top of page

Fatmir Terziu: Si mund të shndërrohet PD në alternativë reale qeverisëse

Si mund të shndërrohet PD në alternativë reale qeverisëse

 

Le ta nisim me atë çfarë na ofron teoria akademike, dhe po aq me atë ku shtrihet praktika politike. Duke folur në mënyrë realiste dhe institucionale, duhet theksuar se institucionet demokratike nuk mbështesin formalisht “fort” asnjë parti politike, por ekzistojnë struktura, familje politike dhe mekanizma ndërkombëtarë që historikisht kanë qenë më pranë Partisë Demokratike, sesa rivalëve të saj. Shembulli më i qartë është Partia Popullore Europiane, ku PD është anëtare e plotë dhe e integruar prej vitesh. PPE, si familja më e madhe politike në Europë, ka reflektuar në mënyrë të përsëritur shqetësimet e opozitës shqiptare në deklarata dhe rezoluta, sidomos në çështje që lidhen me zgjedhjet, balancën e pushteteve, median dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Edhe pse kjo mbështetje nuk ka karakter elektoral, ajo përfaqëson një pozicionim politik të qartë në mbrojtje të pluralizmit dhe rolit të opozitës, rol që PD e ka mishëruar historikisht.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe bashkëpunimi afatgjatë i PD-së me fondacionet politike europiane, veçanërisht me Konrad Adenauer Stiftung, e lidhur me traditën kristiandemokrate gjermane. Ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm në ndërtimin e kapaciteteve programore, formimin e brezave të rinj politikë dhe përhapjen e kulturës institucionale perëndimore brenda strukturave të PD-së. Ky lloj angazhimi nuk është simbolik, por tregon një besim ideologjik dhe institucional që nuk u ofrohet çdo force politike. Edhe në marrëdhëniet transatlantike, struktura si International Republican Institute dhe, në një masë më të gjerë, National Democratic Institute, ndonëse zyrtarisht neutrale, kanë pasur historikisht një komunikim dhe bashkëpunim më intensiv me Partinë Demokratike, për shkak të profilit të saj euroatlantik dhe të djathtë. Mbështetja ka qenë kryesisht në formë ekspertize, trajnimesh zgjedhore dhe forcimi të kapaciteteve opozitare, duke e trajtuar PD-në si një aktor kyç të pluralizmit demokratik në Shqipëri. Duhet theksuar se kjo afërsi reflektohet edhe në rezolutat e Parlamentit Europian për Shqipërinë, ku shpesh shqetësimet e artikuluara nga PD janë përfshirë drejtpërdrejt, veçanërisht për çështjet e zgjedhjeve, funksionimit të drejtësisë dhe lirisë së medias. Deputetë të PPE-së kanë qenë shpesh zëri më kritik ndaj qeverisë shqiptare, duke i dhënë opozitës shqiptare një rezonancë europiane që, edhe pse nuk përkthehet automatikisht në fitore elektorale, përbën një mbështetje institucionale reale dhe të dokumentuar për Partinë Demokratike.

 

Pse PD ende pa dritë të fortë fitoreje?

 

Partia Demokratike e Shqipërisë ka një kapital simbolik të rëndësishëm: është forca që lidhet me rrëzimin e diktaturës, me pluralizmin dhe orientimin euroatlantik. Ka mbështetës brenda dhe jashtë vendit, në diasporë, në qarqe akademike e politike perëndimore. Megjithatë, prej më shumë se një dekade ajo mbetet në opozitë dhe nuk arrin të projektojë një fitore të qartë e bindëse. Arsyeja nuk është e vetme, por një nyje faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm që ndërthuren. Sikurse dihet, problemi kryesor është i brendshëm. PD nuk ka arritur të prodhojë një narrativë të re politike që të shkojë përtej antitezës “kundër qeverisë”. Opozitarizmi i zgjatur, i shoqëruar me konflikte të brendshme, përçarje dhe mungesë kohezioni, ka konsumuar energjitë e saj. Votuesi kërkon jo vetëm kritikë ndaj pushtetit, por një vizion të qartë për qeverisje: ekonomi, drejtësi, shtet ligjor, mirëqenie sociale. Pa një projekt të besueshëm dhe pa fytyra që simbolizojnë risi, PD vështirë se krijon entuziazëm masiv. Duhet shtuar edhe marrëdhënia me Europën Demokratike dhe institucionale, e cila është paradoksale. Europa e admiron PD-në si forcë formalisht pro-europiane, por zëri i saj real në Bruksel është i dobët. Arsyeja lidhet me mungesën e një diplomacie politike aktive opozitare dhe me faktin se Europa preferon stabilitetin, edhe kur ai është problematik, sesa një opozitë që duket e fragmentuar dhe pa garanci qeverisëse. Pa ndërtuar besim të qëndrueshëm institucional në Europë, PD mbetet më shumë e respektuar në parim sesa e mbështetur në praktikë.

