top of page

XHAHID BUSHATI: “YJËSIA IME", KU NJË GJYSHE GËZON DHE URON NDRYSHE...

19 minutes ago
16 min read

XHAHID BUSHATI: “YJËSIA IME", KU NJË GJYSHE GËZON DHE URON NDRYSHE... 


Shënime dhe përftesa për librin “Yjësia ime” të autores Shefkije Islamaj Shtëpia Botuese “Ura”, Prishtinë, 2026


1.

Teksa lexoja dhe rilexoja me vëmendje librin "Yjësia ime" të autores Shefkije Islamaj, ktheva kokën pas në vite, dhe kujtova me mall e dashuri të vetmen gjyshe (nga ana e nënës), e cila kishte një fytyrë të bukur, një zë të bukur, një fjalë të bukur, një shpirt të bukur... Pinte shumë duhan dhe më falte shumë përkëdheli... Eh, e mira dhe e shtrenjta gjyshe!.. Ajo m'u shfaq më e gjallë se kurrë, përmes rreshtave të dalë nga zemra e shpirti i një gjysheje, kësaj radhe shkrimtare. Një shkrimtare e një vepre jetësore, shpirtërore, jo dhe aq e zakontë në letërsinë shqipe, aq më shumë në letërsinë shqipe për fëmijë. Një model, sigurisht i arrirë artistikisht dhe me një spektër ngjyrash, nga ato ngjyra që di t'i dhurojë Gjyshja shkrimtare! Dhe... figura e gjyshes është shumë e pranishme në letërsi, si shqiptare ashtu edhe botërore. Ajo shpesh paraqitet si kujtesë e familjes, urtësi, mbrojtje shpirtërore etj. Te Ismail Kadareja, figura e plakës apo e gjyshes shfaqet shpesh si ruajtëse e kujtesës dhe e traditës shqiptare. Në romanet e tij, gratë e moshuara mbartin zakonet, rrëfimet dhe frikërat historike të familjes. Ndërsa Mitrush Kuteli e trajton figurën e gjyshes me shumë ngrohtësi dhe frymë folklorike. Në tregimet, rrëfenjat, baladat, mitet e tij etj., gjyshja është rrëfimtare, mbrojtëse e traditës, burim urtësie popullore. Ajo lidhet me odën, përrallën dhe botën e fëmijërisë. Ndërsa te Agolli, gjyshja ose plaka shpesh paraqitet me humor, dhembshuri dhe mençuri popullore. Po të "shëtisim" më tej, në realizmin magjik të Márquez-it, gjyshet janë figura pothuaj profetike. Ato jetojnë për dekada dhe mbajnë të bashkuar familjen. Përfaqësojnë kujtesën, qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e jetës. Te Marcel Proust gjyshja është figurë e dashurisë së pastër dhe e ndjeshmërisë njerëzore. Figura e saj është shumë humane dhe prekëse.

Në letërsinë shqiptare figura e gjyshes lidhet shumë me odën, traditën, rrëfimin gojor, familjen patriarkale dhe kujtesën historike. Ndërsa në letërsinë moderne botërore ajo shpesh bëhet simbol i identitetit, i kujtesës personale, apo i lidhjes mes brezave. Ajo shfaqet si dëshmitare e kohëve të vështira dhe si bartëse e traditës. Marrëdhënia me fëmijët mbështetet në rrëfim dhe ndikim emocional. Fëmijët e dëgjojnë me kureshtje dhe përmes saj kuptojnë botën e të rriturve. Në të gjitha këto vepra, raporti mes gjyshes dhe nipit apo mbesës paraqitet si një lidhje e veçantë shpirtërore. Ndryshe nga prindërit, të cilët shpesh lidhen me disiplinën dhe përgjegjësinë, gjyshja simbolizon butësinë, durimin dhe përkushtimin. Ajo dëgjon, këshillon dhe fal pa kushte. Për nipin apo mbesën, gjyshja bëhet strehë emocionale dhe kujtim i paharrueshëm i fëmijërisë. Figura e gjyshes në letërsi mbetet universale sepse ajo lidhet me vlera njerëzore që nuk e humbin kurrë: dashurinë, kujtesën, sakrificën dhe urtësinë. Përmes saj, autorët tregojnë rëndësinë e familjes dhe të lidhjes mes brezave. Gjyshja nuk është vetëm personazh letrar, ajo është simbol i shpirtit familjar dhe i vazhdimësisë së jetës.

