top of page

Armela Hysi: Fuqia e artit – fuqia e miqësisëNjë mbrëmje miqsh



Nga: Armela Hysi

Është shumë më bukur kur udhëton me miq të dashur, me botëkuptim të përafërt dhe të të njëjtit qëllim! Kështu nuk është?

Pikërisht për të festuar këtë frymë, takimi i 17-të Majit 2025 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Liter-Art iu dedikua anëtarëve dhe njëkohësisht miqve tanë të mirë që rishtazi u bënë bashkëudhëtarë të Liter-Art-it dhe na dhanë kënaqësinë me aderimin e tyre në këtë copëz të veçantë të qiellit tonë të përbashkët idilik të artit.

Këtë takim, të ideuar nga Kryetarja produktive e Lidhjes Liter-Art, znj. Brikena Qama, Bordi Organizativ i përbërë nga anëtarët e Kryesisë z. Artur Shkira, Zëdhënës Shtypi dhe z. Festim Zaçe, Arkëtar, shkrimtarja e përkthyesja znj. Armela Hysi që kishte edhe detyrën e moderatores së mbrëmjes, dhe poetja lirike znj. Mimoza Eliona Osmani, vendosi ta trajtonte si një stacion njohjeje sa personale aq edhe me veprën në zhvillim të secilit. Një bashkëbisedim këmbëkryq rreth vatrës së dashurisë për artin, njeriun dhe fjalën e bukur.

Shkrimtarja Armela Hysi gjatë fjalës së çeljes iu referua mundësive krijuese dhe bagazhit të lartë e cilësor që shpesh ndeshim në organizma të tillë, të cilët rinovohen vazhdimisht dhe kanë fuqinë e tyre në jetën e përditshme kulturore të tërësisë mbarëshqiptare e më tej, duke mos mbetur veç një dëshmi lokale apo e kufizuar, por duke u bërë stacion historik në kohë e hapësirë. Gjithashtu cilësoi sesi tek e bukura, përkushtimi shpirtëror e moral, mblatur praktikisht në të përditshmen - si jetë dhe si përjetim sublim sa të personit, aq edhe së shoqërisë që e rrethon dhe me të cilën bashkëkrijohen pareshtur duke marrë e dhënë nga njëri-tjetri - pikpamjet e artit dhe lëvrimit të fjalës së epërme konstatohen si një prioritet apsolut.




Ndërsa poetja Brikena Qama në fjalën e saj si kryetare e Lidhjes përveç përshëndetjes së rastit u bazua në dy boshte kryesore e të rëndësishme, atë të platformës konstruktive të grupimit Liter-Art, si dhe të historikut me peshë të tij, teksa përmendi disa nga emrat e njohur të cilët kanë aderuar e aderojnë që nga vitet e para të krijimit. Kryetarja Qama gjithashtu mirëpriti faktin që kemi jo vetëm anëtarë të rinj, por edhe moshat e brezit të dytë, të disa prej anëtarëve, duke marrë shembull këngëtaren Jody Lulati, e reja e talentuar me prindër emigrantë që ka nisur aq premtueshëm debutimin e saj në skenën e kantos helene, dhe falenderoi përzëmërsisht disa nga anëtarët e nderit të cilit gjendeshin edhe këtë mbrëmje të pranishëm në këtë aktivitet, veçanërisht poetin dhe eseistin estet z. Stefan Martiko, nderuar me titullin Naim Frashëri i Artë, prozatorin befasues z.Miri Dhrami, aktorët dhe ndër anëtarët e parë, znj. Merita Dabulla dhe çiftin e mirënjohur Karafil e Mirjeta Shena; një ndër aktivistet më cilësore në komunitetin shqiptar të Greqisë, regjizoren dhe letraren Alma Ibi Zekollari, nënkryetarin e Liter-Art-it piktorin Librand Dhrami, grupin organizator të takimit, veçanërisht veprimtarin e kudogjendur dhe të shumëanshëm z. Fesim Zaçe, etj.

Një detaj për t’u përmendur me kënaqësi nga prezantimet e kësaj mbrëmjeje është shumëllojshmëria e arteve që aplikojnë plot pasion e profesionaizëm të gjithë artistët pjesëmarrës.

Kështu përmendim me kënaqësi këngëtaren e mirënjohur Teuta Pango, që me zërin e saj të mrekullueshëm interpretoi edhe a-cappella, por edhe duke paraqitur disa punime që qarkullojnë profesionalisht në media, duke mbushur me magjinë e zërit të saj tërë auditorin.

Poeten dhe aktivisten Afërdita Selenica, e cila udhëtoi nga Patra për këtë event, e mbushur me dritën e mirësisë së saj dhe dhuratat që kishte përzgjedhur të qerasë miqtë, e në radhë të parë plot me vargjet e shpirtit që solli në librin e saj me të njëjtin titull, apo ato që lexoi për mëmën e vet dhe dhimbjen njerëzore, dhe fuqinë e shpirtit, që bënë të përloten sytë e tërë dëgjuesve të ndjeshëm në sallë.