Nga ana tjetër, raporti me SHBA-në ka krijuar një pritshmëri shpesh iluzore. SHBA luan rolin e saj “demokratik” në Shqipëri, por jo rolin e një sponsori partiak. PD historikisht i ka pasur sytë nga Uashingtoni, duke shpresuar se mbështetja amerikane do të përkthehej automatikisht në forcë elektorale të brendshme. Kjo ka çuar shpesh në keqllogaritje: zgjedhjet fitohen me vota në terren, jo me sinjale diplomatike. Mbështetja ndërkombëtare është e rëndësishme, por nuk zëvendëson legjitimitetin popullor.

Nuk duhet harruar, se iluzioni i rikthimit të Republikanëve në pushtetin amerikan si “shpresë” për PD-në është një strategji e rrezikshme pritjeje. Politika amerikane, pavarësisht ngjyrimeve partiake, ndjek interesa shtetërore dhe jo fate partish në Ballkan. Mbështetja selektive, e kushtëzuar dhe shpesh pragmatike e SHBA-së nuk garanton fitore për asnjë forcë politike shqiptare. Të mbështetesh te ndryshimi i administratës në Uashington do të thotë të shtysh për më vonë përgjegjësinë për reformim të brendshëm.

Mjaft komentues shprehen se në thelb, PD ende nuk ka “dritë të fortë fitoreje” sepse nuk e ka rindërtuar veten si alternativë e plotë qeverisëse. Pa unitet real, pa program të besueshëm, pa elitë të re politike dhe pa një raport më realist me faktorët ndërkombëtarë, ajo mbetet në një opozitë të zgjatur shprese, jo në prag të fitores. Fitorja nuk vjen nga jashtë dhe as nga nostalgjia e së shkuarës, por nga aftësia për të bindur shoqërinë shqiptare se PD është jo vetëm kundër, por gati dhe e denjë për të qeverisur.

 

Pse heshtin miqtë e PD në botë?

 

Heshtja e miqve ndërkombëtarë të Partisë Demokratike nuk është as rastësi, as braktisje emocionale. Duket se është një heshtje politike e llogaritur. Ajo lidhet më shumë me mënyrën se si funksionon diplomacia perëndimore sot, sesa me simpati, apo antipati për PD-në si subjekt politik. Jam i mendimit se diplomacia moderne është thellësisht pragmatike. Miqtë e PD-së në botë, në Europë dhe në SHBA, flasin pak publikisht për opozitat, sepse bashkëpunojnë kryesisht me qeveritë në detyrë. Për ta, interlocutori zyrtar është pushteti aktual, jo forca që aspiron të vijë nesër. Mbështetja për një opozitë që nuk garanton stabilitet dhe vazhdimësi institucionale shihet si rrezik diplomatik. Prandaj heshtja është shpesh zgjedhje për të mos prishur ekuilibrat. Me këtë kontekst dua të rishtoj se, miqtë e PD-së presin qartësi dhe besueshmëri të brendshme. Kur një parti për vite me radhë shfaqet e përçarë, me konflikte lidershipi dhe pa një front të unifikuar, partnerët ndërkombëtarë ngurrojnë të investojnë politikisht. Askush nuk mbështet fort një subjekt që nuk e di qartë kush flet në emër të tij dhe çfarë do të bëjë realisht kur të vijë në pushtet. Heshtja, në këtë rast, është një formë distance derisa të shfaqet stabilitet i brendshëm.

