Fatmir Terziu: “Simetri e Thyer” i projektuar në imazhe fragmentare, në mënyrë që aludimi i qëndrueshëm ndaj poetikës të mbetet
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 6 min read

„Dhe kur të më pyesin: Ç’është atdheu?
Do t’u them:
është plaga që s’mbyllet,
kënga që s’harrohet,
loti që bëhet flamur.“ (Mexhid Mehmeti: Tokë e Përgjakur?)
Vetëm një pyetje përmblidhet në një pikë. Në leximin tim të parë, e quajta mjafton kaq. Mjafton vetëm një poezi të përmblidhet një vëllim poetik, ndoshta dhe një vlerë e re poetike. Dhe mendoj ende kështu, mendoj edhe tani. Vargëzim i thjeshtë, i sinqertë, i strukturuar drejtëpërdrejt, i vogël, i shkruar me delikatesë, me fjalë të ndjeshme dhe një ndjenjë të brendshme poezie. Vëllimi poetik “Simetri e Thyer” që botohet me rastin e shtatëdhjetë e shtatë vjetorit të lindjes së autorit, Mexhid Mehmeti, plotëson poetikën e autorit në vite, por nuk e pikëzon atë me fundin e saj, pasi ai mbart që në titull një mesazh të qartë, tek i cili rafinohet vetë kuptimi, vetë fjala, vetë qëllimi.
Mexhid Mehmeti, në fakt me kërtë risi, i rafinon fjalët dhe heshtjet deri në brishtësi. Ai arrin stilin përmes privimit. Një refuzim i të tepërtës, pastaj i të pranuarës përgjithësisht, pastaj (deri në një farë mase) i të kuptuarës përgjithësisht, i gjithçkaje pa të cilën mund të bëjë. Derisa të mbeten dridhjet për të cilat nuk mund të dyshosh, pjesët e besimit, pikat thelbësore të vetes: një reduktim në më të paktat për të cilat mund të jesh i sigurt. Kështu po e lexoja, “Simetri e Thyer” duke strehuar fragmentet e tij në solipsizëm ankthplotë: „Një grusht dhé, një grusht ajër,/këmbëzhveshur mbi plagë toke./Qiell i thyer mbi kokën time/m’i numëron hapat/si ora që rreh me damarë gjaku“ (Mexhid Mehmeti: Qiellthyerje).
Poezitë, frazat dhe imazhet e librit janë fragmentare (dhe jo me pretendimin e të heshturës), ku nënkuptohet ashtu sikurse shkruan ai që në hyrje „poezia e këtij vëllimi fton lexuesit jo vetëm ta ndjejnë, por edhe ta deskriptojnë“, pra kjo poezi hyn me tekstet e tij të çuditshme, tek tekste poetike, që nuk mund të jenë „të njëjta“, por të sakta, dhe me më shumë fjalë dhe lidhje më të qarta. Nënkuptoj me këtë lexim, që nga leximi i parë i tij në Sarandën e „Triremës Poetike“ të poetit Agim Mato „Mjeshtër i Madh“, që nga leximi në prani të poetit të pavdekshëm Ali Podrimja dhe poetëve të tjerë sarandiotë, Timo Mërkuri dhe Bardhyl Maliqi, Irena Gjoni, Kostandin Vogli, Dashamir Malo, Vangjel Zafirati, Hekuran Halili etj., se rruga drejt tij ka kaluar përmes një pune të pamëshirshme privimi, se shkathtësia e poezive të tij ka lindur gjatë një periudhe të gjatë: disa libra të mëparshëm, fjalime dhe heshtje të panumërta, shfaqje dhe fshehje, për të arritur në atë ndjesi që, duke lexuar, arrijmë në fund të poetikës, ku ajo bëhet ekzistencë. Dhe nga ku fillon të flasë vetëm: „ajri është plot me gjëra që s’shihen/hije/tinguj të harruar/emra që s’thirren më/fjalë të pathëna/këngë të humbura në pllakat e qytetit/i dëgjoj/por nuk flas/nuk guxoj t’i thyej/me zërin tim të vogël“ (Mexhid Mehmeti: Mos fol, dëgjo...)
