top of page

ZEMRA E LUANIT...


Doli nga pylli, një luan i sëmurë, në lirishtën me diell, u shtri të vdesë. Mbylli sytë, shtrëngoi dhëmbë e buzë, përcjelljen e shpirtit të vet, të presë... Kafshët e xhunglës, u turren përqark, nisën të klithin, me gaz të hareshëm, kërcenin e kuisnin, me zëra të lartë: Hej, hej, ngordhi trimi i tmerrshëm!... Gazmonin, po asnjë nuk guxonte, krifëverdhit, sadopak t’i afrohej. Nga frika, mos ngjallej, i copëtonte, gjaku brenda damarëve, u frenohej... Kur iu shua krejt, shpirti trimëror, secila kafshë, filloi të merrte hak. Shqyente copa, nga mishi luanor, përtypte pa shije, por me shumë inat. Pasi brejtën eshtrat, gjer te këmbët, zemrën, çuditërisht, s’e kafshonin dot. Se egërsirave u thyheshin dhëmbët, korbave, u binin sqepat përtokë!... Ajo zemër, nuk ishte krijuar prej kocke, por të qe më e fortë, prej elefantit e kalit, t’u jepte nofullave në brejtje, energji force, si fortësia e shkëmbit, që mban peshën e malit. Natyra e kishte krijuar, si zemër të paepur, për çdo terren xhungle, e kudo në savanë. Ndryshe nga zvarranikët e vraparakët lepuj, natyra i kish dhënë zemër energjike, për luanë. Kur kishte mbetur në fund, sa një pjepër, dukej sikur u thoshte, me ngurosjen e vet: “Së pari u ha zemrën, se më shijon më tepër, ndaj dhe i vdekur, zemra më mbetet mbret!” Atë zemër të luanit, e thau dielli në vapë, derisa u tkurr, sa një bërthamë e fortë. Më pas shirat nisën ta tretin, pak nga pak, gjersa u shkri dhe shkoi thellë nën tokë...


22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page