Por mos harrohet se, ekziston një lodhje ndërkombëtare nga krizat e përsëritura shqiptare. Për Perëndimin, Shqipëria është pjesë e një harte më të gjerë gjeopolitike ku prioritetet kryesore janë siguria, migracioni, energjia dhe ndikimi i aktorëve jo-perëndimorë. Konfliktet e brendshme politike shqiptare shihen si çështje periferike, përderisa nuk kërcënojnë drejtpërdrejt këto interesa. Në këtë kontekst, heshtja ndaj PD-së nuk është dënim, por relativizim i peshës së saj në axhendat globale. Mbi të gjitha, miqtë e PD-së janë të ndjeshëm ndaj imazhit publik dhe standardeve demokratike. Kur opozita perceptohet më shumë si reaktive, konfliktuale apo e fokusuar në beteja personale, sesa si ndërtuese institucionesh, mbështetja publike bëhet e vështirë. Partnerët perëndimorë nuk duan të identifikohen me diskurse që duken jashtë frymës konsensuale dhe institucionale që ata promovojnë. Heshtja, këtu, është edhe një mesazh i tërthortë për ndryshim stili.

Duket dhe një fakt, PD shpesh ka pritur që miqtë të flasin në vend të saj. Në realitet, diplomacia perëndimore flet vetëm kur ka një partner që di të artikulojë interesat e veta me gjuhë shtetërore dhe vizion afatgjatë. Kur kjo mungon, miqtë zgjedhin të dëgjojnë, jo të flasin. Heshtja nuk është mungesë miqësie, por mungesë arsyeje për të dalë hapur. Kjo mendoj duhet kuptuar se, miqtë e PD-së në botë heshtin sepse presin një PD tjetër, më të qartë, më të bashkuar, më programore dhe më pak të varur nga ndërhyrjet e jashtme. Derisa PD të flasë fort me zërin e saj politik dhe institucional, miqtë do të vazhdojnë ta mbështesin në heshtje, ose thjesht do të presin. Heshtja e tyre është pasojë, jo shkak, ajo mbetet pasqyrë e një opozite që ende nuk ka bindur se është gati të kthehet në pushtet.

 

Po pjesa e emigruar? A thua po heziton?!

 

Hezitimi i pjesës së emigruar ndaj Partisë Demokratike është ndoshta sinjali më i ndjeshëm dhe më domethënës i krizës së saj politike. Diaspora shqiptare, veçanërisht ajo e krijuar pas viteve ’90, ka qenë historikisht më afër PD-së, sepse lidhej me idenë e lirisë, Perëndimit dhe shpresës për një Shqipëri ndryshe. Sot, ky raport është i ftohur, jo nga mungesa e ndjenjës patriotike, por nga një zhgënjim i thellë politik. Duhet kuptuar qartë, emigrantët kanë një perspektivë krahasuese. Ata jetojnë në shoqëri ku shteti funksionon, ku institucionet kanë rregulla të qarta dhe ku politika, pavarësisht problemeve, prodhon përgjegjësi. Kur shohin PD-në, ata nuk shohin një alternativë që reflekton këto standarde perëndimore, por një parti të kapur nga konfliktet e brendshme, retorika e së shkuarës dhe mungesa e meritokracisë. Ky kontrast i bën të rezervuar dhe kritikë.

Mandej, diaspora është lodhur nga premtimet pa kthim konkret. Emigrantët kanë investuar emocionalisht, financiarisht dhe shpesh politikisht për Shqipërinë, por për dekada kanë parë pak ndryshim real. PD, edhe kur ka qenë në pushtet, nuk ka ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm për përfshirjen e diasporës në vendimmarrje. Prandaj sot, shumë emigrantë pyesin heshtazi, pse të angazhohemi sërish, kur zëri ynë ka qenë gjithnjë periferik? Kjo ndoshta shkon tek fakti se, pjesa e emigruar është më pak e ndjeshme ndaj presionit propagandistik. Larg kontrollit të drejtpërdrejtë mediatik dhe klientelist, emigrantët gjykojnë më ftohtë. Ata nuk votojnë me frikë apo përfitime afatshkurtra, por me bindje. Kur PD nuk ofron bindje, por vetëm thirrje emocionale ose apel nostalgjik, reagimi natyror është hezitimi.

