; të prurjeve botuese të tyre pikëzuar konkretisht ku kanë bërë e bëjnë emër të merituar. Kryesorja, jepen si në ekran veçantitë specifike e cilësore të veprimtarive me në fokus Shqiptarinë; të shprehur e dokumentuar në kohë e hapësirë. Fillimisht, autori ynë M.H. ka si busull orientuese idetë e platformat konkrete të treshes së kryeveprave shqiptare me në zë Gj. Fishtë, F. Konicë e F. Noli, me plejadën e tyre pasuese të Mitrush Kutelit, Ali Asllanit, Petro Markos, Skënder Luarasit etj., rreth boshtit Shqiptari e Shqiptarizëm të thekur; ku autori ynë përpjekës maksimalisht, i çon më tej konkluzionet e mundshme me vërtetësi e shembuj të shumtë analitiko-sintetikë, të shoshitur imët sipas rrethanave e konteksteve të botuara. P. sh., autori M. Hoxha, e përsëris, ka fluger orientues optikal atë që ka thënë Fishta me kohë: "Kush dreqin ka shti pushkë mbi na/, që s'bahena dy vetë në një za!..." Apel gjithëkohor e pa koment ky...

Së dyti, vetëm një shkrimtar, i aftë dhe i sprovuar në vijimësi sikurse M. Hoxha, mundi të realizojë një libër duke zbërthyer qartë, praktikisht thelbin e Shqiptarizmit nën shembullin e vetëm e më të spikatur të asaj Rilindjes sonë kombëtare shkrimore; e cila kryemotiv në çdo platformë e madje paragraf e ka pasur tempullin hyjnor të penës së bijve të denjë të saj, guximtarë të pagabueshëm e njëherësh shembull frymëzimi imitativ për ne përjetësisht. Është rasti volitiz kulmor, t'i referohemi me përulësi kryeatdhetarit Pashko Vasa për ate sentencën-devizë gjithëkohore të tij: "Feja e shqyptarit asht Shqyptaria!". Dhe, ashtu siç tipizon telegrafisht portretizimin shkrimor të të 26 personaliteteve të librit, si më lart cituar; autori ynë M.H., edhe unë (si një idhtar besnik i stilit model proliks noliano-kutelian), do përpiqem mendërisht e shpirtërisht të them zëplot diçka të përafërt me ato të autorit. Bie fjala, mençuria tipike kulturoloqjike qytetare dhe njëherazi atdhetaro-guximtare (kundër regjimit demoniako-hakmarrës të ish-diktaturës së proletariatit në Shqipëri), e trimëroi me marifet zgjuarsie personalitetin kompleks të bibliotekarit Vangjel Toçi, që të shpëtonte nga vandalizmi barbar e absurd, memorialin emblematik të mbretëreshës Teutë mbi taracën e Bankës tregtare të Durrësit. Po ashtu, u tregua guximtar, edhe gazetari tradicional i përvojës, Bujar Qesja, i cili e publikoi aktin simboliko-praktik të bashkëkohësisë sonë të Vangjel Toçit. Shembujt referues janë njëri më interesant se tjetri për të 26 personalitetet letraro-artistikë e publicistiko-historikë durrsakë, të librit në fjalë "Shqiptaria...". P.sh. piktorja sfidante, por tejet modeste Emijana Nako, karakterizohet si një galeri më vete pikturore e larmishme, sa tërheqëse aq edhe e pasur, me spektër ylberian, me ekspozitat e së cilës ka rezonuar si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj, duke korrur suksese në çdo event. Kësisoj, bën emër denjësisht në mënyrën origjinale e përveçëse, studiuesja skrupuloze Alma Dema me refleksionet e saja shkencoro-motivuese për gjininë e përrallës, gjë që (sipas meje H.SH.) është në vazhdën e librave të paktë të botuar, por të lakmuar për nga tematika e brendia, realizuar në kohë, paraprakisht nga profesori akademik Bedri Dedja, shkrimtari për fëmijë Odise Grillo, psikopedagogu e shkrimtari Astrit Bishqemi, prof. dr. e studiuesi Ramazan Çadri etj. Po kështu, autori M. Hoxha nxjerr në pah esencën e krijimtarisë poetike të Vaso Papajt, me atë me opusin e poezive të tija, tejet të goditura meditativo-filozofike, metaforiko-algorike, ironiko-satirike, erotiko-epistolare, dinjitoze, të thekura për atdhetari e Shqiptari si rrallëkush për tematikën e tij të mprehtë përzgjedhëse, bashkëkohore; të mirëpritura paq nga lexues të kualifikuar e të vëmendshëm. Kësisoj, zbërthehet hollësisht e detajshëm lirizmi i spikatur i poetit Agim Bajrami; ashtu siç ka shkruar e epitetuar poetja ushtarake elbasanase Ilrirjana Sulkuqi: "Agim Bajramin, kurdo që ta shtrydhësh, ai nxjerr lirika!". Në vijimësi në këtë formë analitiko-sintetike, vepron optika vëzhguese e autorit tonë M.H., për poetët e tjerë të Shtëpisë së shkrimtarëve e të artistëve durrsakë Kadri Tarelli, Vladimir Muça, Skënder Mifaqi etj.
