Bedri TAHIRI
Shkrimtarin për fëmijë, Ymer Elshanin, e kisha njohur përmes shkrimeve para se ta takoja. Mirëpo, takimi me të, edhe më shumë ma shtoi dashurinë për penën e tij të mrekullueshme. Ishte 24 dhjetor 1996. U takuam në hyrje të Pallati të shtypit. Ter buzagaz e me gazetën “Bujku” në dorë, më përqafoi e si më humor më tha: Më zure...! Nuk dija gjë. Ai e shpalosi gazetën dhe ma vuri përpara tregimin NJOHJA E TRIMAVE!
-E sheh, të kam marrë diçka nga libri “Azem Bejtë Galica”, të cilin e lexova para disa ditësh dhe më pëlqeu shumë!
Unë e përqafova për së dyti dhe e përgëzova. Sa modest që ishte! Sikur u skuq pse i kishte pëlqyer dhe e kishte frymëzuar një fragment nga libri im, botuar ditë më parë! U ndamë, se i ngutej për në mësim. Mezi prisja ta merrja gazetën e ta lexoja atë tregim të mrekullueshëm!
Edhe një detaj tjetër. Tek e intervistoja poetin e madh Xhevahir Spahiu, në Durrës, në gusht 2008, ai më tha: Shpirtërisht kam qenë jetë e mot me Drenicën heroike. Kur isha për herë të parë në Kosovë, më 1979, isha i fundit nga poetët e Shqipërisë që shkoja në atë pjesë të truallit tonë. Pas luftës së fundit, fati e deshi që të jem ndoshta poeti i parë që vizitova Kosovën. Isha me miqtë e mi të respektuar: Moikom Zeqon, Bardhyl London e Pano Taçin. Kur hymë, Drenica mbante erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë. Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit, i cili shpjegoi: Policët serbë gjetën dorëshkrimin e një vepre të Ymerit, kushtuar Azem Galicës, të cilën e asgjësuan...
Kush ishte Ymer Elshani?
Ishte shkrimtari më i frytshëm e më të përkushtuari për fëmijë dhe, njëherësh edhe studiuesi më i mirë i asaj letërsie. Pena e tij e artë skaliti: poezi, poema, tregime, pjesë teatrale, romane e kritikë letrare.
Në shpirtin e tij letrar, siç duket, reflektuan tre emra të mëdhenj: Fazli Greiçefci (daja i tij), Nebil Duraku (tek i cili kishte banuar një kohë) dhe Rexhep Hoxha (mësimdhënësi i tij). Për të gjallë arriti të botoi njëmbëdhjetë vepra letrare; poezi, tregime, romane.
Ymer Elshani u lind në Korroticë e Poshtme, më 14 qershor 1948. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Katër klasë të fillores i mori në vendlindje, e katër të tjera në Komaran, në shkollën ”Jeta e re”. Talentin e tij letrar e shfaqi që në moshën 10 vjeçare. Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962 me titull ”Për gjah”.
Mësimet për mësues i mori në Normalen e Prishtinës. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, një ngjarje tronditëse që e pikëlloi shumë:, burgosja dhe mbytja e dajës Fazli. Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësisë”. Si student i vitit të parë, më 27 nëntor 1968, mori pjesë në demonstrata në Prishtinë dhe për pak e pësoi me largim nga puna, se edhe studionte, edhe punonte (e mbrojti drejtori Halil Bogaj). Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit dhe udhëtimi me biçikletë sëmuret bukur rëndë saqë një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s'u dorëzua. Posa doli mësues s'u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet. Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ''Poezia për fëmijë 1946-1976 në Jugosllavi”.
Pas katër vitesh që punoi në shkollën fillore ”Jeta e re” të Komoranit, kalon në gjimnazin ”Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Drenas...Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, që tashmë ishte shndërruar në QAMO dhe quhej “Mareshali Tito”. Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.
Por, pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981, në Drenas shpërthyen demonstratat. Ai me profesorët dolën për t'i përcjellë nxënësit dhe pas disa ditësh fillojnë diferencimet ideo-politike e Ymerin e përjashtojnë nga puna. Aq më keq, atij iu ndalua publikimi i shkrimeve dhe ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e sigurimit.
Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtzinj. Pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes, ku punoi nga viti 1985 deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”. Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku dha kontribut të madh në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit.