E bëra këtë hyrje, të cilën ma dhuroi leximi i adhurueshëm i tekstit, por edhe bota, stili, mënyra e të rrëfyerit e autores... Ku më shumë e ku më pak, fjalët e mësipërme, i gjeta të pasqyruara në portretin e gjyshe Shefkijes-shkrimtare, e cila është dhe Nënë, dhe Prind, dhe Mësuese, dhe Edukatore, dhe Urtake, dhe dialoguese, dhe me plot urime, gëzime, si dhe sa dashuruese aq dhe ëndërruese për nipat e mbesat e saj të shtrenjta, ku emrat e tyre dhe shtegtimi vit pas viti i Ditëlindjeve të tyre, përbëjnë një “POLIFOTO”, ku e përbashkëta por edhe e veçanta shfaqen estetikisht bukur. E bukura, e madhërishmja, njerëzorja mbeten të shenjta! Gjyshja bisedon me të shtrenjtët e saj, por edhe ata bisedojnë me Gjyshen-shkrimtare. Ky kuvendim, nga njëra faqe në tjetrën është i gjallë, gazmor, plot hijeshi, poezi dhe dritë. E kështu në vite, me ardhjen në jetë të dritave, herë të nipave, e herë të mbesave, Gjyshja si një vëzhguese e pagabuar, detajuese, i ka bërë secilit një “portret”, por do të thosha më shumë se një portret... Dhe biseda e autores, siç thotë ajo "prej ditëlindjes në ditëlindje... (2016 - 2025)" është e shenjuar përmes një Udhëtimi shpirtëror... Një udhëtim i tillë, që vetëm Gjyshja-shkrimtare mund ta bëjë e të rrëfejë... për Arin, Rinën, Lirën, Lekën, Rean, Reitën, Yllin, Tanën, Hanën, Orgesin, Lumin dhe Drenin. Një konstelacion yjesh!


2.

Ky libër i shtrenjtë dhe i veçantë, më fal edhe një motiv të rëndësishëm: Jetën e njeriut si një udhëtim të gjatë, mbushur me sfida, sakrifica, gëzime dhe ëndrra. Në këtë udhëtim, forca më e madhe që e mban njeriun të lidhur me jetën është dashuria. Ajo është ndjenja më fisnike që buron nga zemra dhe që i jep kuptim ekzistencës sonë. Dashuria na mëson të falim, të kuptojmë, të sakrifikojmë dhe të jetojmë për të tjerët. Pikërisht për këtë arsye thuhet se njeriun e bën dashuria njeri.

Që në hapat e parë të jetës, njeriu rritet me dashurinë e prindërve. Më vonë ai mëson ta dojë familjen, miqtë, vendlindjen dhe njerëzit përreth. Pa dashuri, jeta do të ishte e ftohtë dhe e zbrazët. Pasuria, fama apo suksesi nuk mund ta zëvendësojnë ngrohtësinë që sjell një zemër që di të dojë. Dashuria është drita që ndriçon ditët tona dhe forca që na ngre sa herë rrëzohemi. Po kur dashuria kurorëzohet me krijimin e familjes, ajo merr një kuptim edhe më të thellë. Fëmijët janë dhurata më e çmuar e jetës. Ata janë vazhdimësia e ëndrrave tona, pasqyra e shpirtit tonë dhe arsyeja pse përpiqemi të bëhemi më të mirë çdo ditë. Në buzëqeshjen e tyre gjejmë lumturinë më të pastër, ndërsa në sukseset e tyre shohim të realizuara shpresat tona. Prindërit sakrifikojnë shumë për fëmijët, por çdo lodhje harrohet përballë një përqafimi apo një fjale të ëmbël prej tyre. Fëmijët janë kurora e jetës, sepse ata e zbukurojnë atë me gëzim, gjallëri dhe shpresë. Ata na mësojnë të shohim botën me sy më të pastër dhe na kujtojnë se lumturia e vërtetë gjendet në gjërat e thjeshta. Prandaj, dashuria dhe familja janë thesaret më të mëdha që mund të ketë njeriu. Ato e bëjnë jetën më të bukur, më të pasur dhe më kuptimplote. Në fund të fundit, ajo që mbetet në zemrën tonë nuk janë gjërat që kemi fituar, por dashuria që kemi dhënë dhe marrë nga njerëzit që duam.