Së treti, thelbi ende më kurioz e tërheqës i librit tjetërlloj "Shqiptaria..." i autorit M. Hoxha është larmia përveçëse tipizuese e 26 personazheve-personalitete të përzgjedhur e të zbërthyer me finesë mjeshtërore në libër, pikënisur qysh nga trojet tona të etnogjenezës iliriko-dardane, ulqinake e epirote deri tek arvanitët tanë si vëllezër etnologjikë të Epirit, Peloponezit, Prevezës etj. Nga lavdia shekullore e Dyrrakiumit tonë emblematik, e deri tek lirizmi gjenetik lasgushian; gjeneruar nëpër trojet iliriko-likmide e labeate të enkelejve famozë të udhëhequr nga mbreti Bardhyl. P. sh. vizioni i gjerë i krijimtarisë aplikative të skulptorit të talentuar Idriz Balani; të skulptorit retrospektiv e bashkëkohës Hytbi Tarelli, në paralelizëm jo vetëm me tërë kolegët e tij, por edhe me të vëllanë, të nderuarin e të aftin Kadri, publicist, poet e studiues kritik letrar. Njëtrajtshëm, portretizon duke i tipizuar krijimtaritë e begatshme, të pasura e të mirënjohura të poetëve Nikolla Spathari e Vladimir Muça; madje të dy ish-drejtues të Klubit të shkrimtarëve e artistëve të Durrësit në harkun kohor të viteve 2007-2019. Ma ka ënda personalisht, ta quaj si qershia mbi tortë (siç pohon vetë autori ynë M.H.), ate portretizimin kryetipik e të gjetur për shkrimtarin e persekutuar padrejtësisht (personalisht e familjarisht) dhe njeriun shpirtmirë e bujar, ish-lirilidhurin e Spaçit famëkeq, Hysen Haxhiajn; për të cilin unë kam reflektuar në shtypin letrar vijimisht për krijimtarinë e tij vlerashumë, atdhetaro-qytetare e pa asnjë rresht nëntekstual hakmarrës, për çka i është bërë mizorisht nga ish-regjimi monist. Dajë Hysen Haxhiaj, siç e epiteton Meçan Hoxha (në përputhje tekstuale, siç e ka thirrur mbarë qytetaria durrsake), si rrallëkush krijues ka tipizuar duke e animuar qenin besnik Tartin (të cilin ish-diktatura perverse, shpirtkatile e vari nëpër telat e gulakut tipik siberiano- shqiptar Spaç - Plaç, të viteve '70-të të shekullit XX). Apo lotët kristalorë e metaforikë të personazhit mitik e real të kalit; letrarizuar bukur Nga Daja në fjalë, me një origjinalitet shkrimor për t'ia pasur ngaherë zili.
Së katërti, thelbin palcor, eshtor e indor të librit (sipas meje H.Sh.) e përbën analiza skrupuloze e autorit tonë në profilin e tij historik, për veprën madhore "Arvanitët" të Prof. dr., ekselentit-studiues Irakli Koçollarit; gjë që është model shkrimor analitiko-sintetik. Theksoj se shkrimtari ynë M. Hoxha referoi enkas me diskursin e tij profesional edhe në analizën mes auditorit të zgjeruar e të përzgjedhur para 1 viti, në Lokalin "Romana" të pronarit - shkrimtar Zef Çupi në sektorin "Iliria" të Plazhit të Durrësit. Gjithashtu, në këtë shtrat lumor të pandalshëm të shtrirjes disaplanëshe të librit të mirëfilltë studimor "Shqiptaria...", të tërheq fort, të namurit ëmbël, por edhe të rebelojne kulmërisht vorbujt e romanit voluminoz "Rjedhë" të mësuesit tradicional shkodrano-durrsak të Letërsisë Matish Gjeluci. Skanerin e recensionimit të modeluar qëndisshëm e ka bërë me shumë aftësi, zell e pasion autori Meçan Hoxha, duke qëmtuar deri në detaje Shqiptarizmin e atdhe- dashurisë tipike, që e përshkon narativin libror Prej afro 600 faqesh dhe veprimtarisë në kohë e hapësirë të dhjetëra personazheve, të skalitur me daltën e limën e hollë mjediane; ngase romani në fjalë është thurur bukurmirë në gegërishten e butë veriperëndimore prej profesor Matish Gjelucit.
