Natasha Xhelili: “MIRIAPODË” E TISTË MBUSH DRITARET… E FATMIR TERZIUT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 8 min read

Nga Natasha Xhelili
Një tingull i dalë nga një shpirt i lirë po endet në kufijtë e kohës. Poe endet, për të njohur dëshirën, peisazhin, dallgëzimin, fjalën që do ta bashkojë me tinguj të tjerë për të dhënë një mesazh zemre, një mirënjohje të sinqertë, një vlerësim të merituar, një ndjenjë të pashprehur, një peng të harruar… Nis kështu sfida e hapur me itinerarin e pashmangshëm të poezisë. Koloritet koloriteti që fiton gjatë shtegëtimit të saj frymëzimin e fituar nga mjedisi ku gjallon, ecën, ku ka shkelur e njohur në të kaluarën, konkuron me një forcë të brendshme që i kalon kufijtë tokësorë dhe merr përmasa universale.
Një poezi e mbushur me ritmin e fshehur të gjenezës, që vetëm një sy i mprehtë mund ta perceptojë, e sjell në formë perfekte. Ashtu si e sjell poeti Fatmir Terziu në vëllimin me poezi “Miriapodë”, parakalon e sigurt duke lënë gjurmët e veta pa frikën e mëdyshjes apo apokaliptikën e qënësisë.
Ky libër vjen pas botimeve të suksesshme të autorit si në shqip dhe në gjuhën angleze të disa vëllimeve me poezi si “Mos hesht”, “Ecje në qelq”, “Eagles voices”, “Borxh ajrit”, të pasuar nga “Lotët e virgjër”, “Lumenjtë e ëndrrave”, “Simetri dashurie”, të vendosura këto në shumësinë e veprave të autorit në lloje të ndryshme si tregime, romane, ese po edhe studime akademike në shqip dhe anglisht gjithashtu.
Konstelacioni poetik i Terziut
Trojet e poezisë enden që nga vendtakime të brishta me nota lirike intime si puthja, peisazhe të ndryshme, portrete njerëzish të dashur apo objekte të adhuruara,duke kaluar në nota më të forta epike si interpretime të historisë, legjendave, miteve, me dije elokuencë e këndvështrim gjithpërfshirës.

Fusha e njohjes së autorit është mjaft e larmishme dhe kjo kuptohet nga shpjegimet e shumta që i është dashur të japë për të na përfshirë në këtë botë, që të jemi sa më pranë vargut të tij. Konstelacioni poetik i Terziut ka pamjen e vet origjinale që do të dallohet gjithherë në fushën e letrave shqipe. Ai ka një zë që jehon shtigjeve të atdheut, për të na njohur me gjeografinë e tij,intesitetin e ekzistencës së madhështisë në të,konglomeratin e pazakontë të relievit që fillon që nga thellësitë e Jonit deri në majat e maleve si ato të Dibrës, Shpiragut etj. Autori e njeh mirë atdheun e vet. Ai perception çdo ind të tij, me fuqinë e fjalës e sjell mes nesh, e deklamon, e mitizon, e nderon, i përkulet me dashamirësi, pa fshehur krenarinë për prejardhjen e vet.
Ai i jep zë dhe emër çdo vendi që e viziton, çdo personazhi që ka lënë mbresa të pashlyeshme në formimin dhe kulturimin e tij. Brishtësinë dhe naivitetin e “Cigarishtes së gjyshit” apo “Këpucët e gjyshes”, lulen e rinisë te “Karakaftja” ku spikat vargu: “nën ullinj paqen vajzat ende mbledhin”,dhimbjen te “Ndeshtrasha e fjalës” me : Nesër në mëngjes do të alarmoj retë...”, vlerësimin e pakufij për figura si Flora Brovina “ ‘Bimë e zë’ është vetë stina,/
që na zgjoi Flora Brovina...”
apo vargjet për Teodor Kekon:
“Ah, po ç’borëz e bardhë shkrihet. Shpirti
i poetit rrëshket mbi astarin e radhë,
ku jeta nënshkruan mitet
fjala, verdikt plot mall,
brenda një mali të gjallë rritet,
në fletë librash një peisazh”
shenjat tradicionale të ngritura në kulte si vallja:
“Katër gërma m’i ‘mbolle’ plot lavdi...
çave porta, bedena dhe hyre brenda
zemra më dridhej nën mushkëri,,, etj,.
I arratisur nga kufijtë e një qyteti, një lugine, një shteti, duke mbajtur me vete vetëm një gjethe dhe një pafundësi kujtimesh që krijojnë buqeta gëzimesh në çdo moment të ditës, poeti endet në hapësirën Elbasan-Londër duke i dashuruar këto qytete me të njëjtën forcë, duke adhuruar me fjalë përkëdhelëse praninë e tyre në jetën e vet,duke derdhur brengat e veta në Shkumbin po aq sa dhe në Tamiz, duke gërmuar në historitë e tyre për t’i njohur sa më mirë dhe për të lexuar hireoglifet në thellësitë ende të pazbuluara. Ai nuk e fsheh dashurinë për to, këndvështrimin original për ekzistencën e tyre si udhërrëfyes në jetën e vet, duke na bërë të njohur botën e tij të mbushur e realizuar në këto korniza.