"Po arritëm të jetojmë në të tashmen, do të jemi të lumtur", thotë autorja duke perifrazuar një shprehje mitike të shkrimtarit të madh Paulo Coelho. Sepse, njeriu është e vetmja qenie që ka aftësinë të kujtojë të shkuarën, të përfytyrojë të ardhmen dhe të jetojë të tashmen. Megjithatë, paradoksi i jetës qëndron pikërisht këtu, se shpesh ne jetojmë pak në të tashmen, ndërsa shumicën e kohës e kalojmë duke u kthyer pas te kujtimet ose duke vrapuar drejt së nesërmes. Kështu humbasim momentin e vetëm që na përket vërtet. Prandaj, pohimi "Po arritëm të jetojmë në të tashmen, do të jemi të lumtur" përmban një nga urtësitë më të mëdha të jetës njerëzore. Shumë filozofë dhe mendimtarë kanë theksuar rëndësinë e të jetuarit në çastin e tanishëm. Filozofi romak Seneka shkruante: "Ne vuajmë më shpesh në imagjinatë sesa në realitet." Kjo thënie na kujton se shqetësimet tona për të ardhmen janë shpesh më të mëdha sesa vetë problemet që mund të ndodhin. Frika, pasiguria dhe ankthi lindin kur mendja largohet nga e tashmja dhe endet në territore të panjohura. Po aq domethënëse është edhe thënia e Mahatma Gandhit: "E ardhmja varet nga ajo që bëni sot." Kjo ide na mëson se lumturia nuk ndërtohet duke pritur një ditë më të mirë, por duke jetuar me kuptim ditën që kemi përpara. Çdo çast i jetuar me ndërgjegje, me dashuri dhe me mirënjohje bëhet një tullë në ndërtimin e së ardhmes sonë. Njerëzit shpesh mendojnë se lumturia ndodhet diku larg, qoftë në një sukses që ende nuk është arritur, në një pasuri që ende nuk është fituar ose në një ëndërr që ende nuk është realizuar. Por shkrimtari rus Lev Tolstoi ka thënë: "Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si i shohim ato." Kjo do të thotë se lumturia nuk është një destinacion, por një mënyrë e të jetuarit. Ajo mund të gjendet në buzëqeshjen e një fëmije, në një bisedë të ngrohtë me miqtë, në një libër të mirë ose në qetësinë e një mbrëmjeje pranë familjes.

Edhe letërsia botërore ka trajtuar vazhdimisht këtë temë. Shkrimtari francez Antoine de Saint-Exupéry, në veprat e tij, na kujton se gjërat më të rëndësishme nuk shihen me sy, por ndihen me zemër. Kur njeriu mëson të jetojë me zemrën e hapur ndaj së tashmes, ai zbulon bukuritë e vogla që shpesh kalojnë pa u vënë re në rrjedhën e përditshme të jetës. Nga ana tjetër, kujtimet e së kaluarës kanë vlerën e tyre. Ato janë rrënjët tona dhe përvoja nga të cilat mësojmë. Por kur njeriu mbetet peng i së kaluarës, ai e humb mundësinë për të ndërtuar të tashmen. Po kështu, ëndrrat për të ardhmen janë të nevojshme, sepse ato na japin drejtim dhe shpresë. Mirëpo, kur jetojmë vetëm për nesër, harrojmë të shijojmë sot. Lumturia është e lidhur ngushtë me aftësinë për të qenë të pranishëm në jetën tonë. Të dëgjosh me vëmendje, të duash pa kursim, të falënderosh për atë që ke dhe të punosh me përkushtim për atë që dëshiron - këto janë mënyra konkrete për të jetuar në të tashmen. Në këtë kuptim, çasti i tanishëm nuk është thjesht një pjesë e kohës, ai është vetë jeta. Po ashtu, shkrimtari danez Hans Christian Andersen i mësoi brezat se mrekullitë fshihen në jetën e përditshme. Personazhet e tij gjejnë dritë edhe në çastet më të vështira. Anderseni besonte se njeriu nuk duhet të humbasë aftësinë për t'u mrekulluar, sepse pikërisht aty lind lumturia. Një vend të veçantë zë edhe Astrid Lindgren, krijuesja e personazhit të paharruar Pipi Çorapegjata. Pipi e jeton çdo ditë si një aventurë të re. Ajo nuk e pengon jetën me frikëra për të ardhmen dhe as me pengje për të kaluarën. Përmes saj, Lindgren na kujton se liria, gëzimi dhe guximi për të jetuar janë burime të pashtershme lumturie.