Së pesti, një qershi me specifike mbi tortën tipizuese të më të vjetrit krijues durrsak, në lëmin publicistiko-letrar, është shkrimtari safi origjinal për memoralistikë e krijimtari gjinish letrare Daut Hoxha; përmes refleksioneve të disallojshme të të cilit, përpos tjerash, kemi ditarin e tij të mbajtur vijimisht qysh nga viti 1945 e deri më sot. Dhe... dhe, me shumë marifet e kompetencë origjinale, autori ynë M.H., nxjerr në shesh dukurinë tipizuese të fenomenit "Dautizëm", duke e motivuar e zbërthyer e qëndisur me shembuj konkretë për harkun kohor të sipërcituar. "Dautizmi" është praktikuar nga një plejadë e tërë e krijuesve shqiptarë; të cilët me shumë zgjuarsi kanë ecur e sidomos krijuar në zgrip të tehut të shpatës demokleane (diktaturës moniste), Edhe pse syrvejuar, duke shpëtuar falë pehlivanllëqeve guximtaro-qytetare sipas sentencës së njohur: "Poetët, krijuesit, i prek edhe një cicërimë zogu me melankoli; edhe një gjethe verdhane që bie... por nuk i janë trembur asnjë legjioni ushtrie!..." Dukurinë e "dautizmit", autori M.H. jo vetëm e zbërthen, e skanon detajshëm, por ama e rithekson edhe si linjë dukurie krahas hutimit turllosës e neveritës të tejzgjatur, derisa i vjen erë, të asaj fobisë ala evropiançe "Sindromi i Stokholmit". Kjo referuar analizës autopsiko-kirurgjikale, që i bën autori ynë Meçan Hoxha, romanit tipik aktual të gazetarit Artur Llana "Parajsa e injorancës", për tipizimin brilant të dukurisë tejzgjatëse, keqbërëse e fatale të tranzicionit (kinse "demokratik" të shoqërisë shqiptare); e cila ra fatalisht viktimë e mashtrimit dhelparak e djallëzor të kapitalizmit pa fre e iluzor pervers, abuzitivizmit galopant e lakmitaro-grykës të ekonomisë së tregut! Në këtë rubrikë si më lart, porsi një hulli a brazdë e bukur e origjinale krijimtarie, është edhe analiza përmbledhëse, që i bën autori Meçan Hoxha, librit të përveçëm automonografik të poetit të mirënjohur durrsak Skënder Mifaqi, ku jetëshkrimi vetjak e familjar, së bashku me udhëpërshkrimet turistiko-vendore, bio- shqiptare e nëpër vendet evropiane, na rezultojnë frymëzuese me sharm e ngjyra ylberiane, vërtetë origjinale e pasurore në lëmin tematik të zhanreve ende me boshësi të letrave shqipe. Pata fatin tjetër ta lexoj pëlqyeshëm këtë libër të bukur e ilustrativ të mikut tim S. Mifaqi; madje botova enkas një refleksion studimor në prestigjiozen londineze "Fjala e lirë" të botuesit karizmatik, Prof. dr. Fatmir Terziut, disa muaj më parë.
