Ymrije Beqiri: SHKO, DALLËNDYSHE
- 11 hours ago
- 2 min read

Poezia “Shko dallëndyshe” e Ymrije Beqirit është një këngë e dhimbshme për mërgimin, pritjen dhe plagën e nënës, një nga ato dhimbje që nuk kanë nevojë për shumë zbukurime poetike, sepse vetë jeta i ka shkruar vargjet. Dallëndyshja, simboli i kthimit dhe i pranverës, këtu bëhet lajmëtarja e pamundur e një kthimi që vonohet aq gjatë, sa nëna nuk arrin ta presë më.
Vargjet kanë një thjeshtësi të drejtpërdrejtë dhe pikërisht kjo i jep poezisë forcën e saj emocionale. Dera e vjetër, pragu ku nana pret, era e ftohtë, sytë e lodhur nga lotët – janë imazhe që ndërtojnë një skenë të heshtur, por tronditëse. Nëna nuk kërkon shumë; ajo pret vetëm fëmijën e saj. Por koha e mërgimit e kthen pritjen në një fat tragjik: fëmija jeton larg, ndërsa nëna shuhet duke parë nga dera.
Poezia prek një plagë të hershme e ende të gjallë të shqiptarëve: ikjen në gurbet dhe çmimin që paguajnë ata që mbeten pas. Dallëndyshja fluturon, por nuk mund ta sjellë dot fëmijën; letra mbërrin, por nuk e zëvendëson dot praninë. Dhe në fund mbetet një nga dhimbjet më të mëdha njerëzore: nëna vdes duke pritur, ndërsa fëmija kthehet vetëm në kujtim. Një poezi e ndjerë, e cila e ka forcën te sinqeriteti i saj dhe te ajo e vërtetë e hidhur se disa dyer mbeten hapur deri në frymën e fundit, edhe kur ata që presim nuk kthehen më. (F.T.)
Ymrije Beqiri: SHKO, DALLËNDYSHE
Shko, dallëndyshe, ti shko,
shko tek ajo derë e vjetër.
Të lutem, shko, mos u ndal,
mos ndalo diku tjetër.
Shtyje pak atë derë, lehtë,
çdo ditë nana në prag më pret.
Shko, ti shko, fluturim,
dhe thuaj: ndoshta një ditë
vjen fëmija juaj.
Erdha vetëm letrën të ta sjell,
mos rri, nanë, tek ajo derë,
se ftohtë fryn ajo erë.
Nana fëmijën po e pret,
ka shumë vite iku në gurbet.
U bënë shumë vite e muaj,
fëmija u tret në vend të huaj.
Nana, sëmurë e dërmuar,
dhe të pamurit e syrit iu dobësua.
U lodhën sytë nga lotët, mjerë,
vdiq e shkoi duke pritur në derë,
kur po i kthehej fëmija njëherë.