Edhe në letërsinë shqiptare për fëmijë gjejmë të njëjtën filozofi. Poeti dhe shkrimtari Odhise Grillo e shihte fëmijën si qenie që di të zbulojë mrekullinë në çdo gjë të zakonshme. Në poezitë dhe tregimet e tij, natyra, loja dhe ëndrra bëhen pjesë e një bote ku lumturia lind nga përjetimi i çastit. Po kështu, Adelina R. Mamaqi ka ndërtuar një univers poetik ku fëmijët mësojnë të duan lulet, zogjtë, familjen dhe jetën. Në krijimtarinë e saj, gëzimi nuk është diçka e largët; ai ndodhet në çdo ditë, në çdo lojë, në çdo buzëqeshje fëmije. Një tjetër emër i rëndësishëm është Frederik Rreshpja. Edhe kur shkruan për fëmijët, ai sjell ndjeshmërinë poetike që e afron lexuesin me natyrën dhe me botën e ëndrrave. Personazhet e tij na mësojnë se lumturia nuk matet me atë që zotërojmë, por me aftësinë për të ndier bukurinë që na rrethon. Në të njëjtën frymë, krijimtaria e Bedri Dedjes është një ftesë për të parë jetën me sy kureshtarë. Ai besonte se fëmija është një kërkues i përhershëm i së bukurës dhe se edukimi më i mirë është ai që e mëson njeriun të gëzohet me botën. Nëse i bashkojmë të gjitha këto mendime, kuptojmë se letërsia për fëmijë na jep një mësim të madh filozofik: lumturia nuk është një premtim i së ardhmes, por një përvojë e së tashmes. Fëmijët na mësojnë të ndalemi, të vështrojmë qiellin, të dëgjojmë këngën e zogjve, të shijojmë një bisedë me njerëzit që duam dhe të falënderojmë për atë që kemi. Prandaj, të jetosh në të tashmen nuk është thjesht një zgjedhje; është një art. Është arti që e zotëron çdo fëmijë dhe që të rriturit përpiqen ta rikthejnë gjatë gjithë jetës së tyre. Kur arrijmë ta ruajmë këtë shpirt fëmije brenda vetes, ne zbulojmë se lumturia nuk na pret në fund të rrugës. Ajo ecën pranë nesh, në çdo hap, në çdo ditë dhe në çdo çast që dimë ta jetojmë me zemër të hapur. Në përfundim, njeriu nuk mund të ndryshojë të kaluarën dhe as të kontrollojë plotësisht të ardhmen. Ai zotëron vetëm të tashmen. Prandaj, nëse arrijmë të jetojmë me vetëdije, me dashuri dhe me mirënjohje çdo ditë që na jepet, do të zbulojmë se lumturia nuk ndodhet larg nesh. Ajo jeton në çdo çast që dimë ta jetojmë plotësisht. Këtu, dua të shënoj edhe një mendim të bukur që i atribuohet Antoine de Saint-Exupéry: "Të gjithë të rriturit kanë qenë dikur fëmijë, por pak prej tyre e kujtojnë këtë." Në këtë fjali fshihet edhe sekreti i lumturisë: të mos humbasim aftësinë për t'u mahnitur, për të dashur dhe për të jetuar me zemër të hapur.

