Kadri Tarelli: BASHKIM KADIU PËRURON LIBRIN E TIJ TË SHTATË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 5 min read

Është detyrim moral dhe qytetari kur investon për kulturën, kurse për historinë e vendlindjes, vihet një gur i rëndë monumental, duke e bërë atë të përjetshëm!
Vilhelme Vrana Haxhiraj (Vivra)
“Trashëgimia e vlerave në Olimpin e qytetarisë durrsake”
Sot, e shtunë: 24. 05. 2025, në një lokal të qytetit të Durrësit, u përurua libri “Trashëgimia e vlerave në Olimpin e qytetarisë durrsake”, të autorit durrsak Bashkim Kadiu. Një “enciklopedi” e ngjeshur në një “Monografi të qytetarisë durrsake”, si një përmbledhje e kujtesës dhe nderimit për figurat që kanë dhënë gjithçka për Durrësin tonë, të vjetër e të ri. Është e shtata herë që mblidhemi, kuvendojmë e flasim për vlerat e librit, duke ngritur, vlerësuar e nderuar durimin, përkushtimin dhe mundin e punës së mikut dhe studiuesit tonë Bashkim Kadiut.
Nuk di në ka një rast të dytë në Shqipëri, që për disa vjet me radhë të ketë mbledhur ajkën e qytetarisë dhe t’i vendosë në libër, si monument përjetësie që u flet durrsakëve dhe Shqiptarëve me gjuhën e shkronjave dhe fotografive. Autori meriton mirënjohje!
Libri është unik në llojin e tij. Një lloj frymëzimi për gjeneratat e sotme dhe për ato të reja, për ta vazhduar dhe pasuruar këtë udhë krijimtarie. Asnjëherë nuk do të jenë të humbur, përkundër do të fitojnë nderimin si qytetarë durrsak. Besoj nuk është pak.....!
Ndaj po ndalem veç në disa veçori ideore dhe shkrimore të autor Kadiut:
Si fillim, më bëjnë përshtypje disa thënie të vendosura në faqen e brendshme të ballinës. Po i citoj të plota, sepse në një farë mënyre ato shprehin në formë lakonike, kumtin e vlerave njerëzore e qytetare të heronjve të këtij libri:
- Shokët: - “Një rebel i rinisë, te themeluesi i shtypit të lirë. – Kadiu është zëri që nuk u mposht kurrë”.
- Flavia Prifti. – “Me një sy që sheh përtej sipërfaqes, Kadiu na kujton se njerëzit janë të ndryshëm, të mrekullueshëm dhe të denjë për t’u njohur”.
- Shpendi Topollaj. – “Bukuria e një vendi, më shumë se kudo qëndron te karakteret e forta, dashuria për të tjerët dhe puna e ndershme e njerëzve të tij.
Duke kënduar në faqet më tej, vë re disa zgjedhje e zgjidhje që përdor autori::
Së pari: Një formë e shkurtër shkrimi, për disa nga figurat më të njohura në mjedisin durrsak. E çmoj si gjetje e bukur: Thjesht, - pak fjalë që shkruhen në monumente apo përmendore për heronjtë. Autori si pa dashje na kujton se Durrësi ka “Heronjtë” e vet, aq shumë sa nuk do të mjaftonin sheshet për t’i vendosur secilit nga një përmendore, por që fatkeqësisht qyteti vazhdon të mbetet i varfër. Pse...? nuk e di....! Atij, që mund të ketë mendim ndryshe, i përgjigjem unë dhe Bashkimi: Heronj nuk janë vetëm ata që bien në luftime me armikun apo pushtuesin. Heronj janë edhe ata që me punën, artin dhe mençurinë e tyre, ngrenë vlerat e qytetit dhe qytetarëve në veçanti.
Nuk gaboj: Vini re....! Që në faqet e para të librit janë këto pak fjalë: “Himni durrsak”. “Të falem ty o Durrës...!”. Këndon Qemal Kërtusha. Bilbili i Shqipërisë.
Së dyti: Filozofia në penën e Bashkim Kadiut.

Gjykoni këto thënie të vendosura nga autori në krye të çdo kapitulli:
Unë kam rreshtuar vetëm pak prej tyre. Këndonjësit të zellshëm i mbetet të gjejë e të dallojë plot të tjera, si vlerë e shtuar e këtij libri “Monografi”, për njerëzit e ditur e të ndritur të Durrësit tonë, ku përfshihen të gjithë profesionet: arsim, shëndetësi, lundrim detari, drejtësi, shkencë, inxhinieri, etj, etj..
- Hijeshia e një shqiptari të vërtetë varet nga vlerat njerëzore, që cilido me ndërgjegje të lartë, plot inteligjencë e gjykim të mprehtë, urtësi e vërtetësi, frymëzim e pastërti shpirti, i shërben atdheut, Kombit, shoqërisë në tërësi. Duke pasuruar me dhunti e aftësi, të jetuarit në kujtime, që koha s’i le në harresë.
- Të njohësh veten, është një art i ndershmërisë, që shpie drejt një rruge të njohjes së tjetrit në vlerta dhe virtytet që ai trashëgon në jetë.