Kur lufta filloi, më 1998, Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Pas intervenimit të NATO-s, pikërisht më 15 prill 1999, u dëbua nga fshati bashkë me tërë familjen dhe u vendos në Poklek i Vjetër.
Më 17 prill 1999, herët në mëngjes tenton të depërtojë në Drenas me familjen e tij, por policia serbe i kthen prapa. Ymeri, me gruan, me 4 djemtë dhe me kunatën Shukrijen strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku barbarët serbë i vrasin pamëshirshëm 52 veta. Këtu, përveç Ymerit, vritet e shoqja Nafia, 4 djemtë e Ymerit: Ardiani, Mirani, Kujtimi, Nderimi dhe kunata Shukria. Të nesërmen në një shtëpi afër vritet nëna e Ymerit, Nailja, e cila ishte motra e Fazli Greicevcit.
Mirëpo, poeti nuk vdes. Ai dhe vepra e tij jeton për jetë të jetëve. Kujtimi për dëshmorin Ymer Elshani është i përjetshëm. Ai na ka lënë një mal veprash monumentale:
1. Anija e miqësisë (vjersha)-1972 2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha)-1971 3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman)-1971 4. Loti udhëtar (tregime)- 1977 5. Ishulli i lumturisë (tregime)-1973 6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman)-1975 7. Guri i çmueshëm (tregime)-1977 8. Unaza magjike (vjersha)-1980 9. Plaku me violinë (tregime)-1984 10. Kalorësi i bardhë (poemë)-1987 11. Përjetimet e bardhoshit (tregime)-1989 12. Ylli ëndërrimtar (vjersha)- 2000 13. Vajza e diellit (tregime)-2000 14. Njohja e trimave (tregime e përralla)-2000 15. Përralla për ylberin (poemë) -2000 16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura)-2000 17. Zogu i lirisë (vjersha)-2001 18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema)-2002 19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha)-2001 20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura)- 2004 dhe 21. Udhëtimet e Xhuxhmaxhuxhit (roman)-2008.
Vepra jetësore për Azem Galicën u tretë në luftë
Ymer Elshani, krahas poezisë me mjaft sukses e lëvroi edhe prozën e shkurtër- tregimin. Prej që iu ndalua publikimi, ai punonte në heshtje dhe dorëshkrimet i ruante në fshehtësi. Kështu shumë prej tyre patën ditën e botimit tek pas vrasjes së tij. Madje, këtu radhitet edhe vepra e tij jetësore, tregimet për Azem Galicën, të cilat në fakt përbënin një roman historik për kryetrimin e Drenicës. Këtë e dëshmon vetë i vëllai, Zymeri, të cilit autori i paskësh thënë diku në maj të vitit 1998: “Dorëshkrimin e përfundova dhe besoj se do të dalë një libër mjaft i mirë, i cili do të mirëpritet nga lexuesit. Janë tregime që në njëfarë mënyre e formojnë një roman”. Dhe, dorëshkrimi për Azem Galicën siç duket qe dorëshkrimi i fundit dhe më me vlerë, në të cilin autori punoi tri-katër vitet e fundit, e i cili u asgjësua nga dora e barbarisë.
Kështu, nga kjo vepër madhore kanë shpëtuar vetëm tri tregime, dy të botuara në gazetën Bujku (“Shpata e argjendtë” dhe “Njohja e trimave”) e tjetri (Rrëfimi për trimin e Galicës) dorëshkrim i gjetur në disa shkrime që mbijetuan...Libri “Njohja e trimave” (128 faqe), vepër postum e autorit, është përgatitur nga i vëllai, Zymer Elshani dhe për herë të parë është botuar nga Rozafa më 2000, kurse herën e dytë në vëllimin e 5-të të kompletit, botuar nga Meshari (2019)..
Duke lexuar tregimin Shpata e argjendtë lexuesi i vëmendshëm heton prirjen e autorit për pasqyrimin e jetës dhe veprës atdhetare të Azem Galicës në frymën historike, por me mjete stilistike letrare. Ngjarja e zhvilluar në vitin 1916, kur trimi drenicas ftohet nga gjenerali francez për një mirënjohje, ngase i kishte zënë peng mbi dymijë ushtarë austro hungarezë dhe për këtë do t’i dhuroi një shpatë të argjendtë, si trofe lufte. Mirëpo, ai nuk e pranon dhe kjo tregon qartë se shqiptarët nuk po luftonin për grada e dhurata, por për liri e çlirim kombëtar.