3.

Teksti i mrekullueshëm i autores Shefkije Islamaj nis me titullin-sihariq: "I pari dhe i mbari i gjyshes". Dhe është fjala për nipin e parë të autores, Arin. Shkrimtarja thotë: "Ai ka meritën e veçantë që më dhuroi për herë të parë magjinë e të qenit gjyshe!"

Njeriu gjatë jetës përjeton shumë gëzime: ditën kur lind, kur rritet, kur dashuron, kur krijon familje dhe kur bëhet prind. Por ka një gëzim të veçantë, të butë dhe të ngrohtë si rrezja e diellit në një mëngjes pranvere: çasti kur bëhet gjysh apo gjyshe. Pikërisht këtë ndjenjë e shpreh me aq dashuri fjalia: "Ai ka meritën e veçantë që më dhuroi për herë të parë magjinë e të qenit gjyshe!" Pra, nënteksti thotë: "Kur erdhi në jetë nipi im, sikur një dritare e re u hap në zemrën time. Ishte një dashuri e ndryshme nga çdo dashuri tjetër. Nuk ishte përgjegjësia e madhe e prindit, por ishte përjetimi i ëmbël i një njeriu që sheh vazhdimësinë e jetës së vet në një fytyrë të vogël, në një buzëqeshje të pafajshme dhe në dy sy që kërkojnë botën. Nipi më mësoi të rikthehem te fëmijëria. Bashkë me të risolla në kujtesë përrallat që dikur ua tregoja fëmijëve të mi, këngët e vjetra të djepit, lodrat e thjeshta dhe gëzimin e çiltër të lojës. Ai më bëri të kuptoj se mosha nuk matet vetëm me vitet, por edhe me aftësinë për të ruajtur brenda vetes një zemër të re. Të qenit gjyshe është një dhuratë e rrallë. Është privilegji për të dashur pa kushte, për të falur pa kufi dhe për të shijuar çdo çast të rritjes së një fëmije. Çdo fjalë e parë e nipit, çdo hap i tij, çdo pyetje e pafajshme kthehet në një kujtim të çmuar që mbetet gjatë në shpirt.

Shpesh thuhet se nipërit dhe mbesat janë lulet e kopshtit të pleqërisë. Ata sjellin gjallëri, shpresë dhe dritë. Nëpërmjet tyre, gjyshërit shohin jo vetëm vazhdimësinë e familjes, por edhe vazhdimësinë e ëndrrave, vlerave dhe dashurisë që kanë mbjellë ndër vite. Prandaj them me bindje se nipi ka meritën e veçantë që më dhuroi për herë të parë magjinë e të qenit gjyshe. Ai nuk më solli vetëm një emër të ri, por më dhuroi një botë të re emocionesh, një gëzim të ri dhe një arsye më shumë për ta dashur jetën. Në buzëqeshjen e tij gjej lumturinë, ndërsa në praninë e tij ndiej se koha nuk ikën, por vazhdon të lulëzojë. Kur “Ari im mbushi 13-vjet”, lexojmë edhe një porosi të autores për “Arin e Artë”: "Nuk është e lehtë të jesh e të bëhesh i pari, sepse prej të parit gjithmonë kërkohet e dëshirohet më shumë..." Të jesh i pari është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Shpesh njerëzit admirojnë suksesin, arritjet dhe vendin e parë, por rrallë-herë mendojnë për sakrificat, përpjekjet dhe barrën që mbart ai që ndodhet në krye. Prandaj është e vërtetë se nuk është e lehtë të jesh e të bëhesh i pari, sepse prej të parit gjithmonë kërkohet dhe dëshirohet më shumë. I pari është ai që hap rrugën. Ai duhet të ketë guximin të ecë përpara kur të tjerët hezitojnë. Në çdo fushë të jetës, qoftë në shkollë, në art, në shkencë apo në sport, vendi i parë nuk fitohet rastësisht. Ai është rezultat i punës së vazhdueshme, i disiplinës dhe i përkushtimit. Por sfida më e madhe fillon pikërisht pasi arrihet suksesi. Njerëzit presin që i pari të mbetet gjithmonë i tillë. Çdo arritje e tij krahasohet me sukseset e mëparshme. Çdo gabim vërehet më shumë. Çdo hap gjykohet më rreptë. Nëse dikush tjetër mund të falet për një dështim, i pari shpesh duhet të japë llogari përse nuk ishte përsëri në lartësinë e pritshmërive. Megjithatë, pikërisht këtu qëndron madhështia e të qenit i pari. Nuk mjafton të fitosh një herë; duhet të kesh forcën për të vazhduar, për të mësuar, për t'u përmirësuar dhe për të frymëzuar të tjerët. I pari nuk është thjesht ai që arrin majën, por ai që di të qëndrojë me dinjitet mbi të dhe të ndihmojë të tjerët të ngjiten.

