Zgjim


Astrit Lulushi

Të zgjohesh është mirë, por të zgjohesh në kohë të papërshtashme është gabim, si njeriu që e gjen veten në anën e gabuar të shtratit. Këtë kishte parasysh Faik Konica kur thoshte se shpalja e pavarësisë më 1912 ishte gabim, pasi populli nuk ishte gati, shpejtēsia e ngjarjeve nuk ishte në një hap me ‘të.

Një zgjim i shëndetshëm, premton një ditë të mirë. Provo zgjohu gjumë-prishur a i trembur, dhe gjithë dita do të shkojë si mos më keq. Në këtë pikë zënë fill edhe problemet tona. Kur pavarësia u shpall nga një grup elitarësh perandorakë osmanë, populli ishte asgjë; i vuajtur, i shtypur për 500 vjet, shqiptarë kishin harruar origjinën. Ata mendonin se ishin turq në çdo qelizë. Dhe bënin pyetjen - nga duhet ta shpallim pavarësinë, nga vetja? Kjo ndoshta ishte arsyeja që pavarësia u prit përgjumësh e pa emocione (lëre se ç’thonë filmat a historiografia e kohës me shtypje), si për të treguar se pavarësia a çdo ndryshim varet vetëm nga kreu, siç pretendohej në fundin e sundimit PPSH; kjo bëri që më pas të lindnin edhe lëvizjet me thirrjet “Dum Babën!” - për kthimin e osmanëve - njësoj si sot me disa që thonë, se ishte më mirë koha në diktaturë.

Deri në Kongresin e Lushnjes (1920), Shqipëria ishte thjesht nocion. Vitet që pasuan ngjizën ndjenjën se shqiptarët kishin mbetur vërtet vetëm, “të pavarur”, dhe si rrjedhojë u duhej të ekzistonin për të mos rënë në duart e fqinjëve. Dalja e Ahmet Zogut si figurë qëndrore shkaktoi reagime nga shumë figura intelektuale, jo se Zogu nuk ishte i tillë, por ishte ambicja e tyre për rivalitet e pushtet. Që nga ajo kohë, rivaliteti u bë modalitet, që e detyroi Zogun të mblidhte parlamentin dhe me vota të shpallej Mbret më 1928-n.

Pas kësaj konjukturat ndryshuan; komunizmi hyri në lojë në Ballkan; fillimisht si ide e re në Shqipëri, ku gjeti përkrahje e strehë mes të rinjve, kryesisht bijë pasanikësh, tregtarësh e pronarë tokash, apo studentë të dështuar që shteti i kishte mbajtur me bursa a shpenzime jashtë; njësoj si Marksi që jetonte me ndihmat e Engelsit, i cili luftonte kundër pronës private, por i gëzohej pronës së vet, ose si Lenini që e kishte filluar karierën e tij në Rusi, si bir i një familje të begatë ekonomikisht. Kështu, mos u çudit që komunizmi mbijeton; është thjesht hipokrizi e tërë, sepse ADN-ja e tij nuk është proletarianizmi, të cilën e përdor vetëm për mashtrim e propagandë për të tërhequr pas njerëz të verbër a të fikur.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit