top of page

Zallgurrale

  • Jun 5
  • 6 min read

Updated: Jun 6

Zallgurrale

Nga Fatmir Terziu

 

Ti e njeh zërin e ujit më mirë se zërin e njerëzve.

Që në ag, kur mjegulla endet si dele e humbur ndër shpatet e përhime, del e ulesh pranë gurralecëve.

A ke dallim?

A ke dallesë?

Thjesht ti nuk e njeh delene e zezë.

Më saktë nuk je vetë delja e zezë.

Ti gjendesh. Ti je… Je pikërisht atje…

Atje ku burimi s’ka nevojë për gojë e prapëseprapë flet. Atje ku gurët e vegjël, të lëmuar prej shekujsh durimi, mbajnë në shpinë historinë e ujërave që s’kanë pushuar kurrë së ecuri.

Rri gjatë.

Me peshërat e mbështetura mbi ekzistencë. Me gjë të zhytur në atë rrjedhë të pafajshme që zbret prej kreshtash të largëta, prej vendeve ku ende banojnë retë dhe vetmia.

Është mirë ta dëgjosh ujin.

Është mirë t’ia njohësh belbëzimet, pëshpërimat, murmurimat e fshehta.

Sepse uji di gjëra që toka i harron.

Di emra të tretur në baltë, di gjurmë të mbuluara prej barit, di rrëfime që era i ka shpërndarë në katër anët e botës.

Ndaj e dëgjon.

E dëgjon me një përkushtim pothuaj besimtar.

Herë-herë të duket se gurralecët të flasin për stinë të largëta.Ppër dimra kur bora mbyste shtigjet e ujqit ulërinin nëpër gryka. Për vera kur vajzat lanin flokët në brigje e buzëqeshjet e tyre ngjiteshin përpjetë si tufa dallëndyshesh.

Po ani...

Uji është mjeshtër i mashtrimit.

Ai rrjedh i kthjellët sipër, ndërsa në fund mbart terrin e vet.

Ashtu si njeriu.

Ashtu si kujtesa.

Prandaj ndonjëherë, kur dielli bie pingul mbi sipërfaqen e tij e gjithçka shkëlqen me një dritë gati qiellore, ti dallon në thellësi një dridhje të errët.

Një hije.

Një lëvizje.

Si një kaparton i vjetër që nuk pranon të gjilpërë.

Dhe atëherë zemra të bëhet gur.

Një gurraleckë e vogël, e rëndë, e fundosur.

Sepse e kupton se çdo ujë bart rrënimin e vet.

Çdo burim ka plagën e vet të fshehur në barkun e malit.

Çdo rrjedhë zbret duke marrë me vete grimca dheu, rrënjë të këputura, insekte të mbytura, gjethe të kalbura, ëndrra të shpërbëra.

Po kush i sheh?

Kush ndalet të numërojë humbjet e ujit?

Kalojnë njerëzit.

Mbushin shtambat.

Lajnë duart.

Shuajnë etjen.

E largohen.

Vetëm ti mbetesh aty.

Vetëm ti vazhdon të rrish pranë gurralecës si pranë një plaku që ka shumë për të treguar e pak për të fshehur.

Dhe dita avitet drejt mbrëmjes.

Drita zverdhet.

Hijet zgjaten.

Zogjtë kthehen në çerdhe.

Nga lugina ngrihen avuj të hollë si frymë kuajsh të lodhur.

Ndërsa gurraleca vazhdon.

Pa ngut.

Pa krenari.

Pa dëshirë për lavdi.

Vazhdon ta lëmojë gurin.

Vazhdon ta hajë malin grimcë pas grimce.

Vazhdon ta gdhendë botën me një durim që as koha nuk e zotëron.

Dhe ti e kupton papritur.

Grimin nga kohërat motake. Nuk të thashë mortale. Jo.

Jo fortesat.

Jo shpatat.

Jo britmat e mëdha.

Por pikërisht kjo rrjedhë e imët, kjo pëshpërimë e përunjur, kjo dorë e tejdukshme e ujit, është ajo që fiton në fund.

Sepse mali plaket.

Pemët rrëzohen.

Shtëpitë boshatisen.

Emrat treten.

Ndërsa gurralecka, e vogël sa një damar drite në zemër të shkëmbit, vazhdon të rrjedhë.

Vazhdon.

Si kujtesa.

Si malli.

Si një pikë loti që nuk bie kurrë. Gurrzalle.

Zallgurrale.


Fatmir Terziu: Ranxhë

 

Ime. Je ende. E ngucshme mbi ledhe të zemrës. Në muzën e pritjes. Kundrisje në brezin e butë të mallit, me sytë ngjeshur në cipalin e shpirtit. Eh, mos ma ndje, eh. Ti je andej nga rëndom shfaqen stuhitë e dashurisë. Hijet që vijnë në duvak si ëndrra, si buzëqeshje kalimtare, si premtime që trokasin lehtë në portat e natës.

Është mirë t’i vëzhgosh.

Është mirë t’i mbash nën shenjën e zemrës së tendosur si hark, nën breshërinë e psherëtimave, nën vrullin e gjakut që di të ngrihet në kryengritje për një emër të vetëm.

Ndaj përforcon muret e vetmisë.

Ndërron rojat e mendimit.

Stërvit kujtesën të nuhasë nga larg aromën e saj.

Stërvit ëndrrat të fluturojnë në elipse të gjera mbi horizontet ku ajo mund të shfaqet.

Mban nën kontroll tokën dhe qiellin e shpirtit.

Madje dhe detin.

Sidomos detin.

Sepse prej tij nuk vijnë vetëm valët e kaltërta të mëngjesit, por dhe ranxhat e fshehta, ato krijesa petashuqe që rrëshqasin nën sipërfaqe si ndjenja të pashprehura, si dashuri që mbajnë në bishtin e tyre thumbin e ëmbël të plagës.

Je i qetë.

Pothuaj meditativ.

I sigurt se muret e zemrës janë të forta.

Brenda mbretëron paqja.

Shandanët e mbrëmjes ndezin fytyrën e saj në kujtesë.

Një muzikë e butë rrjedh në damarët e tu si verë e re.

Dhe dashuria, e ndrojtur, fjalëpakë, endet nëpër korridoret e shpirtit me këmbë zbathur.

Po gjumi yt drithërohet.

Harta e natës zhubroset.

Në ujërat e errëta të ëndrrës lëvizin ranxhat.

Ato nuk sulmojnë.

Nuk nxjerrin dhëmbë.

Vetëm prekin.

Dhe një prekje e tyre mjafton të të mpijë krejt qenien.

Si dora e saj mbi ballin tënd.

Si zëri i saj mbi heshtjen tënde.

Si flokët e saj që kalojnë mbi kujtesë e lënë pas një rrymë elektrike më të fortë se çdo rrufe.

Ditët përsëriten.

“Ishte kalorësi i bardhë?”

“Ah, ku të shpie mushka more djalë.”

Dhe prapë ti shikon ëndrra larg.

Gjithnjë larg.

Teksa obortarët e zakonshëm të jetës venë e vijnë.

Teksa mbrëmja bie.

Teksa zihet fasulja me pastërma.

Ndërsa një berr kollitet e tufa...

Po ani…

Kush e di se ç’ndodh në thellësitë ku syri nuk mbërrin?

Sepse ndërsa ti ruan horizontin e botës, dikush brenda teje ka kohë që punon fshehurazi.

Ka kohë që e lëmon emrin e saj si një ranxhë mbi enën e shpirtit.

Pak nga pak.

Me durim.

Me përkushtim.

Duke rrafshuar të gjitha tepricat e jetës.

Duke mbushur çdo zbrazëti.

Duke shpërndarë mallin në mënyrë të barabartë në çdo skutë të qenies.

Derisa zemra të bëhet e plotë.

E përplot.

Si një enë drithi pas korrjes.

Si një hënë e rrumbullakët mbi det.

Si një puthje që nuk ka më ku të shtojë asnjë grimcë dashurie.

E atëherë kupton: Nuk ishe ti domixhani i dollisë.

Ishte kupa. Ishte dashuria.

Dhe ranxha e saj e padukshme.

Që prej kohësh të kishte rrafshuar shpirtin me duar drite, derisa tek ty të mos mbetej asnjë qoshe pa emrin e saj.

Ranxhë.