Historia e njerëzimit është ndërtuar nga njerëz që guxuan të ishin të parët. Ata sfiduan kufijtë e kohës së tyre, hapën shtigje të reja dhe lanë gjurmë për brezat që erdhën më pas. Në sajë të tyre, bota ecën përpara. Të jesh i pari nuk do të thotë vetëm të marrësh lavdinë e suksesit. Do të thotë të mbartësh përgjegjësinë e shembullit, peshën e pritshmërive dhe detyrën për të mos u ndalur. Është një rrugë e vështirë, por edhe fisnike. Sepse prej të parit gjithmonë kërkohet më shumë, por pikërisht për këtë arsye ai bëhet burim frymëzimi për të tjerët.


4.

Një nga veçoritë e këtij libri është dhe komunikimi mes autores dhe personazheve, që në rastin tonë janë nipat dhe mbesat e saj. Ajo i ka vëzhguar gjatë, i ka ndjekur nga afër për të zbuluar tiparet dhe cilësitë e tyre, gjithashtu dhe të kuptojë prirjet e tyre, botën e pasur shpesh me mistere... etj., që me dashuri gjysheje e shkrimtareje t'i shpërfaqë në këtë libër, që për nga ana tipologjike është i domosdoshëm për t'u lexuar nga prindër, mësues, gjyshër e gjyshe, farefisi... etj. Një libër me një modelim të veçantë sa letrar, artistik, didaktik e edukativ. Autores i kanë ardhur "të gjallë" personazhet, dhe ajo i ka parë përmes Ditëlindjeve. Ato personazhe, nga viti në vit, janë rritur para syve të saj. Dhe, ajo kujdesshëm ka evidentuar për secilin tipare të karakterit e të ardhmërisë së tyre.