Ndërkaq në tregimin tjetër me temë historike Njohja e trimave, autori përqendrohet në dy personazh luftëtarë të shquar të historisë sonë: Isa Boletini e Azem Galica. Njohja e tyre bëhet në rrethana lufte, në vitin 1912, kur trimat me shumë bashkëluftëtarë ishin vënë në ndjekje të ushtrisë pushtues otomane që po ikte në theqafje. Njohja e tyre është madhështore, ajo ndodh në fushëbetejë, në rrethana lufte. Trimat, sipas autorit kanë ngjashmëri me kreshnikët, me Mujin e Halilin, me Pirron e me Skënderbeun. Pra, motivi themelor është heroizmi ynë nëpër shekuj.
Tregimi Rrëfimi për trimin e Galicës, i cili u gjet në mesin e dorëshkrimeve që i shpëtuan barbarisë serbe, e që është shkruar para dy të tjerëve, ka një diskurs tjetër të të shtjelluarit. Autori me përvojë ka zgjedhur bashkëbisedimin nip-gjysh për trajtimin e historisë së të bëmave dhe trimërive të Azem Galicës. Sipas rrëfimeve të Gjyshit, Trimi i Galicës kishte shikimin e diellit, goditjen e vetëtimës dhe jehona e zërit të tij ishte rrufe që kërcet!
Armiqtë i menduan të gjitha: ia vranë vëllain, ia dogjën shtëpinë, e sulmuan dy herë që ta kapnin të gjallë, por kot. Të gjithë ata që e donin lirinë iu bënë vëllezër, të gjitha shtëpitë u bënë të tijat dhe lufta vazhdoi pa ndërprerë...Madje edhe pas vrasjes Ai jetonte në flakën e pushkëve të shokëve të tij.
Epilogu i tregimit ka simbolikë të shumëfishtë:
-Është vrarë dhe nuk ka vdekur!... thanë armiqtë e habitur.
-Jeton me ne,- ishte zëri i shokëve të tij.
-Kujtimi i tij na prin ne...-thanë ata dhe luftuan deri në fitore.
Edhe tregimet tjera, të përfshira në librin “Njohja e trimave”, përkundër tematikës së larmishme, reflektojnë veç atdhetarizëm, dashuri, mirësi, edukatë e mirësjellje, gjë që ndikon në botën e njomëzakëve. Gjuha e pastër dhe e pasur me figura stilistike, me frazeologji popullore e me elemente fantastike i bëjnë ato të kapshme për moshën rinore, andaj lexon me një frymë. Imagjinata e tij e bujshme, gjetjet interesante, përshkrimi i ngjarjeve dhe ambienteve ku zhvillohen ato, madje edhe vetë emërtimi i personazheve, toponimia e pastër shqipe, ofrojnë një atmosferë miqësore, harmonike e kënaqësi të jashtëzakonshme se i bëjnë fëmijët të fluturojnë me krahët e suferinës gjithandej ku ka veç mrekulli.
Kështu, në tregimet “Filipi e dallëndyshet”,“Kreshniku”,“Fasulja magjike nga Pollogu”,“Thesari”,“Tregimi për korbin që pëlciti”,“Përralla për zogun e artë”,“Shtëpia e Kurt Zogut”,“Loja”,“Legjenda për lulëkuqet”,”Djaloshi i kuçlinës”,“Legjenda për liqenin e pulëbardhave” etj., shkrimtari Ymer Elshani ka trajtuar një mori temash e motivesh, ku natyrshëm gërshetohet historia, legjenda, mitologja, tradita, imagjinata, duke na dhënë tablo të gjalla ngjarjesh e ndodhish, që pahetueshëm lënë mbresa të pashlyera në kujtesën e lexuesve të etshëm për dije.
Në të përfunduar, lirisht mund të themi se Ymer Elshani mbetet poeti më tragjik i letërsisë shqipe dhe, njëherësh shkrimtari më i popullarizuar i letërsisë sonë për fëmijë.
Lavdi jetës dhe veprës së të pavdekshmit Ymer Elshani!
Comments