top of page

Llesh NDOJ: TË GJITHË ME MASKA, VETËM DHUNA SHESHIT.

4 minutes ago
5 min read

TË GJITHË ME MASKA, VETËM DHUNA SHESHIT.

Nga Llesh NDOJ

Pas tri ditëve të para të protestës “rozë” me flamingot e famshme, kam paralajmëruar në një shkrim modest që protesta pa krye e pa program politik, me ultimatume të njëanshme, që nuk le asnjë shans për kompromis, në mënyrë të natyrshme e të pashmangshme do të sillte një fund me episode dhune. Madje ajo dhunë imponuese ishte prezente dukshëm edhe ashtu si vazhdoi për rreth 135 ditë, qoftë nga shqetësimi qytetarë që solli, nga parullat me burg e vdekje që hodhi, nga marshimet alla revolucionare rrugëve të Tiranës, mga kërcënimi dhe dëmtimi i bizneseve private dhe i njerëzve që, sipas mendësisë së një grupi që i dirigjonte protestat, duhet të mendonin detyrimisht si ata dhe t’i bashkoheshin protestës, të cilët etiketoheshin me lloj - lloj emrash, bile edhe mund të goditeshin me vezë e gurë, apo t’u vihej çelësi në derë, ditën për diell. Sipas mendësisë së një pakice organizatore dhe frymëzuese të protestës, rrugë të mesme nuk mund të kishte: O me protestuesit, ose jashtë loje e prej atij pozicioni mund të merrje çdo lloj “kompensimi” jo demokratik.

Edhe Zoti të ulet në tokë, nuk mund të m’a mbushë mendjen, jo mua, por askujt që mendjen e ka për të logjikuar, se ajo nuk ishte protestë, por ishte një maskë që i fshihte organizatorët, financuesit (patjetër ka të tillë!) qëllimet dhe përfituesit prej saj. Emri i maskës nisi si lëvizje mjedisore e evoluoi në lëvizje mirëfilli politike, kurse ngjyrosja e saj “rozë” ishte mënyra e kamufluar për të fshehur shpërthimin e dhunës. Maska e barazlargimit nga krahët politikë ishte maska e përzgjedhur për të kamufluar qëllimet thellësisht e njëanshmërisht politike të saj, por kurrë nuk u paraqitën me një program që të le të gjykosh mbi seriozitetin e tyre dhe gjithçka tjetër që i bën ato të besueshme. Edhe qëndrimi tepër indifferent i qeverisë ndaj tyre, ndonjëherë sarkazma tipike e eksponentëve të saj, shpikjet me alla pasqyra e lëvizjet më besë e prani besnike, ishin dhe mbeten maskë, e cila mbulon paaftësinë e saj me qasjet kinse demokratike, korrupsionin me financimin e protestës, e gjendjen jo të mirë ku ndodhet vendi tërësisht për fajet e tyre, me dashakeqësitë e armiqve të jashtëm e të brendshëm.

Dhe ja ku jemi sot. Një dhunë e pashembullt, e mirëorganizuar, e mirëdirigjuar, e mirëshënjestruar, zhvillohet nën maskat e studentëve, por me parulla politike që s’kanë të bëjnë me studentët, nga njerëz të maskuar e të “armatosur” me urrejtje frenetike. Do t’a mirëkuptoja deri diku, si një jo maskë, se protesta ishte e studentëve, nëse ajo do të ndalej tek Ministria e Arsimit. Do t’a justifikoja edhe dhunimin e saj, ndonëse jam katërcipërisht kundër dhunës e shkatërrimit, por nuk e di dhe as s’kam si t’a di, se ç’hynë aty instiucionet tjera, bizneset private, institucione mikrokrediti, e banka private?

Tashmë është paralajmëruar edhe një tjetër maskë, bile e kualifikuar e me plot tituj e grada shkencore, shumë prej tyre plagjiaturë: Profesorati i universiteteve. Ata kanë shpallur solidearitet me studentët e tyre, por për çfarë? Për ç’u takon studentëve si e drejtë e tyre, edhe ata janë fajtorë po aq sa vetë qeveria jonë, në mos më shumë, me veprimet e tyre korruptive, të papërgjegjshme e larg modelit të kërkuar, shfaqur në mënyrë active, pasive dhe në heshtje. Nëse solideariteti është për kërkesat politike të studentëve, pse s’i lenë edhe ata auditorët, pagat e dashnoret e të viheni në krye të protestës, si kreu politik i tyre?!

Pasi e hoqi maskën e të qënit studentore, ndoshta duke e parë se ajo stononte keq e dukshëm me realitetin, dhe veshi maskën e opozitës së tredhur politike të vendit, duke artikuluar gjithçka të saj, si të ishte e tyre, pasi e braktisi parullën “Rama n’burg, Berisha n’burg” etj, do t’a mirëkuptoja protestën tek Kryeministria dhe Kuvendi, dy institucionet në krye të piramidës politike në vend. Ndoshta do t’i justifikoja edhe pak molotovë allapedeiste ndaj tyre, por dhuna u shtri kudo në institucione shtetërore e private, mbi të gjitha mbi pronën publike. E trishtë të shihje ndriçuesit e rrugëve e shesheve, semaforët, stolat, pemët, vazot e luleve, lulishtet, koshat e mbeturinave e gjithçka tjetër që një grup protestuesish me maska i kallnin në zjarr! Kush dëmtohet nga këto? Qeveria apo ne? Po me bizneset private, ç’patën gjanëm?