Edhe „ajri“, i cili është në një farë mënyre ushqimi i librit, është i pranishëm në të përmes ekzistencës së pjesëzave strukturore të frymëmarjes së tij. Në kulminacionet e shumë poezive, pjesëat frymëmarëse emërtohen me theks. Por ai, poeti Mexhid Mehmeti, pra vetë ai, është dhe nuk është aty. I gjithë konteksti frymëmarrës dhe frymëdhënës është dhe nuk nuk është aty. Gjithmonë vetëm fragmentohet. Kështu fragmentet dhe mendimet përreth kësaj strukture që Mehmeti e quan „një udhëtim mes vargjeve që sfidojnë formën tradicionale, duke eksploruar hermetizmin, postmodernizmin dhe abstraksionin“, ecën gjatë leximit duke
e refuzuar tërësinë si dërrmuese.
“Simetri e Thyer” zbut dimensionin poetik të mezazheve, i emërton ato thjesht, në mënyrë fragmentare, ndërsa i përjetojmë vetë mesazhet e poetit, struktura e kësaj poezie gjurmon trajektore të habitshme midis tyre dhe përmbajtjeve të tyre. Asgjë më shumë. Lidhjet që mungojnë midis gjërave mbartin kërshërinë dhe kurretjen tonë. Lidhjet që mungojnë janë ato që “Simetri e Thyer” i mbush me aludimet e veta. Lidhjet midis të prekshmes dhe të konceptueshmes, me kërcimet dhe paqartësitë e tyre natyrore, vijnë, ravijëzohen, shfaqen dhe shpërndahen në mirëkuptim lexuesi, pa ndërmjetësime të shpikura.
Fjalët dhe heshtjet, të kompozuara me një ndjenjë primare të së shenjtës, tejkalojnë diçka të papërcaktuar përtej dhe fshehtas e mbajnë papërcaktueshmërinë e saj. Dhe ajo vetëdije se gjithmonë ka diçka mbi ne (ndonjëherë mbrojtëse, ndonjëherë shtypëse), diçka më e madhe se pasionet dhe murmuritjet tona, se gjithmonë ka një përgjegjësi më të madhe para së cilës tërësia jonë është fragmente: „Të gjitha këto gjëra /kanë ndodhur më parë./Dikush i ka thënë /këto fjalë./Dikush i ka parë /këto ëndrra./Dikush ka shtrirë dorën /për të prekur diçka/që nuk ishte aty.“ (Mexhid Mehmeti: Të gjitha këto gjëra).
Çfarë mbetet atëherë? Të shikojmë gjërat e vogla, sipas masës së mendimeve dhe përvojave tona, të melankolive dhe shpresave tona, jo të ideve, jo të fantazive, sepse çdo pafundësi qëndron. Dhe ky është moralizmi i pathënë i librit, të manifestojë vetëm atë për të cilën nuk mund të mashtrohet, në mënyrë që të mos mashtrohet: me një mall për minimumin ekzistencial të poetikës, me një gjest të vazhdueshëm përthithjeje, me një ndjeshmëri të tërhequr me përulësi ndaj rrymës.
Ne jemi të vegjël. Ne jemi dhe pluhur, na kujtojnë fjalët e poetit Mexhid Mehmeti, tek poezia „Njeri Pluhur“: „tani është veç pluhur/e pluhuri nuk ka emër/por ka kujtesë“ (ibid), fjalë që lindin poetikisht dhe asimetrikisht, diku para qartësisë së guximit, trimërisë dhe dinjitetit, para lidhjes së sigurt të arsyes, para plotësisë së emocioneve, para lidhjes së ndjeshmërisë së thjeshtë. Qënie fragmentare. Ne pyesim me habi. Dhe tërhiqemi para përgjigjeve të padurueshme. Por ne jemi. Dhe kjo është guxim, trimëri dhe dinjitet. Sepse është komploti i jetës sonë, nga hyjn-teksi dhe nëntokë-kultet, me ngjitjet në atë para-kultore, në të cilën lutja ende tingëllon brenda nesh, jo me frikë, jo nga lart, jo e tepërt për fuqitë tona shpirtërore, por me pëshpëritjen e saj të ndërprerë, me zërin e të vegjëlve brenda nesh: „ne/ne vijmë e ikim/harrojmë gjithçka/rikrijojmë gjithçka/dhe e quajmë të re“ (Mexhid Mehmeti: Universi ka kujtesë, ne jo). Dhe kështu është nëkuptimi, këtu është mirëkuptimi, pra jo gjithçka mund të thuhet me zë të lartë, jo gjithçka mund të thuhet në tërësinë e saj, jo gjithçka mund të thuhet.
Fjalët e poetit Mexhid Mehmeti, ndiejnë territore të sigurta, të padyshimta. Dhe ato rezultojnë të jenë të vogla, të çuditshme, të shpërndara, të jenë dhe të mbeten pavdekshëm, edhe si pjesë të tërësive të ndryshme.
Duke konkluduar mund të themi, se fjalët e këtij vëllimi poetik, si rregull, zbulojnë. Kjo është arsyeja pse tekstet e tij janë thellësisht ndryshe për t'u kuptuar për disa, për të tjerët ndoshta mbesin vetë-shpjeguese. Ato brenda kësaj strukture disi ndryshe, ofrojnë dhe na kujtojnë fragmente ontike, prani të pavërtetueshme. Poezi të tilla, zbulojnë gjërat e vogla, tronditëse që të gjithë i mbajmë, por i fshehim, që nuk kemi dashur t’i dimë për veten tonë për aq kohë sa nuk i njohim më në të vërtetë.
Me një drejtësi sulbime, “Simetri e Thyer” na përball me shkallën e tyre gjithëpërfshirëse, duke na kujtuar thjesht sa të vegjël jemi ne vetë, të matshëm me jo më shumë se ata. Dhe me trishtim të kontrolluar, poezia e këtij vëllimi shpalos një plan ekzistencialist të vetëzbulimit. Penështruesi i “Simetri e Thyer” pranon në heshtje: „Poezia bashkëkohore mbetet një hapësirë e pafund eksperimentimi, ku fjalët nuk janë vetëm mjete komunikimi, por impulse emocionale, struktura mendimi dhe imazhe artistike.“ (Parathënie), pra maksimumi për të cilin mund të shkruaj jam unë, por kjo uni nuk është as një e tërë, uni im është pjesët e mia folëse, secila prej të cilave është po aq e imja dhe nuk më përket mua.
Kështu “Simetri e Thyer” mbetet një rrëfim i projektuar në imazhe fragmentare, të ndjeshme, sensuale në pulsime shpërndarjeje dhe mbledhjeje të vetes, në refuzime të qeta, në mënyrë që aludimi i qëndrueshëm ndaj poetikës të mbetet. Kjo është, meqë ra fjala, shumë, shumë për substancën e saj të pakapshme. Është si ta bësh poetiken pa e prekur, si ta flasësh pa e emërtuar. “Simetri e Thyer” ia del mbanë, pa asnjë ndërhyrje, vetëm me deduksione, derisa ta ndjesh veten në një hapësirë aludimesh, krejt e kundërta e pyllit të rrënjosur Baudelairean të simboleve, derisa ta kuptosh se je në kufirin e të kuptueshmes, në një lloj eksperimenti se sa larg mund të çohet një shprehje pa u zhdukur kuptimi, derisa ta pyesësh veten se cili është minimumi i fjalëve që kanë kuptim.
Në këtë linjë mendimi “Simetri e Thyer” është një libër me pak fjalë dhe hapësira të mëdha për krijimin e kuptimit. Diçka si një shtëpi që ekziston vetëm nëpërmjet mbështetëseve të saj, për t’u plotësuar në një shtëpi nga të gjithë dhe askush.