Emblemat e veprave të mëdha
Çdo poezi është një memo që autori e ruan në ecjen përgjatë labirinteve të imagjinatës, kujtesës, ndjenjave,pështjellimeve të pikëpyetjeve të lindura , çmitizimi apo rimitizimi me sytë e autorit,
Rrjedha e etimologjisë së ideve zhvillohetme hapin e vrulltë të figurave që konceptohen si valë gurgulluese nën hijen e mendimit që përsijatet rrugëtimit të jetës. Poezitë përshkohen nga një ritëm i brishtë që duket si një muzikë në sfond,nga përshkrime ndjenjash të zbukuruara me gjetje poetike të arrira. Fëmijëria, rinia,përvoja detajizohen me një fjalor të pasur dhe çdo fjalë e gjetur jashtë përditshmërisë sonë merr nuanca kuptimplota, zgjeron fushën tonë të dijes e perceptimit, kontrollon si një aparat rrahjet e zemrës gjatë leximit të poezive.
Emblemat e veprave të mëdha burojnë nga shpalosje shpirti të dlirë që kryqëzohet me një kod poetik gjithëpërfshirës, me një mençuri në të shkruar dhe me një skenë padyshim origjinale që nuk pranon të burgoset në rryma të caktuara letrare, por ngre krye duke treguar anën e vet romantike, klasiciste, realiste, iluministe dhe pse jo dhe moderne. Dritëhijet e tyre ndjekin yjësitë e gjetjeve artistike që përparojnë me vargun e lirë, por edhe me vargun e matur e rimën e llojeve të ndryshme. Anija e F. Terziut shtegëton pafund në kërkim të një toke të premtuar, me velat e bardha drejt oqeanit poetik.
Tema e vendlindjes rikthehet vazhdimisht në letërsinë shqipe, me nuanca e përjetime të reja e mbushur me detaje aromatike, me veçori karakteristike që i bën këto poezi të mbushin me mall e nostalgji, të rikthejnë në botën e kujtimeve të fëmijërisë, po edhe me mesazhe inspiruese për të ardhmen. Poeti, kur ndihet i realizuar në jetë, nuk harron të bëjë bilancet e rrugëtimit të tij dhe atëherë e kupton sesa ndikim ka patur në jetën e tij kjo “Ninullë e Elbasanit” “Kënga është stil tek ti. Oksigjen/që të mbush poret e trupit” ai ndihet i përkundur ende në atë ninullë që e shoqëron kudo, që i ka rrënjët të thella në lashtësi e traditë:
I ndjej dihmat e tua si zogj të prillit,
kënga një zanë e hutuar,
mbretëron violinës së Myzyrit,
pos isoja e lehtë e Krastës,
dirigjim i lodhur i mesnatës”
një ninullë e mbushur ngjyra e tinguj nga vendlindja që i sjell qetësinë poetit, për të cilën ai pohon me siguri “ jam unë dëshira e fjetur në shtratin tënd” duke u njëjtësuar me të dhe duke treguar rëndësinë e saj në jetën e tij. Autori bën një premtim që i ngjan besës së dhënë të shqiptarit: “dhe i fundit zë po të bitisë,/unë do të kthehem ninullë.”sigurisht kjo poezi dhe kjo tematikë rikthehet në këtë vëllim poetik me simotra të tjera si:”Vetëm një gjethe”, “Kumuri e kalasë së Elbasanit”,etj,.
Konsolidimi figurativ dhe vargu
Nuk mund të mungonin notat epike në këtë madhështi. Poezia “nëntë malet e Dibrës” fillon me përshkrime të denja si në eposin e kreshnikëve:
Retë krihen e rrufetë rendin macallug,
llovrak tërhiqet qielli mbi fushë,
kanë zbritur yjet, kanë dalë në rrugë,
është fryrë Drini deri në gushë,”
përshkrim ndjesor për ato maja që lartohen në kurorë të vendit dhe thurin ëndrra madhështie poetike. Konsolidimi figurativ dhe vargu japin lakonizmin e këngës së lahutës (e rimuar tashmë) një mbrëmje vonë bjeshkëve të mbuluara nga dëbora. Jehona e vargjeve shkon deri larg në natën e ngarkuar me britma idilike e me ngjyra orientale që nga emërtimet që përmenden dhe krahasimet e metaforizimet që nuk tulaten para historisë që kalon kujfijtë e një muzeumi, drithërimat e një epoke, duke fituar karakter postulativ për “mrekullitë”. Të tillë janë malet e Dibrës në sytë e dashuruar me vendin e vet të autorit Fatmir Terziu.
Autori e fillon këtë vëllim me një element folklorik që pasi kaloi sprovat e kohës u konsolidua në llojin e vet duke mbijetuar krahas modernes dhe duke ruajtur vlerat e veta origjinale. E gjithë poezia është si një mësim moral që poeti transmeton nëpërmjet veprës së tij që të ruajmë traditën, të mbështetemi te ajo në punën tonë duke gjeneruar gjithnjë risi, po në të njëjtën kohë është e ngjashme me rrugëtimin e poetit drejt një suksesi të arritur mbi të gjitha me një punë të admirueshme duke u mbështetur te talenti i vet dhe te trajtat moderne të artit.
Kështu pipza mbeti në jetë
në përralla dhe legjendë
tingulli i saj i vërtetë
me krenari bëri vend.
Një konstrukt tjetër poezie medituese, mendimi kritik dhe shpalosjeje idesh evokohet te poezia kushtuar aktores Drita Pelingu e titulluar “Dritë në majat shqipe” ku luhet me simbolikën e dritës që për autorin është e ngjashme me Dritën(Pelingun). Njohja e vlerësimi i figurës së saj alternohen me një art fin poetik përshkrues nëpër rolet e aktores, me citime të famshme që mbijetojnë në kujtesën kolektive dhe marrin karakter sublimues e domethënës
‘kulla e barit’ shtrëngon dhëmbët,
duke na përpirë pa u ndier,
autori merr mundësinë për të shfaqur kredot e veta të besimit në një art që e njeh mirë , atë të kinematografisë: “arti, /një magji e përjetshme,/para ikjes së zërit të një nate,” përcaktimi i caqeve të njohjes vlerative që inspiron këtë lloj poezie përkushtuese ndaj figurave në zë që thërrasin vetëdijen tonë, flasin për idhuj që duhen riparë e rivlerësuar, “Ti tashmë je shkëlqimi me frymën tokësore”. Obskurantizmit i çirret maska, mbijetojnë kangjelat e mbrame të heronjve të ditës që duhet t’i gdhendim si idhuj që duhen ndjekur.
E fshehtë, afrodiziake, me tinguj kumbues që prej thellësive të mbushura me polifoni e iso, përshkruhet “Arratisja nga Joni” një bregdet ndjellës, i dashur e i mbushur me peisazhe mahnitës që pushtohen në çdo skaj nga pafundësi kaltërsie e mirësie, por edhe aventure e paradigme “e shkulur nga zemra e Jonit”.
Me këtë guaskë nomade
jam në rrymë,
një trung i rahur nga dallgë
ndizem pa marrë frymë,
në ajër më mbysin flakët,
pas arratisjes së zakonshme,
prej flladit të Sarandës.
“Mall i ngurosur”, reklamë komerciale për këto brigje të arta, ndijim cilësor prej poeti, angushti verore që e ndjek prenë e vet në mjegullnajën e Londrës, gjendje apokaliptike në kufij të ekzistencës është kjo arratisje e shkujdesur, por e padëshiruar nga brigjet e Jonit. Kjo rrymë do ta mbajë gjatë në endjen e dallgëve duke e ngrënë pak nga pak fantazinë e egon e poetit,kjo guaskë nomade do të ruaj jehonën “flladit të Sarandës”. Poezia e peisazhit e ndjen fuqinë e shtuar prej kësaj poezie dhe shumë të tjerave me këtë tematikë në libër si: “Miriapodë”, “Vjeshtë Londre”, “Retë mashtruese”, “Paqloti” etj
...Grafika të murrme me korda,
Pushtuan xhamin tim,
Litarët u shtriqën te porta
Ishte tjeshtë një vegim...
Apo:
...Miriapodë e tistë mbush dritaret,
mjegulla miskojë mbi fletët e manjolës...
Filozofia dhe formimi i kompozitave të shumta
Poeti e ngre filozofinë e vet krijuese mbi sende e personazhe konkrete dhe jo mbi përsiatje të përshkrimeve të brendshme mbi natyrën sendore duke u bërë i vetdijshëm për artin e vet dhe dimensionin që do t’i jap atij. Kapërcimi i kufijve të intimes dhe perceptimi i realjes vendos një bazament të ri e elitar që përsos thjeshtësinë e njohjen e thellë të botës që e rrethon.
Autori përdor me sukses si vargun e lirë dhe vargun e rimuar si dhe një fjalor të pasur për një lexues ekzigjent e cilësor. Ajo që bie më shumë në sy është formimi i kompozitave të shumta si lotëvallja, lakadredhat e gjetherrënieve, kohëkëpucë mbathëvrarë, ujësy, varghabitat, kokëstrukur, vapëmendjes e shumë e shumë të tjera, pa harruar këtu dhe fjalët e reja të formuara me ndajshtesat e shqipes të cilat me siguri do të jenë burim i ri i formimit e shtimit të fjalëve të gjuhës sonë, një detyrë kjo e poetëve të ndërgjegjshëm për misionin e tyre.
Natasha Xhelili
Delvinë 03.05.2014