top of page

Zgjedhjet lokale...


Zgjedhjet lokale morren fund, po…

Bagazhi i premtimeve ishte me plotë se kurdoherë. Autostrada, rrugë, shkolla, spitale, hiq bjeshkë, mbaro lumej, zbrite Zotin në tokë, hipe njeriun në qiell, zgjërim e përparim ekonomik e çfarë jo. Një fjalë që nuk e dëgjua, quhet pensionistët. Me arsye se ata nuk kanë probleme. I kanë po, si njerëz me përvojë që janë, i zgjidhin vetë. Ja ndonjë shëmbëll:

Mjeshtri që kishte savatuar mure sa sipërfaqja e një qyteti, rregullisht krahpërkrah me qent kërkon te kontejneret dhe e quan vetën me fat që i ka afër shtëpisë. „ Dalë në orët e vona se pak edhe turpërohem. Gjej gjithçka: këpucë, veshje, çorap, mantilë, deri edhe kapelë amerikane dhe njëherë gjeta një euro /në xhep të setres/ ose ndonjë republikë, dhe kur i vesh dukem burrë me nam. Ka pastaj bukë të panaçetur, lodra fëmijësh, plastikë e hekurina /këto i shes sapo të bëhen më shumë/ dhe mobilje të vjetra. Këto i prejë dhe më besoni, i bëjë drutë e dimërit për një bënë edhe dy muaj. Ka edhe qen aty, por nuk më bëjnë konkurencë se ata vetëm kocka mishi duan. Janë të urtë, nuk më turën kurr sikur tatimtari që ma lyp tatimin për shtëpi a inkasanti për rrymë a ujë. E po, pensioni nuk më mjafton dhe këto ma plotësojnë. Është punë pa rreziqe përveç njëherë kur kishte një gjë në fund të kontejnerit dhe në përpjekje ta kap rrash posht tij dhe, meqë ishte vonë, mbeta gjatë brënda në at kundërmim të padurueshëm. Po çdo punë ka s´paku një rrezik të vogël. Po, nuk jam i vetmi. Ka dhe disa të tjerë, bile një është edukator dhe ai –sikur është mësuar kur punonte me fëmijë- del e kërkon me kravatë. Por nga turpi i hikim takimit me njëri tjetrit”.

„Z. Mësues, ç´je hutuar kështu. Si të ka marrë shëndeti” e pyet ish nxënësi ish mësuesin. „E po jam në shqetësime se kam një aritmi të theksuar që më bënë të zemëruar” „ Ishe të mjeku?” e pyet ai. „Po. Thirra taksinë dhe kur nxorra t´i paguaj, më kërkojë 2 euro. „ Jam pensionist” i thash. „Pse, mos makina më harxhon më pak karburante për këte fakt” dhe bashkë me rrugën e këthimit, zhvata 4 euro. Tek ia paguaja çmimin, se si më humbën 20 cent. Më therri në zemër kjo!. “Pas kontrollit te mjeku, një moter shumë gjentile më thot “Axhok, duhet të bleni shiringen dhe ampullat propaphenol” „Nuk bënë drazheja? Janë më të lira!” e pyeta. „Më efektive janë ampullat. Dy bile” Vajta në ilaçtore. “ Dy propaphenol” “Katër euro” më tha barnatorka. Ia dhash. „Dhe një shiring komplet” „Shtatëdhjetë cent” më tha. „Pesëdhjetë i kam”. „Nuk mund ta ndaj përgjysëm” më tha sert. Dhe shkuan afro shtatë euro, gadi 10 për qind i pensionit. Po, i bëjë llogari me mend e meqë pak më kanë lënë, druaj se gaboj” „ Po nuk është dhe një shumë e madhe. Dëgjon ti biznesmenet, agjentët e hafijet: pesëdhjetëmijë, dyqindëmijë, njëmilion e hajt-hajt” „Po,unë s´ jam as bisnesmen., as hafije bile e as deputet që m´i thua këto. Këtyre të fundit dhe pas vdekjes u shkon paga e mua as kur jam gjallë. Ku t´i marrë o zotëri?” Mësuesi i pensionuar u hidhërua dhe iku pa përshëndetje.