- Gjithçka në jetë është e vlefshme, por më e çmuar është ndershmëria. I poshtëruar është ai që shpif.
- Vlerësimi për të tjerët, është dhe mbetet pjesë e njohjes për jetën. Mundohu të arrish, më parë të njohësh veten dhe vetëm atëherë vlerësimi yt ka dhe ruan vlerë.
I gjithë libri në vetvete është shembull që përmbush e pasqyron mendimin filozofik të autorit, por një shkrim i veçantë për dr. Et’hem Cara, vlen sa i gjithë libri. Aq sa për të mund të shkruhet një libër i plotë, për një qëndrim sa burrnor aq edhe atdhetar, si shtetar i shtetit Shqiptar, por me një jetë të thyer, të shqyer, të trazuar e rrënuar, gjatë diktaturës. Veprimi e tij është shembull që na nderon, por që na mungon në ditët e sotme. Model që meriton monument. Model që frymëzon për t’u ndjekur nga të rinjtë. Kumti që përcjell: Mos ankohemi se nuk kemi modele të ndershmërisë dhe qytetarisë.....! i gjejmë mes nesh, të vjetër dhe të rinj.
Është fjala për Ministrin që mbrojti thesarin e shtetit. Dr. Et’hem Cara, kur Shqipëria ishte e pushtuar, 1944, dhe jeta nën sundim kushtonte shumë pak. Ndaj autor Bashkimi shprehet: “Patrioti është rob i ndjesisë kombëtare. Ai është dhe mbetet fishkëllyes ndaj robërisë, preferon të sakrifikojë për të mirën e të vërtetës, të shqiptarisë, të ndershmërisë. Atij i flet zemra e më pas i vjen fjala. Fjala pa vepra nuk ka rëndësi. Vepra është dhe mbetet në përjetësi.
A nuk meritojnë një përmendore këto pak fjalë...? - “Fëmijët i dua, por interesat e atdheut nuk i shkel...!”. Duke i thënë “Jo”, përfaqësuesve ushtarak gjerman, të cilët ngulnin këmbë për të marrë disa qindra “Napolona flori”, nga thesari i shtetit shqiptar. Natytrisht për shpenzime ushtarake”.
Një pasuri e çmuar e këtij libri, janë figura të reja në moshë, por që me punën dhe dijet e tyre janë bërë pjesë e krenarisë qytetare durrsake. Po përmend disa: Fatbardha Kadiu, Erjona Resulaj, Gjergj Dhaskali, Klaudio Beja, Pol Milo, Loela Xhafa, Jola Hysaj, Spiro Paço, Loena Plaku, Brunilda Avni Kalaja (Saliko), Enxhi Kalaja, Kristi Arqile Gorea, Joana Kosho, juristi Bujar Hoti, pak më i moshuar se të tjerët, por që dikur ka qenë nxënësi im i hershëm dhe i ndershëm.
Dikush mund të thotë, se Bashkim Kadiu, e përmbushi misionin e tij, si qytetar dhe krijues dhe libri mund të quhet i mbyllur. Unë dhe ca më shumë Bashkimi nuk e pranojnë këtë gjykim të cunguar: Ky lloj libri ka vetëm një fillim, por asnjëherë fund. Arsye fare e thjeshtë: ka figura që punojnë dhe nuk mburren, kështu mund të kenë mbetur në hije. Ndërkohë jeta vazhdon dhe të tjera figura do ta lartësojnë emrin e qytetit tonë. Dhe kanë të drejtë: Sepse autor Bashkim Kadiu, vetëm sa ka shtruar pak metra udhë, ndërsa historia nuk mbyllet këtu.
Në përfundim, qëllimisht po e rrisjell në këtë shkrim, thënien e shokëve: Bashkimi....!Një rebel i rinisë, te themeluesi i shtypit të lirë. – Kadiu është zëri që nuk u mposht kurrë.
I nxitur nga këto fjalë, në bisedë e ngacmova pak dit më parë: - Ç’po bëhet me artikujt, shkruar e shpërndarë në disa gazeta.....!? Pse duhet të humbasë kjo punë dhe pasuri intelektuale, si dëshmi e kohës, për Durrësin dhe vendin...? Shkrimet që kanë fituar të drejtën qytetare, për njohjen në publik, është mëkat që mos mblidhen në një libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”. Dikur kam shkruar: “Ndryshe ato humbasin si kokrrat e grurit që bien përdhe, i hanë milingonat, ose i kalb balta dhe shiu”. Kështu këtë punë të vyer, askush nuk mund ta bëjë më mirë se ju, i nderuar Bashkim. Ka pak mundim, por vlera është e madhe dhe qytetarisë durrsake i duhet. Pse duhet t’i mungojë.....!?.
Urime miku ynë Bashkim Kadiu! - Jetë dhe shëndet të mirë, për ta vazhduar punën krijuese, në dobi të historisë dhe krenarisë durrsake....! Mbetemi në pritje.......!
Mirë u mbledhshim në kuvende të tilla letrare.....!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 24. të majit,
Comments