Zemrita Gjana Hereni: NJË GRUAJE QË E KTHEU DHIMBJEN NË LETËRSI TË BUKUR

NJË GRUAJE QË E KTHEU DHIMBJEN NË LETËRSI TË BUKUR.
Shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj në takime letrare në shkollën
“14 Nëntori”. Durrës.
Me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj, “Mjeshtere e Madhe e Penës”, u takova dy vite të shkuar, në një veprimtari letrare, kur unë si mësuese në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori”, këtu në Durrës, njoha jo vetëm një grua por një shkrimtare, historiane dhe studiuese të përkushtuar në histori e filozofi.
Për kalvarin e jetës së saj të vështirë, në fëmijëri, rini dhe pjekuri, dhe së fundi shkrimtare me emër të ndritur në Shqipëri edhe në botë, me shumë vlerësime e nderime, e meritonte titullin “Grua heroinë”. Kështu kisha dëgjuar tek e emërtonte mikja dhe poetja Merita Kuçi Thartori, e cila më frymëzoi që më pas të bëhesha pjese e Lidhjes së Shkrimtarëve të Durrësit.
Me Znj. Vilhelme Vrana Haxhirajn u takova dy vite më parë, më 31 Tetor 2024, në Durrës në një kuvend letrar në shkollën “Qemal Mici”, ku shkolla jonë ishte bujtëse. Ishte e shoqëruar nga Fitimi, bashkëshorti i saj i pandarë.
U përurua libri “Genti Mbreti Ilir i Ardianëve”, ku morën pjesë gjallërisht nxënësit tanë, të cilët e shndërruan veprimtarin në një festë të vërtetë. O zot çfarë mrekullie krijuan nxënësit, çfarë fantazie shpërfaqën me lojën e tyre, në përfytyrimet e një mbreti Ilir, jetuar disa mijëra vjet më parë. I jap të drejtë pedagogëve të mi, kur na thoshin: - “Doni të kini sukses në punën tuaj, mbështetuni te nxënësit, ata bëjnë mrekulli”.

Si më thonë koleget mësuese, shkrimtarja Vilhelme Vrana ka ardhur disa herë në veprimtaritë letrare që janë organizuar në mjedisin durrsak, ku nuk kanë munguar edhe vlerësimet. Ndërkohë është e dyta herë që ndodhet në mesin tonë, mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve të shkollës sonë, pas një takimi disa vjet më parë, në përurimin e librit “Elitat e mohuara........ Nderi i kombit”, mbajtur në mjediset e Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, ku nga Valbona Sako, “Zonja e Parë” e Bashkisë së Durrësi, u nderua me çmimin “Kulla Veneciane”, e derdhur në bronz. Nuk çuditem që shkrimtarja Vivra ishte e dashuruar me Durrësin, me mikpritjen, me qetësinë dhe bukurinë e shpirtit durrsak, me letrarët tanë të talentuar, të cilët vërtet meritojnë nderime qytetarie.
Pak kohë më pas, ishte takimi i dytë me këtë personalitet të letrave shqipe. Një kuvend libri, në Librarinë “Redon”, këtu në Durrës mes shkrimtarëve dhe krijuesve të Durrësit. Ishte një veprimtari kushtuar botimit të librit “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, me autore zonjën e nderuar Vilhelme Vranari. Ky bashkëbisedim, apo kuvendim, do të mbetej për mua një kujtim i veçantë, pse jo i rrallë. Një shkrimtare vlonjate shkruan një monografi për një tjetër shkrimtar nga Durrësi, kur ata kanë edhe shumë kohë për të jetuar e shkruar.
Nuk e di si ndjehen shkrimtarët dhe artistët në të tilla veprimtari, që vetiu kthehen në dit e ngjarje për jetën artistike të qytetit tonë. Kënaqësi e pasuri për letrarët, kur vlerësojnë e nderojnë njëri-tjetrin.
Si pjesë e LSHA-s, si mësuese histori-gjeografie dhe njohëse vlerave të personazhit kryesor që trajtonte në botimin e saj Znj. Vilhelme, mora me kënaqësi të them dy fjalë, për vlerat e Prof. Kadri Tarellit dhe kontributin e tij në arsim e më gjerë, ku shkrimet e tij ruhen në gazetat e kohës dhe frymëzojnë brezat e mësuesve dhe të nxënësve! Unë në arkivin tim kam një numër të madhe gazetash “Mësuesi”, ku pasqyrohen vlerat, reformat dhe vështirësitë e arsimit në Shqipëri.
Takimi i tretë me shkrimtaren, kështu po e quaj, ndodhi kohë më parë, kur mora në duar librin e saj, “Kush jam unë.......?”, një monografi kushtuar vetvetes. Si lexuese dhe veçanërisht si mësuese historie, kam lexuar plot libra kujtimesh. Por është e para herë që ndeshem me një libër të tillë, me formë, stil e përmbajtje të veçantë, ku kujtimet janë futur në një kornizë gazetarie, nga gazetari Gëzim Marku, duke i dhënë përmbajtjes vlera përgjithësuese, si model ku mund të mbështetemi dhe të mësojmë shumë.
Znj. Vilhelme çuditërisht më tërhoqi në fjalën e saj, me urtësinë për ta parë ndryshe këtë realitet të zymtë ku jetojmë. Ajo bisedon me veten, por të ngjall nderim ta dëgjosh, jo vetëm si shkrimtare, por mbi të gjitha si një grua, nënë, veprimtare që guxoi ta kthente jetën e saj në dëshmi, dhimbjen në fjalë dhe kujtesën në art letërsie. Në rrëfimet e saj ndjeje peshën e një realiteti të hidhur, plagët e një kohe të vështirë dhe përjetimet e një jete të kaluar mes diktaturës, por edhe zhgënjimet e vështirësitë të hasura edhe në demokracinë tonë, që mban vulën “demokracia” shqiptare.
Ajo nuk shkroi thjesht për të treguar. Shkroi për të mos harruar, rrëfeu për të dëshmuar atë që kishte përjetuar dhe për t’ua lënë brezave si kujtesë. Në fjalët e saj kishte dhimbje, por edhe dinjitet; kishte zhgënjim, por edhe një dashuri të jashtëzakonshme për njerëzit, për artin, kulturën, të vërtetën dhe mbi të gjitha për kombin.
Sot, pas ndarjes së saj nga jeta, e kuptoj edhe më shumë vlerën e librave dhe atyre takimeve. Njerëz të tillë nuk largohen plotësisht. Ata mbeten si heronj në faqet që mbushën veprat, në kujtimet e atyre që e njohën dhe në gjurmën që lanë në kulturën shqiptare.
Znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj ishte dhe mbeti një nga ato figura të kombit, që jetën e përjetoi me dhimbje, por zgjodhi ta rrëfente me art.
U prehtë në paqe. Kujtimi dhe vepra e saj qofshin të përjetshme.
Me respekt e mirënjohje!
Zemrita Gjana Hereni!
Gusht 2026.








Comments