Gurralec

 

Ti e mzan përroin. E bëzan me karshillëk. Dhe e di pse? Se nguc të shkuarën e tij. E të shuarën e di vetëm ti. E di, ashtu të zbresë nga shpati me ngut të pafajshëm, me zërin e vet të hollë, me atë gurgullimë që ngjan si e qeshura e një fëmije të harruar ndër mote. E mendon se ai sjell vetëm ujë. Vetëm freski. Vetëm hijeshi të malit. Por përroi nuk zbret kurrë vetëm.

Ai sjell gurralecë.

Mijëra. Të vegjël, të rrumbullakët, të lëmuar prej kohës, prej fërkimit, prej durimit të gjatë të ujit. Asnjëri nuk ngutet të bëhet shkëmb. Asnjëri nuk ankohet pse nuk është mal. Secili bart mbi kurriz historinë e vet të goditjeve, rrëshqitjeve, rrëzimeve dhe përplasjeve.

Ti kalon mbi ta pa i vënë re.

Kalon si mbi një rrogoz.

Nganjëherë i shkel me këmbë.

I shkel si xunkthe.

Nganjëherë i flak tutje.

Nganjëherë i merr në dorë vetëm për t’i hedhur përsëri në ujë.

Po ata mbeten aty.

Të heshtur.

Të përkorë.

Të mençur në mënyrën e sendeve që kanë parë shumë e nuk kanë më nevojë të flasin.

Mali i ka mbarsur me mollnja. Përroi i ka rritur me këngë. Koha i ka pagëzuar me heshtje.

Dhe ti nuk e kupton menjëherë se e gjithë lugina është ndërtuar mbi durimin e tyre.

Shkëmbi rrëzohet me gjëmë. Bën jehonë. Trondit ajrin. Përmendet në rrëfenja.

Gurraleci nuk bën zhurmë.

Ai vetëm mbetet.

Në brigje.

Në shtigje.

Në themele.

Në pragje shtëpish.

Në kujtesën e ujit.

Sa herë fryn era e madhe, pemët përkulen, kulmet rënkojnë, degët kërcasin. Gurralecët vetëm lagen. Vetëm presin. Vetëm dëgjojnë kalimin e stuhisë.

Duket sikur nuk bëjnë asgjë.

Por pikërisht prej tyre përroi mëson kthesat.

Prej tyre uji mëson muzikën.

Prej tyre drita copëtohet në mijëra shkëndija të vogla argjendi.

E ndoshta kështu është edhe jeta.

Ne rendim pas shkëmbinjve të mëdhenj, pas monumenteve, pas emrave që shkruhen me germa bronzi mbi pllaka të rënda.

Ndërsa bota mbahet mbi gurralecët.

Mbi njerëzit e zakonshëm.

Mbi ata që nuk bëjnë bujë.

Mbi ata që nuk kërkojnë fron.

Mbi ata që nuk ngrenë kulla.

Mbi ata që lëmohen dita-ditës prej rrjedhës së kohës dhe prapëseprapë nuk humbin thelbin e tyre.

Shikoje me kujdes një gurralec.

Në atë rrumbullaksi të përkorë fle një mal i tërë.

Në atë heshtje të vogël fle zhurma e lumenjve.

Në atë trup të lëmuar fle egërsia e dikurshme e shkëmbit.

Dhe kur mbrëmja zbret mbi përroin, e hija e shelgjeve shtrihet mbi ujë si një përrallë e vjetër, gurralecët nisin të shkëlqejnë nën sipërfaqe.

Jo për t’u dukur.

Jo për t’u lavdëruar.

Por sepse drita, kur takon përulësinë, gjithmonë gjen një mënyrë për të qëndruar. Për tu bërë ai që ke vetë e kërkuar. Gurralec.

1 Comment


Halil Rama
Jun 05

Qoftë edhe nga tituj intrigues tregimet tuaja Mjeshtër i prozës, të mbërthejnë dhe s'të lënë pa i shkuar leximit deri në fund i dashur Fati...Uji i rrëmbyeshëm i zallit është mjeshtër i mashtrimit, ndonëse i rrëfen zanat e bukura që lajnë flokët në të dhe i dallon më mirë se askush tjetër delet e zeza...

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page