Mbi këtë mjegull, diaspora sheh mungesën e një projekti serioz për kthimin e trurit dhe kapitalit njerëzor. Shumë emigrantë do të ishin të gatshëm të kontribuonin profesionalisht në Shqipëri, por nuk shohin te PD një platformë të qartë për rikthim, investim dhe përfshirje. Pa një ofertë konkrete, marrëdhënia mbetet simbolike, jo funksionale. Mjaft deputetë janë sforcues të komunikimit. Kryesorja mbetet, emigrantët nuk presin më “shpëtim” nga jashtë. Duke jetuar në Perëndim, ata e dinë se ndryshimet politike nuk importohen, por ndërtohen nga brenda. Kur shohin që PD vazhdon të mbështesë shpresat tek ndryshimet e administratave të huaja, apo tek ndërhyrjet diplomatike, kjo i largon më shumë, sepse u duket mungesë vetëbesimi dhe pjekurie politike. Në thelb, pjesa e emigruar heziton sepse nuk është kundër PD-së, por nuk është më e bindur prej saj. Diaspora kërkon seriozitet, vizion dhe përfshirje reale, jo thjesht thirrje patriotike në prag zgjedhjesh. Nëse PD do të rifitojë besimin e saj, duhet të flasë me gjuhën e së ardhmes dhe të ofrojë rol konkret, jo vetëm emocion. Hezitimi i emigrantëve është një votë e heshtur mosbesimi, por edhe një shans i fundit për reflektim dhe ndryshim.

 

Duke përmbledhur

 

Jam i mendimit se, nuk mjafton të thuhet se Partia Demokratike mbetet e kritikuar thjesht për shkak të emrit të drejtimit, apo figurës së saj udhëheqëse, sepse kjo do të ishte një thjeshtim i tepruar i realitetit politik shqiptar. Problemi i PD-së është më i thellë dhe më kompleks. Kritika ndaj drejtimit ekziston dhe është reale, sepse lidhet me stilin e lidershipit, me mungesën e rinovimit dhe me paaftësinë për të prodhuar një narrativë të re bindëse për shoqërinë. Por kjo nuk është e vetmja arsye pse PD nuk arrin të dalë nga pozita e opozitës së zgjatur. Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë se pozita ka kryer dhe vazhdon të kryejë një rol të qartë dashakeq ndaj PD-së duke përdorur pushtetin e saj institucional. Përqendrimi i pushtetit, kontrolli i burimeve shtetërore, ndikimi mbi median dhe instrumentalizimi i mekanizmave të shtetit kanë krijuar një terren të pabarabartë politik, ku opozita vështirë se konkurron në kushte normale. Ky realitet nuk mund të injorohet dhe shpjegon pjesërisht pse PD, edhe kur gëzon mbështetje ndërkombëtare formale dhe simpati shoqërore, nuk arrin të përkthejë këtë në fitore elektorale.

Megjithatë, përgjegjësia nuk mund të transferohet e gjitha te pushteti. Historia politike tregon se opozitat fitojnë edhe në kushte të vështira kur arrijnë të mobilizojnë shoqërinë, të krijojnë besim dhe të ofrojnë alternativë të qartë. Në këtë pikë, PD nuk ka arritur ende të ndërtojë një model bindës që të tejkalojë si pengesat e vendosura nga pozita, as skepticizmin e brendshëm dhe të jashtëm ndaj saj. Prandaj, përgjigjja është se PD nuk duhet të mjaftohet as me justifikimin e kritikës ndaj drejtimit, as me narrativën se pushteti është i vetmi fajtor. Pozita ka luajtur rolin e saj dashakeq duke shfrytëzuar pushtetin, por PD mbetet e detyruar të bëjë reflektimin e thellë të brendshëm që i mungon. Vetëm duke pranuar këtë dualitet, një pushtet asimetrik nga njëra anë dhe dobësi strukturore nga ana tjetër, PD mund të dalë nga rrethi vicioz i humbjeve dhe të shndërrohet nga opozitë e përhershme në alternativë reale qeverisëse.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page