Nëse protesta është e drejtë, ajo duhet të ketë edhe organizatorët e saj legjitimë, njëkohësisht përgjegjës për mbarëvajtjen e saj. Po pse me maska? Për t’u mbrojtur nga policia, thonte hapur dikush i intervistuar nga gazetari. Po nëse protesta është e ligjshme, për qëllime të ligjshme e me mjete të ligjshme, s’kanë ç’duhen maskat në këtë rast! Edhe partitë politike ishin dhe vazhdojnë të jenë të gjitha të maskuara. Asnjë deklaratë distancimi nga dhuna prej partive parlamentare apo jo, nuk ka. Bile as vetë partia socialiste nuk artikulohet mbi situatën. Kreu i PD-s, së fundi, e hoqi pjesërisht maskën e bëri thirrje për mbështetje ndaj protestës, bile kërcënoi hapur këdo që s’e mbështet atë, qofshin biznese apo profesoratin, duke justifikuar tërësisht dhunën, por e ruajti ende maskën të shpallte hapur se ai është ideatori e frymëzuesi i saj. Me ironi të hollë, një gazetar këshillonte bankat që nëse duan t’i kenë paratë të sigurta, le t’i depozitojnë ato tek selia e PD-s!!!

Maskat vazhdojnë.

Edhe qeveria paraqitet plotësisht me maska. E kjo është edhe më e rrezikshme. - I njohim organizatorët e financuesit, - thonë qeveritarët. - Po kush janë ata? - Jemi kundër dëmtimit e shkatërrimit të pronës!, - deklarojnë. - Po kush e ka detyrë t’a mbrojë pronën, qetësinë, rendin e jetën tonë? Protesta është hapur kundër tyre e ministrat, kryeministri, kryeparlamentari e presidenti bëjnë deklarata, a thua s’ka ndodhur asgjë. Nëse jeni legjitimë e të aftë, hiqjani maskën protestës. Ndryshe…

Hiqi maskat vetes, Edi Rama! Edhe nëse je më i miri i botës, kuptoje se urrejtja drejtohet ndaj teje, bashkëpunëtorëve tuaj të afërt, familjes së unifikuar politike – pushtetare – mafioze - financiare, drejtohet kundër terri në të cilin i kryeni punët, sepse nuk jeni transparentë, drejtohet kundër dhunës verbale që përcillni kudo, sepse jeni fort arrogantë. Shumë prej nesh që ju votuam juve, nuk protestojmë atje për shkak të dhunës, por dukshëm nuk të mbështesim më tej me votë. Dhe këtu shtohet natyrshëm dyshimi edhe për një tjetër maskë: A mos ju intereson edhe Ju, që shteti të dorëzohet “pa inventar”, pa kushte, sipas teorisë së “tokës së djegur”, për të pamundësuar evidentimin e korrupsionit galopant që gëlon kudo ndër pushtetarët e çdo niveli? Fiks siç bëri Berisha i parë, i dytë e i përjetshëm, po dyshoj se po veproni edhe Ju! Hiqe këtë hije dyshimi si maskë gjigande, që bie mbi Ty e bashkëpunëtorët e afërt, zotni Kryeministër! Jepe dorëheqjen pa komplekse, e hapu udhë zhvillimeve politike demokratike, duke dekurajuar dhunën e shkatërrimin e vendit, ose mbroje shtetin, pronën, rendin e jetën tonë, në kuadër të detyrave që t’i ngarkon Kushtetuta e vendit. Mjaft… është mjaft!

Ballot me maska s’mund të jenë lojë e përhershme. Për më tepër ato nuk janë fare argëtuese. Sali Berisha, nëse të ka mbetur në damarë qoftë edhe një pikë gjak shqiptari, edhe ti hiqi më në fund maskat! Asnjë frikë mos ki nga askush, se të gjithë i ke tredhur e s’janë më të zotët, as si politikanë, as s’i shtetarë, as si drejtësi, të të venë ty me shpatulla për muri, pasi ua ke injektuar të keqen secilit “nga poshtë”. Ose dili për zot revoltës e vihu në krye të saj (pa maska, se aty je!), ose distancohu nga dhuna, bëj thirrje për qetësi, mblidh kockat e shko në shtëpi, duke hapur rrugë zhvillimeve të paqta e demokratike në vend. Maska jote, po e djeg Shqipërinë për të katërtën herë dhe as varri s’ka me të pranue brenda!

Maskat vazhdojnë të djegin Shqipërinë e të ardhmen e saj, e askush nuk kujdeset të çjerr maskën e zjarrvënësve, por secili nxiton të veshë edhe ai një maskë, e të marrë pjesë në spektaklin e madh të shkatërrimit. E bën këtë edhe Europa ku duam të jemi pjesëtarë i familjes së madhe, por ky është zanati i saj i vjetër dhe i ri, dhe s’kemi pse t’a shajmë.


                                                                                                           Lezhë, me 15. 10. 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page