Këto dhe halle të tjera të shumta mblodhën pensionistet dhe, në tubimin e tyre në një sallë të pistë kërkuan derman. Kur sosi diskutimi, drejtuesi, pasi që kishin pëmbledhë mendimet në një letër, ua lexoj për konfirmim. Në të shkruante: Për të zgjidhur problemet e vogla të penionistëve dhe fare të mëdha për qeverinë, me qëllim që ajo të përfitojë sa për të mbetur dhe mandatin tjetër në pushtet, ia paraqesim këte propozim: Shumë i nderuari President dhe Kryeministër dhe ministra. Sipas një Zakoni të lashtë të Japonisë, teksa prindërit mbushnin 65 vite, fëmijët i shoqëronin në një pyll të mbushur egërsira dhe i lënin aty derisa ti shqyenin bishat ose të vdisnin nga të ftohtit a uria. Në përputhmëri me nevojën që të zgjidhët problemi ynë, propozojmë që: 1. të përcaktohet një rrafshlartë në Bjeshkët e Pejes, a të Sharrit, midis pyjeve të dendura dhe aty sipas zakonit japonez, të na shpieni ju e pasardhësit tonë. Harxhimet e rrugës në ngarkesën tonë. Më parë, meqenëse fauna është dëmtuar paksa se është pakuar numri i ujqërve dhe i arijëve po dhe macjet e egëra e dhelpërat gadi që nuk shihen, dhe për shkak të kësaj vëhet pikëpyetje nëse ka resurs sa për të na shqyer, të importohen nga Sibiri rus ujqërit e arijtë /jo macjet e dhelpërat se kanë kafshatën të vogël që investimin e një shteti racional e bëjnë joracional/, nga shkaku se nëse ngjajnë në politikanët e tyre, janë të egëra e të egërsuara dhe nuk do lënë asnjë pensionist të gjallë. Nëse kanë dhe ata probleme të tilla e u duhen ujqërit e arijtë për t´i zgjidhur, atëherë, ata do lejojnë eksportin vetëm sa për të rregulluar deficitin tregtarë. Në at rast sasia tjetër të importohet nga Kina komuniste ujqërit e së cilës janë, për shkak të sistemit në të cilin jetojnë po edhe të inatosur nga shpallja unilaterale e Kosovës shtet, poaqë të tmerrshëm sa ata rus. Ka një rrezik investiv me ujqërit e Kinës se janë mësuar me një biçim tjetër njeriu e ne u dukemi si ujqërit. E dihet se ujku-ujkun se ha. Si një mundësi e tretë importi janë ujqërit e arijtë e Veriut konkretisht ata të Norvegjisë. /Do bënte edhe ata të Alaskës por transporti e bënë investimin jorentabël/. Ata janë të rafinuar e nazeli të vërtetë nga standardi që kanë dhe bënë se mishin e trajtojnë jo të njëriut e nuk e duan. Po çdo investim mbanë rrezikun në trasten e vetë. Investuam që të kemi standard-nuk e kemi. Investuam për barazi midis njerzëve- nuk e kemi. Investuam për sigurinë personale e të përgjithëshme- nuk i kemi. Duam zbardhjën e krimeve-s´i dijmë as shtijësit e as dorrasit. Duam shtetin e ligjit- nuk e kemi. Duam drejtues të ndershëm- nuk i kemi. Po edhe po nuk na zhvatën tërësisht bishat, llogarritem se s´paku fauna dhe komponenti ekologjik do rregullohen paksa dhe investimi shpëton. Një kontabilist joni, bëri një përllogarritje dhe doli se po i hëngrën bishat njëqindëmijë pensionistët, fondi pensional do i vënte në dispozicion deputetëve për rritjën e e pagave minimale të tyre, mjete finansiare me tamam sa për të marrin 2000 euro në muaj, dhe do teprojë mjaftë edhe për stafin që u sillet vërdallë. Ky është një manovrim financiar, një parameter fiskal që e bëjnë fiskallxhinjtë e Qeverisë si cirkusantët kinez e që realizon keta objektiva: 1.Për fillim, sa të marrin pagat, deputetet më pak do flejnë në sallat, më pak do qëndrojnë jasht tyre dhe gjithësesi do mbajnë materialin kuvendar përpara deri pas mbledhjes. Po edhe stafi legjislativ do kopjoj draftët më cilësor e me më marifet. Të dukën sikur i kanë bërë vetë; 2. Fauna jonë do begatohet nga numri dhe nga temperamenti i bishave që nga ato me naze aristokrate /norvegjeze/ deri te ato që bëjnë hatanë /ruso kineze/ dhe do shihet nëse këto bishat tonat do ia dalin në garën me to; 3. Problemi i vogël i kolonës pa fund të pensionistëve dhe krekosja e lodhur e tyre se bënë themelin e shtetit, do marrin fund me kalimin e kësaj të dytës te ata për të cilët kjo punë ishte „fshat i Potemkinit” Fakt se pensionistët do kishin pak dhimbje nga kafshimi i bishave po dukshëm më pak se nga fyerja që ua bëjnë pushtetarët me injorimin e tyre. Po si shumë dhimba në histori edhe kjo si një kujtim i trishtë, venitet shpejtë. Mlladiq vrau 8 mij boshnjak në Srebrenicë, bota rrenkojë e ai tash duke u bërë xurxull ,me shlivovicë e duke ngrënë si një derr qafa të tharra derri vilave të Beogradit, qeshë e përqeshë Evropën. Të nderuar, me respektin më të thellë për tërat që bëtë për Kosovën martire, për popullin që më në fund me paraqitjën Tuaj iu shfaqë drita në fund të tunelit dhe u ndritë i tëri, për që na begatuat jetën me shqetësime sa për të na davarisur monotoninë, jua adresojmë këte propozim duke vënë dhe njëherë në spikamë thelbin e propozimit:

-Problemi i pensionistëve i zgjidhur tërësisht /mbetjet e pensionistëve pas shqyerjës nga bishat, të rehatuara gjithandej në parrajsën bjeshkore- pa shpenzime mortore e pa përkujtimore-varreza të shtrenjta/;

-Deputetët dhe vërdallxhinjtë e tyre me paga e honorare të rritura për asish-ksish punësh ; -Fauna e begatuar /kafshet e shumuara-kaleidoskop i vërtetë faunor/ -Shansi i ritur i zhvillimit të turizmit -Kursime të konsideruara buxhetore Nga kjo, hovëzim të paparë i zhvillimit të Kosovës dhe tregues për një Qeveri efektive Dakord? Dakord! Pensionistët- ish shtetëbërësit të Kosovës Avokati i tyre Minush M. Hoxha

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page