Po ilustroj fjalët e mësipërme me nënvizimet e autores: Për Arin ("Për 11 vjet rresht ai më dhuron çdo ditë gëzime dhe krenari me dashurinë, virtytet, sjelljen dhe vëmendjen e pakursyer"); Për Rinën ("Përfytyrimi im i parë për ty mbeti i saktë: ndjeshmëria jote e tejshquar për të bukurën, pamja jote mbresëlënëse, mençuria dhe qetësia e një të rriture, por edhe shkathtësia e një gjimnasteje që do të mrekullonte në garat e shqiptarëve"); Për Lirën ("Pa të, nuk do t'i dija cilët janë kufijtë e mendjehollësisë së një fëmije, as si është të gjendesh para pyetjeve që përgjigjet nuk ua ke menduar kurrë e as se para një çupe mund të ndihesh më e vogël se ajo! Para Lirës, shpesh ndihem ‘e çarmatosur’"); Për Lekën ("Sa shpejt ecin vitet e sa me vrap po rritesh! Vitet nuk e kanë ndërruar ëmbëlsinë e ditës sate të parë. Por, vit për vit, unë shoh e ndiej se pamja jote diellore nuk është gjë para virtyteve e shkathtësive tua, që ma bëjnë zemrën mal. Çka të them për ty Leka im? Ku t'i gjej ato fjalë që më duhen sot?"); Për Rean ("Me pamjen e një fluture shumëngjyrëshe, me qëndrimin e një vajzushe gjashtëvjeçare, të pjekur më shumë se mosha jote, ti dukeshe sikur prisje të kurorëzoheshe princeshë, me butësinë e kthjelltësinë që s'e gjen te moshatarët tu, me këmbënguljen e adhurueshme kur e di se ke të drejtë, ti edhe mund të bëhesh nesër princeshë. Ku i dihet? Kosova deri sot nuk ka pasur princeshë (f.91). U bëra gjyshe për të pestën herë, por gëzimi e ngazëllimi ishte i njëjtë, si herën e parë. Edhe unë isha bërë diell"); Për Reitën ("Nuk e di nëse vërtet ekzistojnë engjëjt. As ku jetojnë - në qiell apo rreth nesh (f.105)?! Engjëlli im je ti Reitë! Ti më ke bindur se engjëjt ekzistojnë, se ata jetojnë në tokë dhe kush ka fat do t'i ketë afër gjithë jetën"); Për Yllin (“I mençur për adhurim, artist me dhunti kur vizaton e kur improvizon, i përgjegjshëm si një i rritur, i zoti në arsyetim kur e zëmë ngushtë, i shkathët në lojëra, gjithmonë u lëshon pé motrës e vëllait të vogël, i dashur si qengj dhe i bukur si yll. Ai është dobësia e gjyshes dhe marr shpesh qortime për këtë. Nuk kam faj - është i veçanti im, është ylli im (f.119). E dua gjyshen ndryshe prej të tjerëve, e dua si do një yll. Mendoj, flas, sillem, vallëzoj, vizatoj, recitoj, imitoj, luaj, llastohem, lazdrohem, bash si yll. Po, po, tamam si yll. Sepse yll jam, sepse Yll më quajnë, sepse yll kam lindur. Dhe dua që tjerët të sillen ndaj meje si ndaj një ylli. Gjyshja e di mirë këtë, prandaj sillet me mua si dua unë, si me një yll. Kam një të keqe. E dua gjyshen vetëm për vete, sepse jam yll."); Për Tanën ("Gjyshe, unë nuk ta kam prishë ‘punkuterin’ (lexo: kompjuterin), ta ka prishë Rea, Reita, Ylli, Hana, Orgesi..., nëse do, ta rregulloj unë?’ - më thotë sa herë më sheh të ngrysur. E unë dorëzohem, si pas shiut kur del dielli. Kush lodhet për kompjuterin a për çka do tjetër kur kam afër Tanën"); Për Hanën ("Ajo i lexon mirë sytë e zemrën time” (të gjyshes-shkrimtare - shënimi im). “Edhe kur s'flas. Ajo është plot mendje e plot zemër. Ajo është plot hijeshi e plot maturi. Ajo është Hana, lum gjyshja, lum nana!”); Për Orgesin (“Mund të duken pak tre vjet, por ai tashmë di: - të vishet e të mbathet vetë, - të hajë vetë pa u përlyer, - të bëhet serioz kur e do puna, - të bëhet nervoz kur të rriturit s'e përfillin, - kur vëzhgon e mendon nuk ka dëshirë ta pengojnë, - të futet në det i pashoqëruar e të luaj futboll fort mirë, - të dëgjojë vetëm muzikën që i pëlqen, - të ujisë lulet pa përtesë, - t'i ndihmojë gjyshes, kur ka nevojë, - t'm'i kuptojë hallet, më njeh mirë kur kam shqetësim ose kur ndihem mirë (f.162). Prandaj i pëlqen kur e thërras: O Orges burri, si i ke punët, oreee?”); Për Lumin (“Tre vjet janë pak që një fëmijë të dëshmojë qartë kush është, ku përket, çfarë do e çfarë jo, çfarë mundet e çfarë jo, çfarë ka kuptuar e çfarë jo, kur duhet të flasë, të pohojë, të mohojë, të ngulmojë apo kur duhet të heshtë. Për Lumin kjo ka qenë e lehtë edhe kur kishte më pak se një vit, sepse ai s'ka folur e nuk flet vetëm me fjalën e qetë apo të zëshme, nuk flet me shikimin, buzëqeshjen apo lojën. Ai flet edhe kur hesht. Ta kupton heshtjen dhe di të shprehet edhe me heshtjen, prandaj them, Lumit s'i gjendet shoqi kund”); Për Drenin (“Kam menduar se gëzimi i parë është më i madhi, edhe mund të jetë ashtu. Por, unë sot motmot, ashtu si edhe njëmbëdhjetë herë të tjera, e kam provuar se gëzimet e mëdha nuk maten e as nuk krahasohen. Të gjitha janë të mëdha në mënyrën e në kohën e vet. Vijnë me forcën që ia shkon shpejtësisë së dritës e ngrohtësisë së rrezeve të diellit. Dhe, nuk harrohen kurrë. Dreni im, një vit jetë duket pak, por për kaq kohë, ti më ke dhënë dritë e ngrohtësi sa do të mjaftonte të bëhej kjo botë shumë më e bukur e më njerëzore”).