Piktorin profesionist e cilësor Agron Bejte, që përveç disa punimeve të tij pati dashamirësinë dhe elokuencën të dhurojë edhe disa përshkrime mbi teknikat, apo fakte e faktorë për elementët që përdorë në krijimet e tij.

Po ashtu nga artet vizive do të mund të veçonim piktoret e ngjyrave të bukura, Enkeleida Jorgollari e Lumnie Gjikopulli që artdashësit e pikturës në Athinë patën rastin t’i shijojnë së fundmi në ekspozitën e tyre të re, si dhe në një sërë paraqitjesh dinjitoze gjatë aktiviteteve të ndryshme e specifike të bashkëpunimit të tyre të frytshëm.

Aktoren dhe njeriun e ngrohtë, plot bukuri të shumë-anshme e vitalitet, Irma Loka, e cila interpretoi një poezi të përzgjedhur enkas kushtuar poetes së ndjerë Milla Bala, larguar parakohe nga kjo jetë, shkruar nga autorja Hysi, si një përkujtim mes miqve për një zë të veçantë të poezisë bashkohore të komunitetit tonë artistik.

Dhe emrat vazhdojnë me poeten e tre librave me poezi, dhe një në proces botimi, gjithashtu kantautoren, Aishe Musta Alickaj, që veç prezantimit vetjak, paraqiti disa nga këngët e saj të cilat publiku i gjerë mund t’i ndjek në çdo kohë, e për çdo everiment familjar a shoqëror edhe nga faqja e saj me të njëjtin emër në platformën sociale të YouTube-it, duke kënduar edhe ajo në sallë, me zërin e saj karakteristik.

Me poeten e talentuar, veçanërisht në zhanrin e poezisë lirike erotike, Mimoza Eliona Osmani që përshëndeti me një poezi, dhe paraqiti disa tekste këngësh të suksesshme, ndërsa u angazhua edhe në organizimin e përpilimin e programit për takimin në fjalë.

Me autoren bashkëkohore, që sapo është paraqitur me vëllimin e saj të parë, Jasmina Kotrri, e cila lexoi edhe një poezi për Shkodrën, qytetin  saj të dashur të lindjes.

Me krijueset Mimoza Halili dhe Nasja Xhemali, dy mikesha simpatike që recituan vargjet e tyre ardhur si një shembull tregues sesi pasioni ndihmon e fuqizon rolin e gruas krijuese gjatë përballjes me sfidat në emigracion.

Me autoren e katër librave me rrëfenjëza për fëmijë dhe poezi, Valentina Satka që trajtoi gjatë paraqitjes së saj temat e ndryshme e të përditshme të cilat u bën krjimet e saj të librave dhe mund të japin shumëllojshmëri mesazhesh e idesh, por dhe larmi përshtypjesh.

Me artisten e Arteve të aplikuara, znj. Amantia Rrokaj që përveç se është një nga përfaqësueset që shoqëron vazhdimisht tërë aktivitetet e Liter-Art-it, duke i veshur me fantazinë dhe koloritin e dashurisë për jetën, entuziazmon përherë me përzgjedhjet e saj stilistike në krijimet e veta duke deklaruar edhe kësaj radhe se frymëzimin ajo e gjen përherë mes artistëve dhe heroinat historike që përpunon e paraqet në art, faktikisht janë secila, e secili prej nesh.

Kjo nismë e veçantë që merr rrugëtim për t’u bërë një anuar konveks, plot rigorozitet reciprok të çdo individi për Lidhjen ku është pjesë përbërëse dhe i shton frymëmarrjen, nuk mund të mbyllej më bukur në këtë edicion të parë përveç se me dy prezantime suprizë. Dy anëtare të reja, por të suksesshme, me gjithë moshën e tyre tepër të re, violinçelistja e njohur tashmë për muzikën shqiptare: Lorela Kërçiku, si dhe poetja e cila që në hapat e saj të parë në poezi është vlerësuar nga Klubi Letrar Ndoc Gjetja, simotërzuar së fundmi edhe me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Liter-Art: Diamira Prenga, qenë ato që dhuruan prezencën e tyre në këtë tubim. 

Çdo artist duke u bërë pjesë e vërtetë e plot vitalitet dhe duke i shtuar vlerat personale, për një shoqëri përherë e më të plotë në vazhdën tonë të dashurisë është dhe përçuesi më i mirë i kulturës shqiptare, përkrahja e artit dhe gjuhës shqipe, prandaj përfitimet janë të përhershme, të vazhdueshme dhe të shumëfishta, ndaj dhe gëzimi e shpërblimi për simbiozën përherë e më të dukshme të njeriut me idealen gati mistike që përshkruan e synon arti është vetë udha e përkushtimit ndaj tij në më të bukurin qerthullim krijues.

Shihemi në Shtator! Verë të mbarë anëtarëve e miqve të Liter-Art, me shëndet dhe me fat e frymëzim mrekullibërës e produktiv në çdo sekuencë magjike që përjetojmë!

                                                               Armela Hysi

                                                            Maj 2025, Athinë

1件のコメント


ゲスト
20 hours ago

Faleminderit shumë Profesor Terziu që jeni përherë miku më i mirë i letrarëve dhe artistëve! Qofshi përherë mirë!

いいね!

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page