top of page

Ymer Hysa: Ushtaraku i Lartë që mbeti në kujtesën e njerëzve që e njohën.



 

       Sapo lë rrugën e vjetër nacionale në Gjorëm të Kurbinit, pikërisht atje ku fillon rruga e fshatit Zhejë do të ngjitesh nëpër Kodër Dars dhe kur të arrish në kodren Taftiben, ku thuhet që në mesjetë ishte qendra administrative e Gjon'mit dhe Lagja Bakalle me zejtarinë, mëhalla më e populluar e kohës, vend ky ku bëhej edhe pazari, në krahun e djathtë rruga e lashtë këmbësore zbret drejt Ploçës, pikërisht në mëhallën Kaleshe, ku në vitet e komunizmit kur mbrojtja e Atdheut konsiderohej "detyrë mbi detyrat" ishte ndërtuar Reparti Ushtarak i altelerisë tokësore që mbronte bregdetin nga zbarkimet detare të armiqve që nga Kepi i Rodonit gjer në Lezhë.

      Ky ishte një repart ushtarak i vlerësuar tepër strategjik nga Ministria e Mbrojtjes, ndaj dhe Komandant Reparti ishte zgjedhur njëri nga specialistët e drejtuesit më të aftë të kohës. Ai ishte Petrit Bazina, i cili pas kryerjes së studimeve të larta ushtarake do të kryente edhe specializime të thelluara ushtarake në BS dhe Kine. Falë aftësive të tij dhe oratorisë ai do të emërohej Profesor në Shkollën e Lartë Ushtarake ku do të shquhej jo vetëm për mësimdhënje, por edhe si njeri i dashur me kolegët dhe studentët.

      Bashkohësi i tij, dikur ish-student i tij, ushtaraku i lartë, tashmë në amëshim, ish Gjeneral Brigade dhe Komandanti i Gardës Halit Gjeçaj dikur ish shef i altilerise së divizionit Laç do të shprehej:

      - "Unë Petrit Bazinën e kam patur Shenjtor, ai më bëri artilier dhe në akademi nuk kisha nevojë për leksione apo tekste se në trurin tim ishe mendja brilante e atij intelektuali të shquar. Aftësitë e tij profesionale në gradimin e shënjestrës ishin të rralla. Llogaritjen e distancave dhe asgjësimin e objektit i bënte saktësisht, jo vetëm në topa stacionerë por edhe kur ato ishin në lëvizje me mjete transporti. Ishte maematicien. Në çdo stërvitje ushtarake ishte në nivelet më të larta".

     Me fjalë të ngrohta e me konsiderata të mëdha do të shprehej edhe ish komandanti i këtij reparti Gani Zeneli, i cili punoi përkrah tij në këtë repart dhe më vonë pas transferimit, zëvendësoi Petritin.   

"Petrit Bazina ishte njeri i veçantë, jo vetëm si specialist altilerie, por edhe si qytetar i devotshëm dhe shumë komunikues, do të vazhdonte ushtaraku Gani Zeneli. Ai besonte te njerëzit. Kishte miqësi jo vetëm me ne vartësit e tij, por edhe me ushtarët, me rezervistët edhe me drejtuesit e ekonomisë bujqësore në zonë".

     Reparti ushtarak që kishte mbi njëqind ushtarë efektive dhe me qindra efektivë rezervistë kishte nevojë për ujë të pijshëm. Ndryshe nga shumë reparte të tjerë që nevojat për ujë të pijshëm i zgjidhnin me alternativa të tjera si me autobote, apo me bidona duke i mbushur në largësi, ushtarakut Petrit Bazina i lindi një ide brilante. Të merrte ujë nga Gurra e Gjormit, një burim natyror i bollshëm ky për të furnizuar jo vetëm repartin, por edhe fshatin Gjorëm.

    Kështu ai bisedoi me drejtuesit e ekonomisë dhe të fshatit Gjorëm, për të ndërtuar ujësjellësin me kontribut vullnetar. Kjo ide e tij u prit mirë nga banorët dhe ujësjellësi filloi nga puna. Nuk ishte e lehtë, duheshin përllogaritje të detajuara. Ujësjellësi do të ishte me rrjedhje të lirë dhe do të kishte shumë vepra arti që nga kanalet ku do të shtriheshin tubacionet e gjerë te tuneli dhe depozitat e ujit në çdo lagje. Kontributi i tij nuk mungoi. Hartoi projektin, dhe ndihmoi me mjete transporti, mjete pune si edhe me lëndën plasëse që duhej për të shpërthyer gurë, masive dheu dhe shkëmb në tunel.

     Kjo për kohën ishte një arritje e madhe. Gurra e Gjormit u disiplinua nëpër tubacione në dy linja, njëra më e madhja për fshatin Gjorëm që do të furnizonte fshatin në tërësi, si dhe objektet social kulturore si shkollën, qëndrën shëndetësore, kopështin e fëmijëve etj. Ndërsa dega tjetër do të furnizonte me ujë të bollshëm repartin ushtarak, një lagje të fshatit Zhejë pranë repartit, si dhe sektorin e majmërisë së kooperativës bujqësore.

     Për Petrit Bazinën flasin me konsiderata ish ushtarakët që kanë punuar me të si Astrit Xhakollari dhe Përparim Bajrami të cilët tregojnë se falë aftësive drejtuese të Petritit reparti ishte kthyer në model ku zhvilloheshin mësime treguese për repartet e tjerë. Në një bisedë me ish ushtarakun Qendro Zotaj mik i përhershëm i Petritit gjer në fund të jetës ai do të shprehej “Petrit Bazina ishte jo vetëm një ushtarakl i përgatitur, një drejtues i aftë, një mik i mirë, por ai ishte edhe një familjar model që rriti fëmijë të shkolluar. Me tepër respekt flasin edhe Ndue Gjeçi, një ish ushtar i këtij reparti, apo mësuesi Ndue Tarazhi që në periudhën kur ai punonte dhe banonte në Laç e kishte mik të ngushtë. Flasin me respekt edhe ish ushtarakë të tjerë që kanë punuar pas transferimit të Petritit dhe që nuk e kanë njohur personalisht, por falë respektit të trashëguar ndër breza si ish komandanti i këtij reparti st N/Prefekt i Kurbinit Mhill Luli.

     Para dy vitesh rastësisht në Eastborne të Anglisë takoj të bijën e tij Linditën një ish studente që kishte mbaruar me rezultate të larta fakultetin e Inxhinierise Mekanike dhe pas disa vite pune në Shqipëri emigron drejtë Anglisë së bashku me motrën e saj Eva duke u integruar me dinjitet atje. Rastësisht u takuam si shqiptarë, por kur i tregova se jam nga Laçi, ajo së bashku me miken e saj Valbona m'u prezantuan si "Laçiane" (pasi kishin kalur fëmijërinë në Lac,) duke më treguar emrat e prindërve të tyre. Te dy i njiha, te dy ishin personalitete që kishin lënë emër të mire në Laç, Prezantimi me Linditen ishte disi i vecante pasi kisha degjuar shumë për Petritin dhe të takoja të bijën e tij krejt rastësisht ishte një kënaqësi e veçantë. Dhe sa i befasuar dhe po aq emocionuar përsëri e pyeta -Ti je vajza e Petrit Bazines?!

     Kur tregova historinë e ujsjellësit dhe kontributin dhe mirënjohjen për Petritin Linditës ju mbushën sytë me lot dhe kjo ishte gjë tepër normale. Nuk ka kënaqësi më të madhe që kur dikush të flet pas shumë vitesh fjalë të mira për prindërit.

      Eva, vajza e Petritit e lindur ne Laç tregon me shumë mall disa kujtime mbresëlënëse me të atin.

      “Përfundova provimin e fundit të sezonit të vitit të parë në Universitet dhe u ktheva në shtëpi tërë gëzim. I tregova librezën e notave duke i thënë “provimi i shtatë babi dhe mora sërish dhjetë”.  Buzëqeshi, më pa në sy dhe duke nxjerrë dorën nga xhepi më dha dicka në dorë. Ishte e ftohtë metalike shumë e vogël. E pashë dhe m’u mbushën sytë me lotë, ishte një 10 lekësh i vjetër. U preka shumë se u ndjeva e pavlerësuar. Ai më tha qetë dhe butë “ti shkollohesh për veten tënde; mos prit vlerësim nga të tjerët”. Më vlejti shumë për ngjarjet e jetës në vijim.