5.

Në këtë pjesë të fundit të shkrimit tim, do të flas edhe për dy kapituj të rëndësishëm që zgjerojnë dimensionin tematik të librit, por plotësojnë edhe disa veçori të tjera që, gjyshja-shkrimtare i ka parë, si në çdo faqe, më ndryshe dhe duke i uruar të shtrenjtit, po më ndryshe. Kështu, kapitulli i dytë titullohet "Poezi dhe ese çasti". Është një mrekulli që vazhdon... Marrëdhënia e gjyshes-shkrimtare njeh disa rrafshe të reja shikimi, hulumtimi, mrekullimi... njeh e zbulon, uron e porosit si zemër nëne dhe gjysheje dukuri e tipare të reja, në një moshë më të avancuar "të Yjësive" të saj, siç janë semimatura, gjysmë-matura e matura... etj. Pra, autorja, si i thonë një fjale i ndjek këmba këmbës në vite. I ka shprehur me poezi dhe etyde të ndryshme që estetikisht të mahnisin... Veçanërisht poezia ruan tharmin e dritën, figuracionin plot ngjyra të rapsodive tona popullore. Është një hartë zemre që vjen duke u plotësuar edhe më tej, edhe në pjesën e tretë "Bisedim me fëmijët", sepse, siç i quan me të drejtë: - Zogjtë e zemrës sime! Kjo pjesë i ngjan Abetares së fëmijërisë, që, teksa e shfleton dëgjon zërin, bisedat çudibërëse, dëshirat, ëndrrat e nipërve e mbesave të shkrimtares; pastaj kupton dhe zbërthen nocionin e zogut në fluturim hapësirave të qiellit dhe rrugëve të jetës.

Libri në tërësinë e vet, dallohet për strukturën kompozicionale, ndërtimin e kujdesshëm të frazës, figuracionin e pasur poetik. Ai krijon komunikim të natyrshëm dhe solid jo vetëm ndërmjet autores dhe Yjësisë, por edhe ndërmjet tyre dhe lexuesve, prindërve e gjyshërve etj. Është një libër që duhet të jetë në bibliotekën shtëpiake, ku herë pas here duhet ta marrësh në duar, ta shfletosh dhe të shikosh një model që për gjithkënd duhet të jetë model, ku dëshiron urime dhe shikime që dalin nga shpirti dhe zemra e një gjysheje, ku flasin porsi lulet e shpërthejnë në ëndrra e në realizime ëndrrash: Dreni, Lumi, Orgesi, Hana, Tana, Ylli, Reita, Rea, Leka, Lira, Rina, Ari. Është një libër sa intim aq dhe shoqëror, ku flet ëmbël fëmijëria, adoleshenca, më pas rinia, më pas... e në vitet aq të bukura që Gjyshja-shkrimtare Shefkije Islamaj nuk u lodh e i shkroi e i shkroi pa u lodhur, pa përtuar me një dimension urtie, mëmësie, edukatoreje, mësueseje, pedagogeje, shkencëtareje... Gjyshja-shkrimtare na dhuroi një libër që mbart Mrekullinë Dritëdhënëse të Jetës, që e duam aq shumë, dhe në saje të Gjyshes-shkrimtare e zbukurojmë me dijet tona orë e çast e dita-ditës.

Të faleminderit, Gjyshja-Shkrimtare Shefkije Islamaj për dhuratën e çmueshme që na ke bërë!


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page