Së gjashti, shkrim profilizues tangencial, këndvështruar përmes një lupe mjeshtërore tejet zmadhuese është, fjala vjen, për shkrimtarin Ismail Kadare; të cilin autori ynë më se koherent, me të drejtë (sipas versionit e vizionit personal të shumicës së lexuesve aq të etur kadareanë) e quan gjeni; falë talentit shumë evident, por në librin e fundit "Rrëfimet: intervistë me Alda Bardhylin", tekstualisht ajo intervistë e drejtpërdrejtë e Kadaresë, na del me përçartje ideore e mesazhuese (siç pohon totalisht autori M.H.); sipërfaqësore, me doza të theksuara të një egoizmi, autolardërimi; pse jo edhe hipokrizie mllefëse, të grumbulluar nëpër nënvetëdijen e tij botëkuptimoro-nihiliste, aspak niçejane ose filozofike përkundrazi të shpërdoruar prej kushdi se çfarë arsyesh e mosarsyesh. Dihet se Kadareja e ka motivuar dhe mbrojtur fort identitetin shqiptar properëndimor, në ato replikat e zgjatura të diskurseve pa mbarim, në oponencë me prof. akademikun Rexhep Qosja; por ama është thënë e thuhet: "T'i japim Çezarit ç'është e Çezarit!". Pra, në vend që të prisnim risi letrare e publicistike prej asaj interviste shumëvjeçare, na doli butaforike, beluliane dhe me sens të lëkundur atdhedashurie dhe,,, dhe më fort flurore kozmopolitane ndaj të huajës. Me këtë rast, unë enkas kujtoj figurën e ndritur Mitrushkuteliane të anatemuar fare padrejtësisht; madje dënuar edhe me heqje lirie, i cili është shprehur e ka shkruar hapur botërisht: "Atdhe, të bëj bé që të kam edhe mendje, shpirt edhe fé... Atdheu është Atdhe edhe kur të vret!". Sipas meje, nuk ka sentencë më domethënëse e kulmore se sa kjo! Ka nëntekst substancial fishtian... Le ta citojmë tekstualisht: "... e sa gjall' me frymë unë jam, / kurrë Shqypni, s'kam me t'harrue /; edhe n'vorr me t'përmend kam!". Nën këtë optikë, sipas meje H.SH., është përshkruar edhe profili shkrimor i jetëgjatit krijues disgjinish letrare, durrsako-shkodrani Gjergj Vlashi, për të cilin autori M. Hoxha, krahas meritave e të gjithë titujve që i janë dhënë këtij krijuesi; mund ta profilizonte edhe në formën si më lart për Kadarenë; mirëpo me largpamje faktike ka ruajtur rezervat e veta për analizat e ardhme, të pritshme, të domosdoshme prej penës së të aftit Meçan Hoxha; domethënë krahasuar e peshuar kur të vi rradha edhe për autorësi të tjera.
Së fundi, thënë hapur, pa asnjë fije lëvdate, u ndjeva plotësisht i tejmbushur dhe njëherësh krenar, që pata sërish fatin të korrektoj e sidomos analizoj me kujdes e merak këtë vepër të durimgjatit të përkushtuar Meçan Hoxha, prej së cilës mësova shumëçka rreth horizontit të gjerë e të lakmuar, gjithashtu të shkrimtarit dinjitoz në fjalë, për prurjet e veçanta të të 26 autorëve e kolegëve tanë të nderuar; të palodhur përherë, që janë personazhe-personalitete vërtetë të përzgjedhur e imitues të këtij libri elitar, të parapëlqyer masivisht. Pra, ky libër është i plotsuksesshëm i autorit M.H., me në fokus thelbësor Shqiptarinë, në kuptimin më të plotë e të thelluar të kësaj fjalë, me peshë të madhe identitare për portretizimin cilësor të shqiptar-atdhetarit të vërtetë e të patjetërsueshëm (siç na njoh historia qysh në etnogjenezë e deri më sot dhe duhet t'i jemi mirënjohës deri në përulje mësueses- histori.) Ky libër plotëson mirëfilli e denjësisht kolanën e pasur shkrimoro-botuese të autorit tonë të mirënjohur dhe shembull referues për të gjithë ne krijuesit, që synojmë drejt titullit të lartë meritor "Mjeshtër i madh i punës". Sipas meje, që aspiroj me shpirt, shkrimtari ynë Meçan Hoxha, e meriton tërësisht këtë titull nderues e vlerësues, të vomuar e të munguar deri më tash; edhe pse propozimet e duhura janë bërë me kohë nga instancat përkatëse superstrukturore. Me gjithë zemër e përgëzoj për këtë prurje të re e solide librore, me vizion të qartë minienciklopedik, porsi drita diellore; veçanërisht për ata/ato që dinë t'i çmojnë përherë siç duhet, e ku duhet vlerat e merituara, parë me lupën e optikës bashkëkohore!








Comments