      Më tej Eva vazhdon “Kujtoj gjithmonë bisedat që bënim të dy. Më thoshte gjithmonë me shumë takt “Flasim nëse do, ose bisedo me mamanë nëse e gjykon ashtu”. Kur bisedonim ndihesha e kënaqur dhe e “mençur shumë” ndërkohë që pas vitesh kuptova që babi e sillte veten e tij në moshën, psikologjinë dhe personalitetin tim. E kujtoj shikimin e tij autoritar; shkoja në kuzhinë dhe pyesja mamin me zë të ulët “hë çfarë bëra tani?”

          Babai lexonte shumë. Literatura ruse ushqeu dhe i dha trajtë edhe më shumë mendësisë së tij; Në shtëpi kemi një bibliotekë tejet të madhe ku vendin kryesor e zë literatura ruse. Vula personale me emrin e tij gjendet tek çdo libër.

Jo vetëm pas leximit, ai ishte i marrosur edhe pas muzikës ruse tek e cila gjënte prehje shpirti i tij i trazuar.

       Më dhëmb që u largua aq shpejt. Peng kam që nuk mundëm kurrë të uleshim dhe bisedonim si dy adultë ose si dy shokë dhe të trokisnim gotat duke qarë e qeshur.

       Më mungon shumë. E kujtoj gjithmonë për njeriun altruist që ishte, për formimin e gjithanshëm, për shijet elegante në art, për modestinë, për njeriun e drejtë dhe që kurrë nuk gjykonte, nuk kultivonte mllefe si dhe nuk përbalte askënd; për njeriun që tejkalonte mendësitë e vogla, mediokre, egoiste, të pa afta, manipuluese dhe xheloze. Për njeriun që kultivoi tek unë tolerancën, pozitivitetin, thjeshtësinë, por edhe krenare që e realizoi dëshirën e babait duke përfunduar Doktoraturën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër gjërat që më gëzon është doktoratura që kreva pavarësisht sfidave madhore, renda si maratonomake për të përmbushur premtimin që i bëra, E ndjej që është krenar. Mund të tregoj gjatë për babin tim, por nuk mund të lë pa përmendur mundin sakrificat dhe përpjekjet madhore të mamasë për të na plotësuar gjithçka në mungesë të babait, sidomos gjatë shërbimeve të tij të gjata do ta përmbyllte rrefimin e saj Eva me lot në sy.

      Lindita, vajza tjetër e Petritit shprehet se në aspektin familjar ishte i qetë, ai fliste me shikim, nuk mbaj mend të ngrinte zërin por vetëm një shikim "qortues" i tij ishte i mjaftueshëm per mua. Gjithmonë në fillim të vitit të ri shkollor do të me  përgatiste tabelen  orarit e mësimeve dhe të studimit pasdite me ngjyra që e mbaja në komodinat e librave. Edhe pse për shkak të detyrës shpesh ndodhte të mos ishte prezent fizikisht në shtëpi, kujdesin për ne vajzat e tij në ecurinë e shkollës e kishte prioritar, Kuptohet Mamaja ishte në vijën e parë të frontit - sic thoshte edhe ai . Nuk mund të lë pa kujtuar rastet sa herë kisha dicka që nuk e kuptoja e pyesja ose kur nuk mund të zgjidhja ndonjë problem në matematikë edhe pse isha përpjekur deri vonë, në mëngjez ndodhte qe e gjeja  të zgjidhur atë problem ose ushtrim në një fletë mbi librat . Gjatë periudhës së fakultetit të Inxhinierisë kisha shumë projekte e vizatime teknike . Për të më lehtësuar punën Ai me mjete rrethanore në shtëpi ndërtoi një pjesë shtesë për t'a përshtatur tavolinën e zakonëshme në një tavolinë projektuesish.Por ai nuk kujdesej vetem per ecurine akademike time, ishte Ai qe me mesoi si te kerceja tangon e valsin ,kercente me shume elegance. E si mund te le pa permendur si harroheshin me ore tera ne  biseda per romanet. Me tej ne kohe  kenaqesi e vertete ishte kur vinte tek puna ime dhe pinim kafen bashke . Dukej sikur flisja me nje shok, me nje mik. Sa shume me mungon vertete, por kur i risjell ne mendje kujtimet per tim At ve buzen ne gas e them Faleminderit qe ishe prindi im. 

     Është e vërtetë që Babai im jo vetëm studionte shumë, punonte shumë, por atij i pëlqente shumë dhe patinazhi artistik,  çdo vit të ri datë Një Janar mezi prisnim të shikonim Koncertin e Vienës, kishte vesh muzike e këndonte shumë bukur kur mblidheshim në raste të ndryshme me të arfërmit tanë që nuk ishin të pakta. Jo me pak edhe  sporti futbolli, pinpongu, bilardo,  peshkimi ( pasion të cilin e ruajti deri vone )

 Me Të mund të bisedoje për çdo aspekt të jetës ,pasi të bënte të ndiheshe i/e barabartë. Falë mikëpritjes së dy prindërve tanë shtëpia jonë ishte gjithmonë me njerëz.

   Petriti shquhej jo vetem për një elegancë fizike. Uniforma ushtarake i shkonte shumë, por edhe elegancë oratorike.

     Tatjana, motra e vogël e Petritit, tregon se Petiti ka qenë djalë i vetëm me tri motra. Vetë Tatjana ka mbaruar Fakuktetin e gjuhë letrërsisë dhe jeton në Elbasan duke shijuar vitet e pensionit. Mbase arsimimi i saj në gjuhë letërsi bën që ajo të rrëfejë për villain e tij në mënyrë artistike duke e bërë të këndëshme bisedën. “Nuk kam qenë bashkudhëtare për shumë kohë në jetë me vëllanë tim. Kemi pasur diferencë moshe prej 15 vjetësh. Kur unë kam lindur, ai është larguar nga familja, sepse do të vazhdonte shkollën “Skënderbej“ në Tiranë. Ai ishte nxënës shumë i mirë i shkëlqyer. Ndoshta vazhdoi këtë shkollë, sepse edhe babai im ka qenë ushtarak. Babai kish mbaruar shkollën e xhandarmërisë në Itali. Nëna nuk donte, “do të mbetemi me rroba në krahë” do të shprehej ajo. Nga një anë nëna kishte të drejtë, sepse ai u shkëput nga familja që në momentin që shkoi në atë shkollë.

    Nga fjalët që nëna thoshte për tim vëlla kur ai ishte i vogël vazhdon të tregojë Tatiana, mbaj mënd se ishte një fëmijë i dëgjuar dhe me një shpirt të ndjeshëm. Ai e donte profesionin dhe iu kushtua atij. Gjithë jetën studioi me zell për t’u bërë kuadro i denjë. Mua më ka mbetur në mendje që nga mosha 12 vjeçare dashuria e madhe që kishte ai për të lexuar. Bibloteka e tij ishe shumë e pasur. Aty unë jam njohur me disa nga strategët e njohur Rus. I lexoja se ishin libra biografik dhe shumë të bukur. Bibloteka e pasur e tij nuk kishte vetëm libra për artin ushtarak, im vëllla kishte interesa më të gjëra. Ai vlersonte shumë si Shkencën dhe Artin, Kishte mjaft libra të letërsisë artistike. E çmoja për një komunikim të pastër dhe njohuri nga disa sfera të jetës. Këtë e them nga bisedat që bënim, kur unë u rrita, por dhe nga mënyra sesi i shkëlqenin sytë dhe gjendia e babait tim kur vinte vëllai.

     Nuk ishte thjeshtë dashuria e babait për djalin e tij, por ishte dëshira e babait për të biseduar me djalin si me një shok të pjekur e të ditur. Vëllai im ishte njeri i fjalës, i vendosur. Në qoftë se diçka duhej bërë ai nuk i ndahej. Për cilësitë e tij kur sherbeu si oficer, flasin dhe kujtimet e ushtarëve të tij, që çmonin shumë dhe gëzonin respekt vite më vonë për të.

     Jam takuar me disa nga ish ushtarët e tij dhe më kanë shprehur mendime nga më të mirat. Ai nuk ishte vetëm komandanti i tyre por edhe shok i mire me ta. Një nga ushtarët mu shpreh: “ti nuk i ngjan Petritit”, sepse unë isha pak e ndrojtur. Si prind i devotshëm edhe tek vajzat e tij ai u mundua të edukonte vullnetin, këmbënguljen për të studiuar, gjë që ja arriti me sukses.

     Edhe unë autori i këtyre radhëve si studiues, duke u njohur me kontributin e tij, mendova ti shkruaj këto pak radhë në shënjë mirënjohje dhe respekti. Le të sherbejnë ato si çertifikatë mirënjohje për këtë ushtarak dhe familjar model që la gjurmë të thella në kujtesën e atyre që patën fatin ta njohin apo të punojnë me të.

8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page